Skema e re, trafik droge mes blloqeve të mermerit

redaktor

Organizatat kriminale ndryshojnë taktikat dhe teknikat e trafikut të drogës. Për t’i shpëtuar sekuestrimit nga policia, metoda më e fundit është fshehja e drogës brenda pllakave gjigante të mermerit që eksportohen drejt Italisë. Policia italiane zbuloi dje një tjetër skemë trafiku të lëndëve narkotike nga Shqipëria, ku në pranga janë vënë 5 persona, si dhe janë sekuestruar 800 kg marijuanë.

Trafikimi i lëndës narkotike këtë herë është kryer duke u fshehur brenda një blloku mermeri me peshë 20 tonë, ku nga shqiptarët në mes kishin hapur një gropë, e më pas brenda saj ishte fshehur lënda narkotike. Policia italiane ka përdorur dhe ekskavatorin për të hapur masivin e mermerit. Nëse droga do të kishte dalë në treg, do të arrinte një vlerë prej afro 1 milion euro. Ndërsa sipas të njëjtit burim kamioni ka mbërritur në Brindisi duke ardhur me traget nga Durrësi. Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë publik dhe u kërkua bashkëpunimi i policisë shqiptare për hetimet.

Ekstradimi

Zyra e Interpol Tirana, bëri dje ekstradimin nga Chisinau i Moldavisë për në Rinas, të Alexandros Mikail Zeitinidis, 52 vjeç, me origjinë nga Kazakistani. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, më 13 korrik 2009, e ka dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg, për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa i ka mbetur 1 vit dhe 2 muaj burg. Më 7 prill 2008, është kapur në Kakavijë, pasi në automjetin e tij janë gjetur 36 pako me lëndë narkotike. Zeitinidis u kap nga agjentët e Interpol Chisinau, më 24 nëntor 2013, në Giurgiulesti të Moldavisë, me qëllime ekstradimi.

Fier

Operacioni i koduar “Valona” zbulon trafikun e 109 kilogram droge me destinacion Italinë, ndërsa në pranga ranë dy të dyshuar. Sektori Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Fier, prangosi dje Gani  Shahaj, 57 vjeç dhe Ermal Daja, 34 vjeç, banues në Vlorë. Policia i lokalizoi në orët e vona të mbrëmjes, në rrugën Levan-Fier, në afërsi të fshatit Levan, duke udhëtuar me mjetin autoveturë tip “Polo”, me targë AA732CZ, në te cilën u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 109 kg hashash. Droga ishte futur në 3 çanta të mëdha dhe e ndarë në 99 pako. Dyshohet se origjina e narkotikut është fshati Lazarat dhe të rinjtë kanë qenë në rrugën e kthimit për në qytetin e tyre bregdetar. Kurse destinacion i trafikut ka qenë vendi fqinj, Italia.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *