“Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Ornela

Fitim Çaushi 

Deçani, me 66.000 banorë, ka një dekor mahnitës; Alpet që i rinë mbi krye dhe pyje pafund, mes të cilave ndodhen liqene akullnajore. Luginat e  lumenjve, veçanërisht lugina e Lumbardhit, që derdhet në Drinin e Bardhë, e bën Deçanin shumë tërheqëse për vizitorët, një qendër turistike në Rrafshin e Dukagjinit.

Ndonëse nën regjimin e egër serb, Deçani e ka dashur kulturën dhe librin, ka pasur 4 biblioteka publike me 106.800 libra. Gjatë luftës ia zhdukën bibliotekën e Junikut me 26.850 libra, ndërsa në tërë komunën janë zhdukur  90.500 libra. Deçani ka në territorin e tij një monument kulture të rrallë, manastirin e shek. XIII, si më i madhi i kohës mesjetare në Ballkan.  Në tërësinë e tij janë të gërshetuara stili gotik, romak dhe ai bizantin, me një ndërthurje të stilit  barok.

Në këtë sfond natyror e kulturor, Deçanit i kanë sjellë  gjallëri 10-të Festivalet folklorike me titullin “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, në nderim të dy rapsodëve legjendë; Dervish Shaqes dhe Demush Nezirit,  të cilët tërë jetën, ndonëse të larguar prej truallit mëmë, nga përndjekjet e qeverisë serbe, i kënduan Kosovës me shpirtin që ajo i kishte ushqyer qysh në vegjëli. Ky festival mbarëkombëtar, që përthith vlerat folklorike burimore nga Kosova, nga Shqipëria, nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, mbledh vëllezërit e një gjaku dhe shkëmbehen vlerat kulturore të një kombi të lashtë. Në mënyrë simbolike, festivalin e hapi mbesa e Dervish Shaqes, Dija, ardhur enkas nga Gjermania, me këngën “Moj Kosovë trimëreshë Dardane”. Ky do të ishte edhe lajtmotivi i gjithë festivalit.

Pas deklarimit të Kryetarit të komunës,  Bashkim Ramosaj  për fillimin e festivalit,  artistët e Ansamblit të Këngëve e Valleve të Deçanit, me koreograf Genc Tetaj zbukuruan skenën me ngjyrat dhe vallet e karakteristike të zonës; mënyra e interpretuarit plot elegancë, finesë, gjallëri, bukuri dhe plastikë dekorative, i solli shikuesve kënaqësi estetike. Për tri netë qyteti u pushtua nga kënga, vallja, nga shpirti shekullor i popullit. Tingujt e tupanit, daulleve dhe zurlave, krijuan një atmosferë festive dhe ngjitën në skenë qindra artistë amatorë, i gjithë Deçani këndonte:

Moj  Kosovë e trimërisë

Çelur si zambak mbi gurë

Çʹnur ka ditʹe Pavarsisë

E lirʹshqipja mbi flamur.

Artistët popullorë të Deçanit dhe të gjithë Kosovës, e kanë shkruar historinë e tyre me artin magjepsës të këngës dhe valles, me lahutën e lashtë dhe çiftelinë epike, me sharkinë, zumaren e bilbilin, curlen, dajren, kavallin, gajden, fyellin, dyjaren, veçanërisht me daullen dhe tupanin, një kumbim simfonik, me elemente magjike. Me artin e vet populli ka përcjellë nëpër breza mesazhin e madh, sikundër e ka theksuar edhe Gavril Dara: “Ashtu siç qëndrojnë flamujt në luftë si simbol i atdheut, me qëllim që rreth tyre të mblidhen ushtarët e shpërndarë, ashtu edhe këngët gjatë  kohës janë drita ku ndizen zemrat e trimave, simbol i popullit, flamuri i nderit, dhiata e gjyshërve”.

Skena e festivalit dukej si një kopësht i lulëzuar që po jetonte të gjitha stinët, herë shndriste nga e bardha e fustanellave, këmishët e vajzave dhe djemve, e herë sundonte e kuqërremta e vjeshtës. Kostumet shumëngjyrëshe dhe jelekët e grave qëndisur plot shije mbi cohën ngjyrë karafili të kuq, e ndizte edhe më shumë atë mjedis të lulëzuar, në të cilin plisat dhe qylafët e bardhë, dukeshin si copëza dëbore në një lëndinëz alpine. Ky kombinim formash dhe ngjyrash, në fustanellën e hijshme, flokadën e tirqet, sharkun e xhoket, jeleqet dhe xhamadanët, shamitë e qëndisura dhe xhubletën 3000 vjeçare, përbënte veshjen artistike që e hijeshonte trupin e shqiptarit nëpër shekuj. Në këtë dekor artistik merrte kuptim të plotë imagjinata artistike e të madhit Abdurrahim Buza “Shqipëria vallzon”.Në atë dekor shumëngjyrësh e festiv, epika i jepte kuptim të plotë gëzimit::

Moj Kosovë zambak mbi gur

Çdo gjoks burri  një flamur.

Emocionuese mbeti për ne, një detaj, që na tha artisti popullor Ali Beqiraj i Shoqatës Kulturore “Koha” Tuz, Mali i Zi: “Xhubletën që patë në skenë, e ka shkëmbyer gjyshi im me 35 dele”.

Duke parë festivalin “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, kuptuam se sa e madhërishme kishte qenë ajo xhubletë, ajo lahutë e thjeshtë, formuar prej bishtit të kalit, ajo çifteli e qëndisur plot motive popullore dhe ata rapsodë profesionistë, që kishin arkivuar historinë, duke bërë të pavdekshëm përfaqësuesit e një populli të pamposhtur.

Nuk mund të mos kujtonim brenda atij universi folklorik,  replikën e Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, kur Mllada Gjergjeviçi e Nikolla Pashiçi, e mohuan Shqipërinë si komb, sepse “nuk kishte kulturë shpirtërore”. Fishta parashtroi deklaratën e famshme: “Ju grantoj me jetën time, se folklor ma të fortë se populli shqiptar në Europë, nuk ka”.

Me këtë kulturë të lashtë, Kosova përballoi  projektin shfarosës, platformën  e Çubrilovicit dhe akademisë serbe, për gjenocidin dhe zhdukjen e shqiptarizmit nga trojet e lashta etnike të dardanëve. Ajo tregoi një vetëmbrojtje të pashembullt dhe fisnikëri në qëndresën e saj epike. Qëndresa e saj është një lapidar vigan, ku përpos heronjve të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizrenit, Sul Vokshit, Sef Koshares, Mic  Sokolit etj.,  shndrisin figurat e Isa Boletinit, Azem Galicës, Idrfiz Seferit e deri më të rinjtë: Jusuf Gërvalla, Nuri Pajaziti, Adem Jashari dhe intelektualët e martirizuar si  Fehmi Agani, Ukshin Hoti etj. Gjaku i tyre shkroi ardhmërinë e brezave dhe plotësoi  amanetin  për të cilin poeti Ali Podrimja ka shkruar vargun lapidar: “Kosova është gjaku im që nuk falet”.

Në epiqendër të koncerteve mbizotëroi epizmi, rapsodët përmes instrumenteve sollën jehonën e historisë. Me një pathos epiko-heroik tingëlluan këngët për heronjtë e kombit, nderimi për ta mbetet pjesa më e ndritur e artit popullor shqiptar. Nëpër ato këngë e valle u shpalos artistikisht jeta e pasur shpirtërore e popullit, formuar nëpër stuhitë e shqotat shekullore. Dukej se jonet muzikore tingëllonin si ato brilantet derdhur hapësirës të Rrafshit të Dukagjinit dhe merrnin përpjetë Shkëlzenit. Legjenda thotë se, kur rapsodi këndonte, zogjtë mblidheshin mbi çifteli dhe dëgjonin meloditë që ushtonin bjeshkëve. Si zogj fluturues ishin edhe nxënësit e vegjël të Drenasit, të cilët interpretuan me çifteli si instrumentistë virtuoz. Ata e përcollën mrekullisht traditën folklorike.

Ndërtimi strukturor i baladës epike, me një solist, pasuar nga një dhe dy këngëtarë, na dhuruan kënaqësi estetike brenda strukturës baladeske të realizuar me mjeshtëri artistike, sikundër rapsodi Hafiz Lakiçi nga Drenasi, Bajram Jakupi nga Skënderaj dhe rapsodët nga  Gostivari dhe Lezha.

Bashkë me rapsoditë dhe baladat me motive epiko-historike, në skenë u ngjitën edhe këngët lirike e ritet e ndryshme, si pjesë e jetës shqiptare. Këto i dhanë festivalit karakterin burimor dhe ndiesinë e hershmërisë. Veçanërisht ceremoniali i dasmës nuk mungoi edhe në këtë festival, ndonse jetojmë në epokën, kur dasma tradicionale popullore ka hyrë në pleqërinë e saj të thellë dhe hiret e “nusërisë” janë venitur. Dasma kosovare vjen nga shekujt dhe bën pjesë në universin artistik popullor, shquhet nga rrezëllitje të ndritshme që të emocionojnë me këngët, vallet ritet, ngjyrat, të cilat do t’u dëshmojnë gjeneratave të ardhshme dhe studiuesve të huaj, një popullsi me identitet dhe etnicitet të spikatur, me pasuri të rralla shpirtërore, me ndjenjën e thellë të kolektivitetit, me prirje dhe aftësi artistike natyrore, që nuk e gjen në asnjë vend të botës. Në të vallëzojnë tingujt, ngjyra ylberesh, humoreska, vezullime margaritarësh artistik, në atmosferën e saj lind mundësia për krijim, për poetikë, e cila duke qenë spontane, ecur nëpër udhëtime të largëta, jo gjithmonë është transmetuar e plotë buzë më buzë, por efektin estetik e ka ushtruar në ndjenjat e dasmorëve gjatë procesit improvizues. Përndritjet e atij ceremoniali aq emocionues, aq artistik, aq origjinal, aq optimist, sot nuk i përjetojmë dot të plota artistikisht, por ne ndjejmë dhe përfytyrojnë ato oda dhe mjedise, ku zhvillohej ceremoniali magjik, ceremonial, që i  ngre  kult përtëritjes së jetës, nuses. Ashtu si udhëtarit që i është tharë goja dhe kërkon ta shuaj etjen në gjurmën e mushkës, gjeneratat që do të vijnë, do ta shuajnë etjen e tyre për traditën shpirtërore të popullit, vetëm në spektaklet e këtyre festivaleve.

Prizreni, Prishtina, Skenderaj dhe Shkupi, u prezantuan si ansamble kompakte, me talente artistike dhe lëndë folklorike origjinale dhe të larmishme. Lezha dhe Tropoja sollën jehonën e krijimeve të mëparshme, kurse  Ansambli “Azis Ndreu”  i Tiranës, i drejtuar nga koreografi Avni Ndreu, solli një sintezë të valleve të përpunuara brenda shtratit tradicional, por me një mjeshtëri artistike perfekte, që elektrizoi tërë shikuesit.

Durrësi solli lirizmin e bukur të këngës qytetare të Shqipërisë së Mesme, me këngëtarin më të mirë, Ylli Çiftja, ndërsa Shoqëria Kulturore “Bajram Curri” Krush e Madhe, mes një buqete të freskët këngësh tradicionale, solli këngëtaren më të mirë të Festivalit, Yllmize Tafallari. Formacioni më i mirë instrumental u  përcaktua nga SHKA “Drenica” Skënderaj, ndërsa instrumentisti më i mirë u vlerësua Baki Xhaferi nga Shoqëria Kulturore “Anadrenia” Rahohec.

Grupi polifonik “Gjergj Araianiti” Mallkastër, solli jehonën e kohërave të lashta të krijimtarisë popullore. Me solemnitetin e polifonisë popullore, ai përcolli autoritetin e madh që ka patur kënga në jetën e shqiptarit, sepse ajo vendoste ekuilibrin shpirtëror nëpër historinë e tij të ngarkuar me tension, sakrificë dhe qëndresë. Ky solemitet, i kthyer në traditë, e ka origjinën e vet në rrugëtimin historik të vet këngës, fjala poetike e së cilës, me kohë mori një rol përcaktues, sepse poezia orale ka një substancë të vetën, e cila përbën origjinalitetin  historik të popullit, sikundër e ka gatuar shpirti estetik i tij.

Në këtë festival mbizotëroi vallja; kërcimet si interpretime solistike tradicionale, si komponentë e pandarë e festave të ndryshme familjare e shoqërore për nga gjinia, formacionet, struktura, ishin një univers i pafund. Ato vërshuan me origjinalitetin e tyre, veçanërisht valltarët e Tropojës të përgatitur nga Mjeshtri i Madh Shpresart Memia dhe Prishtina me 9 çifte valltarësh me koreograf Haki Mulliqin. Plot dinamizëm interpretuan edhe valltarët e Shkupit, Rahovecit etj.

Ky thesar i madh kulturor e shpirtëror, i prezantuar plot elegancë dhe shumëllojshmëri figurash koreografike, krijoi atmosferë epike duke pushtuar tërë sheshin, atmosferë që do të përsëritej për çdo natë me ndjesinë, se ndodheshe në mjedise luftëtarësh. Artistët shpërthenin me temperament të zjarrtë, me lëvizje të ngrohta, me gjallërinë e ritmeve plot dinamikë, duke shprehur eposin e madh luftarak dhe ndjenjën e krenarisë së shqiptarit. Brezat përcjellin në përjetësi thesarët artistikë të popullit. Më shumë se valle ato ishin një manifestim i vitalitetit shpirtëror dhe estetik të popullit, që shquheshin nga fryma kolektive. Në këtë dinamikë interpretuan edhe valltarët e grupit çam nga Vlora, i cili me mjeshtëri të rrallë e sollën Osman Takën në një piedestal artistik.

Në mes të atij universi artistik shquhej për emocione të forta dhe vlera të spikatura estetike, brezii ri i valltarëve:  që me një elegancë, shije dhe finesë të hollë, me lëvizje plot gjallëri në atë peizazh të hapur, përcillte artin e stërgjyshërve të tyre. Gjeneratat shqiptare kanë zëvëndësuar njëra-tjetrën, por kurrë s’kanë harruar të përcjellin si një amanet historik, krijimtarinë dhe pasurinë e tyre artistike, formuar në shekuj.

Artistët e rinj kanë ditur ta ruajë, ta zhvillojnë dhe ta transmetojë nëpër breza si mesazh historik të përkatësisë etno-kombëtare. Përvetësimi i elementëve artistikë të kulturës popullore shqiptare, nga gjenerata e re, dëshmon për vlerësimin e pasurisë kulturore të kombit, e cila po ruhet dhe përcillet nëpër breza. Ishte befasues instrumentisti i Lezhës, Gjovalin Ndreca, dikur pjesëtar i orkestrës së Artistit të Popullit Ndue Shyti, i cili interpretoi në 7 insrumente popullore. Festivalin e përshëndeti edhe këngëtarja e mirënjohur Shkurte Hadërgjinaj

Sentenca e Frederik Shlegelit se “sa më të vjetra e më të pastra të jenë  rrënjët, aq më të pastra janë doket e zakonet e tij dhe sa më të vjetra  zakonet  e doket, aq më të mëdha janë rrënjët në to, aq më i madh është kombi”, është konkretizuar më së miri  në këtë festival.

Festivalin e Deçanit këtë vit e frekuentuan për tre netë me radhë, Kryetari i Komunës Bashkim Ramosaj, Nën/kryetari Sami Cacaj, Gjeneral Abdyl Mushkolaj dhe deputetja e Parlametit të Kosovës, Time Kadrijaj. Festivalin e përshëndeti edhe Kryetari i Unionit Artistik i Kombit Shqiptar Z. Azgan Haklaj i cili ka dhënë një kontribut për organizimin e  tij. Natën finale të festivalit e ndoqi dhe ish-Kryeministri Rramush Haradinaj.

Juria profesionale, mes vlerësimeve të shumta, vlerësoi valltarët Donard dhe Dorentina Alilaj,  Azem Ademin e SHKA “Ardhmënia” Gjakovë, valltaret më të mirë u cilësuan interpretuesit e valles dyshe; Blerina Zekaj dhe Florentina Bujupi e SHKA “Selman Kadia” Istog. Si Ansambli më i kompletuar u cilësua Ansambli “Dardania” Tropojë. Juria pati kujdesin që vlerësimet dhe çmimet të shpërndaheshin në të gjithë hapësirën shqiptare dhe për të gjitha gjinitë e folklorit.

“Nuk është aspak e lehtë për të organizuar në ditët e sotme një festival me përmasa të tilla, na tha drejtori i Festivalit Mustafa Ramaj dhe punonjësi i kulturës në Komunën e Deçanit Mirsat Nimonaj. Vështirësitë janë të shumta por, ne kemi përgjegjësinë e madhe për të siguruar vazhdimësinë e këtij festivali që jo vetëm gjallëron jetën kulturore të qytetit, por mban gjallë traditën artistike të popullit”. Puna me shumë përkushtim e këtyre organizatorëve të talentuar dhe të palodhur të festivalit, dhe lidhjet e fuqishme të tyre me drejtuesit artistik të ansambleve të tjera, ka siguruar një festival të suksesshëm. Një ndihmë të madhe për realizimin festivalit ka dhënë edhe kryetari i Komunës Z.Bashkim Ramosaj, i cili e  ka  cilësuar si domosdoshmëri vazhdimësinë e këtij manifestimi kulturor që përcjell visaret e kombit.

Festivali i Deçanit mbetet një manifestim i bukur kulturor mbarëkombëtar dhe është një margaritar në kurorën e madhe të festivaleve që organizohen në Kosovë. Ai mbetet dëshmi e pasurisë dhe trashëgimisë shpirtërore të botës shqiptare me vlera të theksuara etnike, artistike dhe estetike. Çdo vit ky festival vë në lëvizje rreth 400 artistë popullorë, të cilët këndojnë dhe vallëzojnë në traditën e prindërve dhe gjyshërve të tyre.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Po ku paska folur Fishta ne Konferencen e Paqes, sepse nga pala Shqiptrare i vetmi qe foli ne ate Konference ishte Delegacioni me Turhan Pashen dhe Mehmet Konicen , si perfaqsues te Shqiperise, Ku vetem keta te dy kane folur atje ne Konference

    Dhe Fuqite e Medha nuk donin fare ta degjonin Delegacionin tone,
    por pastaj e pranuan ta prisnin ne nje degjim –Dhe ndersa Turhan Pasha fliste si perfaqsues i Shqiperise ata perfaqsuesit e Fuqive te Medha nuk degjonin fare, por benin muhabet dhe qeshnin me njeri tjetrin.

    Biles nje moment kur Konica po thoshte qe “Kosova esht toke shqiptare ne mijera vjet” perfaqsuesi Amerikan tha duke qeshur : Ca kerkon ky Kosoven ? edhe pastaj qeshi hahaha

    E thashe per kuriozitet , sipas librit me te sakte per kete Konference , “Paris 1919”, te shkruar nga stermbesa e Kryeminstrit Britanik , ky Kryeminister e kryesonte kete Konference

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *