PE diskuton sot për Kosovën dhe Serbinë

redaktor

Parlamenti Evropian do të diskutojë sot propozim-rezolutat për Kosovën dhe Serbinë, të cilat janë hartuar në bazë të raporteve vjetore të raportuesve Ulrike Lunacek dhe Jelko Kacin.

Në këto dokumente, Parlamenti Evropian ofron mbështetje të fuqishme për dialogun Prishtinë-Beograd, ndërsa autoritetet në Kosovë dhe Serbi ftohen të ecin me vendosshmëri drejt standardeve evropiane.

Në dokumentin për Kosovën të Parlamentit Evropian, përshëndetet vendimi i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, duke e vlerësuar si nxitje të fuqishme për reforma dhe përforcim të lidhjeve me fqinjët, dhe marrëveshjen me Serbinë për telekomunikacion dhe energji.

Gjithashtu, në rezolutë u rekomandohet pesë vendeve të Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë, ndërsa u bëhet thirrje të gjitha vendeve të BE-së që t’i forcojnë lidhjet ekonomike me Kosovën.

Gjithashtu, në këtë dokument, kërkohet nga autoritetet e Kosovës avancimi i efikasitit të gjyqësisë së pavarur dhe forcimi i sundimit të ligjit, veçanërisht për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësim për mungesën e progresit të theksuar në këto fusha.

Parashikohet që rezolutat për Kosovën dhe Serbinë të votohen nesër nga eurodeputetët.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *