SHËNIM: Toka e pasur e njerëzve të varfër!

redaktor

Në dy lajme me përmbajtje të njëjtë afërsisht, njëra zuri vend më shumë në edicionet e lajmeve. Njëri ishte mbi një të dhënë se pellgu Patos – Marinëz, mund të jetë një prej pellgjeve naftëmbajtëse më të pasura të Europës; ndërsa tjetri kishte të bënte më një shkrim të Nju-Jork Times, mbi Shqipërinë turistike, si vendi i katër për t`u vizituar. Janë dy lajme që kanë dhe anën tjetër të medaljes, pas një provokimi pozitiv në fazën e parë të marrjes, atë mbi realitetin përballë këtyre të dhënave. Nuk duhet të përbëjë më lajm se ç`pasuri ka nëntoka apo mbitoka shqiptare.

Lajm është se si ka mundësi që një popull e një kastë udhëheqëse të sillet kaq kriminalisht me këto pasuri. Ka vende me shumë më pak resurse të tilla, por që për shkak të kualitetit njerëzor, të virtytshëm e të aftë për menaxhim, e kanë begatuar tokën e jetën sikur aty të ishin mbledhur gjithë pasuritë e botës. Nëse do i referoheshim resursve që mban në barkun e saj toka shqiptare, jo e gjithë Shqipëria, por të paktën ca qytete do e bënin diferencën me të tjerat. Bulqiza përshembull, do ishte një qytet kristalor, me çfarë miliardash mban toka ku ajo gjallon, ndërsa aty has një lloj mjerimi afrikan.

Banorët e Patoz – Marinzës apo të zonave të tjera naftëmbajtëse, do bënin një jetë llamburitëse në një realitet mbitokësor krejt tjetër. Le të kalojmë tek bregdeti. Nuk është e çuditshme që impresionet pozitive të një shtetasi të huaj, siç ka qenë ai amerikani që ka shërbyer si refencë e burim infoje për artikullin e NYT, të shndërrohen në kriter vlerësimi, duke na befasuar me lajme për një parajsë të paparë këndej nga ne, por më saktë do ishte që referenca për turizmin shqiptar të ishte: udhëtoni drejt një vendin ku njeriu është në armiqësi me natyrën; ku prarimi i kësaj të fundit, është në një kërcënim të vazhdueshëm nga babëzia e njerëzve.

NYT përmend Butrintin, i ruajtur për ca koinçidenca pozitive, por nuk di tjetrën që  është ndër të vetmit sit arkeologjik të vizitueshëm krahas qindra e qindra monumenteve të tjera të trashëgimisë; se tre kala të degraduara të Ali Pashë Tepelenës në territorin shqiptar, ngjajnë si hale përballë një muzeu në Janinë kushtuar kësaj figure, që grekët e kanë qarë  më lot; ose faktin tjetër, që qytetet bregdetare shqiptare, janë të vetmet në mesdhe, në Jon e Adriatik, që nuk kanë paketa turistike në asnjë stinë tjetër përveç pranverës e verës, e në disa prej tyre as në këto dy stinë, por që thjesht gjatë stinës së nxehtë kthehen në habitate të plazheve masive;   përgjatë një bregdeti vërtet fantastik, nuk sheh as barka apo anije me vela e le më pastaj jahte. Sintagma “Rilindje”, mund të kishte si variant dublues dhe sintagmën “Jo traditës!” – jo më traditës së mbrapshtë të një dualiteti antagonist paradoskal në këtë vend, mes natyrës dhe njeriut.

Foto e agjensisë CORBIS: Shqipëria, e fotografuar nga hapësira (Space Shuttle Endeavour – Gusht 2007)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *