Jeta ime…

Ornela

Jeta ime që s’të zhyta
Në llum e në baltë,
Por as dot nuk të gostita
Me llokum e mjaltë.

Jeta ime. Të dy ecëm
Si dy të harbuar.
Diku ramë e diku ngecëm,
Po prapë jemi çuar.

Jeta ime, jeta ime
Qilim dot s’të shtrova,
Nëpër mjegull e gjëmime
Si i marri shkova.

Pak na mburrën, pak na deshën
Sa shumë që na shanë.
Ne të sharat i përqeshëm
Kokën hiç s’e çamë.

Jeta ime, jeta ime
S’të bëra nallane
Po të vesha me blerime
Në shi e tufane.

Nuk të fsheha në një strofull,
S’të blova në mokër
Dhe pse kishim rreth e rrotull
Mijëra mediokër.

Le të ecim, kohë s’kemi
Që t’ia fusim gjumit,
Le të ndezim, sa të jemi,
Një dritëz mes llumit! …

Arben Duka / DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *