Dita e sotme shënon dhe afatin e fundit që maturantët kanë në dispozicion për të shlyer tarifën e aplikimit për universitetin, çka i lejon ata më pas që të vijojnë me konkurimin online për të përzgjedhur 10 preferencat ku duan të fitojnë një të drejtë studimi për ndjekjen universitetit përgjatë vitit të ri akademik 2021-2022. Autoritetet e arsimit u kanë bërë thirrje maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që të shfrytëzojnë ditën e sotme për të shlyer tarifën prej 2,000 lekësh në një nga bankat e nivelit të dytë, apo zyrat e Postës Shqiptare, që të mund të vijojnë me plotësimin e Formularit A2. Maturantët që nuk kryejnë këtë procedurë nuk do të mudn të vijojnë konkurimin për kuotat e Raundit të parë të pranimeve që do të realizojnë të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vend.
Lidhur me garën e pranimeve të reja të këtij viti, në Universitetin e Tiranës, degët e të cilit rezultojnë të jenë ndër më të kërkuarat, maturantët do të mund të garojnë për 35 programe të ndryshme studimi të ofruara nga të gjashtë fakultetet që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë. Konkretisht në Fakultetin e Drejtësisë do të garohet për 640 pranime të reja, në Fakultetin Ekonomik për 1200 kuota në të gjitha degët, në Fakultetin e Histori-Filologjisë për 673 kuota, tek Gjuhët e Huaja për 850 kuota pranimi, në Fakultetin e Shkencave Sociale për 580 pranime të reja, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për 1080 pranime të reja, si dhe në Filialin e UT në Sarandë për 110 kuota pranimi. Në vijim të shkrimit gjeni programet e detajuara të studimit për të cilat do të konkurohet në Universitetin e Tiranës për pranimet e Raundit të Parë. Gara e konkurimit do të nisë zyrtarisht gjatë ditës së nesërme, dhe për 6 ditë me radhë maturantët do mund të plotësojnë online formularin e preferencave. Për të qenë pjesë e garës për këto programe studimi, maturantët duhet të plotësojnë kriterin e mesatares minimale të konkurimit, teksa përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas kritereve të pranimit të miratuara nga secili fakultet.
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. “Programet e studimit të ciklit të parë në Universitetin e Tiranës realizohen, si rregull, me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e universitetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer”, sqarojnë autoritetet e Universitetit të Tiranës.
Konkurimi në Universitetin e Tiranës do të zhvillohet për këto degë:
1. Drejtësi
2. Administrim Biznesi
3. Ekonomiks
4. Financë – Kontabilitet
5. Informatikë Ekonomike
6. Gjuhë Angleze
7. Gjuhë Frënge
8. Gjuhë Italiane
9. Gjuhë Gjermane
10. Gjuhë Greke
11. Gjuhë Ruse
12. Gjuhë Spanjolle
13. Gjuhë Turke
14. Arkeologji
15. Histori
16. Gjuhë Letërsi
17. Gjeografi
18. Gazetari
19. Biologji
20. Bioteknologji
21. Fizikë
22. Informatikë
23. Teknologji Informacioni dhe Komunikimi
24. Kimi
25. Kimi Industriale e Mjedisore
26. Kimi dhe Teknologji Ushqimore
27. Matematikë
28. Inxhinieri Matematike dhe Informatike
29. Filozofi
30. Pedagogji – Psikologji
31. Punë dhe Politika Sociale
32. Sociologji
33. Shkenca Politike
34. Gjuhë Angleze; Filiali i UT-së, Sarandë.
35. Administrim Biznesi; Filiali i UT-së, Sarandë.
