(E para e këtij lloji në vendin tonë, me mbi 500 libra)
Fiqiri ALIAJ
Në rrugëdetin e Vlorës (Lungomare), në rrugën Jani Kosta, ndërtesa 77, në apartamentin 22, kati i pestë, banon Nase Jani, një nga shkrimtarët më të veçantë shqiptarë.
Nuk njiheshim. Shkallëve të pallatit ndonjëherë, e përshëndesnim njëri-tjetrin, për mirësjellje. Ai ngjiste ose zbriste shkallët vetëm, ose me të shoqen, edhe unë po ashtu. Apartamentin ai e ka blerë kohë më parë, por vitet e fundit është kthyer nga Athina.
Një ditë, im bir Driti, më sjell një libër të shkruar nga Nase Jani “… me Dritëronë”. Me autograf, me fjalë që afronin miqësi. Dhe ashtu u bëmë. Sot jemi miq. Ai ka plot miq poetë, shkrimtarë, artistë të fushave të ndryshme, si dhe njerëz të thjeshtë me të cikët ka punuar dhe e ka lidhur jeta. Dhe i ruan miqtë. Sot, Nasja, ka bërë miq të rinj, në pallatin 77 dhe në ndërtesën “Hotel Pirro” e gjetkë. Është i thjeshtë, i ngrohtë dhe korrekt.
Njerëzit tanë e shohin me një sy tjetër. Ndër ata, që e njohin rishtas, përveç të njohurve të vjetër, po se po, Nase Jani, shihet me respekt. Ç’është shkaku?
2.
Pirro Xhaka, pronari i “Hotel Pirro-s”, më thotë një ditë se përveç lulishtes, në kënd të ndërtesës, “Shkrimtari” do bëjë një Bibliotekë. Lulishten e qëndisi duararti Fadil Çela, një elbasanlli, që “ç’i sheh syri ia bën dora”.
Shkrimtarin e shihja, që jepte e merrte me Pirron, por më shumë me Fadilin. Brenda dy ditëve, edhe me ndihmesën e mikut të tij, shkrimtarit – fabulist, Bardhyl Mezini, që jeton midis Vlorës edhe Michigan – SHBA, u ngrit një dollap të madh plot rafte, që Fadili e izoloi mirë dhe e leu me bojë.
Raftet u mbushën plot me libra. Rreth 500 kopje: libra për fëmijë, tregime e novela, romane, vëllime me poezi (edhe në gjuhë të huaja si: italisht, greqisht, frëngjisht, anglisht). Një vend me rëndësi zenë Revistat “Pelegrin”, që nga numrat e parë botuar në vitin 2004, deri në nr. 37… Kjo revistë është organ letrar i Klubit “Drita”.
Fundmaji dhe fillim i qershorit 202, që u ngrit “Biblioteka Qytetare në Natyrë. E para e këtij lloji në vendin tonë dhe e rrallë edhe në botë.
(Nuk kam parë as në Athinë e Selanik, vetëm në Paris dhe Londër kam parë,- thotë Nasja)
Nase Jani është njeri i pagjumë. Ai s’e pranon rutinën dhe nuk e do qetësinë e rreme. Mendja e tij punon, shpirti i tij është i mbushur me vargje dhe me ide, që nxisin përparimin, zhvillimin, kulturën.
Mbi Bibliotekën, plot merr libra, aty përjashta, pa rojë, pa kyç, me ndihmën e Pirros, Nasja ideoi dhe realizoi një poster të madh me portretet e shkrimtarëve më të shquar të kombit tonë. Që nga Naimi, De Rada, Çajupi, Fishta, Asdreni, Migjeni, Dora Distria, Noli.. e deri tek Agolli, Kadareja, Xhevahir Spahiu, Rexhep Qosja, Fatos Arapi, Petro Marko, etj….
Në xhamin e Bibliotekës u vendos një rregullore se si duhet të veprojë çdo lexues me librat që merr për të lexuar. Edhe një fletore, ku çdo lexues duhet të shënojë Emrin dhe librin që merr për të lexuar, ose librin që do të dhurojë.
Kaluan ditë, javë dhe muaj, deri në mesin e gushtit, kur Nase Jani e gjykoi se kishte ardhur koha, që “Bibliotekën në Natyrë” ta paraqiste për opinionin publik. Biblioteka po e kryente detyrën. Djem dhe vajza, adoleshentë dhe të rinj e të reja dhe banorë apo kalimtarë të atyshëm, merrnin libra, uleshin në stolat e lulishtes, dhe pas një kohe i vendosnin librat aty ku i morën. Asnjë prishje, asnjë dëm. Ky është një tregues shumë i rëndësishëm. Librat nuk i vranë. Lexues, ose kureshtarë u bënë edhe pushues të huaj, që shihnin me një lloj çudie dhe provonin edhe ata, ndonjë libër apo revistë, e shfletonin, bisedonin me njëri-tjetrin…
3.
Me një shqetësim dhe përkushtim të dukshëm, Nase Jani, përgatiti një Ftesë shumë të bukur, edhe si tekst edhe si përgatitje. Cilësi e parë, në emër të Klubit “Drita” dhe të revistës “Pelegrin”, firmosur dhe vulosur, në fund prej tij. Hartoi një listë me rreth pesëdhjetë emra, institucionesh, titullarë, botues dha protagonistë të njohur në fushën e letrave: shkrimtarë, poetë, studiues, gazetarë dhe TV kryesorë të qendrës dhe lokalë. Ftesë edhe për zyrën e Arsimit dhe Bibliotekën “Shevqet Musaraj” të Vlorës.
Shumë prej tyre, pasi bënin vlerësimet e mëdha për Klubin e Shkrimtarëve “Drita”, Revistën “Pelegrin” dhe drejtuesin e tyre, Nase Jani, sqaronin me SMS përse nuk mund të merrnin dot pjesë në paraqitjen publike të Bibliotekës qytetare në natyrë, më datën 15 gusht, ora 19. Nga TV asnjë përgjigje, as nga Bashkia e qytetit të Vlorës, zyrat e Arsimit apo Biblioteka e qytetit. Gazetari i njohur, Vasil Qesari, i ardhur nga Bordo-Francë dhe i gjendur në Vlorën e tij, bëri debat me një nga TV e qytetit, që kërkoi pagesë për të pasqyruar këtë veprimtari.
4.
Ngritja e një “Biblioteke në Natyrë” është një lajm special, që një media serioze duhet ta kapi menjëherë. Dhuna, vrasjet, korrupsioni, ngjarjet politike, natyrisht zënë vend nëpër ekranet e Tv-ve dhe gazeta. Por ngritja e një Biblioteke në Natyrë, është e një rëndësie të madhe. Është lajm mbi lajmet. Nëse do të përdorja një varg të Kadaresë, Libri është leva e Arkimedit në të gjitha zhvillimet historike botërore. Aq më shumë tek ne. Biblioteka në Natyrë ka vlerë simbolike. Ajo është një thirrje e madhe që i bëhet rinisë, për të kthyer kokën nga libri, duke lenë prapa vese dhe shpërdorimin e kohës. Është një thirrje, që i bëhet shkollës, veçanërisht, mësuesve të letërsisë, që të punojnë shumë për të ngjallur dashurinë për librin në masën e nxënësve të tyre. Është një thirrje që u bëhet institucioneve, që të vlerësojnë, me përparësi e seriozitet skrupuloz, kulturën, arsimin dhe edukimin e brezave të rinj. Është një thirrje që i bëhet TV-ve dhe gazetarëve për një nga çështjet më të ndjeshme për fatet e vendit dhe mbarësinë e jetës së popullit, duke qenë qendra e gravitetit, rinia.
Kambanat bien për ata që kanë vesh!
5.
Ç’bëri Pirro Xhaka, kur u ngrit Biblioteka Qytetare në Natyrë?
Ai bëri një reklamë të tillë: Hotel “Pirro”. Në mjediset e jashtme do të gjeni: lulishte, libra, internet. Sepse Pirro Xhaka, e vlerëson më shumë se disa mediave vizive dhe të shkruara, sesa disa individë me pushtet politik apo shtetëror, librin, të bukurën. E ka edhe traditë familjare, siç e shprehu në takimin që u bë, prof. Dr. Bardhosh Gaçe.
6.
Nase Jani, Bibliotekën Qytetare në Natyrë, nuk e bëri si reklamë për vete. Ai, s’ka bërë asnjë punë për reklamë, që kur ka nisur punën, në sistemin e kaluar si ushtarak në Durrës, Kuçovë, Berat dhe si Drejtor i Shtëpisë së Kulturës së Ushtarakëve në Berat. Aq më shumë s’ka punuar dhe nuk është sakrifikuar, në sistemin e sotëm, për t’u dukur.
I papunë, që 46 vjeç, mori rrugët e kurbetit, që nga viti i mbrapshtë 1997. Në Athinë, ai bëri nga ato punë që bënin dhe bëjnë emigrantët. Por Nasja kishte një zjarr të ndezur në shpirt poezinë, letërsinë, gazetarinë. I digjte dhe e djeg Fjala e bukur dhe e pastër shqipe, (që ai në poezi e quan “gjuhë lulesh dhe gjuhë zogjsh”. I rraskapitur, tej mase, por ai u bë nismëtar, bashkë me poetin vlonjat. Hiqmet Meçaj dhe vlonjatin tjetër Dionis Qirzidhi apo me shkrimtarin dhe gazetarin Robert Goro, për t’i mbledhur tërë shkrimtarët shqiptarë në Greqi. Dhe krijuan Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”, në Athinë, në vitin 2000. Më vonë u miratua ligjërisht dhe nga Gjykata e Athinës.
Më 1 maj 2004, në shtëpinë e tij në Athinë, me njerëzit e familjes, Nase Jani përgatiti, Revistën letrare-kulturore “Pelegrin”. Gjithë procesi i përgatitjes, i shtypjes, prerjes, ngjitjes deri sa u bë libër, në shtëpi, duke kaluar nëpër duart e Nases, të së shoqes dhe fëmijëve të tij. E mendoj se këto s’ishin bërë as nga një më parë: Të bësh libra-revista me mbi 200 faqe në kushte shtëpie, me disa mjete të thjeshta. Por, ja që vendosmëria e Nase Janit e bëri. Dhe, këtë Revistë të veçantë e “pagëzoi” me emrin “Pelegrin” Dritëro Agolli. Ai e vlerësonte shumë Klubin Drita dhe figurën e Nase Janit si “poet i veçantë që nuk i shëmbëllen asnjë poeti dhe që ka adresën e tij poetike.” E vlerësonte shumë punën e tij në krye të Klubit “Drita” duke i quajtur “Rilindës të kohëve moderne”. Dhe Revista “Pelegrin” me ato vështirësi që përmendëm,me shumë zotësi e sakrifica të mëdha, u botua nga një numër tek tjetri duke arritur moshën 16 vjeçare. Kjo revistë prestigjioze, që bashkoi gjithë shkrimtarët shqiptarë të shpërndarë nëpër botë, në vitin 2004 u vlerësua nga UNESCO, si dhe shumë vlerësime të tjera në vitet në vazhdim…
Në vitin 2005, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, me propozim të Dritëro Agollit, dekoroi Klubin “Drita” me “Medalja e Mirënjohjes” dhe, dy vjet më vonë, në vitin 2007, dekoroi Nase Janin me “Urdhri Naim Frashëri i Artë”.
Puna e Nase Janit dhe e shokëve të tij, që e kanë mbështetur, është një punë e madhe me frymë të thellë atdhetare. Jo vetëm letrare e artistike. Kredoja e Nase Janit janë Fjalët e Qiririt të Naimit të madh. Me këtë frymë e ngriti Bibliotekën Qytetare në Natyrë, me këtë frymë ai i dhuroi Bibliotekës “Shevqet Musaraj” në Vlorë, 100 libra dhe revista “Pelegrin”, siç ka bërë edhe në Biblotekën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në Universitetin Amerikan në Athinë (ku ka shumë studentë shqiptarë), deri tek burgu i Kolidhalosë në Athinë (ku ka shumë të burgosur shqiptarë), e deri në disa qytete të Kosovës.
Pra, Nase Jani s’ka punuar dhe s’punon për t’i bërë reklamë vetes. Është fryma e shenjtë e Atdheut që i frymëzon energji, që ia plotëson fuqitë edhe kur është i sëmurë, që e bën të ndjehet i qetë edeh kur s’ngopet me gjumë.
Por ai dhe shokët e tij, kanë dashur dhe duan mbështetje. Vlerësimin pozitiv nxitës. Mbështetësi më i madh ka qenë Dritëro Agolli, por edhe personalitete të tjerë të letërsisë dhe kulturës shqiptare si Prof. Dr. Razi Brahimi, poeti, përkthyesi dhe studiuesi Perikli Jorgoni, Prof. Dr. Arben Malaj, me botuesin human të Shtypshkronjës “ILAR”, z. Ilir Lleshi, etj.
Nasja arriti, që revistës “Pelegrin” t’i marrë ISNN ndërkombëtare në Paris-Francë, si rrallë revista të tjera në gjuhën shqipe…
Për Bibliotekën Qytetare në Natyrë, e para e këtij lloji në Shqipëri dhe e rrallë edhe në shumë vende të Botës, ai donte mirëkuptim, donte sinkronizim idesh e vullnetesh nga ata që kanë në dorë të bëjnë ato punë që i duhen rinisë, popullit, vendit, kombit dhe shtetit. Dimensionet e kësaj pune janë të mëdha. Ato shtrihen në kohë, nga e djeshmja, tek e sotmja dhe e nesërmja…
Vlerësim dhe mbështetje priste Nasja, për punën që nisi. Ndjeu zhgënjim. Por edhe gëzim nga ata që erdhën, që panë çfarë kishte bërë për qytetarët dhe që folën me dashuri dhe respekt.
7.
Sepse Abdyl Frashëri, kur një ish miku i tij, në qelitë e burgut osman i tha se, e sheh ç’pëson me punën që bën?! Kot lodhesh, asgjë s’fiton, Heroi i madh iu përgjigj: “Puna ime e ka të mirën pas. S’mund t’i thuash bujkut pse mbolle farën në tokë. Fara do të mbijë…”
Dhe puna e Nase Janit, ajo që kas bërë dhe kjo që po vazhdon të bëjë, edhe me Bibliotekën në Natyrë, është si fara që mbjell bujku në tokë. Do mbijë tek e ardhmja…
Nase Jani është sot 74 vjeç. Ai ka shkruar rreth 30 libra në të gjitha gjinitë: poezi, tregime, novela, romane, drama. Ka shkruar shumë shkrime në publicistikë dhe studime letrare. Kjo punë e madhe krijuese, e Nase Janit, njihet pak sot, sepse e tillë është koha. Të tilla janë institucionet. Por kjo vepër e tij do ketë nevojë të sistemohet dhe të botohet e plotë. Atëherë, me siguri, do të të flasin më shumë për të.
8.
Erdhi 15 gushti 2021, ora 19. Nasen s’e mbante vendi. Ora 18 e 45 minuta, s’po dukej njeri, veç nesh që kishim qenë afër dhe kishim dhënë ndihmesën tonë modeste.
Dështim?! Jo-tha Nasja, duke folur me vete… Edhe Krishti 12 apostuj kishet, mua më mjaftoni ju! Por, minutë pas minute nisën ardhjet: Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, një nga shkrimtarët dhe studiuesit me vepra të spikatura në kulturën tonë; shkrimtarët vlonjatë Eqrem Canaj, Luto Memokondaj, Mjeku Vigjilent Xhaferraj, disa artistë koreografë, edhe të ardhur që nga Greqia,; dy murgesha, Prof. Dr Spiro Caushi, vëllezërit Xhaka, banorë të pallatit… U bënë afër 40 vetë.
Çfarë panë me sy, ata që erdhën e vlerësuan si diçka të rrallë dhe me dobi të veçantë. Folën mjaft prej tyre. Vlerësimi dhe respekti për Nasen qe i merituar plotësisht dhe, ndërkohë, i nevojshëm. Ata që punojnë si Prof. Bardhosh Gaçe e kuptojnë më shumë “medaljen e vlerësimit” real dhe të ndershëm, pa asnjë cinizëm.
Dhe për ata, që ndihmuan në realizimin e kësaj pune të veçantë dhe shumë të bukur, në emër të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve në Botë “Drita”, dhe Revistës “Pelegrin”, Nase Jani, shpërndau disa Diploma Mirënjohje.
U nderuan: Pirro Xhaka, punëtori i palodhur dhe duarartë Fadil Çela, për Dritëro Aliajn, shkrimtarin fabulist, Bardhyl Mezini, që ndihmoi sa ishte këtu, por i gjendur në SHBA dhe z. Nikolin Shtjefën Lëmezh. Në fund një foto shumë e bukur, fiksoi këtë histori të rrallë, në mjediset e jashtme të hotel “Pirros”, në Vlorë, në rrugë-detin e bukur, më 15 gusht 2021.
9.
Më tej ç’ndodhi?
Shkrimtari Bardhyl Mezini ka dhuruar një përmbledhje me fabula, në një Libër me kapakë druri të gdhendur bukur. Një të tillë ai ia ka dhuruar edhe Dritëro Agollit. Shkrimtari Luto Memokondaj dhuroi disa libra me fabula për Bibliotekën në Natyrë.
Më shumë ditë do bijnë… Të presim.
10.
Poeti i shquar dhe akademiku Xhevahir Spahiu, dëgjoi ç’kish bërë Nase Jani. Ai erdhi së bashku me vëllain, Besnikun, piktorin e talentuar. Që ka çelur ekspozitë edhe në Milano, me ndihmën e të madhit Ibrahim Kodra. Qe 22 gusht paradite, vetëm pesë ditë nga ceremonia e përurimit. Ai u befasua dhe u mrekullua dhe ia çmoi punën Nase Janit, siç di Xhevahir Spahiu. Për kujtim si kujtim edhe disa foto të përbashkëta.
11.
Lunxhioti nga Stegopuli, që është lindir më 25 maj 1947, në të njëjtën ditë, 101 vjet pas Naimit, prandaj e do majin dhe i do lulet, nuk e mbaron këtu vrapin e tij të punëve të dinjitetshme. Ai ka në mendje të organizojë një konkurs krijimtarie në letërsi me nxënësit e shkollave të qytetit të Vlorës, si dhe një veprimtari me fëmijët me aftësi të kufizuara,…
Por kush e mbështet Nase Janin financiarisht? Ka dashurinë, njerëz që e duan artin dhe Atdheun, por jo rrallë Nase Jani, ka boshatisur xhepat e tij.
Dhe ai është një qiri që digjet e digjet. E vlen ta njihni, siç e njohu në nëntor 1995 Dritëroi i madh, ia çmoi talentin dhe karakterin e hekurt dhe të pastër që i bëri miq për kokë.


