Prof. Asoc. Dr. Marenglen KASMI
(Vijon nga numri i kaluar)
Thirrja e Myslim Pezës drejtuar italianëve
Pak kohë më parë se Korparmata Malore XXI të arrinte në Tiranë, shefi i shtabit, më 15 shkurt, ora 11:00 e shkarkoi Shtabin Gjerman të Ndërlidhjes nga detyra aktuale dhe e ngarkoi me mbrojtjen e Tiranës dhe çështjet e vendosjes së komandës gjermane në Tiranë.
Sipas vlerësimit të gjermanëve, nuk kishte asnjë dyshim se gjithë divizionet italiane të Grup-armatës së Lindjes i dorëzuan armët dhe u nisën në vendet që u urdhëruan. Komanda italiane po ashtu u kujdes që bateritë e artilerisë bregdetare të dorëzoheshin të padëmtuara te gjermanët. Gjithsesi pati edhe përplasje të armatosura. Kryesisht për këtë gjë ishin fajtorë gjermanët. Disa reparte gjermane avancuan shumë shpejt në territoret që ishin mbajtur nga italianët dhe nuk ishin të gatshëm të komunikonin me italianët. Si për shembull rreth Kotorrit në Malin e Zi, ose edhe më përpara në Dubrovnik, Kroaci, ku sikurse thamë më sipër ishin zhvilluar luftime të përgjakshme.
Meqenëse këto trupa nuk kishin urdhër nga komanda e lartë italiane të dorëzonin armët, ata nuk pranuan të çarmatosen dhe u larguan në male, siç ishte divizioni alpin “Taurinense”. Nëpër zonën operative të këtij divizioni duhej të marshonte në drejtim të perëndimit Divizioni 118 gjerman, me qëllim kapjen e vijës bregdetare. Divizioni Italian Alpin nuk e pengoi lëvizjen e trupave gjermane, por refuzoi kategorikisht të dorëzonte armët, pa marrë urdhër nga komanda e tyre eprore. Fillimisht divizioni gjerman nuk e kundërshtoi këtë gjë, sepse duhej të kapte sa më shpejt bregdetin, çka ishte edhe detyra e tyre parësore. Situata u bë problematike dhe luftimet filluan kur gjermanët u munduan të çarmatosnin me forcë divizionin italian. Komandat eprore italiane nuk kishin asnjë komunikim me këto trupa dhe e kishin të pamundur t’u komunikonin atyre urdhrin për dorëzimin e armëve dhe të organizimit të marshimit. Italianët luteshin vazhdimisht që kazermat e tyre të merreshin në dorëzim nga administrata gjermane në mënyrë të rregullt me fletë inventari. Por, në shumicën dërrmuese të rasteve kjo gjë nuk ishte e mundur, sepse gjermanët kishin në dispozicion vetëm reparte të vogla, të cilat e kishin të pamundur të merreshin me çështje të tilla administrative. Këta i çarmatosnin italianët, u merrnin atyre gjërat e përdorshme dhe të nevojshme dhe i linin kazermat pa rojë. Në fakt, ky veprim më vonë u konsiderua nga gjermanët si gabim i rëndë, sepse u zhduk një sasi materiali me mjaft vlerë. Po ashtu, armët që iu morën italianëve gjatë këtij aksioni u lanë pa ruajtje dhe pjesa më e madhe e tyre u mor nga ushtria partizane dhe kush mundi tjetër. Amullinë e krijuar e shfrytëzuan edhe italianët. U regjistruan shumë plaçkitje dhe qërim hesapesh ku morën pjesë njësoj si gjermanë, italianë, ashtu edhe shqiptarë. Kjo situatë mori fund vetëm pasi trupat gjermane u shtuan në numër.
Pas 15 shtatorit, nga trupat italiane të stacionuara në Shqipëri, u bashkuan me partizanët vetëm ushtarët e divizioneve “Firenze” dhe “Perugia”, ndërsa në Malin e Zi ndoqën të njëjtin shembull divizionet “Emilia”, “Taurinense” dhe “Venezia”. Por, të tre këto divizione ishin dëmtuar shumë ndërkohë nga trupat gjermane dhe ishin pothuajse të shkatërruara. Në këndvështrimin gjerman, fajtor për krijimin e kësaj situate ishte komandanti i grup-armatës, gjeneralkolonel Rossi, sepse ai kishte luajtur një rol hezitues dhe pengues. Ai nuk kishte rënë dakord menjëherë që ose të bashkohej me gjermanët, ose të dorëzonte pa kushte armët e rënda. Nënshkrimi i urdhrit të dorëzimit të armëve u krye më shumë vonesë dhe ndërkohë gjermanët e kishin marrë urdhrin për të çarmatosur me forcë ushtrinë italiane. Megjithatë, Shtabi Ndërlidhës Gjerman arriti që pavarësisht pengesave të krijuara nga Rossi, të përgatiste situatën e pushtimit në mënyrë të tillë, që dy regjimente të Divizionit 100 Malor arritën të kapin pa luftë vijën bregdetare nga Durrësi deri në Vlorë. Përballë tyre qëndronte një armatë italiane me gjashtë divizione dhe trupa të tjera shtesë. Më vonë pati edhe trupa të veçanta italiane, që me komandantët e tyre në krye organizuan një qëndresë sporadike duke iu bashkuar forcave partizane. Por kjo gjë nuk mund të përmbyste situatën e krijuar. Ky rrezik kishte kaluar për gjermanët.
***
Deri në 1 tetor 1943 dokumentet gjermane konfirmojnë se ishin çarmatosur dhe larguar nga Shqipëria: divizioni “Puglia” si edhe trupa në forcën e një brigade që kishte qenë stacionuar në Shkodër, forcat e garnizonit të Tiranës, si edhe një pjesë e konsiderueshme e divizionit “Parma”. Po ashtu, raportohen duke luftuar kundër gjermanëve ose me një qëndrim të paqartë: divizioni “Perugia”, prej të cilit 1500 ushtarë e oficerë u bashkuan në Gjirokastër me partizanët dhe pjesa tjetër, 6000-7000 burra shkuan në Sarandë, 1000 ushtarë të tjerë italianë duhet të ishin ende në ishullin e Korfuzit. Ndërsa nga ushtarët e divizionit “Firenze” gjermanët kishin marrë si robër lufte 972 ushtarë italianë dhe 100 të tjerë në Tiranë. Nga 3000-4000 burrat e këtij divizioni, të cilët ndodheshin në perëndim të Dibrës dhe synonin të shkonin në Dibër, në datën 27 shtator u bashkuan me partizanët 56 oficerë dhe 1004 ushtarë. Shtabi i divizionit “Firenze” ndodhej 25 km në veriperëndim të Dibrës.[1] Sikurse dihet, pas kapitullimit gjithë ushtarët italianë, përfshirë edhe ata që kishin qenë në Shqipëri dhe u kapën nga gjermanët u dërguan në Gjermani e Poloni si robër lufte. Më vonë, prej datës 24 shtator 1943, me urdhër të Hitler-it ata u konsideruan si të internuar ushtarakë. Numri i tyre arriti deri në 600.000 ushtarakë. Rreth 75.000 prej tyre vinin nga repartet italiane të dislokuara në Shqipëri, që përbënin rreth 60% të gjithë ushtarakëve italianë që kishin qenë deri më 8 shtator në Shqipëri. Gjithsej në Shqipëri kanë qenë në këtë kohë 118.000 ushtarakë italianë.
Shtabi Gjerman i Ndërlidhjes ishte i mendimit se fakti që nuk u fituan njësi të mëdha italiane, për çështjen e tyre të përbashkët rezultoi më i dobishëm për ta. Midis tyre kishte shumë elementë të lëkundur, të cilët do të nxirrnin gjithmonë vështirësi dhe sipas tyre do të shndërroheshin në bartës të shkatërrimit. Parë në këtë këndvështrim, gjithmonë sipas gjermanëve, ndoshta kishte qenë një fat i madh që gjeneral Rossi ishte përgjigjur si më poshtë, kur i ishte kërkuar një gjë e tillë: “Ju, sikurse edhe ne, e keni dënuar gjithmonë Degaulle-izmin, pavarësisht arsyeve të lindjes së tij. Unë nuk mundem dhe nuk dua të bëhem një Degaulle italian”.[2]
Thirrja e Myslim Pezës drejtuar italianëve
Menjëherë pas transmetimit në radio të kapitullimit të Italisë nga lufta, Fronti Nacionalçlirimtar në Pezë mori kontakt me forcat italiane në Tiranë, u kërkoi atyre të dorëzonin armët dhe të deklaroheshin robër lufte. Anëtari i Shtabit të Përgjithshëm, Myslim Peza i drejtoi komandës italiane më 9 shtator 1943 thirrjen e mëposhtme:
“Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të zonës së Pezës për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare, për të cilën përgjigjet misioni ushtarak anglez, kërkon kapitullimin e menjëhershëm të Komandës së Lartë të Ushtrisë Italiane.
Komanda e sipërpërmendur merr çdo përgjegjësi ndaj gjithë dëmeve që i kanë shkaktuar italianët popullit shqiptar si edhe gjithë materialet që ndodhen këtu.
Gjithë trupat italiane duhet të qëndrojë në kontakt me komandën e lartë të tyre, e cila sipas udhëzimeve qëndron në kontakt me Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Deri sa të bëhet dorëzimi, nuk lejohet të largohet asnjë njësi e ushtrisë italiane, kushdo qoftë ajo, madje as aviacioni.
Komanda e Lartë Italiane është përgjegjëse për gjithë materialet që mund të dëmtohen, asgjësohen ose dorëzohen të Wehrmacht-i gjerman. Kjo komandë duhet të kujdeset që Wehrmacht-i gjerman të mos marrë vesh gjë për këto negociata.
Gjithë ushtria italiane duhet të pranojë bashkimin me Ushtrinë Nacionalçlirimtare për të luftuar forcat gjermane që ndodhen në Shqipëri.
Thirrja me kushtet e dorëzimit do të dërgohet të Komanda e Larta Italiane me një korrier të caktuar dhe është hartuar në tri gjuhë, anglisht, italisht dhe shqip.
Kryekomandanti ose edhe ndonjë nga zëvendësit e tij duhet të vijnë nesër në fshatin Picallë, më 10 shtator 1943, ndërmjet orës 08:00 dhe 12:00, për të negociuar me misionin ushtarak anglez.
Pas kësaj dite dhe ore nuk do të pranohet më kapitullimi.
Nuk duhet të vijnë më tepër se katër persona për të marrë pjesë në negociata.
Siguria e delegacionit italian garantohet nga Shtabi i Përgjithshëm i zonës së Pezës dhe misioni ushtarak britanik.
Presim një përgjigje të shpejtë”.
Thirrja e mësipërme është një ftesë e hapur e Myslim Pezës në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në bashkëpunim me misionin britanik që i drejtohej gjeneral Rossi-t për të mos u dorëzuar te gjermanët, por të luftonin kundër tyre. Ajo ishte nënshkruar nga Myslim Peza dhe një major anglez, të cilit nuk i kuptohet emri në nënshkrim. Sa i përket këtij oficeri anglez, majori de Mateis njoftonte gjermanët si më poshtë:
“Sipas të dhënave të sigurta, oficeri anglez që së bashku me Myslim Pezën nënshkroi ultimatumin e datës 9 shtator ndodhet në bandën e Myslim Pezës, jo shumë larg në drejtimin jugor të Tiranës, rreth fshatit Picallë, 5.5 km larg Tiranës. Prania e tij atje është konstatuar për të fundit herë në orën 00:00 të ditës së sotme. Oficeri anglez quhet major Seymour. Ai përshkruhet si një burrë i dobët, i gjatë, jo shumë inteligjent, me flokë të verdhë sipas modelit shqiptar. Poshtë krahut të majtë, ai ka një shenjë të prerë që fillon nga gishti i vogël deri lart mbi qafë të dorës. Në qafë të dorës së majtë ai mban një rrip të gjerë prej lëkure. Majori S. disponon një radio transmetues […]”.[3]
Sikurse dihet, fillimisht komandanti i Armatës së 9-të, gjeneral Rossi nuk e mori në konsideratë këtë propozim. Majori i zbulimit të armatës, de Mateis arriti që me ndërmjetësinë e miqve të tij shqiptarë të dërgonte një shqiptar të besuar të fliste me Myslim Pezën, për të negociuar për vendin e takimit. Në bisedë Myslim Peza, respektivisht edhe major Seymour, dhanë të kuptohet se ishin të gatshëm të blinin armë. “Lidhur me këtë, majori de Mateis ve në dukje se nëse ushtarët italianë mësojnë se gjermanët kërkojnë që ata të dorëzojnë armët që kanë me vete, atëherë ata do të preferojnë që këto t’i ndërrojnë me verdhushkat angleze. De Mateis rekomandon që majori anglez të arrestohet, mundësisht menjëherë, përderisa vendndodhja e tij dihet. Më e përshtatshme është që të dërgohen oficerë gjermanë me uniformë italiane për një bashkëbisedim të stimuluar mbi ultimatumin dhe njëkohësisht t’i tërhiqet vëmendja bandës në drejtim tjetër”, shkruhet në një raport të Shtabit Ndërlidhës Gjerman pranë armatës italiane.
(Vijon)
[1] AQFA, Komanda gjermane, Dosja 19, Viti 1943, IC/A. O. Nr. 342/43, geh. V. 3.10.43.
[2] AQFA, Dokumente të Komandës Gjermane 1943-1944, Dosja 7, viti 1943. Übersicht über die Ereignisse in Albanien vom 8. bis 15. Sept. 1943;
[3]AQFA, Dokumente të Komandës Gjermane 1943-1944, Dosja 7, viti 1943, Aktennotiz, Major De Mateis, 11.3.43.


