Testi i praktikës për infermierët dhe specialistët e tjerë të diplomuar në shkenca mjekësore teknike do të zhvillohet në javën e fundit të muajit tetor.
Rezultatet pozitive të këtij testi janë vendimtare për të vijuar më tej procedurat e konkurimit për sigurimin e lejes së ushtrimit të profesionit si: infermier, fizioterapist mami, logopedi, teknik mazherie, dhe teknik laboratori, si në strukturat mjekësore publike, ashtu edhe në ato private.
Autoritetet e Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë kanë detajuar tashmë edhe datat konkrete në të cilat do të zhvillohet vlerësimi i aftësive praktike për secilin prej këtyre profileve.
Sipas afateve të vendosura provimet për praktikën e detyruar profesionale do të zhvillohen ndërmjet datave 24-31 tetor.
Për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia e Covid-19, për secilin specialitet testi do të zhvillohet në një ditë të përcaktuar, teksa do të duhet të respektohen të gjitha masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të reduktuar rrezikun e përhapjes së këtij infeksioni.
Për provimet që do të zhvillohen nga datat 24-28 tetor kandidatët do të duhet të paraqiten në ambientet e Dispacerisë së Tiranës.
Ndërsa testimet e datave 28-31 tetor do të zhvillohen në “Bookstore” tek Albanian University. Gjatë ditëve në vijim do të shpallet edhe lista zyrtare e kandidatëve që kanë të drejtë të hyjnë në testin e vlerësimit të praktikës, dhe se për secilin prej tyre do të jetë i specifikuar data dhe ora se kur duhet të paraqiten pranë komisionit të ekspertëve për të zhvilluar testin e praktikës profesionale.
Lidhur me vlerësimin e këtij provimi, praktika profesionale konsiderohet e kryer vetëm pas marrjes së vlerësimit pozitiv në këtë testim. Vlerësimi i praktikës cilësohet pozitiv në rastet kur kandidati siguron nga komisioni 50-100 pikë. Kur kandidati vlerësohet me më pak se sa 50 pikë duhet të ripërsërisë provimin, por vetëm gjatë vitit të ardhëshëm, kohë në të cilën do të zhvillohet edhe sezoni i rradhës i testimeve të praktikës”, përcaktohet në rregulloren e provimit.
Sigurimi i lejes së ushtrimit të profesionit!
Vetëm kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e radhës të provimeve për licencat e reja që pritet të zhvillohet në mbyllje të këtij viti.Testimi i licencës do të jetë i informatizuar dhe çdo kandidat duhet të paraqitet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit për të plotësuar testin me alternativa online.Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve, QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës.
Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara.
Testet e vlerësimit të aftësive praktike do të zhvillohen në këto data:
- Në datën 24 tetor do të zhvillohen testimet e praktikës në profilin mami.
- Në datën 25 tetor do të zhvillohen testimet e praktikës në profilin logopedi.
- Në datën 26 tetor do të zhvillohen testimet e praktikës në profilinTeknik Imazherie.
- Në datën 27 tetor do të zhvillohen testimet e praktikës në profilinTeknik Laboratori.
- Në datën 28 tetor do të zhvillohen testimet e praktikës në profilin Fizioterapi.
- Në datat 29-30-31 tetor do të zhvillohen testimet e praktikës në profilin Infermieri.
