Palltos së madhe me kohë i kishte dalë boja. Të blija të re, të them të drejtën nuk ma mbante xhepi, ndaj mendova ta kthej nga ana tjetër. Shumë e shumë kështu vepronin. Po… A ja vlente?… Rrobaqepësi që e njihja prej kohësh, ia shqepi pak astarin në dy-tre vende, e vështroi mirë e mirë, buzëqeshi dhe m’u drejtua: – Copë e mirë. E fortë. Liruar pak në bërrylet, por ia vlen…. Vetëm se do të ma sjellësh javën tjetër sepse jam i mbytur në punë..
E pyeta për hakun:
– Për ty 500 lekë. Do të blesh edhe një metër e gjysmë astar. Kaq. Të tjerat i rregulloj unë…
E falënderova. Vërtetë ia vlente. Të bleje të re – u pu, pu, pu… një rrogë e mirë. Të paktën, kështu e shtyja edhe nja dy dimra. Ç’është e vërteta, për hakun shumë pak më kërkoi. Unë nuk marr vesh nga këto punë, por shqepia, qepia e të tjera vetëm 500 lekë!.. Badjava apo jo? Ore. Pa dale. Ai më ndihmoi. Po unë??.. T’i jap edhe unë një ndihmë..
Me të thënë e me të bërë. Një mbasdite, një brisk rroje, një palë gërshërë dhe e bëra pallton, siç i thonë,”fije, fije”. Të gjitha copat i hekurosa, i palosa për bukuri, i mbështolla pako me gazetë dhe me të hyrë java fluturova tërë gaz tek rrobaqepësi. Por… Ai sapo hapi pakon kërceu përpjetë:
– Ç’janë këto more?!…
– Palltua – i’u përgjigja tërë gaz.
– Palltuaaaa?!… Mos more. Mos – gërthiti – Obobo ç’ke bërë!? Oh. Gjynah. Gjithë kjo copë të shkojë dëm… Mos more, mos… – e pastaj m’u sul – Po ç’tu desh more djalë? Kur nuk e ke zanat ç’dreqin do?.. Obobo.. Gjynah…
– Po unë… Unë, unë… Unë vetëm e… shqepa…- belbëzova.
– E shqepe!? Hë! Po, pse.. Shqepia nuk është zanat? Ëëëë?- m’u hakërrye.- Zanat është?… Zanat e shkuar zanatit.
– Po… Ku e dinja..
– S’e dinje?!… Të pyesnje… Kur s’di, pyet… Oj.. Bytha trokë e hunda përpjetë.
– Po… Unë për mirë..- mërmërita..
– Ç’ m..t mirë kur nuk di?… Ti e ke shqyer more. Nuk e ke shqepur – E ke shqyyeerrr… Hajde… Merre e pija lëngun palltos…
Mbeta atë dimër pa pallto. Unë e di ç’kam hequr…
Letër Ditës nga aktori
Astrit Çerma

s`e mora vesh
Astriti jeton ne Peabody Ma U.S.A
nuk e kam ditur se Astriti ben kaq humor. e kam pelqyer si artist per filmat qe ka realizuar i uroj jete te gjate dhe shendet atje ku jeton.kane bere emer ne shqiperi faleminderit.