Kur erdha tek ty…
Zemra i dha gjoksit
Tri rrahje të forta
Dy luanë të bardhë
Më prisnin tek porta.
Shtanga menjëherë
Desha, apo s’desha
Ti rrije mes tyre
Porsi luanesha.
Nga të dy luanët
Zemra nuk më theri;
S’ishin të vërtetë
Ishin prej mermeri.
Tani zemra ime
Nuk rreh, por buçet
Veç ti Luaneshë
Ishe e vërtetë.
Ai që pushton një zemër
Sa kështjella u pushtuan
Po koha lavdinë e treti…
Ai që pushton një zemër
Më i madh ësht’ dhe nga Mbreti.
Ndjenjën…
Ndjenjën s’e rrit luksi
Ajo s’do t’ia dijë
Dhe në një kasolle
Mund të vetëtijë.
Vanë mentë e mija…
O vanë mentë e mija, vanë
S’të rri dot larg, s’të rri dot pranë,
Kur të rri pranë, s’më mbahen lotët
Kur të rri larg, më thinjen flokët.
….
Kur të ligut
I bën një të mirë
S’të dihet
As mundi, as nderi;
Njëlloj sikur vë xhevahirë
Në feçkën e ndyrë
Të një demi…
U ndamë
U ndamë fare pa zhurmë
Dhe më pushoi
Dhimbja e kokës;
Një lamtumirë më shumë
Një dashuri më pak
S’i bën gjë botës…
Të nisi Zoti për njeri
Si s’thua dot një fjalë të ëmbël
Si s’thua dot një fjalë të mirë
Të nisi Zoti për njeri
Po kafshë u bëre me dëshirë.
Këngë vajze
Në shpirt qirinjtë m’u fikën
Se fryu një furtunë
Nga sytë zogjtë më ikën
Dhe mbeta vetëm unë.
Nga unë i mërguar
Thesare mund të gjesh
Po zemrën të kulluar
Dhe mua s’do më kesh.
Dikur dhe dyzetë dete
Më thoshje do kaloj
Dhe do të marr me vete
Se pa ty s’mund të rroj.
…
Foleja jonë e shkretë
Tani nxin anë e kënd
Po s’erdhe këtu vetë
Dërgomë shpirtin tënd.
Syri m’u errësua
Ndaj tretem në harrim
Po shpirtin tënd e dua
Të rrijë me shpirtin tim.
