Jovan Bizhyti
Dëshmitë dhe dëshmitarët janë baza e së drejtës, për të cilët organet e drejtësisë jo vetëm kërkohet t’i ballafaqojnë e t’i vlerësojnë vërtetësitë e tyre, por dhe t’i mbrojnë e t’i ruajnë këta dëshmitarë nga hakmarja e njerëzve të krimit, të cilët mendojnë me çdo mënyrë si të zhdukin gjurmët dhe njerëzit që mbartin këto të vërteta.
Agroni ndezi një cigare dhe piu me fund verën që kishte mbetur në gotë. Heshtjen e theu një lajm i trishtë i orëve të vona në televizion. Spikeri theksoi, se atë ditë, në orët e drekës, kish ndodhur një aksident tragjik në hyrje të Voskopojës, një fshat në jugë-lindje të vendit, ku kish humbur jetën qytetari shqiptaro-amerikan, Kosta Trebicka! Grupi hetimor kish mbritur në vendin e ngjarjes dhe po hetonte shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje. Agroni u befasua!
-Uau..!- klithi ai.- Kosta, si ka mundësi?!
-Ç’është ky?- e pyeti e shoqja, Rezarta. Ai u çua nga tavolina dhe nisi t’i bjerë telefonit. Përgjigja u kthye nga sekretaria e kompanisë telefonike, se ky numër telefoni nuk funksionon për momentin, kërkoje më vonë.
-Eshtë një miku im, Kosta,- i tha ai.- Banon në Amerikë, sapo është kthyer në Tiranë, dje piva kafe me të!
-Po ç’donte në Voskopojë?- pyeti ajo.
-S’e di,- u përgjigj ai. Eshtë korçar, po ka jetuar prej kohësh në Tiranë dhe tani ka rreth 15 vjet që jeton në Amerikë, është bërë shtetas amerikan. Mora në telefon një të afërmin e tij, po s’mu përgjigj.
Agroni gjithë natën nuk fjeti rehat. Aksidenti tragjik i Kostës i rrinte në mendje si një ortek që shkëputet nga lartësia e maleve dhe gjatë rrukullimës, mori me vete dhe Kostën, atë shokë të mirë e gojëmbël. Shprehte habi, se si u gjend ai atje në lartësitë e Voskopojës, kaq largë, i vetmuar! Kushuriri i Kostës i kish thënë në telefon, se shkoi për gjueti. E kish pasion. Dikush, një i “njohur” i telefonoi se e priste atje ku i ndodhi gjëma. Ai mori makinën e kushuririt, çiften dhe zagarin dhe u nis me të shpejtë. Askush nuk e priti! Si për çudi, në një rrugë të sheshtë, u tha se u batua makina, bëri dy-tre salto dhe u gjend përsëri në rrugë, bile e ndezur, ndërsa Kostën e la që në salton e parë të vdekur në mes të rrugës! Edhe zagari kish shpëtuar dhe ruante kufomën e të zotit! E çuditëshme!
T’a kish marë ndonjë plumb, do thuhej se u vra padashje, aksidentalisht, të kishte rënë në ndonjë greminë, do thuhej se iu këput zbara, apo frenat e makinës dhe u gremisë në humnerë. T’a kishte përfshirë ndonjë ortek dëbore edhe kjo do ishte e pranueshme, megjithse s’kishte dëborë, koha ishte shumë e qetë. T’i kishte rënë ndonjë trungu lisi se humbi drejtimin, apo i ra të fikët, prapë do besohej dhe ky variant. Po të përmbyset makina në një rrugë të sheshtë, të bëjë dy-tre salto dhe të qëndroj përsëri në pozicion të drejtë pa u dëmtuar, bile dhe e ndezur dhe trupi i Kostës i vrarë në mes të rrugës, kjo është habi, bile një habi e pabesueshme! Të gjitha ekspertizat nxorën këtë konkluzion: “Vrasje nga një aksident automobilistik”! Çudi misterioze! Dhe kufoma e Kostës u dërgua në morgun e Korçës, qytetit të tij të lindjes.
Agroni doli herët atë mëngjes, ecte rrugës i pa vëmendshëm. Dikush e përshëndeti, po ai nuk i ktheu përgjigje. Përtej Lanës, karshi me pallatet e Shallvareve ku kishte shtëpinë Agroni, ishte një kafene, që ishte stacioni i parë i tij çdo mëngjes. Kafe “Roma”, shkruante tabela, megjithse s’kishte asgjë të përbashkët me Romën. Shumë kafene në këtë qytet, mbajnë emra kontinentesh, apo dhe kryeqytetesh të botës. Tek Roma bënin kafe të mirë me shije të veçant, “Illy”, kafe aromatike, ku dhe çmimi ishte diçka më i lartë.
Ai u ul në një tavolinë në cep të lokalit, duke sjell ndërmend historinë e Kostës. Kish ardhur nga Amerika për të denoncuar si dëshmitar i tragjedisë së Gërdecit. Disa ditë më parë i kish treguar historinë e këtij biznesi që çoi në atë ngjarje tragjike dhe denoncimin që kish bërë në prokurori. Ishte dëshmitari kyç i ngjarjes së Gërdecit, i atij lloj biznesi me pasoja tragjike, që kushtoi 26 jetë njerëzish, qindra të plagosur dhe dëme të shumta materiale, deri në rrafshimin e një fshati të tërë!
-Si s’u mbrojt ky dëshmitar nga prokuroria, nga policia dhe nga shteti?! Po kush do t’a mbronte, shteti ishte vet i përfshirë në këtë aferë, që nga djali i kryeministrit, ministri i mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Si erdhi ai kaq serbes të denonconte për drejtësi në vendin e tij!? E kush e la drejtësinë t’a gjente Kosta?! Ai ishte njeri i mençur, por mesa duket e humbi sensin e mençurisë. Harroi se ky vend e riktheu sërish kanunin e vjetër të hakmarjes, por tani me forma më të sofistikuara, gërshetuar dhe me një përvojë të huazuar nga jashtë kufijve, të quajtur, “Mafie”. Dhe kur një hibrid krijohet nga shartimi, nuk i dihet se ç’krijesë del!
-O Zot, t’a ketë vrarë “Mafia”?!- pëshpëriti ai me vete.- Jo nuk më besohet, pasi mafiozët e zullumit u përbetuan për “Krisht” e “Muhamet”! Po atëherë, kush vuri dorë mbi këtë dëshmitar, makina, zagari që ruante kufomën e të zotit, apo i ra ndonjë rrufe në qiell të pastër, pa i lën asnjë shenjë goditje apo dhune në trup? Ai e pa me sytë e tij skemën që i mori jetën, por atë dëshmi si dhe dëshminë e Gërdecit, ai i mori me vete, mori me vete dhe dënimin me vdekje, duke iu bashkangjitur 26 fatkeqëve të asaj tragjedie.
Agroni ulur me filxhanin e kafes në dorë, u tretë në mendime të thella. Filxhani i kafes kish ngelur përgjysmë. Heshtjen ia prishi një shokë, Demi, që sapo erdhi.
-Pse kaq herët, ti zakonisht del vonë?- i tha ai.
-S’kam fjetur, ti e more vesh vdekjen e Kostës!?
-Edhe unë u trondita,- i tha ai. Një vrasje misterioze!
-Jetojmë në kohë të vështira,- i tha Agroni. Mashtrime, pabesi, urrejtje, vrasje si në netët e Shën Bartolemeut! Kjo ka qenë dhe mbetet historia e popullit tonë. Dhe kjo histori gjithmonë ka qenë e shkruar me gjak e me lotë. Si s’u qetësua njëherë ky vend? Dikur na u duk sikur e mposhtëm të keqen e hakmarrjes, zënkat dhe grindjet ndaj njeri-tjetrit, padrejtësitë dhe korrupsionin, por s’paska qenë kështu. E keqja nga frika u tulatë, heshti dhe u duk sikur e zhdukëm, e mposhtëm, por jo, ajo mesa duket kaloi një fazë letargjie dhe sa u hap një dritë jeshile, ajo u zgjua më e egër dhe më e sofistikuar.
Hakmaria e hasmit është më e ndershme, më njerëzore, sepse ai të lajmëron, të thotë ruhu se do të vrasë dhe po i dole në shtek, të vret dhe e pranon krimin. Kurse hakmaria e shtetit është tinzare, e heshtur, e pabesë, siç thotë populli, “të vret natën e të qanë ditën”. Kështu u vra Kosta nga një dorë e fshehtë, që pasi e vrau në mes të ditës, nisi gjoja hetimin për të gjetur shkakun e vrasjes. Konkluzioni, “ E vrau makina e tij, që po e drejtonte vet”! O tempora, o mores! O Zot na ruaj nga i ligu, na ruaj nga e keqja! Dhe me këtë konkluzion, hetimi u mbyll dhe dosja e tij bashkë me atë të Gërdecit, u pluhurosën si shumë të tjera në raftet e prokurorisë.
-Ai jetonte në Amerikë, ç’deshi këtu?- pyeti Demi.
-Erdhi për të bërë drejtësi, po ç’drejtësi zeza do bënte ai në këtë vend, që vetëm drejtësinë nuk e njeh. Këtu ajo blihet e shitet si plaçkë tregu. Dhe ç’mund të presësh nga një drejtësi që shitet sipas kërkesës dhe ofertës. Kështu ishte dhe tragjedia e Gërdecit, siç më tregoi Kosta, pazar tregu me kërkesë dhe ofertë dhe shpërblimi për këtë pazar, ishte jeta e 26 të vrarëve, duke shtuar mbi to edhe jetën e Kostës, dëshmitarit kyç të ngjarjes. Dhe me këto biseda, ata u çuan nga tavolina të trishtuar. Kjo ngjarje tragjike u përfol në opinion si dhe shumë ngjarje të tjera, jo më shumë se tre ditë dhe historinë e Gërdecit dhe të Kostës e mbuloi mjergulla e harresës për mos t’u hapur më kurr!
Por ja, kaluan mbi 13 vjet me zvarritje, gjykime të njëanëshme, apo dhe me proçedura të sajuara, duke kaluar dhe deri në vendime të formës së prerë, për t’a mbyllur njiherë e mirë këtë histori! Kokat e këtij biznesi, që ishin të “paprekshëmit e ligjit”, që e sajuan atë tragjedi, nuk u thirrën asnjiherë në prokurori, sigurisht as dhe në gjykatë! Çudi për t’u çuditur!!! Por, siç thotë populli, “drejtësia vonon, por nuk harron”.
Kjo histori tragjike e Gërdecit u zgjua një ditë sërish. Në morinë e kërkesave të vazhdueshme, ishte dhe zëri i një nëne, që nuk rreshti së kërkuar drejtësi për jetën e djalit të saj të vogël, viktimë e pafajshme, që sot do të ishte 21 vjeç. Do Zoti del në shesh e vërteta e kësaj ngjarje dhe bashkë me to dhe dora vrastare e vrasësit të Kostës, dëshmitarit kyç, që bashkë me kufomat e 26 fatkeqëve të vrarë, lanë pas një amanet, që s’e tretë dheu: “drejtësia të gjejë vrasësit e vërtetë të kësaj tragjedie, ndryshe nuk prehemi të qetë.!
