Bernard Zotaj
Rrugëtim të gjatë në jetën baritore
Këto ditë të fundit të vjeshtës u gjendëm në stanin e bariut Bejkush Neshet Canaj nga Ramica e Smokthinës. Ai kishte ditë që priste të festonte 65 vjetorin e lindjes së tij, në stan dhe në këtë ditë të rëndësishëm të jetës së tij, pranë ju gjendën për të festuar djali Ardit, si dhe miq e shokë të tij. Për këtë ditë të shënuar kishte bërë dhe stanin e ri, pasi stani i vjetër, ishte ndërtuar 30 vite më parë, me ardhjen e demokracisë dhe i kishte humbur parametrat e tij, për të rezistuar në dimër dhe të nxehtin në verë. Jetën baritore Bejkushi e ka nisur që herët, dhe më shpesh në pushimet tremujore verore të shkollës. Në këto pushime, deri në fundvitet ’60 të shekullit XX, ka shkuar në stan në malin e Tartarit, duke ruajtur kopenë e deshve me mbi 50 kokë të shenjës së gjyshit dhe të babait të tij. Pas përfundimit të shkollës 8 vjeçare në vitin 1972 dhe përfundimit të shërbimit ushtarak në vitin 1976 dhe deri në ditën që mbushi 65 vjeç, ai ka bëri një jetë baritore, si në sistemin socialist dhe në vitet e demokracisë. Ishte ky një zanat i trashëguar nga të parët e tij, por dhe i fituar me shumë mënçuri dhe zgjuarësi në këtë rrugëtim të gjatë të jetës së tij baritore. Nga lartësia e 65 viteve ai ka se ç’të tregojë, por dhe t’u mësoi të rinjve për jetën baritore. Ai nga fiziku dhe nga pamja është ende djalë i ri. Atë e ka kalitur dimri, suferina, të nxehtit dhe jeta e gjatë në kushte tepër të vështira, si në kohën e koopeertaivave bujqësore, por edhe në kohën e ndërtimit të kopeve në sektorin privat, dhe në atë të fremerit. Në kopenë e tij ka rritur dhe shtuar vetëm bagëti të imta, dhe sidomos delen.

Bagëtitë, burim parësor i bazës ekonomike familjare
Biseda me Bejkushin nis natyrshëm, ai tregon se në Ramicë e Smokthinë kushtet e jetesës baritore, kryesisht për shkak të terrenit malor, motit shumë të ftohët në dimër, janë tepër të vështira. Burim parësor dhe bazë ekonomike për çdo familje janë bagëtia së bashku me produktet e nënproduktet e saj. Si për të gjithë krahinën e Smokthinës, blegtoria përbëhej kryesisht nga të imëta, dele dhe dhi, por edhe të trasha si pela, kuaj, mushka, gomerë, lopë dhe qe etj. në çdo vit është bërë një përkujdesje për shtimin numerik të tyre nëpërmjet pjellshmërisë dhe ruajtjes me fanatizëm të sasisë numerike. Lopët, pelat, delet dhe dhitë, me kohëzgjatje të ndryshme, në sasinë e muajve, pjellin një herë në vit. Por dhëntë dhe dhitë, në kushte të përshtatshme e në sasi të kufizuar, na pjellin dhe dy herë në vit. Ka pasë dhe raste që bënin dhe nga dy kërthinj. Për vet vlerat jetësore që mbartëte bagëtia, veç ndjenjës së detyrimit, por dhe të dashurisë për zanatin e vështirë të bariut, për delet ushqehej dashuri e kryhej shërbim i veçantë nga të gjithë barinjtë. Kështu gjatë gjithë jetës në morinë e numërit të shumtë të bagëtive në kope, Bejkushi i ka njohur delet, gati një për një, duke u vënë thuajse secilës një emër të veçantë. Ai na tregon se mbështetur në përvojën, por dhe në eksperiencën konkrete duke shikuar në ngjyrën, pamjen, përmasat, sjelljen etj., dhënëve ju kam vendosur emra të tillë si bejkë, syskë, kuacë, kërrutë, llajë, mazhë, çullëshyt etj. Vëmendje të veçantë ju kemi kushtuar dhe qenëve të cilët edhe ata thërriteshin me emra të veçantë si balo, bulinë, belec, etj. Bagëtitë e imëta i kishim racë vendi, me trup të vogël, me rendiment jo të lartë në qumësht, por tepër të qëndrueshme ndaj kushteve të vështira të motit e terrenit. Të imëtat përdoreshin gjerësisht për mish e sidomos për qumësht e nënproduktet e tyre, si dhe për leshin e lëkurën. Mirëpo me bërjen e koperativave bujqësore dhe të sektorit të blegtorisë, rraca e vendi ndryshoi dhe u futën parametra të kohës. Kështu gradualisht raca e vendit u zëvendësua me delen “ibride” dhe rendimenti i saj u rrit, por kishte tepër vështirësi në përshtatjen me kushte e kohës dhe u bënë shumë investime për stalla dhe për ushqim të përpunuar. Kjo pati shpenzime të mëdha…
Dhëntë, burimi kryesor i ushqimit
Për sigurimin e produkteve kryesore të ushqimit dhe të veshjes shfrytëzohej gjerësisht bagëtia, sidomos të imtat si dhitë e dhëntë, që janë kafshë ripërtypëse. Në varësi të sasisë, bagëtitë i ndanim në kope me pëlla, shterpa, kërthija (shelegë) dhe në periudha të caktuara edhe me desh, sidomos në kohën e kooperativave bujqësore. Në kohën që dhëntë kishin më shumë qumësht, deshët ndaheshin më vete nga kopetë e dhënve pëlla. Deshët përziheshin me kopenë e dhëne pëlla e shterpa nga fundi i muajti gusht që fillonte çiftëzimi.
Për familjen e fisin tonë trego Bejkushi, para se të bëheshim kooperativë dhëntë përbënin burimin kryesor të ushqimit apo të sigurimit të të ardhurave për ushqim, sikurse për veshje. Për ushqimin familjar vlera kishte bulmeti e nënproduktet e tij dhe mishi. Leshi e lëkura shfrytëzoheshin për përgatitjen e veshjes së familjarëve. Tepëricat e bulmetit e të nënprodukteve të tij, të cilat në familjet me kope, sikurse ishte dhe familja Canaj, nuk ishin të pakta. Fillimisht ato i shkëmbenin prindrit me mallra të tjera të nevojshme për familjen e më pas shiteshin në treg. Me lekët e tyre bliheshin mallra të tjera që nuk siguroheshin nga familja. Ndërsa plehu i bagëtive shfrytëzohej për plehërimin e tokave arë dhe të pemëve frutorë që kishim. Në kopetë e dhëne mbaheshin cjep trup mëdhenj e me bype në qafë (këmborë të mëdha), secila me tingull të veçantë. Për familjen e fisin Canaj, duke qenë se filluan të mbarështroheshin më tepër dhentë, parësor u bë bulmeti i leshtë. Bulmeti nuk shitej dhe nuk çohej në baxho. Ai përpunohej në cikël të mbyllur në familje (në shtëpi) apo në stan nga vet familjarët. Prej tij merreshin produkte e nënprodukte bulmeti si gjalpi, djathi, urrëla, kosi, salca, gjiza, shëllira, dhalla, qumështi i rrahur, hirra etj. Mishi i dhëne përdorej edhe për ushqim. Shumë i preferuar ishte mishi i pjekur në hell. Në variantin e zier mishi përdorej më shumë në raste vakish (vdekje). Në familje përdorej harapashi me mish e dhjamë, si dhe të përbrendshmet e bagëtisë.
Çobani, sinonim i labit
Çobani, tregon Bejkushi, për vet karakteristikat e Smokthinës dhe rolin që luante ai në jetën e familjes, duke mbarështurar pasurinë kryesore familjare, blegtorinë, ishte bërë sinonim i labit. Kjo jo vetëm nga karakteri, por edhe nga veshja e pajisja. Në veshje, thuajse çdo gjë te çobani para demokracisë ishte e leshtë, që nga çorapet, fanella e brendshme, e veshur për mishi, dimër e behar, zakonisht e në vartësi të stinës, me mëngë të gjata ose pa mëngë, palltua, poturet, guna apo sharku, llabania e festia e bardhë si dëbora. Thënë ndryshe, si në dimër edhe në verë, me veshjen e pajisjet e tij personale e karakteristike baritore, çobani e kishte me vete si mbulojën ashtu edhe shtrojën e mjetet e punës.
Pajisjet e mjetet që mbante me vete çobani përbënin një karakteristikë tjetër të tij. I përshtateshin jetës së vetmuar të tij dhe e ndihmonin në plotësimin e misionit që kryente. Një çoban nuk mund të kuptohej pa kërrabën e tij, një shkop i gjatë rreth 150 cm e me një pjesë metalike të kthyer në formë “U”-je në krye, që i shërbente për të kapur bagëtinë, për këmbe, për t’u mbështetur në ecje e gjatë qëndrimit në vend. Ajo përdorej edhe për të ngacmuar bagëtinë për të lëvizur dhe kthyer ato në ballin e kopesë. Pajisje tipike e çobanit ishin edhe culja dyjare e fyelli. Cylja dyjare, në Smokthinë ishte e njohur që herët. Culja e fyelli, ishin mjete bashkëudhëtareve të përjetshme, çobani u binte dhe i shfrytëzonte si mjet argëtimi në vetminë e jetës baritore. Me to shpesh “qante” hallet apo “fliste” me veten, sikurse thuhej, shprehte dertet, shfrynte dufin apo shpaloste gëzimin e kënaqësinë teksa bënte gërshetinimin e tingujve të tyre, sikurse edhe hidhërimin. Meloditë gjithmonë dhe unë thotë Bejkushi, i kam mbështetur në motivet e këngëve dhe të valleve popullore të njohura, në vajet e grave, apo duke gërshetuar në mënyrë të përkryer tingujt e longarit me zhurmën e zileve e të këmborëve të kopesë në kullotë. Një vegël tjetër argëtimi i çobanit ishte dhe biçakun, ku me duart e tij të arta dhe me majën e biçakut, të cilin nuk e shqiste nga duart, bënte modele të ndryshme sendesh. Me biçak ai gdhendëte dhe zbukuronte çdo ditë mjete të ndryshme e pajisje familjare si furkën për tjerrjen e gjilmitreve, lugën. Luga, sipas rastit ishte me bisht të shkurtër e të gjerë me zbukurime e deri me bilbil në pjesën e sipërme për t’i fryrë fëmijët; me bisht të gjatë për ngrënie apo trazimin e gjellës. Po kështu me biçak përgatiste krehërin, çibukun, kërrabën, bastunin, rrathët për varien e zileve e këmborëve të bagëtisë, bishta druri për veglat bujqësore, djepin etj. Mjeshtëria e gdhëndjes së drurit në Smokthinë e Labëri fillimisht lidhet me punën e çobanit. Sopata ishte mjet që përdorej gjerësisht nga çobani. Me to përgatiste mjete të ndryshme të domosdoshme për familjen e stanin. Në stan ai mbante edhe hellin për pjekjen e mishit, si dhe thuprën për kukurecin me të brendshmet e bagëtisë, si pjesë të pandara të çdo stani. Për prodhimin e tyre mjeteve shfrytëzohej druri i arrës, lajthisë, thanës, bushit, panjës, frashërit etj. Për çobanin, çdo i huaj që i bujtëte në stan, ishte mik, Dhe miku i panjohur pritej me mish të pjekur në hell, si miku më i shtrenjtë.
Çobani dhe qentë e tij
Qeni është shok i ngushtë dhe i pa ndarë i çobanit. Pa të nuk do të ishte e plotë figura e tij. Por nuk kuptohej as kryeria e detyrës për ruajtjen e gjësë së gjallë nga kafshët e egra dhe nga kusarët. Qeni ishte kafsha e parë mishngrënëse që kishte zbutur njeriu. Mbeti ndihmës i pazëvendësueshëm dhe i pa ndarë i hallit dhe i rrrezikut të çobanit. Sipas rastit dhe llojit, ai mund të ishte i racës: paralajmëruese të rrezikut (kuptohej nga të lehurat se përse lehte, për njerëz, kafshë të egra etj.); qen sulmi mbi kafshët e egëra që mund të cënonin kopenë, apo edhe mbi hajdutët. Por edhe në vartësi të llojit të kopesë që ruante. Për kopetë e dhëne ishte qen më i ngadalshëm, por më i fortë, për shelegët e këcerit, qen i shpejtë dhe i shkathët, sidomos për të diktuar e sulmuar grabitqarë të vegjël si dhelprën, çakallin, kunadhen që përbënin kërcënim për shelegët. Qeni vlerësohej si “syri” dhe “veshi” i pazëvendësueshëm me asgjë tjetër i çobanit. Çobani me tufa të mëdha bagëtish mbante me vete disa qen, si në kullotë edhe në nome, apo në stan. Zakonisht mbante dy çifte me nga 2-3 qen. Njeri duhet të ishte femër, pasi vlerësohej se u jepte kurajo qenve meshkuj në luftë me egërsirat. Gjatë kullotës qentë zakonisht vijnë rrotull kopesë apo qëndrojnë në gatishmëri, në vende më të ngritura, nga mund të vrojtojnë më mirë e nga larg rrezikun. Kur kopeja futej në nome, disa nga qentë qëndronin brenda nomes, ku dhe u çohej ushqimi, ndërsa të tjerët, qëndronin apo lëviznin në vende të caktuara jashtë saj. Në saj të aftësisë së lartë të nuhatjes, dëgjimit të mprehtë e këtej aftësisë për të dalluar llojin e rrrezikut, qeni zakonisht i paraprin me shpejtësi daljes në drejtimin nga afrohet rrreziku. Gjatë shtegëtimit apo daljes e kthimit të kopesë nga kullota, ai ndihmon çobanin edhe në udhëheqjen dhe ruajtjen e kopesë apo edhe në kthimin e anës së tyre gjatë kullotjes etj. Çobani mbante një komunikim të veçantë me qentë. Për këtë ai nuk lodhej duke i përkëdhelur dhe mësuar edhe me huqet e tij. Ndaj edhe qeni e kuptonte se çfarë kërkonte i zoti, jo vetëm nga toni, thërritja në emrin e tij, por edhe nga lëvizjet e deri te mimika e fytyrës. Zakonisht secilit u vinte emra të veçantë, kryesisht emra njerëzish që, kur tu fliste apo t’i ndillte, të krijonte përshtypjen se në stan, apo me kope në kullotë, janë më shumë njerëz.
Urimi, edhe një shekull me bagëtinë
Bejkushi tregon dhe shumë ndodhi të ndodhura gjatë gjithë jetës çobanore, të ndodhur si në kooperativën bujqësore, por dhe në kohën e shpërbërjes së tyre dhe të fillimit të ndërtimit të kopeve private. Është një rrugëtim i gjatë për më tepër se gjysëm shekulli pranë deles dhe jetës baritore. Kështu atje në stan, në malin Tartar u bë dhe një festë për përvjetorin e 65 të çobanit me përvojë dhe me eksperiencë të madhe, Bejkush Canaj. Urimi i të gjithëve ishte për një jetë shekullore me bagëtinë dhe shëndet e lumturi në familje, i cili tashmë është bërë gjysh. Atë ditë ai bëri dhe përurimin e stanit të ri, por duke ruajtur ca relike të jetës çobanore, pasi në stan tani ka pajisje të reja dhe nuk mund të krahasohet me jetën e mëparshme të çobanit.

Bernard Zotaj!Malet e shqiperise ,deri me 1950 gelonin nga dhente e dhite.Eshte teme gjate per shkatermin qe Enveri i beri kesaj pasurie kombetare.Me ardhi mire qe dikush u kujtua qe kemi ket pasuri.Vleresim.
Shkrim gjithe jete e gjalleri qe ta jep puna ne blegtori.
Mallkuar qofte kush e ndau Labin nga malet me trendeline,nga bejkat e kaleshkat dhe e dergoi zabit partizan te vrase malesine dhe kosoven.
Mallkuar dy here kush e beri me spaleta,qe te behet XHANDAR i Atdheut per 45 vjet,qe te duroje ky popull marxizem-enverizmin fitimtar.
Mallkuar “demo” dhe “saliu” qe na shkaterruan familjen, na bene femrat kurva, na moren mallin e parate, na bene drogaxhij, na falen atdheun te huajve, na vrane e prene e vodhen si u deshi qejfi. Do pyetur Dante Aligheri mbase ju siguron ndonje vend ne ferr se drejtersia shqiptare ka vdekur. Te fala mendjes “demo”, se te ka lene!