Për poeten arbëreshe Enza Scutari

Ornela

Nasho Jorgaqi

Poezia bashkëkohore arbëreshe përfaqësohet sot edhe nga një plejadë poetësh të talentuar që janë afirmuar në jetën letrare të Arbërisë së vogël, siç e cilësojnë komunitetin e arbëreshëve të Italisë. Në mes tyre dallohen emrat e Kate Cukaros, Margarita Scilipes, Maria Menna, Matilde Feraro, Conceta Mazzei, por figura më përfaqësuese është Enza Scutari. Ajo i takon brezit të hershëm dhe është si të thuash dekane e poezisë femërore të sotme arbëreshe. Ajo ka lindur në Farneta di Castroregio dhe ka punuar si mësuese në shkollat e komunitetit arbëresh dhe veçanërisht për afro dyzetë vjet si mësuese e arbërishtes në S. Costandino Albanese (Potenza). Por veç mësuesisë ajo njihet dhe çmohet si hulumtuese dhe studiuese e traditave dhe kulturës arbëreshe si dhe popullarizuese e përhapëse e vlerave artistike e kulturore të arbëreshëve. Penës së saj i takojnë disa vëllime me poezi, të cilat kanë marrë çmime dhe mirënjohje prestigjioze nga komunat arbëreshe.

Poezia e saj është kryesisht poezi lirike, e frymëzuar nga realiteti arbëresh, me motive dhe këndvështrime origjinale. Ajo karakterizohet nga një frymëzim spontan dhe pas thjeshtësive artistike, fshihet një shpirt i ndjeshëm, me ndjesi të holla e delikate. Poezia e saj bart e trajton mendime fisnike dhe nota humane, diapazon të pasur tematik, refleks të historisë dhe realitetit arbëresh. Lirika e saj shpërfaq mendime dhe ndjesi jetësore aq dhe meditative, shprehur përmes motiveve patriotike, erotike, eterike, pejsazhiste, që vijnë nga të njëjtat burime shpirtërore dhe ide filozofike, dhe përcjellin kumte dhe mesazhe me vlera shoqërore dhe patriotike. Një vlerë tjetër e çmuar është gjuha e saj, arbërishtja e mëmës, një e folme e bukur dhe e pasur, me ngarkesa emocionale dhe kuptimore, e afërt me gjuhën shqipe standarde.

Me poeten Enza Scutari pata pasur fatin dhe nderin të njihem e të miqësohem vite të shkuara, kur ajo më nderonte me pjesëmarrjen e saj në promovimin e librit tim “Manastiri i dashurisë” në Lece të Italisë. Atje ajo më dhuroi për kujtim një dorëshkrim me vjersha të saj arbërisht, që unë me kënaqësi po ia paraqes lexuesit tonë.

 

NDËMN DHE

Ndën dhe

u shua drita ditës

çë kërkonej

një lule

për mall.

Ndën dhe

u fshehzëri natës

çë kërkonej një fjalë

për mos të vdis!

 

E s’u bë më gjë…

 

 

SI DY LUC

 

Si dy luc

mburohen

me dëshirë

si dy luc

grumbullohen

me kullure argjendi

sytë e tu;

te zemra ime

mblidhen suvala

pa sullunar!

 

________

  • luc – dritë
  • suvala – vala
  • pa sullunar – pa shtytje

U DI….

 

U di për tij

e për mua

se gjella jon

kle e dashur

e mallepsur

e pënsuar

gjithmonë.

Pse ni duanë

të na ndronjen

pse duan të na farmëkosnjen?

U fshihem

prapa malit!

 

________

  • kle – qe
  • gjella – jeta
  • mallepsur – e malluar
  • ndonjen – ndrrojnë
  • farmakosin – helmojnë

 

 

TË MBLIDHEMI

 

Adunare gjith një herë

me trëmbësi

me dhëmbësi

se je vetëm

mbi dhe,

e adunare

se ti s’je

si do të jesh

e s’të ka ënda

të rrish mb’jet

prana shkrepen dielli

e gjith jeta

duket e jotja!

 

_______

  • prana – pastaj

 

 

SI NJË KOQEZ FARË

 

Si një koqez farë

te zemra ime

shtija rrënj

kjo dashuri,

prana belu belu

ngjan degat

prej diellit

me trëmbësi,

dega të njoma

ndë këputen

shkrihet uj e gjak!

 

________

  • belu belu – bukur bukur
  • ngjan – ngre
  • trëmbësi – frikë

 

 

AFËRDITË

 

Prita të ngrëhshit

mjegulla mallingunishë

për të shihnja

yllin Afërditës

të ngjatej

te shtrati im

pa palaca,

si një ëngjel

i lethë

me penda erje

me sy kristali

të më puthnej

ndë ballet!

 

_________

  • mallingunishë – e mallit
  • ngjatej – zgjatej
  • na palaca – pa mbuluar
  • me penda erje – me flatra ere

 

 

NJË FLUTUR BORJE

 

Një flutur borje

fluturonej pa penda

tyerat i vejn pas

e qeshin

qeshin!

Kur dielli ja rru

klajn

klajn…

Te lumi u kallartin

umbrat e natës

e të klarit

ashtu vjeshin!

 

__________

  • u kallartin – zbritën
  • të klarit – të qarit
  • ashtu vjeshin – bëj vjershën
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *