Tetova u trondit nga një zjarr i rënë në një strukturë spitalore Covid gjatë mbrëmjes së djeshme.
Nga ky zjarr raportohen të paktën 10 viktima ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ky bilanc tragjik të përkeqësohet.
Spitalet modulare (kontejniere) nisën të praktikohen në Maqedoninë e Veriut pas shfaqjes së pandemisë Covid-19, si mundësi për të zmadhuar kapacitetet e shtretërve për trajtim të pacientëve.
Shumë qytetarë i kanë kritikuar këto objekte modulare, duke thënë se nuk janë të sigurta, ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe të shtunën, më 04.09.2021 deklaroi se vendosja e kontejnerëve, është më pak e kushtueshme.
“Pamë që ky model është me të vërtetë i mirë. Për kohë shumë të shkurtër bëmë reparte Kovid që do të thotë se modeli është i shpejtë, efikas, për kohë të shkurtër mbulojmë nevojat në territori të Qytetit të Shkupit dhe nuk ekziston model tjetër për të cilin dhjetë objekte do të bëhen për 7 ose 8 muaj. Ndërtimet e forta zgjasin shumë, janë shumë më të shtrenjta ndërsa këto janë modele efikasitetit energjetik”, deklaroi Venko Filipce, ministër i Shëndetësisë.
Më 19 Prill të vitit të kaluar, Pressing TV njoftoi se ndërtimi i spitaleve modulare u vonua për rreth 6 muaj, ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, premtoi se spitalet modulare do të ndërtoheshin deri në gusht. Por ato nuk u ndërtuan gjatë asaj periudhe.
Ndërtimi i tyre filloi rreth nëntorit në pikun e valës së dytë të COVID-19. Kompania “Brako” kishte paguar tashmë për shumicën e instalimit të spitaleve modulare dhe pajisjet e tyre, përmes një llogarie speciale për menaxhimin urgjent të COVID-19 të Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale. 3.62 milion euro janë transferuar tashmë tek kjo kompani.
Kur u shfaqën problemet në ndërtim, kompania “Brako”, u tha mediave se ata e kanë kryer punën e tyre dhe që këtej e tutje nuk e dinë se cili është problemi.
Në atë kohë, të gjitha mediat bënin thirrje se këto spitale, sidomos ai në Tetovë nuk duhet të vihen kurrë në përdorim, por Ministria e Shëndetësisë këmbëngulte.
Gazetari Seladin Xhezari ka raportuar se në këtë spital më 23 gusht të këtij viti iu dëmtuan tubat e oksigjenit dhe të ajrit të kondensuar por policia ende nuk e ka zbardhur çështjen.
“Më 23 gusht ka pasur një përpjekje sabotimi dhe ka pasur dy dëmtime të tubave që çojnë oksigjen dhe ajër në këtë spital. Nuk është zbardhur se kush dhe pse u dëmtuan dy tubat. Në atë kohë numri i viktimave do të kishte qenë më i lartë.”
“Janë të paktën 10 viktima dhe nuk dihet se sa do shkojë bilanci. Nuk mbahet mend që një tragjedi e tillë të ketë ndodhur. “
Spitalet modulare tashmë janë instaluar dhe pajisur në qytetet Gjevgjeli, Strumicë, Kumanovë, Kërçovë, Strugë, Gostivar, Shtip, Veles, Ohër, Manastir, Prilep, Kavadarci, Koçan, Shkup, Kozle dhe Dibër. A rrezikojnë të tjerë pacientë?
o.j/dita
