Milan, Sedorf vjen me ambicie të mëdha

redaktor

Klarens Sedorf është trajneri i ri i Milanit, pasi ka vendosur të mbyllë karrierën si futbollist. Holandezi e ka bërë të ditur vendimin e tij në konferencën për shtyp në Brazil, ku deri dje ishte futbollist i Botafogos. Sot pasdite do të jetë në Milano, për të marrë drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Alegrit. “Kjo eksperiencë prej një viti e gjysmë te Botafogo më bëri të rritem shumë dhe do të më ndihmojë në hapin tim të ardhshëm që do të jetë ai për të drejtuar Milanin si trajner”, tha Sedorf. “Kur më telefonoi presidenti Silvio Berlusconi nuk munda t’i them jo. Jam i lumtur që rikthehem te Milani”. Holandezi ka bërë të ditur se është ambicioz për të arritur objektiva të mëdhenj me skuadrën kuqezi: “Synoj që ta drejtoj skuadrën në botërorin e klubeve”, çka nënkupton detyrimisht suksesin në Champions League, një trofe që Sedorf e njeh si pak të tjerë. Holandezi është futbollisti i vetëm që ka fituar titullin evropian me tri skuadra të ndryshme, fillimisht me Ajaksin më 1995, me Real Madrid më 1998 dhe dy herë me Milanin, më 2003 e 2007, i fundit për skuadrën kuqezi. Sedorf ka falënderuar Botafogon, skuadra ku shkoi të luante pasi u largua nga Milani. “Nuk është një lamtumirë, do të rishihemi. Nëse do të kisha mundur të luaja futboll edhe pesë vjet të tjerë do të kisha qëndruar. Por karriera e një futbollisti nuk është e përjetshme, ndaj duhen shfrytëzuar mundësitë që të jepen. Kam fituar gjithçka dhe futbolli më ka dhënë shumë, por tani ka ardhur momenti ta lë”. Por Milani aktual nuk është ai i kohës kur Sedorf e kompani fitonin trofe të mëdhenj. Megjithatë, trajneri i ri thotë se do të mbështetet te ish-bashkëlojtarët. “Nuk mund të them tani se si do të luajë Milani. Pas pak ditësh do t’i përgjigjem edhe kësaj pyetjeje. Do të më ndihmojë fakti që aty do të gjej shtatë shokë me të cilët kam luajtur”. Sot Sedorf mund të jetë në tribunë për të parë ndeshjen e Kupës së Italisë, kundër Specias, në të cilën Milani do të drejtohet nga Mauro Tasoti.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *