“Drejtësia e re duhet të provojë dhe dëshmojë veten. Nuk ia vlen kaq shumë kohë, kaq mundime dhe burime financiare për të ndryshuar vetëm formën”

redaktor

 

Nga Viktor Malaj

Botuar në DITA

Ndjekja penale dhe dënimi me dy vjet burgim i ish-Prokurorit të Përgjithshëm z. Adriatik Llalla iu paraqit opinionit publik shqiptar si një ngjarje e madhe dhe arritje e padiskutueshme e “drejtësisë së re”. Në pamje të parë njerëzve mund t’iu krijohet përshtypja se tani e mbrapa të gjithë do të jenë të barabartë përpara ligjit dhe shqiptarët e drobitur nga mungesa e drejtësisë, apo nga drejtësia e padrejtë, më në fund shpëtuan dhe duhet të jenë të lumtur.

E vërteta që buron nga realiteti dhe analizohet nga arësyeja nuk na jep kurrfarë baze të qenësishme për optimizëm. Unë jam nga ata individë që e kam mbështetur dhe e mbështes të quajturën Reformë të Drejtësisë, jo pse besoj se do të kemi “drejtësi të kulluar”, që as ka pasur dhe as do të ketë ndokund mbi rruzull, por sepse kam besuar dhe besoj se, sidoqoftë, do të bëhet më mirë se ç’ka qenë.

Nuk do shumë mend për të kuptuar se një nga shkaqet kryesore të shkurajimit dhe pakënaqësive mbarëpopullore ka qenë dhe mbetet niveli mjerisht i ulët profesional dhe, sidomos, moral i drejtësisë në vendin tonë. Ato që kanë ndodhur dhe nuk duhej të ndodhnin tash tridhjetë vjet në Shqipëri janë bërë të mundura, kryesisht, për shkak të aleancës së turpshme dhe kriminale midis politikës dhe drejtësisë.

Në heshtje dhe me veprime të dukshme dhe të nëndukshme, secila palë ka shpërdoruar e vjedhur dhe pastaj i janë gjendur njëra-tjetrës me forma dhe mjete të ndryshme sa herë janë ndodhur në hall dhe kur iu duhej të jepnin llogari. Kur erdhi puna që mullarët e të keqes mund të merrnin zjarr nga zemërimi popullor dhe t’i digjnin të dy palët njëherësh, edhe me nismën e huaj, u mendua të bëhej Reforma në Drejtësi.

Përveç disa arritjeve të dukshme formale që nuk mund të mohohen, janë bërë qartësisht të dukshme edhe, të paktën, dy mangësi të kësaj reforme: ngadalësia e papranueshme dhe cilësia e punës në përzgjedhjen dhe klasifikimin e personave që i janë nënshtruar procesit të Vetingut.

Një brez i tërë po kalon nën vuajtjet e padrejtësisë dhe duket se edhe një brez tjetër do të vuaj ngadalësinë dhe cilësinë jo sa duhet të lartë të “drejtësisë së re”. Vetingu ka larguar nga sistemi gjithfarë banditësh që s’kishin lënë gjë pa bërë, por ka larguar, çuditërisht dhe mendjelehtësisht, edhe pak individë me integritet profesional e moral, duke iu quajtur të rëndësishme mospërputhje apo mosdeklarime pasurishë të papërfillshme.

Me vlerësime të tilla, në Shqipërinë e informalitetit shumëvjeçar, zor se do të lejohej të punonte ndonjë zyrtar i administratës shtetërore, qendrore e vendore, i cilitdo pushtet qoftë. Nga ana tjetër, filtrit të Vetingut ka arritur t’i shpëtojë edhe ndonjë rrufjan i pavlerë i cili ka mundur të fshehë ose justifikojë produktet e sjelljes së tij të paligjshme.

Shqiptari i thjeshtë nuk ka as mundësi dhe as nevojë të bëjë vëzhgime dhe analiza në këtë fushë. Këtij i mjafton realiteti që prek vetë. Kur shqiptari, akademik apo bari qoftë, do të shohë se për të fituar të drejtat e tij nuk i nevojiten as “miq” dhe as ryshfet, kur të shohë se në burg do të përfundojë cilido që ka bërë apo vazhdon të bëjë zullume, atëherë do të bindet se punët kanë marrë drejtimin e duhur, do t’i pakësohet dëshpërimi dhe do t’i shtohet besimi në të ardhmen vetjake, familjare dhe kombëtare.

Adriatik Llalla ishte një zyrtar i drejtësisë i cili as nuk kishte nivelin e lartë profesional dhe as nuk tregoi ndonjë integritet të lartë moral gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare. Sigurisht që ishte i korruptuar, por ai nuk ishte as prokurori më i korruptuar dhe as zyrtari shtetëror më i padenjë. Një numër pambarimisht i madh prokurorësh e gjyqtarësh kanë qenë, dhe ndonjë është akoma, tregtarë të së drejtës dhe, rrjedhimisht, edhe bashkëpunëtorë të botës së krimit.

Ata janë pasuruar, janë larguar nga funksionet zyrtare por as kanë dhënë llogari ligjore për pasuritë e vëna nëpërmjet shpërdorimit të posteve zyrtare dhe as iu është hequr e drejta të shërbejnë në drejtësi në role dytësore si avokatë apo noterë, pra në role ku mund të vazhdojnë të dëmtojnë drejtësinë dhe interesat e qytetarëve.

Adriatik Llalla u procedua penalisht për disa vepra penale dhe, përfundimisht, u dënua për “fshehje të pasurisë”. A e fshehin dhe përse e fshehin njerëzit pasurinë e tyre nëse e kanë fituar në rrugë të ligjshme?! Në mos gaboj, Llalla u dënua sepse kishte fshehur një pasuri të vogël prej rreth dhjetë mijë euro (pavarësisht se sa mund të jetë pasuria e vënë prej tij duke shpërdoruar postin zyrtar).

Këtu lind pyetja: po dhjetëra prokurorë dhe gjykatës, që nuk arritën të justifikojnë para Vetingut pasuri disa herë më të mëdha, pse nuk ndiqen penalisht dhe pse nuk dënohen?! Po qindra zyrtarë shtetëror, të djeshëm dhe të sotëm, që i kanë shkaktuar shtetit dhe popullit qindra milionë euro dëme ekonomike gjatë ushtrimit të detyrës, përse nuk shkojnë në burg?!

Një Ministër i Komunikacionit, i quajtur Lulzim Basha, pati “humbur” dikur 230 milion euro në ndërtimin e një rruge dhe qeveria e tij prishi rrethrrotullimin e Zogut të Zi, në mes të ndërtimit, duke shkaktuar një dëm prej 1.5 milion euro. Ky qeveritar as u dënua, as u pendua. Ndërtesa e vjehrrit të tij në bregdet u prish nga qeveria e Edi Ramës duke i dhënë pronarit mbi 15 milion euro. Është rasti të kujtojmë, pa e vënë midis kllapave, se gjithë Stadiumi i Arenës Kombëtare ka kushtuar 22 milion euro.

Po ashtu, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatohen çdo vit dhjetëra milionë euro dëme financiare, të shkaktuar kryesisht nëpërmjet tenderave dhe konçesioneve të parregullt. Pse nuk ndiqen penalisht dhe pse nuk dënohen autorët e tyre?!

Nëse dënimi i Llallës nuk i shkakton kujt dhimbje e as keqardhje, mosdënimi i autorëve të vjedhjeve, shpërdorimeve dhe krimeve të djeshme dhe të sotme, disa herë më të mëdha se ato të Llallës, shkakton çudi, pakënaqësi dhe mosbesim. Ndërsa qindra mijëra shqiptarë kërkojnë punë apo fitojnë nga puna e tyre e keqpaguar vetëm bukën e përditëshme, mijëra biznesmenë iu shmangen taksave çdo vit nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, korruptimit të agjencive shtetërore të ngarkuara me kontrollin dhe verifikimin fiskal, apo me marifete të tjera të paligjshme. Cili prej tyre ka shkuar në burg deri tani? Thuajse asnjë.

Pretendimet dhe propaganda tymuese se dënimi i Llallës dëshmon se iku koha e pandëshkueshmërisë dhe se tashmë të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, nuk janë “përralla të një nate vere”, por përralla të ditëve të çdo stine të vitit.

Kur qytetari shqiptar shkon në zyrat e administratës shtetërore, të drejtësisë apo tek shërbimet mjekësore dhe përballet me gjithfarë “lypësash” gjobëvënës e shantazhues, që nuk kanë kurrfarë skrupulli moral por as kurrfarë frike nga ligji, atëherë ky qytetar nuk do t’ia dijë pse u dënua dikush për “moskallëzim pasurie”. Nuk do t’ia dijë edhe sepse nuk sheh të dënohet askush për “përvetësim pasurie”.

Qindra zyrtarë shtetërorë dhe banditë të rrugës janë paditur dhe ndjekur penalisht për tjetërsim (në të vërtetë, përvetësim) të pronave nga Shkodra në Sarandë, prona që kapin vlerën qindra milionë euro, dhe thuajse asnjë prej tyre nuk ndodhet në burg. Proceset hetimore dhe gjyqësore maratonë, të pafundme në kohë, që iu japin mundësi të fshehin gjurmët e krimit ose të manipulojnë një pjesë të drejtësisë, flasin për ndryshime të pandjeshme në moralin e sistemit të drejtësisë.

Organet e reja të drejtësisë nuk mund të fitojnë besimin e publikut shqiptar, dhe as e meritojnë atë besim, nëse na shesin si arritje procedimet dhe dënimet e zyrtarëve të tipit Llalla për “fshehje pasurie” apo procedimet dhe arrestimet si ato të një zv. ministreje për “ryshfet” prej dy mijë euro dhe një arkë me peshk.

Faqja e parë DITA, 27 shtator 2021

Është qesharake dhe diskredituese për sistemin e drejtësisë dhe shtetin shqiptar që vrapon të arrestojë Adriatik Llallën njëzet minuta pas vendimit të dënimit në Gjykatën e Apelit, pa u zbardhur vendimi penal dhe, nga ana tjetër, zyrtarët shtetëror të proceduar për vjedhje dhe shpërdorime dhjetëra milion euro në rrugën Tiranë-Elbasan dhe rrugë të tjera, apo “hajnat e tokave” nga jugu në veri i lë në gjendje të lirë.

Shkalla e përgjegjësisë dhe ashpërsia e veprimit kundrejt fajtorëve duhet të jenë në përpjestim të drejtë me dëmet e shkaktuar, rrezikshmërinë e veprës penale dhe të autorëve të tyre. Përndryshe, me të drejtë, krijohet përshtypja se këto punë bëhen për dukje, për justifikime dhe për propagandë. Propaganda që mund të bëhet me këto lloj veprimesh e dënimesh i ngjan asaj shkumës së bardhë që hedhin gjyqtarët e futbollit në fushë për të caktuar vendin e topit në goditjet e lira dhe që qëndron aty për pesë minuta.

Në Shqipëri, fatkeqësisht, janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen aq shumë krime sa nuk do të mjaftonin edhe pesë herë më shumë burgje për fajtorët. E quajtura “drejtësi e re” duhet ta provojë dhe dëshmojë veten. Prova janë ndjekja e shpejtë, cilësore dhe pa kompromis ndaj cilitdo, por në radhë të parë ndaj atyre që kanë pasur dhe kanë pushtet sepse rrezikshmëria e tyre shoqërore është më e lartë.

Në të kundërt do të na duhet të besojmë se po ndryshojmë formën, por jo përmbajtjen. Nuk ia vlen kaq shumë kohë, mundime dhe burime financiare për të ndryshuar vetëm formën.

Le të shpresojmë se nuk do të presim gjatë për të parë në “ekranin shoqëror” ndryshimin e thellë të përmbajtjes. Nuk ka më kohë për të pritur. Llallat dhe përrallat nuk e ndryshojnë gjendjen shpirtërore dhe as vetëdijen shoqërore të shqiptarëve.

 

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

buy windows 10 enterprise

Share This Article
18 Comments
    • E megjithate reforma ne drejtesi po vazhdon dhe denimi i Llalles eshte nje ogur i mire per denimin e peshqeve te tjere te medhej.Ka vonesa dhe eshte e kuptueshme pasi perballe jane miliarderet kriminele te cilet se bashku me banden Saleh&Meta&Basha&Krimi i organizuar&Gjygjtare dhe prokurore te lidhur me keta me siper pra nuk eshte e lehte.Fale ndihmes se paçmuar te USA dhe BE po kthehet shpresa se krimi do te denohet dhe se ne hapin e dyte dhe per ata qe nuk justifikuan pasurine do te kete konfiskime,te mos harrojme se flasim per korrupsionin qe ka hyre ne çdo hallke te shoqerise(Drejtesi,administrate,qeveri,shendetesi polici,etj).Vetem me Ndihmen e USA kjo gje po behet e mundur pasi vete ne kurre nuk mund t’a benim kete reforme.DRITA ne fund te tunelit po duket megjithese eshte akoma larg.

      • Shume uje ka artikulli! Nuk eshte e lehte! Por me Ameriken ne krah do t’ia dalim! NUk harrojme se cfare na kane bere keta te drejtesise! Por harrojme ata te tatimeve,te ish policise financiare,ish drejtoret e policise,doganieret dhe shume te tjere! A thua do t’u vije rradha te gjitheve! Ndiqni parane ju luetem,pronat, pushimet ! Te pakten t’u konfiskohen keto!

    • Drejtesi te vertete nuk mund te kete ne se nuk rishikohet Kushtetuta dhe te gjitha ligjet d meparshme qe bien ndesh me ate dhe PARIMIN E SIGURISE JURIDIKE!
      Drejtesi te vertete nuk mund te kete deri sa viktimave te korrupsionit te prokuroreve dhe gjyqtareve te mos i jete dhene e drejta dhe demshperblimi!

  • Mire e the, por kujt ja the>
    A thua qe z. Kimite keto te verteta hajdutlleqe krime dhe mega-vjedhje nuk i di ?
    Them Z. Kimete se per Ed, Lulush, Like, Monika etj rrangullina ne politike e ne pushte nuk ka pasur e nuk do te kete kurre vemendje dhe nxitje per te plasur ne burg hajdutet, kriminelet etj, se jane vete te tille….. bashke-hajdute dhe bashke-kriminele.

  • Z. Viktor Malaj ka bere nje anelize te thelle per disa fenomene korruptive te nje diapazon te gjere qe duken “si te pa besushme” por nga faktet qe jepen kuptohet se jane te verteta.

    Gazetaret e Analistet trajtojne me hollesi raste sensacionale, dhe mire bejne, por me krijohet pershtypja se virusi i korona-korrupsionit po penetron ne te gjitha qelizat e shoqerise.

    Kjo eshte tragjike sepse pervetesimet e miliona dollareve i bere nga nje numur i kufizuar individesh qe meren me tenderat e kodoshlleqe te jera, mund te jete shume me i vogel se totali i shumave ne diapazonin; $100.00 — $1,000.00 dollare te pervehtesuar nga individe qe i perkasin nje pjese jo te vogel te popullsise.

    Kjo e komplikon shume luften kundra korrupsionit sepse po te jete ne permasa kaqe te medha rezulton se kemi te bejme me nje problem shume te komplikuar:

    Si do te zgjidhet?
    Kush do denohet dhe kush do falet?
    Kush do burgoset?
    Kush do e shlyej demin qe ka bere duke u gjobitur?

    Une mendoj se kur shpifjet jane masive dhe te pa provuara shpifesit duhet te denohen per pune “armiqesore” sepse njerezit e thjeshte, sidomos ne nivelin e varferise, do mendojne te marin dhe ata “pjesen qe i takon” ashtu sic ndodhi kur ra sistemi komunist.

    Shtypi, pa e kuptuar as vete, mund te behet burimi revoltash anarkike qe kur shkatrrojne dhe djegin qytetet perfaqesojne akte terroriste.

    Nuk mund te shitet “informacion i pa kontrrolluar spektakula, sensacional” se per te zgjidhur nje problem krijojme nje problem te ri shume me te rrezikshem.
    Mbi te gjitha demoralizojme popullin tone, e bejme te ndjehet shume me keq se sa eshte ne te vertete.

    Kur femijet e sotshem degjojne ne shtepi dit e nate nga prinderit e tyre keto lloj muhabetesh, se sa fatkeqe jemi, se e gjithe shqiperia po vidhet dhe ata jane te varfer fillon procesimi/programimi i mendjes se tyre se do vije nje dite qe do e gjejne shpetimin vetem kur te largohen nga vendlindja.

    Pra mentaliteti per te treguar surpriza, lajme sensacionale dhe me keq akoma per te fituar pare deri ne ngritje biznesesh televizive per te informuar publikun “ne emer te drejtave, lirive te njeriut” duhet te kete nje kufi, qe te mos veproje si bumerang dhe te godasi ato qe e hedhin e te tjere te pa fajshem.

  • KRIMI NE SHQIPERI KA EMER.
    BANDA ME E RREZIKSHME ESHTE TRINOMI:-KRIM I ORGANIZUAR-PROKURORI-GJYKATE.
    DONI TA BENI SHQIPERONE…? BURG PA MESHIRE DHE JO 2 APO 5 VJET…POR NGA 25 VJET MINIMUMI PER SECILIN DHE SEKUESTRIM PASURIE…SEPSE KJO BANDE KA DEFORMUAR DHE SHKATERUAR NJE KOMB TE TERE.
    ESHTE KRIM I RENDE TE DASHUR SHQIPETARE PRANDAJ ZGJOHUNI. JEPUNI DERMEN KETYRE MASKARENJVE …NESE MENDONI PER TE ARDHMEN E FEMINEVE TUAJ SEPSE KETA BANDITE TE GJITHE I KANE FEMIJET NEPER LONDER PARIS E NEW YORK KURSE MRIMET E METYRE I VUAJNE FEMIJET TUAJ…I VUAJNE FAMILHET SHQIPTARE, CDO DITE DEGJOJME …U LIRUA NGA BURGU DHE VRAU GRUAN ME BUKE NE GOJE…E QELLOI VAJZEN STUDENTE ME PLUMB SE DONTE TE NDAHEJ…E VRANE 18 VJECARIN PER NJE KARIKYES TELEFONI…E QINDRA HISTORI TE TJERA MADE IN ALBANIA…PRODUKT I KINEMATOGRAFISE BANDITESKE TE STRUKTURAVE SHTETERORE KORRUPTIVE KRIMINALE.

  • Rasti i denimit te Adriatik Llalles “per fshehje pasurie” e paraqet kete Drejtesine “e Re” para opinionit shoqeror ashtu sic eshte, me Kostum te Vjeter!
    Ne Shqiperi me denim per “fshehje pasurie” nuk do mjaftonin as Stadiumet te kthyer ne burgje per ti mbajtur brenda te denuarit! (Merrni nje mjek cfardo ne nje Spital Rajonal dhe verifikojani pasurine e do bindeni)
    Drejtesia sotme, per te qene vertet e tille pra e Re, duhet te plase pas hekurash ish-Ministra te Saliut por ama keta te ndajne qeli me ish-Ministra e Ministra te Rames!
    Pa ndodhur kjo, do mbetet e vetmja e korruptuar ajo ish-zv. ministrja e arkes me peshq dhe telefonit Cel. dhe Drejtesia do jete kllouni qe gajas me bufonate njerezit.

  • Z.V.Malaj.Të falinderoi për analizën.Që nga 1992 tek ne nuk ka pasur,nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë drejtësi sa të jetë Mender Saliu mbi dheee!
    -Ky personazh konfliktual,Shpifs,Hajdut e vrasës.. e TRODHI drejtësinë me kursin 6 mujor të plepave.Ndaj u pasurua vet,Familja,Drejtësia dhe Hale Atët.Tashmë ky bandit nuk pyet as DASH që e ka shpallur Non grata.Dhe drejtësia e RE e mbështet Atë qorrazi.Kështu,Sb i kërkon prova DASH,Këtë kërkon edhe A.Kraja i SPAK.Kur provat janë Aty.Ja ka numuruarë DASH 5 krime.Vetëm qorrat e SPAK+GJKKO nuk shofin.
    -Sa i përket A.Llallës…brsoj Kolegët e tij i kanë thënë vetë të IKË..IKË..Nga syt këmbët.Policia në banesën e Llallës u bë për Foto-demostrim për të mashtruarë popullin.
    -Kështu do të veprohet edhe me të tjerët nëse ndodhin.
    -Unë nuk kam pasur dhe nuk kam besim se DREJTËSIA E RE mund të bëhet,Nëse bajga e DERRIT mund të bëhet MJALTË.
    -Nëse Sb,Lb,Im..nuk arrestohen…drejtësia,Demokracia tek NE ka marrë fund.
    -Ambadadorja Amerikane e ka kuptuarë këtë sikur Princ Widi..por më kotë jepë mesazhe inkurajimi për popullin që po i mban syt nga AMERIKA.
    -Shkatërrimi i pasurisë Kombëtare të 45 viteve prej 350 mild.$ u bënë në kohën e sundimit Berishist dhe të bandës së tij.20.000 të vrarë ndodhën në kohën e sundimit të tij,ku 200 u vranë vetëm në Tropojë.
    -Pse nuk gjykohet Izet Haxhia..ÇEZ,Gërdeci(do ,sfumohet)Lobimi Rus,Dosja Babale,Thyerja e embargos së Neftës dhe Armëve..?? Oh sa shumë dosje krimi ka edhe në AMERIKË..Dhe kjo po vonon.Siç duket është trembur nga SaliSërbiRusiGreku,Si agjent i shumfisht(Thënë nga Aishe Haklaj në Rep.TV.)
    -FLM DITA,V.MALAJ

  • Viktor, ti ke te drejte qe shkruan aq sa kam dhe une anonimi. Por ja e shkruam, kemi 30 vjet qe shkruajme, ca kunder hajduterise dhe krimit dhe ca pro hajduterise dhe krimit. I pe pardje ne Vlore? Une njohe shume fytyra ne ate videon e Meros qe kane te bejne vella e moter edhe me takimet e Ilirit ne zgeqet e Vlores dhe fshatrat e saj .
    Kujt ti ankohemi qe te na e zgjidhi problemin? Kjo eshte çeshtja. Kur isha i vogel me rrihte ndonje dhe une shkoja me vrap tek babai dhe me merrte hakun. Tani ku te shkoj qe u plaka dhe s’kam as baba e as shtet, pavaresisht se babai vdiq, ndersa shteti ne duarte e kusareve dhe krimineleve. Ku te ankohem, te marre pushken, nje do vrase, ti ve flaken prokurorise apo gjykates, s’ka faj ndertesa. Pra ankesa eshte qe njerezit te bashkohen dhe ti kerrejne themelet ne fillim Lalezit, ate te djegin dhe hedhin ne ere se atje eshte grumbulluar gjithe korrupsioni dhe drejtesi s’ka qe tu merren e ti jepen shtetit a popullit a s’e di se ku. Pastaj te vazhdojne me shtepite e prokuroreve dhe gjyqtareve e ne fund te tredhin politikanet, duke e kapur Saliun se ai na e pruri drejtesine e PLEPAVE dhe ti kepusin koqet para kalit te Skenderbeut. Pastaj te shohim, do kete levizje apo jo, ne pritje per aksione te tjera. Shkrimet s’kane me vlere.

  • Z.Malaj! Burgu me i rende per hajdutet partiak ordiner (prokuror, gjykates,ministra, k/ministra, kryetar bashkish, drejtor etj.eshte maarja e pasurise se vjedhur dhe lenja me benevreke dhe galloshe te cpuara kaucuku sic kane qene para se te shkonin ne ato detyra.

  • Drejtesia e re ka tager te denoje zyrtare ne detyre deri ne 2013.
    Me ardhjen e Rilindjes ne pushtet ne 2013 mori fund ne “Shqiperine qe duam” pergjithmone abuzimi, korrupsioni, vjedhja se si e tha qe atehere shoku adash i Timonierit Rama ai Shalsi pra –
    ” Ne do vjedhim me lezet”

  • U kry bace! Thuajse! Edhe pak! Ja, fare pak, pune ditesh, oresh, minutash! Peshqit e medhenj po i vertiten rrjetes prej vitesh, dekadash, shekujsh! Por … ah, lwre, se e kuptoni vete!….

  • Si ka menduar dtejtesia e re qe mezi tentoj te zinte nje peshk te madh qe un e quaj jo dhe aq te madh,cau rrjeten dhe nuk shkoj ne vendin qe do te kryente denimin.Si mendon drejtesia e ashtuquajtur e re do ta gjej pashkun qe ai vazhdon te bej ligjin si me pare dhe ben cfar te doje me vendimet e saj.

  • Si ka menduar drejtesia e re qe mezi tentoj te zinte nje peshk te madh qe un e quaj jo dhe aq te madh,cau rrjeten dhe nuk shkoj ne vendin qe do te kryente denimin.Si mendon drejtesia e ashtuquajtur e re do ta gjej pashkun qe ai vazhdon te bej ligjin si me pare dhe ben cfar te doje me vendimet e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *