Shkëlqim Cani sot në Kosovë, zbardhet axhenda e takimeve

anazapta

Ministri ynë i Financave, Shkëlqim Cani udhëton sot drejt Kosovës. Burime nga kjo ministri zbardhin dhe një pjesë të takimeve që ministri do të ketë gjatë vizitës së tij një ditore. Kështu gjatë kësaj vizite Cani pritet të ketë takime me Ministrin e Ekonomisë së Kosovës, Guvernatorin e Bankës së këtij vendi si dhe me përfaqësues të biznesit. Në këto takime pritet të prezantohet draft projekti për gjetjen e urave të bashkëpunimit fiskal, nga zv.Ministri i Financave, Ervin Mete. Edhe pse drafti nuk ka marrë ende formën përfundimtare, pasi pritet që sot të merren në konsideratë dhe propozimet që do të vijnë nga pala e qeverisë së Kosovës dhe komuniteti i biznesit, duket që më së fundi do të ketë një zgjidhje të ngërçit tregtar mes dy vendeve tona. Ky pritet të jetë dhe hapi më i parë i rëndësishëm sa i përket ekonomisë së dy vendeve tona, menjëherë pas mbledhjes së përbashkët të mbajtur më 11 Janar në Prizren.

 

Sa e vështirë për të patur një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë

Është folur shpesh për tregun e përbashkët 6 milionësh. Madje kjo ide filloi të artikulohej dhe më shumë nga të gjitha kampet politike pasi Kosova shpalli Pavarësinë e saj në 17 shkurt 2008. Por të gjitha këto mbetën fjalë, duke krijuar madje gjatë këtyre viteve një ngërç të theksuar tregtar. Herë për interes të njërit, herë për hakmarrje të tjetrit, herë për pataten, herë për çimenton, herë për qumështin në këto 5 vitet e fundit ka patur veç ulje ngritje të shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve që flasin të njëjtën gjuhë. Kryesisht këto problematika janë shënuar në sistemin doganor, për produkte si këto produket apo dhe ato të kontrollit të cilësisë së ushqimeve, ku ndër më të spikaturit ishte ai i pak muajve më parë për qumështin. Duket qartë se nga kjo situatë kanë përfituar prodhuesit e vendeve të tjera të rajonit, e në një treg të madh shqipfolës, ekonomia ka funksionuar në mënyrë sporadike. Po kështu gjatë këtyre viteve marrëdhëniet ekonomike Shqipëri – Kosovë janë karakterizuar nga shkëmbimet tregtare, eksport- importi, por jo forma të tjera të bashkëpunimit, siç janë investimet e përbashkëta apo ato direkte. Për një trajtim më specifik nga ana fiskale të produkteve që vijnë nga Kosova drejt Shqipërisë, në krahasim me ato të importuara nga vendet e tjera të rajonit apo më gjerë, u kërkua konkretisht dhe në fund të vitit të kaluar nga sipërmarrësit kosovarë. Edhe pse shpeshherë është hedhur ideja e një tregu të përbashkët midis dy vendeve dhe eleminimit të barrierave tregtare, problemet kanë qenë gjithnjë evidente, duke mbetur në kuadrin e deklaratave politike, dhe jo zgjidhjeve të specialistëve të fushës. U diskutua dhe u ridiskutua nevoja e pasjes së një Komisioni të përbashkët ekonomik, për të zgjidhur problemet tregtare, por asnjëherë nuk u mor një hap konkret për këtë çështje. U nis një projekt që dy doganat shqiptare të kishin sistem të unifikuar, por mbeti një tentativë . U tha shumë nga politika, por mandej bizneset e goditura të të dy vendeve, herë për interes të njërës palë e herë të tjetrës, i gjithën “konfliktet” nëpërmjet njohjesh apo qameti në ndonjë deklaratë për shtyp që pak u dëgjua. Duket se këtë radhë do të ketë një hap konkret për biznesin, duke ja lënë pastaj në dorë konsumatorit se çfarë do më shumë, pa krijuar kështu barriera artificiale për interesa të momentit.

 

Çfarë parashikon deklarata e përbashkët e dy qeverive për ekonominë

  • Krijimin e një  klime  nxitëse për  biznesin në një treg të integruar,  nëpërmjet një strategjie afatgjatë në  fushen agro-industriale
  • Rritjen e  bashkëpunimit midis administratës publike dhe institucioneve fiskale të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës;
  • Punë intensive me partnerët për të  mundësuar një degëzim të TAP në Kosovë dhe  zhvillimin e tregut vendas dhe rajonal të gazit,  si  një burim alternativ dhe me  kosto të ulët;
  • Ndërtimin e Linjës Ndërkufitare (LP) 110 kV, e cila  do  të veprojë në drejtim të  rritjes së sigurisë së furnizimit me energji elektrike të Dragashit dhe Kukësit;
  • Identifikimin e fushave të  bashkëpunimit dhe hartimin e strategjive të përbashkëta për  zhvillimin  dhe  modernizimin  e  transportit  në  mes  dy   vendeve.
  • Hartimin  e  një  strategjie  të  përbashkët  bashkëpunimi  në  fushën  e telekomunikacioneve.
  • Hartimin e marrëveshjeve që mundësojnë përdorimin e rrjedhjeve të ujërave në  përputhje me normat e të drejtës ndërkombëtare;
  • Nxitjen e turizmit nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të një strategjie kulturore të përbashkët, me  një ofertë turistike të njësuar dhe me kalendar të përbashket të zhvillimeve kulturore;

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *