Gerd Müller, sulmuesi më i madh i Gjermanisë në histori, vdiq të dielën herët në mëngjes, në moshën 75-vjeçare.
Klubi i Bayern Munich, ku ai bëri historinë, sapo e dha këtë lajm të hidhur.
Gjermani kishte shënuar 365 gola në 427 ndeshje të Bundesligës për kampionët rekord bavarezë dhe kishte asistuar në 101 gola të tjerë.
Presidenti i klubit bavarez, Herbert Hainer u shpreh: “Sot është një ditë e trishtuar, e zezë për FC Bayern dhe të gjithë tifozët e tij. Gerd Müller ishte sulmuesi më i madh që ka pasur ndonjëherë klubi ynë, krejt Gjermania. Një person i shkëlqyer, një personalitet në futbollin botëror.”
Shefi i bordit të klubit bavarez, Oliver Kahn shtoi: “Lajmi për vdekjen e Gerd Müller na prek të gjithëve thellësisht. Ai është një nga legjendat më të mëdha në historinë e FC Bayern, arritjet e tij janë të pakrahasueshme deri më sot dhe do të jenë përgjithmonë pjesë e historisë së madhe të klubit tonë dhe gjithë futbollit gjerman.
Si lojtar dhe si person, Gerd Müller qëndroi si askush tjetër për FC Bayern dhe zhvillimin e tij në një nga klubet më të mëdhenj në botë. Gerd do të jetë në zemrat tona përgjithmonë”.
Me ekipin kombëtar gjerman, Müller fitoi Kampionatin Europian në 1972 dhe Kupën e Botës më 1974.
Ai shënoi 68 gola në 62 ndeshje me kombëtaren. Goli i tij më i rëndësishëm nuk do të harrohet: ai i fitores 2-1 në finalen e Kupës së Botës 1974 në Mynih. Aty shënoi golin vendimtar kundër Holandës në minutën e 43-të.
j.l./ dita

Gerd Muller kujtime te bukura nga ai! Goli kunder Hollandes 2-1,eshte i paharruar! I nderuar qofte kujtimi i tij!
Ky eshte vertet LEGJENDE,jo legjenda e MMa,ca zhgarravina qe se ku i sajon media budallaqe.
Grd Myler eshte idoli i rinise tone,,eshte Wilhelm Teli i portes.
(Cudi, dukej i ri akoma!) Nje emer i paharruar! Lojtar klasi! Edhe si njeri – i thjeshte! Ne Tiranen e vitit 1974-75 shume nga te sapo-lindurit merrnin emrin Gert. Sa u be problem!