Jeniçerët në shpellën e Saliut (II)/ Ëndrra e përbindëshit dhe fati i banorëve të shpellës së tij

Ornela

Jorgo Mandili

(Vijon nga numri i kaluar)

E pra pasi pamë transformimet e këtij njeriu duke iu kacavjerrur pushtetit, nga komunist fanatik në një të djathtë ekstrem, le të shikojmë se si ai i grumbulloi të tëra pushtetet…

…DHE U KONVERTUA NË PËRBINDËSH

Duke njohur këto cilësi patologjike të tij ky njeri do të ishte më oportuni për hakmarrjen ndaj çdo gjëje komuniste, më i devotshmi për t’u konvertuar nga “kriptokomunist “, në një antikomunist fanatik dhe në një “agjent të krahut reaksionar e revanshist me propagandë antikomuniste dhe nacionaliste. Synimet e dhe aftësia e tij, papritmas u bashkuan me realitetin social dhe politik të vetërënies së socializmit etatist. Dhe, në këtë kohë e në vazhdim, ai luajti “kumar” me popullin shqiptar dhe me ndërkombëtarët.

Kur gjithçka e dogji, e shkatërroi, e rrënoi, e plaçkiti , e vrau, e preu , zotëria e tij nuk kishte arsye të veçantë për t’i ardhur keq për ato që i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sepse ai e mori atë që kishte synuar gjithmonë – Pushtetin – me anë të të cilit mbolli kudo farën e Urrejtjes dhe të Shkatërrimit! Mori edhe Paranë – që së bashku me familjen e të tijtë që e mbronin e lajkatonin krijuan të “fortët” që përdornin korrupsionin shtetëror si “shkopi magjik” për t’u pasuruar. Për të marrë e shijuar çdo gjë që u vente mendja e ua donte shpirti dhe ua ndjente zemra. Kjo bandë të fortësh me në krye Sali-Ui fituan! Ata, që me të vërtetë kanë humbur janë qindra – mijërat e shqiptarëve, që u degdisën rrugëve të botës, që u droguan e prostituan, që u vranë e u burgosën, që u ndanë për së gjalli me njerëzit e dashur, e që vuajnë ende për bukën e gojës e ky me familjen e vet, jo vetëm bën jetë përrallore në vilat e tij brenda e jashtë vendit, por edhe vazhdon të kërcënojë, të bërtasë e ulërasë për revolucion, për shkatërrime , për vrasje me snajpera, topa e raketa duke bërë thirrje si të gjeneralit frankist  “Viva la muerto!” sikurse e përmendëm në pjesën e parë të këtij shkrimi.  Sepse është vetë vdekja e shkatërrimi, nekrofili e destruktivi. I inspiruar nga pasioni i zemërimit dhe hakmarrjes, një njeri pa pikë mëshire dhe keqardhje, vullkan që vlon nga nxitjet arkaiko -primitive u kthye në një Përbindësh për shqiptarët që në çdo moment kur i interesonte atij u tregon shqiptarëve shëmtinë dhe egërsinë e zemërimit tij, se çfarë është e çfarë mund të bëjë njeriu i tërbuar nga inati kundër të ngjashmeve të vet! Sidomos kur përgojohet Familja, vajza, djali, mbesat etj.

Nëpër tryeza gjatë këtyre kohëve pasi u shpall non grata nga SHBA, flitet se ai po përgatitet  të bëjë trazira të reja në shtator. Ta kthejë Shqipërinë në tym e flakë si në vitin e zi 1997 në rast se nuk do ta lejojnë të hyjë në parlament. Këto mund të jenë edhe thashetheme të përhapura nga vetë ai apo nga jeniçerët rreth e rrotull tij. Por këto parashikime të zymta po i dëgjojmë edhe nga njerëz të besueshëm dhe që kanë burime të besueshme. Nisur edhe nga precedentët, nuk na mbetet vetëm të kujtojmë fjalët e heroit çek të Luftës së Dytë Botërore: Njerëz, jini vigjilentë!

Një tërbim i egër, gjakatar, i zbehur, i mbështjellë me errësirë, i neveritur nga të gjithë, përpos atyre, besnikëve që janë gati të vdesin me vdekjen e tij! I gatshëm për ta kthyer përmbys gjithçka:detin, tokën, qiellin, a thua nuk ka mjet tjetër për të mbrojtur veten dhe familjen. Zemërimi në sjelljet,qëndrimet, veprimet dhe fjalimet e tij është i vërtetë, jo i shtirur, sepse atë e ushqen urrejtja për çdo gjë ,që nuk konvenon me idetë dhe opinionet e tij . Shikoni çfarë ndodh me sjelljet e qëndrimet ndaj një gruaje zonjë në radhë të parë, pastaj ambasadore e një shteti mik që na ka mbrojtur nga copëtimi gjatë historisë , që na fali Kosovën e që tani përpiqet të na çlirojë nga korrupsioni shtetëror i inspiruar nga ky Përbindësh që në 2005 premtoi për “duar të pastra”, transparencë , mbrojtje të ligjshmërisë dhe pasurisë së qytetarëve, por që përfundoi me korrupsionin galopant pothuajse dy herë më të lartë se ai i Fatos Nanos në 2002- 2005.

Zemërimi i humb arsyen, logjikën, fisnikërinë e qytetarinë duke e transformuar në një alabak rrugësh,në një burrec të pështirë ,në një fjalëhidhur fëlliqësirë, që vret më shumë se plumbi. Kur “fyen, shpif, dhe kërcënon qindra gra shqiptare, që merr nëpër gojë e akuzon neveritshëm nënat, motrat e vajzat e kundërshtarëve të tij , pa marrë parasysh se edhe vetë ka grua, vajzë e mbesa. Kështu po vepron edhe me zonjën Kim, që ironizon me nofka të tilla si Kimete etj.  I pështirë ky dhe të gjithë ata që i mbajnë ison e i bëjnë qejfin. Por harron ky i çmendur se populli ka një shprehje domethënëse se “po e bëre shurrën në det, kripën do ta hash në gjellë”. Haje kripën tani në gjellën tënde që ke gatuar. Përjeto edhe ti atë lëndim që provojnë të tjerët nga hakmarrja jote primitive dhe tribale!

Duke humbur arsyen, logjikën nga zemërimi bëhet i paturpshëm e i pacipë për të ndryshuar e deformuar të vërtetat, siç ndodh me projeksionet iluzioniste në shpellën e Platonit … Alibitë demagogjia dhe hipokrizia janë tipare karakterologjike të këtij Mashtruesi të Keq. Po t’i analizosh me vëmendje ligjërimet e tij, do të konstatosh se ato nuk janë të ngarkuara me hollësi gjykimesh intelektuale apo morale. Ato janë vepra të një fjalori të rrugës, por jo të një njeriu të edukuar, të fisnikëruar, humanist e qytetar. Ai grumbullon e stis fakte, që vërtetojnë tezat e tij, i plazmon ato njëra me tjetrën me hamendje dhe nxjerr tekstin plotësisht bindës, sidomos për kundërshtarët e tij politikë. Ndërkaq për njerëzit e tij të ngujuar në shpellën e tij, që nuk priren nga arsyeja, por nga emocionet dhe instinktet, ai me mjeshtëri ua injekton urrejtjen dhe hakmarrjen deri në atë shkallë, sa që ata janë gati të vdesin e të vriten për të.

Të gjithë i do nën këmbë: të tijtë, mazhorancën, ambasadorët, kongresmenët, europarlamentarët. Dhe në shumicën e rasteve e realizon përmes mënyrës së komunikimit të tij – tjetër me të tijtë, tjetër me kundërshtarët politikë, tjetër me ambasadorët, tjetër me parlamentarët evropiane e tjetër me kongresmenët amerikanë . E kështu i mashtron dhe i hipnotizon të gjithë, deri në atë shkallë, sa që kur vret njerëz e quajnë “burrë shteti” . Si një aktor i vërtetë, me këtë rol ai fsheh hipokrizinë !

***

Shumë të huaj, janë të gatshëm të mos t’ia vënë re këto ‘deformime “të karakterit tij. Disa, të edukuar me traditat e ndershmërisë intelektuale, thjesht nuk mund të pranojnë mendimin, se njeriu që qëndron përballë, i mashtron. Disa të tjerë për hir të miqësisë e disa të tjerë…., e po fundja njerëz janë edhe ata.! Pavarësisht se tani është një njeri pa “pushtet”, thjesht një qytetar digital, përsëri ka disa “miq” që  i marrin dorën duke ditur se çfarë pasioni ka për destabilizimin dhe destruktivitetin e vendit

TRIMËRIMI DHE MITIZIMI

Falë pandëshkueshmërisë ai “fitoi ” statusin e të “paprekshmit”dhe si i tillë, i glorifikuar nga media filoberishiane dhe gazetaria e “markgjekleshëve” i krijuan të gjitha kushtet për të shfaqur protagonizmin e tij që prodhonte veç shëmti në të gjithë jetën sociale,politike e private të shqiptarëve .Falë edhe tolerimit të ndërkombëtarëve, të cilët nga mllefi -kundër komunizmit përkrahën dhe ndihmuan krahun më vulgar, më mediokër e më radikal të politikës shqiptare – një monstër diabolike, që terrorin, dhunën e shantazhin i ka ndërgjegje! Krijuan një Përbindësh! Që më vonë u doli nga duart .U bë i rrezikshëm saqë edhe vetë ajo demokraci e “kulisave” të real politikës , në “bodrumet ” e saj nuk mund ta lejonte që të prishte imazhin e saj formal, aq më tepër kur interesat e Shqipërisë përputhen me interesat gjeostrategjike të aleatëve tanë.

Nga ana tjetër, trimërimi i këtij Mashtruesi të Keq, të neveritshëm e të mërzitshëm dhe që nuk durohet ta dëgjosh më e që bëhet protagonist kobzi me thirrje e britma për armatosje, revolucion, grusht shteti, vrasje e shkatërrim – në thelb terrorizëm – e që po na “pengon të këpusim zinxhirët e një demokracie të dobët dhe thellësisht të korruptuar”. Mashtruesi i Keq arrin apogjeun duke ” hipnotizuar” jo vetëm banorët e shpellës.

“AUTOPSIA” SENEKA

Nëse Saliu, ka të drejtën të përdorë fjalët e një poeti të njohur, për t’i frymëzuar banorët e Shpellës së Injorancës duke shfaqur një shëmti famëkeqe, unë pse të mos kem të drejtën ta mbyll kapitullin e këtij  “Mashtruesi të Keq” , e këtij njeriu as komunist, as demokrat, as nacionalist, as patriot, as i ditur, as injorant as i mençur, as budalla ,as arkaik , as modern, as fshatar as qytetar, por thjesht një qenie njerëzore, që zëmërimi ligësia e nekrofilia e tij buron nga nga urrejtja ndaj jetëve njerëzore, përveç vetes dhe familjes së tij. Që zemërimi ,ligësia e nekrofilia nuk lind nga dredhitë e tij satanike ,por nga destruktiviteti i tij mendor ,që nuk i lejon të marrë parasysh pasojat morale të asaj çfarë bën kur zbaton detyrën e dhënë …pra pse të mos kem të drejtë t’i drejtohem Senekës ,i cili në mënyrë të sintetizuar për gjithçka unë kam artikuluar për këtë Përbindësh e Mashtrues të keq i ka përmbledhur në katër fjali:

“Ty, që shpirti të është bëre i pashërueshëm dhe jeta një varg krimesh,

Ty qe ke gëlltitur aq shumë padrejtësi, sa ato kanë hedhur rrënjë në zorrët e barkut tënd dhe nuk mund të shkulen prej andej përpos bashkë me to,

Ty, pra, që vuan prej kohësh nga kjo çmenduri që është fatkeqësia jote dhe e të tjerëve, njëkohësisht.

Ti, që po na çmend të gjithëve : Kur do të ndjesh pendesë? ”

Ah ,more fatkeq ! Ky je i vërteti, ky je ti i çmitizuar. Një mallkim për shqiptarët. U godit miti yt i “legjendarit të demokracisë” dhe u lehtësuan shpirtërat e shumicës së shqiptarëve të ndershëm, që duan të jetojnë në paqe e me dashuri, pa terrorin psikologjik berishian si ” Kamxhik i demokracisë”, pa histerizmat e tij nekrofilike në parlament, pa mashtrimet e banorëve të tronditur të shpellës së Platonit, që i projekton çdo ditë në muret e shpellës së Platonit duke i mashtruar e mbajtur në injorancë .Por … ende nuk është rrëzuar… Dhe vërtetë , ” livadhi” i Berishës është i mbushur plot me monstra të tilla, gazetarë, moderatorë, analistë, publicistë, politikanë , deputetë e ish deputetë profesorë e doktorë shkencash ,servilë të pështirë, sahanlëpirës e sharlatanë me diploma, bisha të harbuara të gatshëm për t’u sakrifikuar për këtë “fosile” të tranzicionit, të gatshëm të mbysin sërish në gjak Shqipërinë dhe t’i vënë flakën si njëzet e ca vite më parë, boll që reforma në drejtësi të dështojë që Sali-UI & CO të shpëtojnë .Të gjitha i bëni se është zgjedhja juaj, por mos u tregoni burreca ,të neveritshëm e të pështirë duke u marrë me një grua fisnike ,mike e çmuar e Shqipërisë , ambasadore e shtetit më të fuqishëm e aleatit tonë të madh, me një integritet të lartë profesional e moral në fushën e diplomacisë me një karrierë të shkëlqyer, si asnjë ambasador tjetër që ka ardhur në Shqipëri e mbi të gjitha për Drejtësinë e Reformuar ,ku shqiptarët mbajnë shpresën për t’u çliruar jo vetëm nga Sali- UI, por nga e gjithë “ferma e kafshëve politike oruelliane” .

Nëse arrini të kuptoni se Zoti me ndihmën e Berishës ju ka përdorur si ” idiotë të dobishëm” dhe ju ka venë në provë se deri ku arrin errësira e mendjes suaj , për të mos parë të vërtetat e bëmat e tij ,të cilat jo ju por as një batatalion “idiotesh të dobishëm”, nuk mund t’i ndalojnë të njihen, atëhere do shpëtoni …Shpëtoni veten sa nuk është vonë! Lëshojeni Berishën në fatin e tij sa nuk është vonë. Anija “Përbindëshi” nuk i shpëton dot mbytjes nga përplasja me ajsbergun “Amerika”. Ju vallë e kuptoni që rreshtoheni në luftë kundër Amerikës për hir të Berishës .. Kaq pa mend jeni? Nejse, zgjedhje e juaja!

ENIGMA

Herë pas here mendoj se kam kuptuar një të vërtetë fleksibile, por kënaqësia ime është gjithmonë e shkurtër. Herët a vonë, përfundoj duke u përplasur në një barrierë të padukshme. Unë me të vërtetë nuk e di se ku jam apo çfarë po ndodh. Jam ende në errësirë .Kam 30 vjet që jetoj brenda një “akuariumi social” me më shumë interpretime, ngjarje, zbulesa , paradokse, mashtrime, të vërteta paralele e njohuri të çdo fushe .Më shumë se kurrë , por ato thellohen më shumë se sa shpërndajnë misterin në zemër të gjërave. Unë, duke mos qenë banor i shpellës berishinane, mund të ngushëllohem nga fakti se bota ime është jashtë Shpellës së Platonit, shumë më reale e aspak iluzioniste si ajo e një shpellari, dhe se unë di shumë gjëra që shpellari nuk i di. Por është shumë e lehtë të imagjinohet një qenie e ndriçuar, super inteligjente që qëndron jashtë botës sonë, duke na parë me të njëjtën keqardhje si mua edhe shpellarin që jetojmë në të njëjtin “akuarium ” social.

Por mbetet enigmë për kë ndjen më shumë keqardhje ?

Nëse kjo qenie superinteligjente do të ishte Russoi që në atë kohë përjetonte të njëjtën gjendje si ne, në një shoqëri super të korruptuar dhe për të shpëtuar prej saj u “izolua” nga bota e madhe, atëhere ai do të përgjigjej : “këta që kanë shokët e mi që më ke dhënë (i drejtohet Providencës) përgjatë jetës sime tokësore! Po, ata kanë formën time ,por shpirtrat dhe zemrat tona nuk janë të ngjashme; fjalët e mia tingëllojnë të çuditshme, për veshët e tyre dhe fjalët e tyre për veshët e mi; dëgjoj tingullin e zërit të tyre ,por asgjë në zemrën time nuk mund t’u japë atyre zërave një kuptim! O Providencë e përjetshme ! Pse më ke bërë të lind në mes të njerëzve? E nëse duhej të lindja ,pikërisht në gjirin e tyre ,pse më ke dhënë këtë ndjeshmëri dhe këtë parandjenjë të pandalshme ndaj diçkaje më të mirë dhe më të lartë? Në të kundërt do të kisha jetuar bashkë me ta”.

Share This Article
1 Comment
  • Zoti Jorgo Mandili:

    Sipas artikullit tuaj me duket se jo besoni se Sali Berisha u transformua nga nje komunist fanatik ne nje anti komunist fanatik.

    Po te bazohemi tek shprehja se ekstremet takohen ne nje pike, qe nenkupton se aksi/boshti/vija e drejte jane praktikisht nje rreth me reze shume te madhe, del se po te nisemi nga nje pike qe e quajme ekstremi i majte ose pika me emerin “Sali Berisha” e te cvendosemi akoma me shume majtas me ne fund do te arrijme te njejten pike qe e kemi quajtur ekstremi i djathte, qe eshte perseri pika “Sali Berisha”

    Pra na del se Sali Berisha eshte nje ekstremist, narkicist i dashuar me vehten e tij, qe nuk ka lidhje as me komunizmin as me opoziten e Komunismit, por me
    nje agjende personale/ lavdi personale/ me nje pushtet te pakufizuar por qe nuk do te mbaje asnje pergjegjesi per tridhjet vjecarin 1991 deri ne 2021.

    A eshte kjo ajo qe ju shtyri ne shkruajtjen e katert artikujve ne lidhje me veprimtarine e Sali Berishes, ne kete gazete, ne nje periudhe shume te shkurtert kohe?

    Pra a eshte kjo esenca e kater artikujve te juaj per kete problem?

    A mendoni se duke vendosur interesin e tij personal mbi interesin e partise demokratie po i demton rende 95% e perkraseve te tij, qe jane njerez te ndershe, per shkak se ai beson se “Sali Berisha eshte partia demokratike e shqiperise?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *