Një figurë e spikatur si Dum – Dumja!

anazapta

Satirë e nënshkruar

Bardhyl Ermini

Të premten që kaloi, në emisionin me famë botërore “Zonë e lirë” e me dëgjues në krejt linjën Kino Studjo – kthesë e Kasharit – Kombinat, me flokët e ndarë mes për mes e nën vëzhgimin vigjilent të Kunatit, konfirmuar në rubrikën e Antenës të “Temës”, patëm fatin të themi se me pak italisht, dëgjuam një britmë dum – dumi, Gridën, atë Gridën e Ministrisë të Integrimit të kohës të Nemses. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë gjykime më interesante seç dinte të bënte kjo grua e papërkulur, megjithëse nën presionin e sulmeve të tmerrshme mendore të moderatorit të programit. Ky i fundit, një figurë e spikatur, për të cilin thuhet se këtë muaj kanë filluar bisedimet për blerjen e tij nga ana e klubit të Barcelonës për t’ja vënë në dispozicion Leo Mesit si shëmbëlltyrë e njeriut që mund të përdoret si target mbi të cilin mund të praktikohet bërja e golave me… prapanicë.

Nejse! Diku kam dëgjuar se Kunati ka thënë “ Bukuria e femrës arrihet me punë, me përpjekje, me sakrifica”. E vërtetë! Megjithëse si një magazinë pa inventar, ku rrinë pranë e pranë kazanë lëveresh me kunguj pa farë, e bukura Dum – Dume dha disa definicione që shumë rrallë mund të dëgjohen në jetë. Tha që më parë paskej patur “një lloj simpatie për Edi Ramën, i cili në të kaluarën ka patur sharm, ndërsa tani ka humbur shumë”. Ka qenë më simpatik kur këndonte rep si kryetar bashkie, e tani nuk është kërkundi. Ka patur hije kur merrej me pikturë, e tani nuk bën hiçgjë. Revista “Mapo”, që e ka nominuar si “njeriu i vitit 2013”, ka gabuar në mënyrë krejt të rëndomtë, pasi po kaq i rëndomtë është edhe vetë Rama. P.sh.: si do të ndjehen ata të shkretë që marrin rrogë nga 300 mijë lekë në muaj, kur për të zbutur disi këtë jetë të shtrenjtë, ndezin ndonjë cigare për të hequr mërzinë, ndërkohë që Edi Rama ju ka ngritur çmimin e duhanit? – klithi Grida.

Këtu, atë natë ndodhi mrekullia. Zoti Henri Çili përballë saj si dhe si bashkëautor i këtij nominimi, heshti si rrallë herë, e mesa duket lutej të mbaronte ai emision. Por, nuk ishte e thënë!

Sepse ndërkohë, Britma (Grida) e pa mëshirshme, megjithëse nuk “dëshironte” të prononcohej, goditi me varre. Sugjeroi që këtë titull e meritonte Lul Basha, Kryetari më i suksesshëm i Shqipërisë e i Hollandës për Bashkinë e Tiranës, si dhe Kryetar i ndihmës zëvendës kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Këtu zoti Çili u kapërdi me vështirësi, u skuq nga sikleti, u tërhoq në vetminë e vet, e emisioni vazhdoi në rrjedhën e çështjeve karakteristike të tij, nga ato që preokupojnë paqen në botë. Me përjashtim të Çilit fatkeq, të ftuarit vërdallë e audienca rrumpallë, kanë marrë frymë të lehtësuar e të lumtur. Opozita nuk ka nevojë të përgatitet fare, po fare fare, për të riardhur në pushtet. Nuk ka sepse. Me këta përfaqësues, është krejt e sigurt që Edi Rama do të vazhdojë të këndojë rep, por tani si Kryeministër e jo më si Kryetar.

 

Share This Article
1 Comment
  • Kjo Suma Grigja Dumja ka pas qen kujdesur shum per “veglen” e Land Jevgut Ndertusit kur punonte si sekretare. Esht e papame per bemat e saj si ordinere dhe cfar nuk ben per lek. Esht thjesht nje prostitute.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *