Nga Ndoc Logu
Pjesa e dytë
Por me emocionuesi ka qenë fluturimi i parë në vendlindjen e tij, në Dukagjin. Si për koincidencë, edhe fluturimi i fundit i pilotit Ndue Logu i rastisi ta bëjë po në Dukagjin, në dimrin e egër të vitit 1984-1985. Por jo si pilot. Por si ekspert me përvojë të jashtëzakonshme. Ky ishte edhe fluturimi i fundit i tij në Dukagjinin e tij. Sa herë, për 25 vjet, ju kishte shkuar dukagjinasve, për të marrë të sëmurët, për të çuar transformatorët e energjisë elektrike, për t’iu dërguar ushqime, për aksidentet rrugore, për alpinistët e rrezikuar. Këto dhe shumë të tjera, iu kujtuan vëllait në atë fluturim të fundit të jetesës tij. Namik Dokle që ishte në atë fluturim, me të atë ditë, ka shkruar se, nga sytë e tij si të shqiponjës po i rridhnin lot Ndue Logut. Ndoshta do t’i ishte kujtuar, kënga që dukagjinasit i kishin kënduar djalit të vet, kur mbërriti përherë të parë në Dukagjin.
Të përcollëm fëmijë e na u ktheve burrë,
Të përcollëm me këmbë e na u ktheve për qiell,
Të përcollëm të zakonshëm na u ktheve hero…
Kthimi nga Spitali Ushtarak, e gjeti pilotin legjendar, siç me kanë thënë ata që e kishin takuar, si peshkun pa ujë. Kundërshtarët e përjetshëm, në repart dhe drejtuesit e aviacionit, e pritën me të zgërdhira me dhëmbë përjashta, të gatshëm për të kafshuar përsëri. Ku dhe si do të bëhet integrimi i ri i pilotit? Sapo u mor vesh se Ndue Logu nuk do të fluturojë më, për të cilën ata kishin kontribuar shumë, tërë organikat ishin kopsitur siç i thonë. Nuk kishte asnjë vend të lirë! Si dhe përse kështu? Nga një pilot e kuadër legjendar, u gjend papritmas në mes të katër rrugëve i braktisur, si kur të ishte në një kompani private zarzavatesh që falimenton. Ai që kishte lagur tërë atë repart me djersën, të tëra skajet e Shqipërisë me sakrifica, heroizma dhe vështirësi të fituara, tani do t’i duhet për të përballuar dramën e fundit dhe më fatale të jetës të përgatitur për rreth 20 vjet nga një grup aventurierësh kriminel, ish koleg dhe ish eprorë të tij. Ata e pritën me qetësi dhe pabesi gjarprin dhe i thanë: “Do të përpiqemi të të rregullojmë diku….” Kjo ishte fyese dhe poshtëruese për Ndue Logun. Kjo sepse, kishte pilot që kishin a s’kishin fluturuar ndonjë javë a ditë, dhe thjeshtë për komoditet, për jetë luksi kishin zënë punë e detyra me përgjegjësi pa farë vështirësi. Por piloti me 5500 fluturime në 25 vjet? – Është unik dhe i pa precedent, që për një kuadër me arritje të tilla dhe me mundësi për t’u ngritur akoma me lart, siç u theksua disa herë edhe me dokumentet që janë shkruar prej vetë atyre, të lihet, më qartë të braktiset nga Komanda e Përgjithshme e Aviacionit dhe Ministrisë së Mbrojtjes? Pa u zgjatur në këtë fakt, sepse libri që po shkruaj, do të jetë më tronditësi që ka ndodhur në punën, jetën dhe fatin tragjik të një piloti. Por, të kthehemi tek ngjarja.
E gjykuar nga kundërshtarët e tij, si një zgjidhje e vështirë, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë, por që kishte brenda intrigën e radhës, këta perversë e emëruan pilotin: shef armatimi, me që vendi mbeti bosh, kur ai që ishte doli në pension. Kjo ishte dhe shkelja e radhës më skandaloze! Ç’ne piloti shef aratimi? Ai nuk ishte inxhinier mekanik. Nuk kishte mbaruar për gjitharmësh! Disa shokë të tij më kanë thënë sesi ai, këtë detyrë nuk e deshi kurrë. Edhe mua si vëlla kështu më thoshte: “Si mund të bëj mirë një punë që nuk e njoh? Disa të tjerë kanë thënë se e pranoi vetë si e keqja më e vogël, por që rezultoi si fatkëqësia më e madhe! Por le të lemë që të dy rastet. Sa e ligjshme ishte kjo? Emërimi i një piloti si shef armatimi, është në kundërshtim me ligjin, me tërë rregullat ushtarake. Po përse u bë kjo shkelje flagrante?
Përse u bë kjo zgjidhje antiligjore për Ndue Logun, kur tërë jetën iu kishin bërë pengesa për të mos u ngritur në detyra brenda ligjit, rregullave, aftësisë profesionale dhe ushtarake? Si ka mundësi që edhe Komanda e Aviacionit Shqiptar, edhe Ministria e Mbrojtjes, e braktisën, nuk mbajtën fare përgjegjësi ligjore, as morale, për Ndue Logun, por e lanë në mëshirën e një grupi horrash që e kishin sulmuar tërë jetën! Madje, edhe Sali Dibra që e njihte shumë mirë si individ dhe si familje! Kjo është e çuditshme! Kjo le shijen e keqe të kuptuarit se e tëra kjo linjë ushtarake ishte kancerogjene!
E megjithatë, me hir e me pahir, piloti filloi punën me përkushtim si gjithmonë, me atë përkushtimin që e karakterizonte tërë jetën. Dhe puna nuk po i shkonte keq. Por, retë e zeza iu shfaqën përsëri para syve Ndue Logut. Në një nga ato ditët e shtatorit 1986, pilotin shef armatimi e thërrasin në komandën e repartit. Atij i komunikojnë urdhrin, se, ai, shefi i armatimit do të drejtonte qitjet luftarake të ushtarëve, me armët e këmbësorisë. Kjo ishte një befasi e çuditshme?! Reparti kishte tërë specialitetet e specialistët përkatës. Kishte oficer këmbësorie, specialistë të përgatitur për këtë punë, instruktor që kishin përgatitur ushtarët për qitje që duhej të kryenin këtë punë. Por, jo, piloti shef armatimi! Kërcënimi iu tha qartë, nëse kundërshton. Dhe, realisht, Ndue Logu e ndjente jo vetëm rrezikun e kërcënimit të këtyre bandave me uniforma ushtarake dhe dokumentin e PPSH në xhep. Por edhe më tepër ndjente rrezikun e mossuksesit të këtyre qitjeve. Ushtarakët që e kishin përjetuar këtë skenë, dhe e kishin takuar e biseduar me Ndue Logun, pas marrjes së urdhrit kërcënues të asaj detyre fatale që ai nuk e njihte, e për tepër nuk i takonte, më kanë treguar se, ai, ishte i shpërfytyruar, nuk kishte dëshirë për të komunikuar me askënd. Të linte përshtypjen, se ishte shkrehur si ajo pisha shekullore në bjeshkët e Dukagjinit, që iu kishte rezistuar furtunave dhe rrufeve, por e kishin brejtur krimbat e qe rrëzuar…
Qitja në poligon, po shkonte pa probleme. Por qitja me granata ishte më e rrezikshmja. Dhe kështu rezultoi. Varianti zyrtar i komandës së këtyre horrave është ky afërsisht kështu: “… Qitja po vazhdonte normalisht… kur i erdhi radha ushtarit… ai, pasi hoqi siguresën e granatës, u tremb dhe i shpëtoi granata nga dorae ra në poligonin ku ndodhej vetë dhe drejtuesi i qitjes… Drejtuesi i qitjes Ndue Logu, e kapi granatën e ndezur dhe e hodhi jashtë…” Po, sipas këtyre, granata shpërtheu në ajër dhe një cifël e vogël godet lehtë ushtarin, dhe një tjetër godet për vdekje drejtuesin e qitjes… Ky është varianti i zyrës së mafjes së aviacionit shqiptar. Ky variant, mbeti për 35 vite si i vërtetë. Po a është vërtetë i saktë ky variant? A është vërtetë një flijim i vetëdijshëm i Ndue Logut, në emër të jetës së të tjerëve? Apo është një vrasje e sofistikuar? Apo është një kurth i radhës i kundërshtarëve të tij, duke filluar nga urdhri ushtarak për të bërë një punë që nuk e njihte e nuk i takonte?! Dhe me shpresën keqdashëse të kundërshtarëve se diçka do të ndodhte dhe atëherë do ta godasin përfundimisht! Ti shohim dhe arsyetojmë realisht. A mos ishte porositur ushtari për ta lëshuar granatën tek këmbët e drejtuesit të qitjes që kishte pranë? Apo dikush tjetër nga afër, qëlloi pilotin me pistoletë në gjoks kur ushtari hoqi siguresën e granatës dhe nga se krisi pistoleta, ushtari u tremb dhe lëshoi granatën në poligon? Më pas piloti i plagosur e largoi granatën jo sa duhej. Dhe kështu, oficeri pilot që drejtonte qitjet, vdes nga predha e pistoletës dhe jo nga granata? Si është e vërteta? Këto pyetje duhej të bëheshin nga organet përkatëse që në çastet e para. Por ato nuk u bënë kurrë, siç do ta shohim në vijim. Unë e kam parë me sy. Aty s’kishte asgjë, absolutisht asgjë, për t’u quajtur poligon. Në një luginë, rrethuar nga dy kodrina, kishe vetëm një gropë të vogël sa për të zënë një ari të egër, por jo mjaftueshëm për ushtarin dhe drejtuesin e qitjes.
Sapo mora vesh lajmin tronditës shkova në shtëpi. Vëllain e vrarë akoma nuk e kishin sjellë në shtëpi. Ushtarakët nuk deshën të më linin për t’u njohur me asgjë. Menjëherë shkova në morg për të pa vlagën vdekjeprurëse të vëllait që në çastet e para më linden menjëherë dyshimet e forta. Plagën e kishte sapo mbaron kraharori dhe fillon qafa. I ishte prerë njeri nga damarët kryesorë të gjakut. Doktori i morgut më tha se është i aortës së zemrës. Prandaj ka vdekur shumë shpejt.
-Po plaga si të duket?- e pyeta doktorin.
-Është plagë e pastër- m’u përgjigj.
– E pastër është, e porsa shkaktuar në trupin e një piloti të stërvitur e kalitur tërë jetën… Kuptohet se, kjo, nuk është plagë e ndonjë banditi shpellash, nga mungesa e mjekimit, që zënë krimba, ironizova përgjigjen. Fjalën e kisha se çfarë plage të duket?
-Më gjatë nuk e di, – tha mjeku. Ato i di hetuesia.
-Po a kishte hetuesi grupi i dytë i puçistëve?!
Për çudi, plaga ishte e vogël dhe cilindrike. Duke njohur prodhimin e granatës dhe llojet e çelikut që prodhohet dhe temperimi, copat e saj kur shpërthejnë, nuk mund të ndodhë kurrë që një copë granate të lërë plagë cilindrike! Ajo, le në trupin që godet, të njëjtën formë ballore që ka copa e shkëputur nga granata. Kjo është shkencore e provuar nga ekspertët përkatës. Po si u bë plaga cilindrike nga një copë granatë shumëkëndëshe dhe e çrregullt?
Sapo u ktheva në shtëpi nga morgu, iu kërkova ushtarakëve të aviacionit për ta parë vetë vendin, dhe njohur me rrethanat e aksidentit të vëllait. Disa më shikonin me çudi e nuk flisnin fare. Disa më japin të drejtë që unë ta shihja. Ndërsa disa kapo të tjerë u bën si bisha të egra, për sjelljen e të cilëve, kundër vëllait tim, kisha shumë dijeni. Kundërshtimi i tyre ishte kategorik.
“ Është zonë ushtarake… është sekret….ka punë hetuesia, prokuroria…” e tjera broçkulla banale.
Ju nuk jeni më të besuar se unë dhe vëllai im- ua ktheva. Se po të ishte ndryshe, vëllai im, nuk do të ishte në arkivol- ua plasa në surrat. Dhe, mos mendoni se, unë, nuk di edhe gjëra të tjera. Kaq u desh dhe marrëdhëniet e mia me disa nga ushtarakët e aviacionit, gjatë asaj dite-nate të 13 e 14 shtatorit 1986 u tensionuan keq. Unë, as atëherë, as sot pas 35 vitesh nuk e kuptoj kundërshtimin e tyre, për t’u njohur me të vërtetën e kësaj vrasje nëse gjithçka është e vërtetë, sipas atij varianti që vetë ata kanë shpjeguar!? Frika, nervozizmi, heshtja, preokupimi për të fshirë të vërtetën tregojnë se diçka tjetër shumë më e rëndë është e vërteta e kësaj vrasje.
Disa orë para varrimit, iu kërkova ushtarakëve se kush është ai që do të flasë dhe desha t’ua lexoj atë që do të flitej atje. Edhe kjo m’u kundërshtua kategorikisht. “Ç’të duhet ty… e dimë vetë…” – më thanë me arrogancë. Në atë çast mora një vendim: “Do të bëja një skandal të padëgjuar, pa pyetur fare as vëllezërit e tjerë“. Vendosa, nëse do të fliste ndonjëri nga ata të grupit që e kishin sulmuar vëllain tim tërë jetën, nuk do i lejoja të flisnin. Nuk do lejoja, që në sytë e tërë atyre ushtarakëve, të tjerë të ardhur nga jo pak rrethe e krahina të largëta anë e mbanë Shqipërisë, dhe të popullit të Tiranës, këta të pabesë, të derdhin lot krokodili përpara trupit të vëllait tim të pajetë e në arkivol; kur tërë jetën kishin vjellë vrerë të përzier me jargë nga goja e tyre e ndyrë me pa të drejtë, kundër vëllait dhe sakrificave të tij! Do t’i pështyja e do t’i përzija prej andej. Do të shfryja gjithçka dija kundër atyre fëlliqësirave. Por për fat të mirë, nuk ndodhi gjë. Ai që foli ishte tjetër, a ndoshta i panjohur nga unë!?
Kur po ecja për tek makina, që do më kthente në shtëpi tek dreka e hidhur, më afrohet një spiun i tyre. Ata donin të dinin se çfarë di, ku dyshoj dhe çdo të bëj më tej. Si me marifet më afrohet:
-I bukur fjalimi… të pëlqeu….?
-Me shumë do më pëlqente të kisha vëllanë gjallë… Heronjtë na duhen t’i kemi në pararojë, në krye të punëve… Jo t’i kemi referenca nga varri- dhe e pyeta:
– Sa kohë është dashur për t’u përgatitur ky fjalim- e pyeta jo pa synim.
-Në fillim, bashkëbiseduesi shtangu në vend, pastaj tha: – këtë unë nuk e di…
-Nëse nuk e di pyete Agim Nanajn dhe Et’hem Mehmetin që drejtojnë Regjimentin, Bardhyl Taçin dhe Sali Dibrën që drejtojnë Komandën e Përgjithshme të Aviacionit, pas të cilëve ka edhe një taborr hordhish të tjera…
Pas fatkeqësisë që patëm, pata një pauz të shkurtër pritje nëse organet përkatëse të Aviacionit dhe të Ministrisë së Mbrojtës do të na thonë ndonjë gjë më shumë se kush ishte e vërteta dhe shkaktarët e kësaj vrasje. Por si për çudi dhe turpin e tyre, jo vetëm që nuk ishin të interesuar për çka na mundonte ne, por ata perverse, kishin filluar punën me nxitim për të zhdukur çdo provë dhe varrosur çdo të vërtetë për këtë vrasje. Të gjithë absolutisht të gjithë kishin filluar që në çastet e para t’i largohen përgjegjësisë edhe të gjithë ishin brenda dhe fajtor për këtë vrasje, në mos organizatorët e saj. Madje, paralel me zhdukjen e të vërtetave, ata, kishin filluar edhe të zvogëlonin rëndësinë e saj, dhe vlerat e pilotit dëshmor. Kjo kishte synimin që, edhe i vdekur, Ndue Logu të mos mbetet simbol vlerash e përkushtimi. Fatkeqësisht, rrethanat dhe situata politike në vend për këtë grup intrigantësh, kundër vëllait tim, kishin ardhur mjaft të favorshme. Hysni Kapo, që kishte njohje me familjen tonë, dhe axha Gjon Marashi, hynte lirshëm në shtëpinë e tij, nuk ishte më. Po kështu edhe Mehmet Shehu, që i tmerronte. Enver Hoxhën sapo e kishin përcjellje shqiptarët. I vetmi që e njihte familjen tonë dhe vëllain personalisht ishte Ramiz Alia. Por Ramiz Alia edhe pse ishte njeriu më me pushtet në vend, ishte nga ata “burra”- siç thotë mençuria popullore se: “Po ta kesh mik të prish punë, se nuk të zgjidh gjë, e po ta kesh armik s’të bënë gjë….” Për këtë u binda kur qëndrova për 6 orë me të, në shtëpinë e tij në Tiranë. Po për këtë takim do të flas në vijim.
Kur ndodhi vrasja e vëllait, në regjiment, u bë një mbledhje e njësisë. Se përse një dreq e di, për t’i informuar, për të nxjerrë përgjegjësit, mësime, gjë që s’ndodhi kurrë një gjë e tillë, për ta justifikuar krimin e shëmtuar, duke bërë publik dhe trumbetuar se vdekja e pilotit “është akt i zgjedhur nga vetë ai!?” Por si do të rezultojnë rrethanat, ajo është një vrasje e pastër. Atëherë, duke pasur parasysh, frikën e personalitetit Ndue Logu, pavarësisht se a u vra aksidentalisht apo e vranë, ai, e dha jetën në krye të detyrës, masa në atë tubim komomorativ, kërkoi me të madhe e me një zë të fuqishëm sa që buçiste salla: “Të shpallet “Hero i Popullit”. Kërkesa e njësisë, e tërë efektivit, për ta shpallur “Hero të Popullit”, ishte mjaft e drejtë, dhe e justifikuar. Realisht, ai, këtë titull, e kishte fituar në të gjallë të tij si pilot, duke sfiduar vështirësi e rreziqe dhe të fituara mbi to. Vetëm me shpëtimin e jetëve, pa detyrat e tjera, kjo ishte plotësisht e merituar. Te 5499 fluturimet, Ndue Logu, i kishte kryer pa asnjë aksident a problem, kuptohet me vështirësi të jashtëzakonshme, ditën e natën, mes cikloneve në male, mjegullave, rrufeve, borës e ngricave. Vetëm në një fluturim të vështirë, në Dukagjin, kishte deformuar njërën nga tre fletët e helikës së vogël te bishti i helikopterit. Mirëpo, në aviacion, difekte dhe aksidente ndodhin kudo, sado i sofistikuar të jetë mjeti fluturues. Psh: Gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë, në një kohë shumë të shkurtër, në territorin shqiptar, u aksidentuan dy helikopterë “Apash” që konsideroheshin si mjeti i këtij lloji më i sigurtë! Dhe këta, të “merakosurit” e mëdhenj, për këtë ndodhi cikërime, pasi e analizuan, gati sa nuk e futën në dhé të gjallë pilotin Ndue Logu. Ndërsa dikush tjetër, nga ata e sërës së tyre, shkatërronte të tërë një helikopter rreth 40 milionë lekësh që e kalonte si në vaj- siç i thonë, ata, i rrihnin shpatullat e i thonin: “Na ke ne me vete”. Sipas mendimit tim, përgjithçka u tha më lart, e të tjera në vijim të këtij publikimi për rrethanat dhe vetë jetën e Ndue Logut, të familjes nga vinte, ku Ndue Logu, ishte dëshmori i pestë, nga kjo familje, në 100 vitet e fundit, dhënia e këtij titulli, i kërkuar nga masa, ishte jo vetëm i merituar, por edhe i pritshëm nga pjesa më e madhe e krahinave të Shqipërisë . Por, kjo do t’u shërbente edhe grupit armiqësor e të përjetshëm të tij. Kjo për faktin se vlerësimi i aktit të flijimit, do të hiqte çdo dyshi mbi ta, nëse kishin dorë në këtë vrasje. Sepse përgjegjësia e tyre, që buronte nga detyrat që mbanin, nëse kishte shtet, apo do të ketë ndonjëherë institucione përkatëse, ishte e pashmangshme. Por, njerëzit e zinj që prej vitesh në komandën e Regjimentit të Aviacionit, që të deshën Ndue Logun, ju kishin qorruar sytë e nuk shikonin, ju kishte tkurrur vatra e trurit të arsyes, iu kishte arratis nga shpirti çdo ndjenjë e humanizëm njerëzor për jetën dhe vlerat e kundërshtarit imagjinar Ndue Logu. Ta bënte e ta pranonte këtë propozim: Agim Nanaj, Duro Shehu ( vëllai i kryeministrit), Tajar Ramadani, Et’hem Mehmeti, që këta e vunë në atë detyrë, dhe po këta e mbanin aty, e të tjerë si këta, ku Ndue Logu, tërë jetën e kishin ndjekur me thikat me helm pas shpine, për ta qëlluar për vdekje kur të gjenin kohën e përshtatshme dhe për të shpëtuar vetë nga përgjegjësia siç edhe shpëtuan realisht. Kështu, propozimi nga masa për titullin më të lartë, për Ndue Logun, e trembi kupolën e mafies së Regjimentit. Ata mendonin se “Edhe i vdekur… ky po ngrihet mbi ne…” Dhe vendosën të heshtnin për gjithçka. Kjo për dy arsye: për t’i shpëtuar çdo përgjegjësie që mund të kishin dhe i kishin shumë të rënda, dhe për të minimizuar personalitetin e tij sa mund të jetë e mundur në mënyrë që edhe pse i vdekur, Ndue Logu, të mos mbetet i pavdekshëm. Në këtë drejtim, këta krokodilë të përgjakur me gjakun e vëllait tim, ia arritën synimeve të veta, por përkohësisht pasi “Jo gjithçka ishte në dorën e tyre” siç më thoshte vëllai për ta.
Jo më parë, por tani e 35 vjet të pasvrasjes, më është formuar bindja se, ai, i paska merituar, ato vlerësime në adresë të tij. E them këtë pa fare modesti, nga se, e kam studiuar jetën imtësisht dhe nga shumë këndvështrime. Vetëm grupi i kundërshtarëve të tij, kishte vendosur për t’i bërë bllokada informacioni e publiciteti, për Ndue Logun edhe pas vdekjes. Ky ishte një vendim sulltanor otoman hakmarrës që vendoste “Sune”, ndalesa, për çka i shkrepej dikujt e disave.
Heshtjen që kishin parashikuar këta horra, mendonin se do të ishte e përjetshme për Ndue Logun, zgjati vetëm 74 ditë. Dhe këtë heshtje e thyen pikërisht ata që nuk ishin nën tutelën e atyre intrigantëve. Gazetari i shtypit ushtarak, ish-Skënderbegas, oficer, jurist, poet, atdhetar Hysni Milloshi, me datën 28 nëntor të vitit 1986, në gazetën “Zëri i Popullit”, e cila në atë kohë, dilte me shumë se 100.000 kopje, botoi shkrimin me titull: “Vazhdë patriotizmi”, kushtuar pilotit Ndue Logu, ku ndër të tjera ai shkruante: ”…Njerëzit e bëjnë historinë dhe ajo u shkon pas. Ndue Logu, për shembull, ose Baca, siç e thërrisnin shokët, nuk e ka ende të shkruar historinë e tij nga gazetarët e shkrimtarët. Por pena e kohës as ndryshket as harron të shkruaj për atdhetarët e komunistët si Ndue Logu…. Shpjegimet e hollësishme të pilotëve dhe ushtarakëve të tjerë… flasin për një akt me përmasa të mëdha, një akt që e stolis monumentin e heroizmit të ditëve tona. Ai ishte vazhdimësi e shkëlqyer e traditës, familjes… Mësojmë nga pilotët se, Ndue Logu është nipi i Gjon Marashit nga Dukagjini, trupmadh, luftëtar epik i 1912-tës, shoku dhe miku i ngushtë i Bajram Currit, partizan i LANÇ, baba që i fali lirisë njërin djalë… Ai e dha jetën, të cilën kurrë nuk e kishte kursyer atë për t’i shërbyer atdheut e popullit të tij… Atij i janë kënduar edhe këngë që në të gjallë të tij… Dhe në këngë, populli nuk të fut kot, po nuk e meritove…” (“Zëri i Popullit”, 28 nëntor 1986, f.1).
Ndërsa, piloti dhe shoku i Ndues, që e kishte student dhe mbetën shokë, i paharruari, Ndoc Selimi, në shkrimin me titull “Ai mbeti përsëri shqiponjë“ shkruante: “… Ditën që na thanë se do të regjistroheshim në Shkollën e Aviacionit, të gjithë u gëzuam. Por Ndue Logu më shumë… ai hapi krahët dhe imitonte shqiponjën… Pas kthimit në Shqipëri, Ndueja, u bë me të vërtetë njëra nga shqiponjat e maleve dhe fushave të Shqipërisë… Hyri ky njeri i dashur në zemrën e çdo piloti, tekniku e ushtari…” (Revista “10 korriku” Nr. 1 Janar 1987, f.22).
Pas shkrimit të Hysni Milloshit në “Zërin e Popullit” më datë 28 nëntor 1986, njeriu me i pushtetshëm i Shqipërisë, Ramiz Alia, në një letër ngushëllimi për familjen shkruante, ndër të tjera: “ … I dhimbshëm ishte për mua lajmi për rënien në detyrë të pilotit trim, oficerit me cilësi shembullore, Ndues së paharruar me zemër të madhe… Në këtë akt shfaqen në shkallën më të lartë vlerat shoqërore që ajo vetë ka krijuar… patriot e këmbëngulës në punë, humanist e të sakrificës…
Familja juaj, si i tërë populli patriot e luftëtar i Dukagjinit, e ka pasur në gjak, në traditë, dhe kurdoherë është shfaqur për ndjenjë të fortë vetëmohimi për hir të së mirës së Atdheut, të popullit, të shoqërisë… Në aktin e tij shkëlqyen edukata që mori në familje, trimëria dhe guximi i paraardhësve të tij, veprimtaria e dalluar patriotike e prindërve dhe vëllezërve tuaj. Kishte, pra, siç thotë popullit, kujt t’i ngjante ky burrë, ky trim…
Vijon nesër

I Nderuar Ndoc.
I kam lexuar te dy pjeset qè keni shkruar. Ju respektoj. Nè pjesen e pare nuk mund tè ndryshoj asnje presje. Ndersa per pjesen e dyte kam shume rezerva. Te kujtoj se sharlatane ka pasur, ka e do tè ketè nè cdo kohe. Un Zv. Komandant Nduen e kam njohur pak. e kam takuar disa here. E vleresoja si njeri dhe si profesionist per aq sa kisha degjuar. Une sapo kisha dale ne pune. Personazhi A. Nanaj e pershkruani sakte. Ndersa per humbjen e jetes aksidentalisht te Ndues ta them une. Sepse ne trashe reth tre metro larg ushtarit qè do hidhte bomben ishte miku im.
Ushtari qè do hidhte bomben e dores (nje bombe mesymse) ishte shume shume frikacak. Ushtari ishte shume shume afer Ndues. Kur ushtari hoqi siguresen e bombes i ra nga dora te kembet. Ndue ja e mori shpejt nga kembet e ushtarit dhe e hodhi jashte trashese. Bomba plasi plasi reth tre kater metra larg nga trasheja ne ajer. Ushtari u plagos. Ndersa vetem nje cifel bombe kapi Nduen pikerisht nè aorten qè çon gjakun nga trupi ne koke. Gjaku i shpertheu me presion dhe per tre kater minuta Ndue vdiq. Ne krahet e nje kolegu oficer qè ndodhej nè trashe reth tre kater metro larg. Bomba mesymse ka nje kohe per shperthim 3.5 sekonda pasi shkeput siguresen dhe e shkeput nga dora. Nèse Ndue nuk do e kish kapur bomben dhe hedhur jashte do vriteshin tè tre. Ndue, oficeri tjeter qè ishte ne trashe dhe ushtari qè i ra bomba te kembet.
Mos harro se ka qene nje dite qitje me bombe dhe mbrapa ne distancen reth 70 metra kane qène tè gjithe ushtaret.
Te kujtoj se Ramiz Alia urrente ushtaraket. Ramiz me orientimet e tij filloi ta shkaterronte aviacionin.
Ramiz Alia per tè krijuar çoroditje te pilotet, per tè krijuar pakenaqesi te pilotet. Ka arrestuar pilot kot fare, i ka hequr si pilot, si oficer dhe i ka perjashtuar edhe nga partia kush kishte qene anetar partie.
Ramiz alia i la pilotet pa strehim. te martuar e banonin ku tè mundnin. I jepte shtepi njerzve qè ishin ne fund te organikes sè aviacionit. Dhe kete e bente me ca zagar jo pilot qè ishin istruktor ne komitetin qendror. Ndersa ne qender ne krye te aviacionit zbatues ishin Sali Dibra dhe Agim Nanaj (nuk e di jetojne akoma)
Ramiz Alia godiste pilotat e zote, te afte dhe qè gezonin respekt.
Ramiz Alia hidhte gurin e fshinte doren.
Respekt e mirenjohje per Ju e Lavdi kujtimit tè Ndues.
Ik o pallë. Ai vdiq nga aksident gjatë stërvitjes. Aksidenti u pa nga qinfra sy pjesëmarrës. Nuk mund t’i ngresh vlerat duke e paraqitur si vrasje. Apo kërkon dëmshpërblim si i persekutuar?? S’ke turp, mundohesh të shpifësh mbi gjakun e vëllait tënd hero. Të kanë lënë mendtë në këtë moshë.