Përgatiti për botim Xh. Shehu
Në një nga ditët e mia të shërbimit të mjekut të rojës në klinikën speciale, aty nga viti 1975, u thirra për të konsultuar Haxhi Lleshin, i cili ishte shtruar në klinikë për një infeksion në fshikën e tëmthit, në të cilën kishte gurë. Për këtë sëmundje atë e ndiqte dr. Skënder Dauti, mjek specialist dhe pedagog i shquar i Fakultetit të Mjekësisë. Dr. Skënderi më thirri, pasi gjendja shëndetësore e të sëmurit u ndërlikua me çrregullime të ritmit të zemrës. Në mjekësi, ky ishte një ndërlikim i rrallë. Prej këtij momenti, për këtë patologji e ndiqja edhe unë. Ndërkaq, mbeta mik me të për të gjithë jetën.
Pasi doli nga klinika speciale, dy muaj më vonë, ai shkoi për një veprimtari në Peshkopi. Pati përsëri një përkeqësim të gjendjes shëndetësore, riacarim të sëmundjes së tij. Më njoftuan në mbrëmje vonë dhe menjëherë u nisëm me dr. S. Dautin, duke menduar se do ta gjenim në Peshkopi. Mirëpo, ai ishte nisur dhe ne u takuam pas mesnate midis Burrelit dhe Bulqizës. Megjithëse me temperaturë të lartë, me dhimbje të forta dhe me çrregullime të ritmit të zemrës, ai ashtu, si përherë i qetë dhe i durueshëm, përballoi pa asnjë ankesë atë rrugë të gjatë e të vështirë. Prej asaj kohe jemi takuar shumë herë për probleme shëndetësore dhe raste të tjera. Ajo çka binte në sy tek ai ishte thjeshtësia. Kur ishte Kryetar i Kuvendit Popullor, isha në shtëpinë e tij me rastin e një feste. Në mbarim të vizitës, u takova me të pranishmit dhe, në çastin që do të ndahesha prej tij, ai u ngrit në këmbë. Mendova se do të më shoqëronte deri te dera e vilës, por ai vazhdoi deri te porta jashtë oborrit. Më bëri përshtypje dhe e komentova në një mjedis shoqëror. Aty më thanë se ky ishte zakoni shqiptar i përcjelljes së mikut, të cilin ai e respektonte, pavarësisht nga mosha dhe pozicioni shoqëror i mikut që i kishte ardhur në shtëpi.
Ndryshimet e sistemit në formën e revanshit dhe të dhunës, mohimin e vlerave dhe të historisë, dukuritë regresive, ai nuk i toleronte dot. Në çastin e rrëzimit të Monumentit të E. Hoxhës, ai reagoi me zemërim. Veçanërisht, veprimet e mëvonshme të pushtetit të Berishës, ai i dënoi ashpër edhe për efektet negative që ato dhanë në ruajtjen e prestigjit kombëtar.
Aty nga fundi i vitit 1993, në një bisedë me të, më thotë se “ndoshta erdhi koha ta mbash fjalën”, por mua nuk më kujtohej ndonjë detyrim ose angazhim imi. Pas një çasti, ai më kujtoi rastin. Gjatë një bisede me të, nga fundi i viteve `70-të, kur po më fliste për njerëzit e tij në Dibër të Madhe, të cilët nën regjimin titist u persekutuan, më tha:
– Nuk e di nëse do të shkoj t`i shoh atje (kishte një motër dhe të afërm) ndonjëherë.
-Kur të vijë ai moment, do të jem edhe unë me ju, – i kisha thënë.
Dhe ja, tani ai kishte vendosur të kthehej në vendlindjen e tij, pas 48 vitesh. E vendosëm dhe, nga fundi i vitit, u nisëm për në Dibër. Mua më vuri kusht që të qëndroja atje jo më pak se një javë, kurse ai do të qëndronte rreth një muaj.
Na pritën që në doganën e Bllatës. Në ato ditë erdhën shumë të afërm. Erdhën bashkëluftëtarë, të cilët, pas prishjes së marrëdhënieve me vendin tonë në vitin 1948, kishin kaluar shumë vite burgjeve, deri në burgun e tmerrshëm në Goli Otok. Erdhën për ta takuar edhe të afërm që jetonin në Amerikë.
Siç mund të kuptohet, media kishte interes ta intervistonte. Në një nga këto intervista në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” ai e konsideron Sali Berishën tradhtarin më të madh të kombit (për këtë arsye, ose edhe për këtë arsye, Berisha kërkonte arrestimin e tij).
Unë u ktheva në Tiranë dhe prisja njoftimin e ardhjes së tij. Kaluan disa muaj dhe më merr në telefon nipi i tij Kazif Tomiku, i cili më thotë:
– Daja është shumë sëmurë. Është vizituar dhe i kanë thënë se vuan nga kanceri, ndaj është në dilemë për të ardhur tani në Shqipëri, apo më vonë.
Në atë ditë takoj Kryetarin e Komitetit Kombëtar të Veteranëve, P. Dodbiba, i cili ishte njoftuar për gjendjen dhe, meqenëse mendohej që H. Lleshi do të vdiste shpejt, kërkonte nga unë që PS-ja të ndihmonte për të bërë një ceremoni sa më të denjë për një patriot të madh dhe Hero të Popullit.
Në këtë situatë, erdhi në Tiranë nipi i H. Lleshit, i cili më tha se ai ishte dobësuar, ka humbur shumë në peshë, nuk ushqehej dhe e mbanin me serum. Në këtë gjendje dëshpëruese (H. Ll) ishte shprehur: “Tani kuptova se e humba luftën”. E pyeta se në çfarë rrethanash i kishte thënë këto fjalë.
– Një ditë, – më tha ai, – erdhën në shtëpi përfaqësues të shtetit maqedon. E përshëndetën ardhjen e tij atje dhe e siguruan për qëndrimin e tij në Maqedoni, pavarësisht qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj tij. Aty mori vesh se në Shqipëri ishte lëshuar për të një urdhër – arresti. M’u kujtua befas se në këto situata te të moshuarit zhvillohet një sindromë depresive që, e shoqëruar me humbje të oreksit, apatinë etj., çon në dobësim, i cili, në kuadrin e një ekzaminimi jo kompetent, interpretohet si sëmundje malinjë (kancer). I thashë se nuk jam i bindur që ka kancer të mëlçisë dhe pankreasit, siç i kishin thënë, ndaj do të shkoja vetë në Dibër ta vizitoja.
Të nesërmen bisedova me Piro Dodbibën dhe vendosëm që të shkojmë bashkë, sapo të sigurojmë një makinë për atje. Rrugës, duke shkuar për në Dibër, sapo dolëm nga Kamza e deri sa kaluam Bulqizën, P. Dodbiba nuk pushoi së foluri me hollësi dhe dashuri për punën kolosale të bërë në çdo copë fushe, kodër, çfarë ishte mbjellë në to, si ishin zhvilluar ato zona në dhjetëra vjet, për drejtuesit e bujqësisë, për kryetarë kooperativash, për njerëzit etj. Me hollësitë që tregonte dukej sikur ishte ai ministri aktual i Bujqësisë dhe jo një ish-ministër, i cili kishte provuar shumë vite internim.
Sa e çuditshme Shqipëria! Si ishte e mundur të dënohej një njeri i madh, një patriot dhe drejtues a ministër aq i përkushtuar, saqë në fushën, ku ai kontribuoi, bëri aq sa nuk do të bënin ndoshta shumë ministra për dekada të tëra.
Haxhi Lleshin e gjetëm shtrirë në divan, shumë të dobësuar. Pasi shkëmbyem disa fjalë, nuk po më rrihej pa e vizituar. U binda se mjekët maqedonas kishin gabuar. Këtë patologji e njihja mjaft mirë. Gjatë periudhës që asistoja në Paris Hysni Kapon, i cili vuante nga e njëjta sëmundje, studiova mjaft për të. I thashë se nuk vuan nga ndonjë sëmundje e keqe dhe se problem ishte humbja e oreksit, ndaj duhej treguar kujdes me ushqyerjen. Pas 3-4 muajsh që nuk ishte ulur në tavolinë për të ngrënë, e binda se mund të ngrihej dhe të rrinte me ne. Para ndarjes, i thashë se duhej të vinte në Shqipëri dhe se do të trajtohej në një nga klinikat tona.
– Por, kjo mund të jetë e vështirë,- më tha, -se për mua është lëshuar urdhër-arresti.
– Edhe për mua është lëshuar, por kjo nuk do të realizohet ,- i thashë. I përmenda mjekët që do të kujdeseshin për të: dr. D. Abazi, A. Kamberi etj.
-Duhet të vish të më marrësh vetë, – më tha.
-Patjetër, – i thashë. -Ju do të bëheni mirë dhe do të jetoni gjatë. Ne do të ikim nga kjo botë fitimtarë.
Ai u gjallërua dhe nuk më la të shkëputesha.
– Pse, do të ketë zgjedhje të parakohshme?! – pyeti. Unë nuk dija çfarë të thosha; duhej dalë nga situata, duke mos i ftohur shpresën.
– Zgjedhje ose diçka të tillë do të ketë patjetër këtë vit, – i thashë. As që e mendoja dhe nuk ishte vendosur deri atëherë se atë vit do të votohej Kushtetuta e Shqipërisë, në të cilën Berisha dështoi.
Pasi u kthyem në Shqipëri, e gjykuam se kishte mundësi ta dërgonim për trajtim jashtë vendit dhe hymë në lidhje me miqtë tanë në Itali dhe Greqi (Shoqatat e Veteranëve), të cilët e mirëpritën kërkesën tonë dhe ne filluam të përgatitemi për procedurën. Ndërkohë, në ambasadën e Republikës Ruse do të bëhej një ceremoni dhe ne ishim të ftuar. Z. Piro më thotë: – Do të flasim me ambasadorin rus. Ata mund të na ndihmojnë. Dhe, në fakt, ai u tregua i gatshëm, megjithatë, ne nuk e prisnim që miratimi do të vinte nga Moska kaq shpejt, pas 2-3 ditësh.
Qeveria ruse siguronte qëndrimin dhe mjekimin e të sëmurit, si dhe qëndrimin e një shoqëruesi. Duke qenë se sigurohej një ndihmë kaq e shpejtë dhe e plotë, vendosëm të nisemi menjëherë në Dibër dhe i themi H. Lleshit se mund të nisej në Moskë, në spitalin “Vishnevsky”, ku i sigurohej edhe një shoqërues. I sugjerova të merrte një nga njerëzit e tij, mundësisht mjek (në familjen e tij, fëmijë dhe dhëndurë, kishte katër mjekë).
– Jo, – tha ai. Do të vish ti me mua!
Në gjendje të një dobësie trupore shumë të rëndë prej rreth gjashtë muajsh, nuk kishte bërë asnjë lëvizje jashtë shtëpisë, vetëm nga divani në shtrat. U nisëm për në Shkup dhe prej aty do të merrnim avionin për në Moskë. Natën në Shkup e kaluam në familjen e mbesës së H. Lleshit, Besa… Vjehrri i saj kishte qenë sekretar shteti për Shëndetësinë në Maqedoni. Na pritën shumë ngrohtë dhe me mall.
Të nesërmen u nisëm për në Moskë. Viti 1994 ishte një nga vitet e vështira për ekonominë e Rusisë. Kjo vërehej qysh në aeroport. Për një ngatërresë të vogël na u desh të prisnim tri orë, derisa erdhën për të na marrë. Erdhi një makinë-ambulancë dhe një veturë që shoqërohej nga një kolonel mjek. Na vendosën në vilat qeveritare buzë lumit të Moskës. Sapo u vendosëm, iu nënshtruam të dy ekzaminimit mjekësor, megjithëse unë i sqarova që nuk kisha problem me shëndetin, madje aty bëra edhe EKG-në e parë në jetë. Të nesërmen u organizua konsulta mjekësore dhe ai u dërgua në spitalin “Vishnevsky”, kurse unë do të qëndroja gjatë ditës me të, ndërsa për të fjetur do të rrija në vilën ku pushonin ushtarakë ose ish-ushtarakë dhe personalitete të lartë. Ajo qendër shërbente edhe për riaftësim për gjendjet pas patologjive të rënda, për banjo termale, si dhe për kontrollin e kushteve të temperaturës dhe ambientit. Në vilën pranë kishte një pllakë mermeri ku shënohej se aty, në fillim të viteve `30-të (1933), kishte jetuar Gjergj Dimitrovi.
Ndodh në jetë që të provosh ato thënie, që janë rezultat i përvojës njerëzore, por që, deri sa t`i përjetosh, nuk i beson. Një ditë, kur sapo kisha filluar drekën (në tavolinë ishte gjithashtu edhe një mësuese e gjuhës angleze, e cila ishte e veja e një aviatori pjesëmarrës në kontingjentet e ushtrisë sovjetike të vendosura në Gjermaninë Lindore), u ul në tavolinën tonë një burrë mbi 60 vjeç. Prezantimi me të u shoqërua me emocione të veçanta. Pata rastin të përjetoj thënien “Vetëm mali me malin nuk takohen”. Ai, në vitet 1959-61, kishte qenë inxhinier në nëndetësen e parë në Pashaliman. Më pyeti për komandantin e nëndetëses A. Pojani, për T. Maliqin, si dhe për oficerët e tjerë. Me një keqardhje të sinqertë më tha:
– Shoku Enver bëri gabim që i prishi marrëdhëniet. Më foli për Vlorën dhe Tiranën e atyre viteve, për respektin e atëhershëm ndaj rusëve, që shfaqej deri në lirimin e vendeve në autobusin urban. Mbante mend akoma disa fjalë shqip. Me zë të ulët dhe me drojë më mori leje nëse mund të më pyeste për gjendjen e nëndetëseve.
Pas dy javësh qëndrimi në spital, pasi u siguruam se nuk kishte kancer dhe se trajtimi i mëtejshëm duhej bërë në Shqipëri, bisedova me drejtorin e spitalit (me gradën gjeneral), i cili, si përherë, shumë i angazhuar, ishte i gatshëm që të më siguronte një ekip mjekësor deri në Bullgari (pasi do të ktheheshim nëpërmjet Bullgarisë), ngaqë i trembej ndonjë përkeqësimi të gjendjes së të sëmurit. Mirëpo unë, pa e menduar gjatë dhe nisur nga mendimi që të mos i angazhonim më shumë, i thashë: – Ai është përherë i kërcënuar dhe rruga është e vështirë, koleg i dashur. Unë vazhdoja me optimizmin tim: – Ai do të vijë këtu edhe më 9 maj të vitit të ardhshëm, me rastin e 50-vjetorit të fitores mbi fashizmin. I kërkova vetëm një komplet të vogël urgjence ta kisha për rrugës.
Të nesërmen ekipi mjekësor na shoqëroi deri te kontrolli i pasaportave. Më tej mbeta vetëm me të sëmurin dhe bagazhet tona. Mezi po çapiteshim deri në sallën e pritjes. Aty kuptova se kolegu im kishte pasur të drejtë. Iu desh që të shkonte në banjë. I them një çifti që ishte ulur afër nesh të na shihte bagazhet. Pasi u kthyem dhe u ulëm, u futëm në bisedë me ta. U prezantuam dhe ata shprehën habi dhe respekt që kishin të bënin me një personalitet të tillë. Ata ishin serbë dhe jetonin në Beograd. Kishin qenë mësues. Meqenëse paguheshin pak, si në shumë vende, kishin shkuar në Libi, ku kishin punuar tre vjet. Kishin fituar para dhe kishin blerë shtëpi në Beograd. Në Moskë kishin ardhur të takonin djalin, student në universitet. Kjo njohje më ndihmoi shumë. Pa ndihmën e tyre nuk di si do t`ia kisha dalë mbanë asaj situate. Prej aeroportit të Moskës deri në Sofje, ata u kujdesën për gjithçka. Të sëmurin sa nuk e mbanin në krahë në ngjitje dhe zbritje prej shkallëve të avionit, po kështu edhe për bagazhet e gjithçka kishim nevojë. Mirënjohja për ndihmën, veçanërisht në momentet e vështira, jeton përherë.
Në aeroportin e Sofjes kishin dalë shumë miq, të cilët situata politike dhe ekonomike i detyruan të largoheshin nga Shqipëria, V. Meçe, B. Rama, …. Ata bënë gjithçka që ne të ndjeheshim sa më mirë. U nisëm direkt me taksi për në Shkup. Deri në kufi na shoqëruan miqtë tanë. Me mbërritjen në Shkup, filluan peripecitë e tjera. Meqenëse familja (Grashduri) nuk doli në orën e caktuar, m’u desh që për disa orë të endem nëpër rrugët e Shkupit. Në mesnatë, i sëmuri im kërkoi ujë. Restorantet ishin mbyllur. Vendosa të shkoja në një pallat me shpresën se do të gjeja ndonjë familje shqiptare për t`u lidhur në telefon me familjen Grashduri, si dhe të merrja një shishe ujë. Trokita në një derë me emër mysliman, ku brenda dëgjohej zhurmë. Pra, ishin zgjuar. Dera u hap dhe doli një djalë rreth 30 vjeç, që më foli maqedonisht. Unë i fola shqip, por ai tha se ishte turk. I fola anglisht, pastaj frëngjisht, së fundi rusisht, kurse ai përherë në maqedonisht: “Jam turk”, ose “nuk e di”. Kur nuk më mbetej tjetër, veçse të largohesha i dëshpëruar dhe i revoltuar, pasi krijova bindjen që ishte shqiptar, nga brenda shtëpisë dëgjoj zërin e një të moshuari që pyeti: – Kush është aty? “Turku” iu përgjigj: – Është një shqiptar. – Fute brenda, mor bir! – tha ai. Dera gjysmë e hapur u hap plotësisht dhe unë u futa brenda. Më çuan në një dhomë që dukej të ishte dhomë pritjeje. U prezantova shpejt dhe kërkova vetëm të marr në telefon familjen Grashduri dhe një shishe ujë. Kur ata morën vesh se me cilin isha, i zoti i shtëpisë u tha djemve të çoheshin dhe të sillnin H. Lleshin. Unë kundërshtova dhe përsërita kërkesën që kisha bërë. Gjatë kësaj kohe, njëri nga djemtë u lidh me familjen Grashduri, të cilët na prisnin dhe na kërkonin. Pasi mora orientim ku të shkoja, i falënderova dhe dola nga shtëpia.
Këtë psikologji të nënshtrimit, ku shqiptarët ndryshojnë deri kombësinë, e kam kujtuar shpesh gjatë luftës së UÇK në Kosovë dhe luftës në Maqedoni, duke e justifikuar revoltën e shqiptarëve.
Duke zbritur nga taksia, u bëra gati të paguaj edhe mbi tri orë më shumë që kishte qëndruar dhe lëvizur me ne brenda Shkupit, mirëpo ai, shoferi bullgar, përveç rrugës Sofje-Shkup, nuk më mori asnjë dollar më shumë. – Orët që humba, – tha,- janë për zotërinë; nuk dua më shumë. Në atë ditë udhëtimi provova humanizmin e disa personave që u takonin popujve sllavë, serbë dhe bullgarë (shoferi).
Në familjen Grashduri, dhe të nesërmen në Dibër, u pritëm shumë ngrohtë dhe me shumë dhimbshuri e përkujdesje. Unë u ktheva menjëherë në Tiranë, kurse H. Lleshi erdhi pak ditë më vonë. Pas ardhjes në Tiranë, kujdesi i të gjithëve për të ishte më i madh. Gjendja u përmirësua disi, mirëpo, pikërisht, në muajin prill 1995, kur bëheshim gati të shkonim në Moskë në festimet e fitores mbi fashizmin, u rrëzua në shtëpi dhe pësoi thyerje të kockës së kofshës, aksident që ndodh shpesh me të moshuarit. Kjo gjendje e mbërtheu në shtrat për vitet e ardhshme. Gjatë kësaj kohe, një pjesë të madhe të arkivës shumë të pasur ia dorëzoi Arkivës së Shtetit. Mua më dhuroi enciklopedinë sovjetike. Ai jetoi derisa, për turpin e politikës shqiptare, provoi disa muaj burg. Ky veprim ndaj tij do të mbetet një krim dhe turp i pashlyeshëm i S. Berishës dhe regjimit të tij. Dihet qëndrimi i H. Lleshit, durimi, vetëpërmbajtja, trimëria për të përballuar revanshizmin fashist. Ashtu, i çuar në burg me barelë, ashtu dhe doli prej andej, po me barelë. Aty, në burg, ai përjetoi edhe vetëmohimin e mikut të tij, komandantit të shquar të Luftës Çlirimtare, gjeneral Sh. Peçit.
I shkoja shpesh në shtëpi. E përballonte mjaft mirë gjendjen e tij. Një ditë, duke biseduar i thashë se doja të dija mendimin e tij lidhur me disa opinione për periudhën e PP-së.
– Dihet se, krahas një pune të madhe, u ndërtua një shtet, ku progresi i shoqërisë nuk mund të diskutohet,– i thashë, – megjithatë, janë bërë edhe mjaft gabime. Thuhet se ato janë gabime të E. Hoxhës dhe se ai iu imponohej juve, se ishte futur fryma e frikës dhe i bindeshit pikërisht nga frika.
-Ne ndërtonim një shtet të ri me një sistem të ri. Nuk kishim përvojë, ndaj na u desh të ndiqnim përvojën e Jugosllavisë, ndonëse me rezerva. Politika e tyre antishqiptare u konstatua shpejt dhe ne u detyruam të ndërpresim marrëdhëniet me ta, duke u mbështetur më pas te Bashkimi Sovjetik, vend i madh, përvoja e të cilit ishte e vështirë të përshtatej te ne. Kështu eci zhvillimi ynë, duke krijuar përherë e më shumë përvojë nga puna jonë. Po. – vazhdoi ai, – ne kemi bërë gabime. Një pjesë e tyre janë nga mungesa e përvojës. Të gjithë ne kemi menduar në të njëjtën mënyrë. Ka pasur probleme, që ne i kemi menduar ndryshe nga E. Hoxha, por ne e pranuam mendimin e tij, jo nga frika, por sepse, në fund të fundit ai kishte mbështetje më të madhe dhe ne duhej të qëndronim në pushtet. Është e vështirë të qeverisësh Shqipërinë. Do ta provoni vetë këtë. (Sa herë që analizoj zhvillimin politik dhe ekonomik të këtyre viteve, pas vitit 1990, më kujtohet fjala e fundit që më tha H. Lleshi. Ashtu ndodhi! Ishte shumë vështirë!).
Revoltën e vitit 1997 e konsideroi të pashmangshme. Edhe herë të tjera thoshte se ky regjim do ta detyrojë popullin që të ngrihet në revoltë. Kur revolta në Vlorë arriti kulmin, në atë bisedën e tij, si zakonisht të qetë, tha jo pa gëzim: – Tani ky ka marrë fund. Nuk është as i mençur, as atdhetar që të tërhiqet dhe të ruajë popullin. Edhe këtë radhë i detyrohem Vlorës.
Rasti e solli që jeta e tij të shuhej, kur unë isha ministër i Mbrojtjes. Si përherë, pa komplekse se kishim të bënim me një udhëheqës të periudhës komuniste, vendosa, për kontributin e tij të madh si patriot, si luftëtar dhe udhëheqës gjatë Luftës dhe pas Çlirimit, t`i bëja një ceremoni të merituar. Meqenëse ishte Hero i Popullit dhe ish-president i vendit për gati 30 vjet, i propozova R. Meidanit, president i Republikës, të ishte formalisht ai kryetari i komisionit të ceremonisë mortore. Ai mendoi se mund të ishte më mirë që ky rol t`i jepej k/ministrit F. Nano. Menjëherë komunikova me këtë të fundit, por ky nuk pranoi, duke ma lënë mua kryesimin e ceremonisë. Natyrisht, unë e konsiderova si nder që më bëhej. Ceremonia u bë madhështore. Morën pjesë mijëra vetë, jo vetëm nga të gjitha krahinat, por edhe nga Kosova, Maqedonia, nga Amerika dhe vende të tjera. Kjo ceremoni ka qenë një nga faktorët më të rëndësishëm në ringjalljen e respektit dhe vlerësimin e Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe të vlerësimit pozitiv për periudhën e punës vetëmohuese të emancipimit dhe ndërtimit të Shqipërisë së re./
(Vijon)

Ti ndrisè shpirti labit tè nderuar dr. Brokaj pèr respektin e madh pèrkushtuar ish Pres tè Shqipèrisè, pionierit tè parè tè Luftès Na-çl zotit H.lleshi. Kush nderon dhe respekton Heronjtè i bèn njè Nder tè madh personalitetit tè tijè dhe mbarè Kombit. Dibranè dhe Vlonjatè kanè qènè gjithmonè nè sinuancè pèr tè mirèn e Shqipèrisè, qofshin pèrjrtè tè Nderuar!
Nderime për një patriot si Haxhi Lleshi!!
Iu bashkua L. N. Çl. me përkushtim, megjithëse trashëgonte prona në Dibër.
E VËRTETA:
Në vitet e para të zhvillimeve demokratike takova Luljeta Lleshin mu para hipotekës, që në atë kohë ndodhej te Rr. e Durrësit. Ajo që më surprizoi dhe që më la mbrese të përjetshme për H. Lleshin ishte përgjigja që mora nga. Luljeta kur e kujtova që të merrte pronat e babait në Dibër, siç po bënin të gjithë ish pronaret në atë kohe.
Pergjigja ishte shumë e prerë:
Na ka lënë porosia BABAI që ato prona i takojnë POPULLIT.
Nuk di nëse ka një rast tjetër të këtij NIVELI ATDHEDASHURIE.
Të falënderoj për jetë Luljeta, shoqja e gjimnazit, për këtë mesazh shumë të shtrenjtë.
Flm Z.Brokaj që ka ditur të vlerësoj një PATRIOT të këtij niveli!
Të vërteta të padiskutueshme në gjithçka, që shkruhen me një stil shumë komunikativ, tërheqës dhe me një gjuhë shqipe të pastër, siç ka qenë i pastër ideali dhe humanizmi i këtyre dy personaliteteve të shquar, Heroi i Popullit – Haxhi Lleshi dhe mjekut të përkushtuar e Politikanit Atdhetar-Sabit Brokaj.
Përherë të paharruar dhe të pavdekshëm!
Falënderim për gazetarin Xhevdet Shehu.
Kapeni atë mut Berisha dhe plaseni në burg. Kjo nuk është politike, por është çështje ndershmërie. Ai ka ofenduar ndershmërinë dhe prestigjin e çdo shqiptari. Politika i duhet Berishës dhe atyre që e pasojnë, për të mbuluar palaçollëqet që kanë kryer, duke ofenduar çdo njeri që ka dinjitet. Boll më, jepini fund këtij fundërine, se n’a kaloi jeta vetëm duke u marë me atë. Sa më shpejt, aq më dinjitoze është në sytë e joshqiptarëve.
nuk late teneqe komuniste pa na e bere ar. Nje regjim leshi me injorante kriminele si haxhi lleshi ishin heronj te popullit serb. Mjafton te permendesh masakren e tivarit. Per te tjerat pyesni tefta camin.
Nuk e kuptoj se çju ka gjetur te admironi Haxhi Lleshin. Lleshat e Haxhiu historikisht kane qene sherbetor te Jugosllavise. Eshte e dokumentuar ne libra historie qe Lleshat e Haxhiu jane paguar nga sherbimet sekrete jugosllave qe te fillonin luften kunder italianeve kur keta pushtuan shqiperine. Haxhiu dhe te tjere Llesha i kane sherbyer UDB te komunistave Jugosllav ne vitet e para, pastaj u aratisen nga Dibra e Madhe.Si eshte e mundur te pranon qe ky marksist-leninist i thekur te shkoje te vizitohet te revizionistet jugosllav e Rus?. A e dini ju se sa nga njerezit e afert te tij te fisit Lleshi Haxhiu ska pranuar kurre ti takoj se i quante reaksionar?.A i keni lexuar shenimet sekrete te Enver Hoxhes per Haxhiun? Ska pike respekti e vleresimi per Haxhiun! spo vazhdoj me tej se nuk ja vlen te humbesh kohen per nje njeri si Hazhi Lleshi qe persekutoi femijet e tij.
Haxhiu, Marksist – leninist i thekur?! Ndoshta ti Astrit nuk meriton asnjè pèrgjigjie, por vetèm thjeshtè qè tè dini tè vèrtetèn zoti H.Llesji nuk ka qènè antarè i PKSH dhe mè pas PPSH asnjè ditè! Ishte Presidenti mè jetègjatè i Shqipèrisè, patriot dhe luftètarè i orève tè para. Mjafton tè dini se AI pasi çliroi Dibrèn nga gjermanèt u detyrua tè largohej vetèm pas urdhèrit tè prerè tè Kom. tè Pèrgjithshèm tè Ushtrisè Na-çL,….
Ajo qe e dallon Sabit Brokajn nga shume mjeke te bllokut eshte Humanizmi.
Megjithese ishte mjek i enver hoxhes,,dr.Sabiti ka vizituar edhe ish te burgosur politike,armiq te popullit dhe te partise,,meqenese atehere vetem nje aparat EKO ishte ne spitalin civil.
Per kete ka nderimin tone,ndryshe nga FANTOMASET e Bllokut Isuf Kalo dhe Sali Berisha,talpat me te urryer te popullit shqiptar,qe nderruan lekuren por jo bishen komuniste qe fshihet brenda tyre.
Edhe njehere,qofsh i nderuar perjete,or LAB trim,Sabit Brokaj.
mbas 1 miljard komentesh e bere nje te sakte o demo lepenica
dikur ke folur si burrat dhe per Agron Pecin nga ata te Shefqetit..
mos kujto se toka rrotullohet rreth demos