Me nisjen e vitit të ri shkollor me mijëra mësues të rinj në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen praktikës së detyrueshme profesionale (stazhit) pranë shkollave të arsimit parauniversitar. Ndjekja dhe vlerësimi pozitiv i praktikës profesionale është vendimtare për çdo kandidat që do të sigurojë në vijim lejen për ushtrimin e profesionit të mësuesit (provimi i shtetit).
Për të bërë të mundur pjesëmarrjen në praktikë, mësuesit e diplomuar së fundmi duhet të kryejnë procedurat e regjistrimit pranë strukturave rajonale të arsimit pranë vendbanimit të tyre. Në varësi të strukturave rajonale të arsimit, regjistrimet për praktikën profesionale do të vijojnë deri në datën 20 shtator. Profili ku kandidati do të kryejë praktikën profesionale në profesionin e rregulluar të mësuesit lidhet me programin e studimit që ai ka ndjekur në ciklin e parë “Bachelor”.
“Ka të drejtën për të zhvilluar praktikën profesionale kandidati, që ka fituar diplomën universitare në fushën e mësuesisë sipas ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Për Zyrën vendore të Arsimit të Tiranës, afati i dorëzimit të dokumentacionit për praktikën profesionale vijon deri në datën 15 shtator. Për shkak të situatës së kushtëzuar shëndetësore prej Covid-19 dokumentacionin duhet ta dorëzoni në rrugë postare në adresen: Zyra Vendore Arsimore Tiranë , Rruga “Jeronim de Rada”, sqarojnë autoritetet e kësaj zyre vendore të Arsimit. Ndërsa për qarkun e Tiranës, regjistrimet për praktikën profesionale do të vijojnë deri në datën 20 shtator.
Dukumentacioni që kërkohet nga të gjithë mësuesit e rinj që do të zhvillojnë praktikën përgjatë vitit shkollor 2021-2022 përfshin kërkesën për zhvillimin e praktikës profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit sipas shtojcës së përcaktuar, CV e praktikantit, fotokopjen e noterizuar e dokumentit të identifikimit, si dhe fotokopje e noterizuar e diplomave “Bachelor” dhe “Master” me lista notash.
Autoritetet e arsimit sqarojnë se në mungesë të pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati për praktikant duhet të pajiset nga universiteti përkatës me një vërtetim ku të specifikohet që ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim, njohjen e gjuhës së huaj në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Ky vërtetim duhet të ketë të specifikuar emërtesën e plotë dhe llojin e programit të ciklit të dytë të përfunduar, vitin i përfundimit, numrin e matrikullimit, datën e diplomimit.
Krahas këtyre dokumenteve në dosje duhet të përfshini edhe vërtetimin e vendbanimit, raportin mjeko-ligjor nga qëndra shëndetsore e njësisë së banimit, vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale, si dhe certifikatën familjare (për të gjithë ata kandidatë që janë të martuar dhe me fëmijë). Ekspertët sqarojnë se mungesa e një prej këtyre dokumenteve ju përjashton nga ndjekja e praktikës përgjatë vitit të ri shkollor.
Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e zhvillimit praktikës, kjo e fundit synon sigurimin e cilësisë së mësimdhënies nga mësuesit e rinj dhe performancë të lartë të profesionit të mësuesit, në përvetësimin e mëtejshëm të njohurive teoriko-profesionale, të aftësive e shprehiv, praktike dhe normave të etikës e të sjelljes së mësuesit, zhvillimin e kapaciteteve të mësuesve të ardhshëm për një përshtatje më të mirë ndaj ndryshimeve të kurrikulës, mësimdhënies si dhe komunikimit me fëmijët dhe të rinjtë.
Praktikanti duhet të paraqitet për të filluar praktikën në datën 27 shtator dhe e përfundon atë në datën datën 24 qershor të vitit 2022. Ndërkohë që është përcaktuar edhe norma e orëve të mësimit që mësuesi praktikant do të duhet të mbulojë përgjatë gjithë vitit shkollor, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Gjithashtu në rregullore përcaktohet se kur ka vend të lirë në sistemin arsimor për zhvillimin e praktikës profesionale dhe kandidati për praktikant refuzon, atëherë ai renditet në fund të përparësive në vitet pasuese, si dhe kur aplikuesi për praktikant nuk është pranuar për zhvillimin e praktikës profesionale, ka të drejtë të aplikojë në vitet pasuese.
Gjithashtu në rregulloren e praktikës përcaktohet se kur kandidati për praktikant, që përzgjidhet nga DAR/ZA, humbet të drejtën e zhvillimit të praktikës profesionale, kur refuzon tre herë (tri vite shkollore të njëpasnjëshme) të zhvillojë praktikën profesionale në një IAPP të disponueshëm. Ndërsa kur praktikanti ndërpret praktikën profesionale për arsye personale, ai e përfundon atë në vitet pasuese.
Orët mësimore që do duhet të zhvilloni gjatë praktikës:
- Drejtori i institucionit arsimor përcakton shpërndarjen e normës mësimore të praktikantëve në orë si mësimdhënës, si mësues ndihmës dhe për vëzhgime të procesit mësimdhënës.
- Praktikanti kryen praktikën profesionale për një vit të plotë shkollor (9 muaj).
- Praktikanti e ka normën e praktikës profesionale sa norma e mësuesit të profilit përkatës.
- Praktikanti jep mësim 1/4-ën e normës javore të mësuesit përkatës. Pjesa tjetër e normës ndahet: 1/2 e orëve si mësues ndihmës dhe 1/2 e orëve për vëzhgime të procesit mësimdhënës.
- Praktikanti ka detyrime profesionale të njëjta me ato të mësuesve të institucionit arsimor, përfshirë pjesëmarrjen në mbledhjet e ekipit lëndor e të këshillit pedagogjik, si dhe detyrën e mësuesit kujdestar.
Dukumentacioni që kërkohet për regjistrim:
- Kërkesë për zhvillimin e praktikës profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit sipas shtojcës 5-të të Urdhërit Nr .336 datë 14.07.2011.
- CV e praktikantit.
- Fotokopje e noterizuar e dokumentit të identifikimit.
- Fotokopje e noterizuar e diplomave “Bachelor” dhe “Master” me lista notash.
- Në mungesë të pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati për praktikant duhet të pajiset nga Universiteti përkatës me një vërtetim ku të specifikohet që ai/ajo ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim, njohjen e gjuhës së huaj në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
- Vërtetim vendbanimi.
- Raporti mjeko- ligjor nga qëndra shëndetsore e njësisë së banimit.
- Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.
- Çertifikatë familjare (për të gjithë ata kandidatë që janë të martuar/me fëmijë).
