Vargje të zgjedhura

J L

Në tabelë të zemrës sime…

 

M’u në tabelë të zemrës sime

Desha të gdhendja emrin tënd

Po në tabelë të kësaj zemre

Nuk kishte mbetur asnjë vend.

 

Siç fshin agimi hije netësh

Dhe unë e fshiva krejt tabelën

Më ndriti zemra si pasqyra

As shenjë, as gjurmë aty nuk ngelën.

 

Siç fshin agimi hije netësh

Dhe derdh e derdh mbi botë argjend

Dhe unë i fshiva gjithë emrat

Të hapja vend për emrin tënd.

 

Sot në tabelë të zemrës sime

S’ka asnjë germë nga koha e vjetër

Por ndrit si yll me vezullime

Veç emri yt dhe asnjë tjetër.

 

Pa titull

 

Ne jemi pranë e pranë

Porsi dy sytë

Ti Toka je-planet

Unë- satelit.

 

Një mrekulli si ty

S’ka lindur nëna

Rreth teje rrotullohem

Porsi hëna.

 

Rreth teje rrotullohem

Nëpër mjegull

Njëlloj si Toka-Hënën

Më mban pezull.

 

Këngë pleqërie

 

Eja, more, eja

Se na ra rrufeja

Nga vashat e reja;

M’u në kokë na ra.

 

Eja, se u plakëm

Eja, se u mpakëm

S’e durojmë dot flakën

Që në kokë na ra.

 

Na iku takati

S’na ndihmon më fati

Fati as inati

E kaluam radhën.

 

Më s’na mbajnë këmbët

Na kanë rënë pendët

Pendët dhe dhëmbët

S’e hamë dot dardhën.

 

Nga ne hiqu dreq

Ik se jemi pleq

Keq edhe më keq

Jeta jonë u shemb.

 

Ik, o, ditëzezë

Ik se nuk na ndez

Jemi për varrezë

Ndaj nuk shesim mend.

 

PS: këto vargje janë muzikuar nga Kujtim Prodani. Botohen si një homazh për të.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *