Prof. dr. BARDHOSH GAÇE
(Vijon nga numri i kaluar)
Një numër i konsiderueshëm gazelesh përshkohen nga një stereotip sintagmatik “Nefez i Baba”, siç janë gazele të tilla ”Nefez i Baba Abdulla Melçanit”, “Nefez i Baba Abedin Leskovikut” si dhe shumë figurave të tjera klerikale, ku përveç një biografie të vogël, spikasin tipare dhe cilësi që zakonisht përshkon besimin bektashi. Një cikël gazelesh dhe nefezesh të tilla si “Myrshiti”, “Perdja e hakut”, “Hak e Batil”, “Dhurtat e shpirtit”, “Shpirt e perëndi”, “Haxhi Bektashi”, “Pija”, “Dosti im”, “Inshpirata për jetën e pasosur”, “Shënjtorët e Shqipërisë” dhe mjaft krijime të tjera, të cilat sjellin një fymë të gjerë dhe të shtrirë të besimit bektashi. Në besimin bektashi ka një praktikë interesante meditimi, që vjen përmes predikimit dhe këndimit të himneve, ku spikat morali, humanizmi, rrugëtimi që besimi ka bërë deri në kohën kur himnet përdoren, por dhe vlerat që përcjell bektashizmi vetë në jetën e shëndetshme morale dhe shpirtërore të njeriut.
Libri tjetër i kolanës së Baba Ali Tomorit është ai me poezi përkthime, i cili ia dedikon një figure të njohur të bektashizmit: Mit’hat Frashërit me nënshkrimin: At Ali Turabiu (Postneshin i Teqes së Tomorit)”. Ato janë poezi të cilat mbartin një njohje të gjerësishme të besimit, krijime që vijnë nga vendet ku besimi vepron dhe veprat e bektashinjve për të mësuar nuk mungojnë. Kështu, njëra nga poezitë e titulluar “Hydai”, i kushtohet një dijetari bektashi. Një poezi tjetër e titulluar “Bosnevi” i kushtohet një udhërrëfenjësi nga Bosnja, poezia “Pir Sulltan”, i kushtohet një udhërrëfenjësi nga Maqedonia, pra janë poezi që shndërrohen në rrëfenja mbi figura, momente dhe vende të caktuara të shenjta të ndryshme ku ka vepruar dhe vepronte besimi bektashi.
Poezitë e këtij vëllimi sjellin për lexuesin shembujt dhe moralin e lartë bektashi, i cili predikon ndershmërim moral të pastër, humanizëm, dashuri hyjnore dhe njerëzore, harmoni mes njerëzve dhe besim. Poezia e titulluar “Nedim Baba” përcjell një mesazh, ku shpaloset morali i një bektashiu të mirë. Ndër të tjera në të shkruhet:”Të gjithë bosht vërtitës/ Në një cep sikur të rronja;/Tregtar, bujar dhe lipës…/ Gjë prej gjëje s’dëshironja…” Në këtë vëllim gjenden përkushtime dhe dedikime për shumë figura të njohura dhe shembuj të vërtetë të bektashizmit si baballërë, dervishë, mëhybë, shërbyes të bektashizmit, njerëz që kanë bërë ndere dhe vepra të mira. Duket se Baba Ali Tomori i ka pasur këto figura si një shembull të mirë të veprës së tij prej kleriku dhe shërbëtori të bektashizmit gjatë gjithë jetës së vet dhe s’mund t’i linte pa kujtuar dhe vlerësuar.
Në këtë vëllim ka një pjesë të rëndësishme të këngëve popullore shqiptare të cilat Baba Ali Tomori i ka mbledhur dhe ruajtur në arkivin e tij. Kënga popullore ka një rëndësi në jetën e një kleriku bektashi, pasi ajo kthehet në një pasuri shpirtërore, duke përmbushur moralin e pastër shërbyes të klerikut. “Kënga e Tiranës” është njëra prej këngëve të para të këtij cikli, e cila është kënduar në Jugun e Shqipërisë, të cilën ia ka kënduar nëna klerikut të njohur. Vargjet “Sa xhami e sa dyqane/ sa të bukura që janë;/ kur del djali nga xhamia/ ç’i vetëtin hajmalia…” tregojnë për një qytet, i cili ka një harmoni të plotë dhe një ndjenjë të begatë shoqërore. Po ashtu kënga e titulluar “Kënga e shkrimit shqip” , është një këngë nga Jugu i vendit, kryesisht nga Dangëllia e Skrapari dhe që është kënduar dhe në Përmet, Berat, Kolonjë dhe Leskovik. Vargjet :”Abeceja libra jonë/ libr’ e shenjtë me kurorë...”, duket se e hyjnizon diturinë dhe shkrimin shqip. Në këto këngë ka kaq shumë dashuri, kaq ndjesi dhe një gëzim të papërmbajtur nga populli shqiptar, i cili dalëngadalë po hynte në rrugën e qytetërimit.
Këngë të tjera janë kryesisht me motive të njohura të dijes, kujtesës historike, që lidhen me ngjarje dhe kujtesë të rëndësoshme dhe me vlera të rëndësishme kombëtare. Kështu janë këngët “Kënga më e vjetër e Rilindjes Kombëtare”, e cila ka një vështrim historik kombëtar për figurat e ndritura të dijes, që nga Naim Frashëri, figura të njohura bektashiane dhe në një kënd të gjerë europian, në mesazhin e të cilës bëhet thirrje popullit shqiptarë (gegë e toskë), të ngrihen: “Abdyl beu nga Frashëri/ me par sitë Mirditali:/ Ngrihuni me burrëri/ Sot që lindi Dielli i ri.” dhe “Abdyl beu nga Frashëri/ Mehmet Aliu Vërjuolli/ Prishnë torbat me flori/ në Evropë e në Frëngji/ po për ty moj Shqipëri”. Në ciklin e këngëve popullor që gjenden në arkivën e Baba Ali Tomorit gjenden këngë dhe për Çerçiz Topulllin, Riza Velçishtin, Spiro Bellkamenin, Kadri Gjatën, për ngjarje historike dhe Ismail Qemalin.
Një vëllim më vete në kolanën e librave të Baba Ali Tomorit është dhe vëllimi me studime dhe shënime të tij mbi gjuhën shqipe, të cilës bektashinjtë i kanë kushtuar akte dhe veprimtari të shumta gjatë gjithë historisë bektashiane. Në pjesën hyrëse të librit bie në sy shkrimi i titulluar : “Gjuha shqipe”, ku autori arrin të shtrojë probleme të shumta qoftë të argumenteve shkencore, po ashtu dhe të rëndësisë që ka gjuha për shqiptarët. Diku ai shkruan:”Me këtë të drejtë gjuha jonë, është mjaft e pasr; një pjesë e pasurisë së saj është e pazbuluar; dhe që të zbulohet (rebelohet), nuk do vetëm pun ëme kartë dhe pendë mbi tryezë. Do një punim të palodhur alakristoforidhian…”.
Spikasin shkrime të natyrës “Manifestim shkollor”, ku autori shkruan për një nga figurat e njohura të rilindjes si Andon Zako Çajupi, shkrimi i titulluar “Rreth fjalorit shqip” në të cilin bëhet fjalë për fjalorin e Kristoforidhit, mjaft i rëndësishëm në historinë e gjuhës shqipe. Interesant është shkrimi i titulluar “Fushata për emrat kombëtar”, një shkrim me një tematikë të veçantë që mbart në vetvete një lidhje të fortë të historisë shqiptare dhe predikimit të saj përmes gjenezës dhe përdorimit të emrave nga shqiptarët, shënimi dhe interpretimi që autori përpiqet të bëjë mbi këngët popullore në shkrimin me titull “Këngët e popullit” dhe shumë shënime të tjera të natyrës interpretuese dhe studimore, që gjithsesi për kohën kanë pasur rëndësinë dhe njohjen e tyre të rëndësishme dhe në fushën e studimeve.
Në studimet dhe opinionin e Baba Ali Tomorit ka edhe mjaft mendime dhe shënime të tjera të cilat afrojnë me studime të natyrës së pastër historike. Shkrimi i titulluar “Kur erdhë grekët në Prishtë”, autori ka sjellë një kujtesë të rëndësishme, të cilën e evokon në rrethanat bashkëkohore, duke i receptuar kohës një raport të kujdesshëm të tyre me Greqinë dhe me grekët. Në një moment ai shkruan: “Si s’na gjetnë dot, u derdhnë në quar (qilar) të begaçmë, muarë ç’u donte barku për të ngrënë e s’lanë prej gjëje:pasandaj vajtnë në dhomat e Udhërrëfyesit, në të varfëvet, në gjellëtore, në bukatoren, në kafen, në sallë të miqve edhe në të gjithë dhomat ku i muarë gjithë shtresat e vlyera...” Ndërsa ky përshkrim gati i hollësishëm në këtë rast kthehet në një thirrje të urtë dhe të mençur për shqiptarët, jo vetëm ata që fqinjësoheshin me grekët, por dhe në anët e tjera të atdheut.
Këndvështrime interesante në krijimtarinë dhe interpretimet gati filozofike të Baba Ali Tomorit janë dhe ato të natyrës sociale, ato të besimit. Shkrimi “Bota dhe njeriu” prek një dimension të epërm të këtij raporti fondamental. Mjaft thukët, studiuesi duket se këtë raport ekzistencial e gjen në dilemën, të cilën ai e reflekton në një paradigmë interesante:”Njeriu!… Kurgjë në borë!… Njeriu!…E tërë bota!” Libri me studime nga Baba Ali Tomori është i larmishëm, në të ka një demonstrim të rëndësishëm të kulturës së gjerë dhe të interesave shkencore të tij, për të sjellë mendime dhe ide mbi gjërat jetike të njeriut, shoqërisë së kohës, në një hapësirë të gjerë të fushave të dijeve filologjike, folklorike, historike dhe sociale. Duke i kushtuar një rëndësi të madhe diturisë, Baba Ali Tomori ngjan fort me një rilindës, një përvijues i ideve iluministe që ajo shtroi dhe demonstroi gjatë gjithë shek. XX dhe dekadave të para të shekullit të kaluar.
Krahas problemeve të shumta me të cilat përballej shoqëria e kohës, por dhe vetë besimi bektashi, Baba Ali Tomori duket se ka pasur një përkushtim të madh me gjithë pasurinë kombëtare shqiptare, atë pasuri e cila kërkonte një kujdes të veçantë nga njerëzit për ta ruajtur dhe për të mos e lënë të humbasë, pasi është pasuri e shekujve të kaluar dhe që i shërbente të ardhmes. Gjurmimi dhe idetë brilante që Baba Ali Tomori kishte për pasurinë historike shpirtërore të popullit shqiptar e klasifikon atë një personazh klerikal dhe intelektual të klasit më të lartë të kohës. Në arkivën e tij ka dhe një kontingjent të konsiderueshëm të fjalëve të urta, të cilat në vetvete përbëjnë dhe historinë e ndritur të përvojës jetësore të një populli.
Në historinë e zhvillimit të vendit tonë, krahas burimeve të tjera jetike të mbijetesës dhe ruajtjes së identitetit kombëtar, një rol të madh ka luajtur bektashizmi. Ndryshe shumë qasjeve të tjera, pasi në vendin e vogël të shqiponjave ka pasur mjaft qëndrime armiqësore të brendshme dhe të huaja lidhur me kulturën, gjuhën dhe shkollën, bektashinjtë dhe Bektashizmi kanë mbajtur një qëndrim dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e kulturës dhe shkrimit shqip. Baba Ali Tomori ka një studim të hollësishëm dhe jetik mbi bektashizmin. Në një kënd të gjërë vështrues, autori flet mbi shërbimin e madh që bektashizmi shqiptarë në Turqi ka bërë, pastaj flet për dilemat e mëdha të bektashizmit dhe Orientit, ku spikasin figura të njohura të tij, reformatorë dhe ideatorë të rëndësishëm.
Studimi mbi bektashizmin është i gjerësishëm, pasi ai perimteron këndvështrimet dhe mendimet e autorit për të gjithë botën bektashiane që nga origjina dhe në të gjithë veprimtarinë e saj. Ndërsa libri i veçantë mbi bektashinjtë e Shqipërisë, i titulluar “Bektashinjtë e Shqipërisë” është një kontribut me vlerë, një këndvështrim tjetër i nevojshëm në historinë bektashizmit, si një vlerë historike nga një njeri që e njeh mirë dhe e interpreton po kaq mirë këtë besim.
Në një konceptim të gjerësishëm është studimi dhe vlerësimi i studiuesit për Naim Frashërin, njërin nga poetët më të mëdhenj të Rilindjes Shqiptare. Naim Frashëri është një figurë komplekse, në personin e të cilit ishin pleksur dija, kultura, frymëzimi, atdhedashuria, besimtari bektashi, romantizmi dhe qëndrimi kritik për dukuri dhe fenomene që nuk ishin në shërbim të atdheut të tij të përmallshëm. Shënimet dhe vlerësimet mbi Naim Frashërin reflektojnë një Baba Ali Tomor erudit, njohës të jashtëzakonshëm të poezisë, besimit dhe të historisë sonë kombëtare, parë në vokacionin e gjerësishëm historik të poetit, duke e krahasuar dhe vlerësuar me poetët romantikë francezë, me poetët e shquar persë, klasikët grekë dhe romakë.
Një model i mirë në historoigrafinë bektashiane, por dhe atë kombëtare janë shënimet dhe libri monografik i Baba Ali Tomorit mbi figurat e njohura të bektashizmit, në të cilin plekset mjaft mirë në Shqipëri, në të gjithë gjeografinë e vendit, ku shenjat e njerëzve të shenjtë të bektashizmit vazhdojnë të përcjellin mesazhe të rëndësishme dhe të shenjta mbi fuqinë dhe rëndësinë në jetën e njerëzve.
Botimi i veprës së plotë të Baba Ali Tomorit është një nga angazhimet më të rëndësishme jo vetëm të besimit bektashi dhe të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane nën kujdesin e çmuar të Kryegjyshit Botëror Bektashi Dede Baba Edmond Brahimaj, por edhe si plotësim i historiografisë shqiptare. Baba Ali Tomori mbetet një figurë e gjerë dhe përherë aktuale, për shkakun e lidhjeve të forta me fatet dhe zhvillimin e vendit, por dhe me dijet e gjera që ai kishte, të cilat i pati vënë në shërbim të atdheut, njerëzve, kulturës dhe shkollës shqipe. Vepra e tij po mbush një boshllëk të dukshëm në kulturën bektashiane dhe atë kombëtare. Baba Ali Tomori është një figurë sa komplekse, aq edhe tërheqëse në kulturën shqiptare.
Pas kësaj ekspozeje të gjerë për arsye se është hera e parë që botohet e plotë vepra e tij dhe shkruaj për herë të parë për të dhe si vlerësim i kësaj pune sa të lodhshme dhe serioze, nuk mund të rrimë pa thënë edhe pak fjalë për studiuesin dhe botuesin e saj, Mehmet Gëzhilli.
Nuk do të ndalem në vlerësimet e mia që kam për të, por do të mjaftohem me atë se si e kanë parë personalitetet e kulturës dhe shkencës si brenda, dhe jashtë atdheut punën e tij shumëvjeçare.
Poeti ynë i mirënjohur Dritëro Agolli, në parathënien e bibliografisë enciklopedike “Fan Noli – 120 vjet jetë dhe veprimtari” në vitin 2003 ka shkruar:
“Ky libër që vjen aromë pune të gjatë për zbulimin e burimeve ku janë botuar veprat e Fan Nolit dhe ku janë vatrat e veprimtarisë së tij patriotike, revolucionare e ideologjike, politike e fetare, tregon jo vetëm seriozitetin, por edhe dashurinë e Mehmet Gëzhillit për njërën nga figurat më të shquara dhe më të çuditshme të jetës së letërsisë, kulturës dhe shoqërisë shqiptare”.
Parathënien Dritëroi e mbyll me fjalët: “Kështu që në kështjellën e shënimeve e hulumtimeve biografike, një gur të palëvizur zë edhe botimi enciklopedik i Mehmet Gëzhillit “Fan S. Noli – 120 vjet jetë dhe veprimtari” botim i këtij njeriu të palodhur dhe të talentuar në fushën e vet”.
Kur 25 vjet më parë botoi antologjinë “100 poetë për Naimin”, të cilën e vlerësuan mbi 25 shkrime në organe të ndryshme, profesori Jup Kastrati nga Shkodra i dërgonte letër: “Libri juaj është një vepër tepër e vyer nga ana shkencore e letrare dhe shumë e dobishme nga ana edukative. Ju jeni një kërkues sistematik. Ju përgëzoj me plot gojën!…”
Profesori dhe filozofi Isuf Luzaj nga SHBA, më 10 qershor 1996, i shkruante: “Të falemindëerit! Puna e madhe që keni kryer, fener shëmbullor për brezat që do të vijnë, është një ndërmarrje serioze që meriton të zërë vend në tempullin e atdhedashurisë. Të dhëntë Zoti fat, rast, vullnet, guxim dhe inisiativë që këtë mision ta vazhdoni edhe për yje të tjerë shqiptarë që rrethanat historike i dogjnë si meteorë.
Mos e mendoni dy herë të më shkruani…”
Profesori, shefi i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Sent Etjenit në Francë, Aleksandër Zoto, përkthyesi dhe botuesi i dy antologjive të letërsisë shqipe në frëngjisht në parathënien e poezisë shqipe, midis të tjerave, ka thënë: “… A mundemi ne në Francë të krijojmë një antologji të titulluar “100 poetë për Viktor Hygonë? Po ja që nuk e kemi”.
Këtë gjë e kemi bërë në Shqipëri me përkushtimin apostolik të Mehmet Gëzhillit, në nder të vetë Naim Frashërit, dhe për më tepër, do të shtypet edhe në një tirazh të dytë.”
Besoj se botimi i veprës së Baba Ali Tomorit mund të quhet një punë apostolike e dytë.
Tiranë – Vlorë, gusht 2021.

Duke patur parasyshe kontributin e tij, un mendoj qe Baba Ali Tomorit ti jepet titulli NOBEL.