Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar historik takimin mes dy qeverive fundjavën e kaluar në Prizren. Thaçi tha në mbledhjen e qeverisë së Kosovës se marrëveshjet e nënshkruara në Prizren do të konkretizohen, pasi do të jenë në qendër të vëmendjes së punës së ministrave dhe ministrive përkatëse.
“Jam i bindur se në takimin e ardhshëm që do të zhvillohet në Vlorë do t’i shohim të konkretizuara marrëveshjet që u nënshkruan në Prizren. Gjithashtu duhet të shohim për një axhendë të mbushur me projekte dhe propozime të reja që do ta çojnë bashkëpunimin mes dy vendeve tona në një nivel shumë më të avancuar. Unë dua t’i siguroj të gjithë se bashkëpunimi Kosovës dhe Shqipëri është i nivelit më të lartë institucional, në të mirën e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri dhe në Kosovë, në interesin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”, tha Thaçi.
