Shka “Shote Galica”, frymëzuese e brezit që solli lirinë

Ornela

Mr. sc. Ilir SHAQIRI

Monografia e Fitim Çaushit me titull “Tingujt heroik të Ansamblit Shote Galica”, ka për subjekt Shoqërinë Kulturore – Artistike “SHOTE GALICA” të qytetit Drenas në Kosovë. Në librin e tij “Tingujt heroik të Ansamblit Shote Galica”, Fitim Çaushi përveç historikut të kësaj shoqërie kulturore që nga themelimi i saj, na sjell edhe një pjesë të historisë së Kosovës gjatë kohëve të mosnënshtrimit dhe përpjekjeve të brezave për të mbajtur gjallë kulturën dhe identitetin kombëtar.

Bazuar në dokumentet arkivore të SHKA ‘SHOTE GALICA” dhe duke njohur thellësisht shpirtin qëndresëtar të vëllezërve të tij dhe vlerave të identitetit kombëtar në përgjithësi, Fitim Çaushi në këtë libër na e sjell përmbajtjen më të kompletuar të këtij ansambli, i cili ishte pararendësi i folklorit skenik në Kosovë.

Ashtu siç rilindësit tanë risollën në vëmendjen e harruar të shqiptarëve figurën madhështore të Skënderbeut, po ashtu edhe drenicasit, nismëtarët e Shoqërisë Kulturore Artistike, risollën emrin e heroinës Shote Galica, duke emërtuar ansamblin e tyre me këtë emër të lavdishëm. Jo e zakonshme për kohën, kur emri i Shote Galicës dhe i heronjve tjerë kombëtar ishin të mohuar dhe të ndaluar nga pushtuesi. Një përgjegjësi shtesë për ansamblin e ri në rrugëtimin e tij jo pa pengesa.

E themeluar në vitin 1969, SHKA “SHOTE GALICA”, mes shumë vështirësive, përpiqej ta krijonte identitetin e saj të veçantë dhe këtë e arriti aty nga fundi i viteve të shtatëdhjeta, duke ndryshuar formacionin e orkestrës dhe duke mbledhur në gjirin e saj më të talentuarit e hapësirës drenicase.

Folklori, ashtu siç artet e tjera, i janë nënshtruar gjithmonë një procesi të brendshëm evoluimi shoqëror, duke u bërë sy, vesh dhe zë i lëvizjes së jetës. Dhe këto njohuri për folklorin, për vlerat e tij, për evoluimin e tij, për mundësitë shprehëse të tij, për ndikimin e tij, do t’i materializonte në mënyrën më shembullore drejtuesi dhe udhëheqësi artistik i këtij ansambli, Shaqir Hasi.

Ansambli folklorik“SHOTE GALICA” që në paraqitjen e parë, do të krijojë dallimin në mes të “folklorit burimor” dhe “folklorit skenik”. Në repertuarin e ansamblit hyri vetëm një pjesë e krijimeve të rapsodëve të mëhershëm, duke formësuar interpretime të reja që pajtoheshin me shijet e përgjithshme folklorike të kohës. Kjo ishte faza e plazmimit të vlerave ideoartistike si forcë reale e verifikimit të çdonjërit anëtar veç e veç.

Folklori skenik i këtij ansambli ruajti karakterin kolektiv, si krijimtari e përbashkët që u trajtua dhe u përjetua nga anëtarët e kësaj shoqërie, gjithmonë duke qenë të frymëzuar nga dëshirat dhe synimet e qarta të popullit shqiptarë të Kosovës për të jetuar të lirë dhe me dinjitet. Brenda këtij karakteri kolektiv spikateshin iniciativa dhe fillesa krijuese e individuale të cilat pasqyroheshin në ngushtimin e karakterit anonim të deriatëhershëm e që sillnin një larmi më të madhe krijimesh dhe interpretimesh në artin e kultivuar.

SHKA “SHOTE GALICA”, shumë shpejt pushtoi skenat e qyteteve të Kosovës, duke sjellë pranë publikut një pamje të re, nga ato që sillnin grupe dhe orkestrina të tjera qytetesh jo vetëm nga Kosova. Tridhjetë burra në skenë, të veshur me tirqë galana (kostum popullor nga Drenica, i cili vishet për punë dhe për luftë) do të krijonte një imazh të ri skenik, kudo që do të paraqitej ky ansambël. Një disiplinë artistike e admirueshme, nën drejtimin e udhëheqësit artistik Shaqir Hasi.

Përveç nga pamja, krijimtaria përmbajtjesore e mbresëlënëse, zërat e rinj, interpretimet e bukura të tyre, në thelb të gjitha bashkë mbanin aromë Shqipërie.

Presioni i kohës ishte i madh mbi ta, por qëndresa e tyre përballonte ftohtësinë e akujve të dimrave pushtues, ashtu siç kokat e maleve përballojnë stuhitë.

Duke qenë afër gjeografikisht Skënderaj–Drenas, dy ansamblet tona “Drenica” dhe “Shote Galica” bashkëpunuan ngushtësisht, duke realizuar dhjetëra koncerte të përbashkëta dhe qindra këngë të incizuara në studiot e Radio Prishtinës dhe Radio Shkupit.

Në kujtesën kolektive të shoqërisë, por edhe të publikut,  janë  ruajtur gjurmët e kontributit të individualiteteve krijuese dhe interpretuese të kësaj shoqërie, siç janë: Shaqir Hasi, Shaqir Cërvadiku, Arben Krasniqi, Bege Gashi, Skënder Hasi, Gjon Krasniqi, Kumrie Buqaj, Tahir Drenica, Enver Dugolli, Miradie Gashi, Violetë Kukaj, Haki Krasniqi, Burim Krasniqi, e të tjerë.

Shpërthimi artistik i Ansamblit Folklorik “SHOTE GALICA” në vitet e tetëdhjeta, evoluimi i tij, përbën një sistem të përcaktuar formash dhe mjetesh specifike të shprehjeve artistike, temash e subjektesh, që karakterizohen me një qëndrueshmëri të madhe përmbajtjesore, mishëruar thellë me artin e traditës, duke ruajtur me besnikëri origjinalitetin e artit popullor–kombëtar.

Tradita e krijimtarisë gojore e Drenicës, alegoritë e gdhendura të saj, folklori burimor e skenik i saj, nuk njohën asnjëherë gojëmbyllje, nuk njohën kurrë psherëtima e as marramendje sentimentale, ato përshkuan shekujt me sokëllimat e lavdishme të bijve e bijave të saj që trazuan qiejt e kohërave. Një punë e pandalshme dhe e shkëlqyer e SHKA “SHOTE GALICA”, frymëzuese e brezit që solli lirinë e Kosovës.

 

Prishtinë,  21. 07. 2021

                                                      

                                                            

Share This Article
1 Comment
  • …megjithate, eshtrat e Heroines se Popullit Shote Galica presin ne nje vend te humbur te Fushe Krujes te mbarten ne nje lendine te Kosoves Martire, prane bashkeshortit dhe bashkeluftetarit te saj, Azem Galica.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *