Neimar tri javë pushim, nuk rrezikon objektivat e mëdhenj

anazapta

Neimar do të qëndrojë tri ose katër javë jashtë loje, pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen kundër Getafes, të enjten në mbrëmje, për Kupën e Mbretit. Braziliani 22-vjeçar përdrodhi kaviljen në përpjekje për të krosuar një top në zonën vendase dhe  doli nga fusha me ndihmën e anëtarëve të stafit mjekësor. Pamja e lojtarit, i mbështetur te dy persona të tjerë, pa qenë në gjendje të ecte vetë, krijoi përshtypjen e një dëmtimi të rëndë dhe shkaktoi shumë frikë te tifozët. Por, dje është mësuar se dëmtimi nuk është aq i rëndë sa menduan tifozët e Barcelonës e të Brazilit, edhe pse 22-vjeçari do të humbë disa ndeshje. Sipas kohës së parashikuar nga mjekët, për tri ose katër javë pushim, mendohet që ai të jetë gati për të luajtur në Champions League kundër Manchester City-t. Për sa i përket frikës së momentit nga ana e tifozëve brazilianë se ai mund të rrezikonte botërorin, kjo është përjashtuar plotësisht. Trajneri i Barcelonës, Tata Martino, është shprehur se “Neimar është tip i fortë dhe do ta marrë shpejt veten. Është i qetë dhe mjekët i dhanë shpresë”. Si për të lehtësuar sadopak trishtimin për dëmtimin e brazilianit, Leo Mesi tregoi se e ka lënë plotësisht pas dëmtimin e tij dhe është në formë të shkëlqyer. Këtë e konfirmoi edhe Ksavi Hernandes, i cili u shpreh se argjentinasi gëzon të njëjtën formë si më parë, gjë që e tregoi edhe në fushë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *