Homazh për profesorin tim Bujar Hoxha

J L

Prof. Dr. Fatos Tarifa

 

Gjithnjë e kam pasur të vështirë të shkruaj për mësuesit e mi më të mirë. Jo për mungesë të fjalëve, por sepse borxhi që u kemi atyre nuk mund të shlyhet me fjalë. Edhe pse fjalët për ta kurrë nuk mungojnë, ato janë gjithnjë të pamjaftueshme e të papërsosura për të shprehur ndjesitë tona dhe emocionet që përjetojmë sa herë i kujtojmë dhe flasim për ta.

Një mësues i tillë ka qenë për mua Bujar Hoxha. Nëse do të ishte mes nesh, sot ai do të ishte 100 vjeç. Ky përvjetor i lindjes së tij—që shënon njëherësh edhe 15-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta (më 5 tetor 2006)—më motivon të shkruaj këto radhë, jo thjesht për të thënë se si e kam njohur dhe ç’ka qenë për mua ky njeri (këtë mund ta bënin edhe qindra të tjerë, ish-studentë të tij), por për t’i vënë personalitetin dhe kontributet e tij akademike në kontekstin historik e shoqëror të kohës kur ai jetoi e punoi. Si sociolog, unë mendoj se kjo është mënyra më e mirë për t’i vlerësuar kontributet individuale të njerëzve që ne i konsiderojmë të shquar.

 

* * *

 

Bujar Hoxha lindi në Tiranë, më 7 shtator 1921, në familjen e shquar atdhetare të Hoxha Kadri Prishtinës. Në kohën kur ai lindi, Shqipëria kishte më pak se një dekadë që kish fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane dhe vetëm tri vite pas Luftës së Parë Botërore. Për brezin tim, të lindur një dekadë pas Luftës së Dytë Botërore, Bujar Hoxha do të mund të konsiderohej një figurë historike. Historike jo thjesht në kuptimin temporal të fjalës, por sidomos në raportet e tij me historinë politike dhe intelektuale të Shqipërisë.

Shkollën fillore dhe atë unike Bujar Hoxha i kreu në Tiranë, ndërsa shkollën e mesme e nisi në Shkodër dhe e përfundoi në Gjimnazin e Tiranës. Qysh me fillimin e lëvizjes nacional-çlirimtare ai kreu një veprimtari të dendur në gjysëmilegalitet në radhët e njësiteve guerile të kryeqytetit, veprimtari për të cilën, në vitin 1942 u arrestua dhe për gati një vit u mbyll në burg. Pas largimit nga burgu shkoi në Kosovë, ku vazhdoi me përkushtim luftën kundër pushtuesve fashistë.

Pas çlirimit të vendit, në vitin 1945, u kthye në Shqipëri. Shqipëria e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore ishte vendi i një varfërie dhe paditurie të madhe. Nevojat ishin të mëdha, të pafundme, urgjente. Duhej bukë për të ushqyer popullsinë e varfër e të shumëvuajtur; duheshin mjekë për të luftuar sëmundjet e përhapura në masë dhe për të mbrojtur e përmirësuar shëndetin e popullsisë; duheshin inxhinierë për të ndërtuar një Shqipëri të re mbi shkatërrimet dhe rrënojat e Luftës; duheshin agronomë e veterinerë por, mbi të gjitha, duheshin mësues për të ushqyer mendjet e një popullsie masivisht analfabete dhe për të arsimuar brezat e rinj të shqiptarëve.

Ky kontekst historik do të duhej të ishe zanafilla për vlerësimin e shumë figurave të shquara që i kontribuuan zhvillimit kulturor e shoqëror të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore, ndër të cilët, Bujar Hoxha ka qenë një ndër më të spikaturit.

Çlirimi i vendit i hapi rrugë realizimit të ëndrrave të tij intelektuale. Së bashku me një grup intelektualësh, Bujar Hoxha ndihmoi për ringritjen e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, në të cilën, gjatë vitit 1946, ai punoi si shef seksioni. Në vitin 1947 shkoi në Beograd për të ndjekur studimet e larta për filozofi. Studioi dy vite në Universitetin e Beogradit, por me prishjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë u detyrua që pjesën tjetër të studimeve të larta për filozofi t’i vazhdonte në Universitetin e San Petërsburgut, ku dhe u diplomua në vitin 1951. Si një prej studentëve të brezit të parë që u dërguan të studionin jashtë vendit pas Luftës, Bujar Hoxha u kthye në Shqipëri në vitin 1951 dhe filloi punë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë. Po atë vit, për ata që nuk e dinë, pra më 1951, filozofi dhe logjicieni i ri Bujar Hoxha, i cili, dy dekada më vonë, do të bëhej profesori im i logjikës, fitoi kampionatin kombëtar të shahut për klubin “17 Nëntori”. Në fakt, ai është një ndër pionierët dhe mjeshtrat e parë të këtij sporti në Shqipëri dhe, për shumë vite me radhe, ka qenë trajner i ekipit kombëtar të shahut.

Instituti i Lartë Pedagogjik u bë institucioni i parë i arsimit të lartë në historinë e Shqipërisë dhe pedagogët e tij, të cilët, 6 vite më vonë, më 1957, themeluan Universitetin e Tiranës, ishin dhe mbeten etërit e arsimit të lartë dhe të shkencës shqiptare. Në radhën e këtyre njerëzve të shquar ka vendin e vet, të merituar e shumë të spikatur, edhe filozofi Bujar Hoxha.

 

* * *

 

Bujar Hoxha dhe çdonjëri prej intelektualëve të shquar shqiptarë të brezit të tij kishte individualitetin e vet, por askush prej tyre nuk ishte një dukuri e rastit në realitetin shqiptar të asaj kohe. Teoria e “hapësirës së vëmendjes intelektuale”, e formuluar nga sociologu i njohur amerikan Randall Collins, shpjegon se krijimtaria intelektuale dhe zhvillimi intelektual i një shoqërie stimulohen shumë edhe nga kontaktet personale të intelektualëve të shquar të kohës, të cilët janë formuar nën ndikimin e së njëjtës shkollë mendimi, ose vijnë nga shkolla të ndryshme.

Shkëmbimet mes tyre dhe atmosfera intelektuale që ata krijojnë në shoqërinë e tyre motivojnë zhvillimin e mendimit dhe progresin intelektual të shoqërisë dhe vetë ata bëhen—individualisht dhe bashkërisht, si kolegë ose miq—të njohur për “publikun e lexuar” të vendit të tyre, nëse përdor një shprehje të Kantit.

Collins argumenton se, intelektualë të tillë zhvillohen së bashku. Hegel, Schelling dhe Hölderin, sipas tij, janë një prej shembujve që ilustrojnë argumentin e tij. Kur ata ishin të rinj, shokë mes tyre dhe, në periudhën e hershme të karrierës së tyre u njohën me Fichte-n, që ishte edhe ai në fillimet e karrierës së tij, u bënë së bashku figurat më të famshme të lëvizjes së Idealizmit dhe të Romantizmit Gjerman, që ishte lëvizja e një komuniteti të ngushtë intelektualësh. Marrëdhëniet e filozofit Jean-Paul Sartre me miqtë e tij Simone de Beauvoir, Merleau-Ponty, Canguilhem, Aron dhe Lacan, të cilët, si grup, me diskutimet e tyre energjike, u bënë baza e ekzistencializmit dhe e lëvizjeve intelektuale të mëvonshme në Francë, janë një tjetër shembull.

Kreativiteti intelektual, veçanërisht në kohët moderne—por edhe më parë, nëse mbajmë parasysh filozofët e lashtë grekë, poetët dhe filozofët romakë, Morin, Erazmin dhe bashkëkohësit e tyre, iluministët skocezë, enciklopedistët francezë etj.—rrallë herë është produkt i përpjekjeve të një individi të vetëm; përgjithësisht, ai është produkt i përbashkët i energjisë intelektuale dhe emocionale të individëve që janë në kontakt me njëri-tjetrin dhe—kolektivisht e intensivisht—të orientuar ndaj krijimtarisë në një fushë të caktuar të dijes, ose në një projekt të madh intelektual për kohën e tyre.

Collins argumenton se komunitetet e krijuar mbi bazën e interesave dhe të vizioneve intektualë të njëjtë stimulojnë më shumë krijimtari, ndikimi i së cilës ndihet jo vetëm horizontalisht, tek intelektualët e të njëjtit brez, por edhe vertikalisht, te brezat e intelektualëve dhe studiuesve më të rinj. Ky është edhe rasti i asaj plejade njerëzish të shquar që themeluan arsimin e lartë dhe përpjekjen shkencore në Shqipërinë e viteve 1950-1960 dhe Bujar Hoxha ishte një prej tyre.

 

* * *

 

Unë bëj pjesë ndër ata njerëz fatlumë që kanë qenë studentë të disa prej profesorëve më të shquar që kanë dhënë mësim në Universitetin e Tiranës deri më sot. Gjithmonë kam thënë—dhe s’do të rresht së thëni—me krenari, se mësuesit e mi në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike kanë qenë Bujar Hoxha, Zija Xholi, Alfred Uçi, Luan Omari, Tefik Çaushi, siç kanë qenë më vonë kolegë shumë të respektuar Arben Puto, Hamit Beqja etj. Një grup më i shkëlqyer profesorësh zor se mund të ketë dhënë ndonjëherë mësim në Universitetin e Tiranës. E konsideroj një nder të veçantë që kam pasur fatin të kem qenë një ndër ata studentë që ka dëgjuar leksionet e tyre të informuara e të mençura dhe do u mbetem përherë mirënjohës për gjithçka që ata kanë bërë për ne, studentët e tyre të asaj kohe.

Studentët dhe të rinjtë e sotëm nuk i kanë njohur dhe mund të mos i kenë dëgjuar emrat e kësaj aradhe njerëzish të shquar. Është detyrë dhe përgjegjësi e jona që t’u themi se cilët ishin dhe ç’merita kanë ata në zhvillimin e arsimit të lartë, të shkencës e të kulturës në Shqipëri. Me pak fjalë, unë do u thoja të rinjve të sotëm se këta njerëz ishin ata që vunë themelet e arsimit të lartë në vendin tonë, i cili u baza e zhvillimit modern të shoqërisë shqiptare. Ata ishin të parët shkencëtarë të vërtetë të popullit shqiptar, ata që shkencën e shndërruan nga anekdotë dhe ëndërr, në profesion dhe në institucion.

Njerëz të tillë u bënë supet mbi të cilat qëndruan e vazhdojnë të qëndrojnë shumë nga shkencëtarët dhe studiuesit shqiptarë që erdhën më pas. Ata ishin një shkollë e madhe për të gjithë ne, dhe unë, pa hezitim, do ta krahasoja rolin dhe kontributin e tyre në zhvillimin e shkencës e të humaniteteve në kushtet e Shqipërisë së pas Luftës me atë të enciklopedistëve të mëdhenj francezë në kushtet e Francës pararevolucionare.

Bujar Hoxha ishte profesori im i logjikës në Universitetin e Tiranës, në mesin e viteve 1970. Ai ishte një filozof i klasit të parë—i ditur, hijerëndë, imponues, bindës për këdo që e dëgjonte dhe komunikonte me të, përveçse një burrë i pashëm dhe një gentleman i vërtetë. Për ne, studentët e tij në atë kohë, ai ishte profesori që gjithnjë e dëgjonim tërë kohën me vëmendje. Prej Prof. Hoxhës mësuam mbi Shkencën e logjikës së Hegelit dhe bazat e logjikës formale. Teksti i tij i Logjikës ishte ndër të paktët tekste filozofikë në atë kohë. Ai tekst dëshmonte erudicionin e tij, si dhe logjikën e mprehtë prej një filozofi dhe një mjeshtri të lojës së shahut.

Shkenca e logjikës dhe shahu ishin thuajse njëlloj forma të kreativitetit të mendjes së tij, e cila ishte gjithnjë në lëvizje, gjithnjë në kërkim. Ne, studentët e filozofisë në ato vite, Logjikën e studionim si një nënfushë, si një nëndisiplinë të filozofisë. Kjo s’do të thoshte se ajo ishte një fushë “më e vogël”, pasi, pavarësisht “gjenealogjisë” së përbashkët me filozofinë, vetë Logjika (logjika formale dhe ajo dialektike) është një disiplinë filozofike më vete. Ajo ka kredencialet e veta akademike dhe Prof. Hoxha e bëri atë një disiplinë të dallueshme nga filozofia që mësonim në shkollë në atë kohë.

Por, në marrëdhënie me Prof. Hoxhën, unë kam pasur privilegjin, që jo çdokush e ka pasur në atë kohë, të mësoja nga njohuritë, nga vërejtjet dhe sugjerimet e tij kur shkruaja disertacionin tim të parë. Bujar Hoxha ishte njëri ndër dy profesorët e mi, që në mënyrë skrupuloze e shqyrtuan studimin tim të parë të mirëfilltë akademik dhe e vlerësuan atë të denjë për të marrë gradën e parë shkencore. Ai ishte një mësues i vërtetë për ata nga ne, që zgjodhëm, ose që na u dha mundësia të bëheshim pjesë e botës akademike në atë kohë.

Emri dhe vepra e Prof. Bujar Hoxhës është e lidhur ngushtësisht edhe me Kosovën, të cilën aq shumë e donte jo thjesht si vendin e origjinës së tij, por si pjesë organike e atdheut të copëtuar padrejtësisht. Për Kosovën, krahas veprimtarisë së njohur të tij në vitet e luftës nacional-çlirimtare, ai dha një ndihmesë të vyer si anëtar i të gjitha delegacioneve të Universitetit të Tiranës që kanë nënshkruar marrëveshjet e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës, si lektor në atë universitet dhe si pjesëmarrës tejet aktiv në një varg simpoziumesh shkencorë.

Veprimtaria e gjatë dhe e spikatur pedagogjike e shkencore e Prof. Bujar Hoxhës njohu një ndërprerje të shkurtër në periudhën 1981-1982, kur ai u ngarkua me një mision të rëndësishëm diplomatik në detyrën si Ministër Fuqiplotë në Ambasadën e Shqipërisë në Ankara. Aktiviteti diplomatik i tij është një tjetër shembull i përkushtimit dhe ndjenjës së lartë të përgjegjësisë që Prof. Bujar Hoxha manifestoi kudo. Në Tiranë dhe në Prishtinë, Prof. Bujar Hoxha dhe vepra e tij në shërbim të vendit dhe të kombit shqiptar janë nderuar me shumë medalje e dekorata të larta.

 

* * *

 

Sot bëhen 15 vite që Prof. Bujar Hoxha nuk është midis nesh. Pothuajse i tërë brezi i tij janë ndarë nga jeta. Dy a tre radhazi në çdonjërën prej dekadave të fundit—Çabej dhe Paparisto qenë të parët. Pas tyre u shuan Buda, Radovicka e Kostallari. Bujar Hoxha e Mahir Domi u shuan në vitet e para të këtij shekulli, për të marrë me vete Beqjen, Xholin, Demirajn, Puton, Uçin disa vite më vonë. E gjithë kjo klasë njerëzish të shquar të shkencës e të kulturës shqiptare—dhe të tjerë të ngjashëm me ta—janë ndarë nga ne.

Ne i kujtojmë ata me shumë respekt e mirënjohje dhe i vlerësojmë kontributet e tyre—veçanërisht sot, në këtë kohë krize të thellë arsimore e kulturore, në këtë kohë zhbërjeje të madhe intelektuale në vendin tonë njëlloj si kur ishin gjallë. Shumë nga ne e ndiejmë mungesën e pranisë fizike të tyre, por jo mendimin, këshillën, veprën e tyre dhe as kujtimet tona për ta. Këto mbeten me ne. Janë dhurata që na lanë të gjithëve ne që mësuam prej tyre.

Në fakt, jo vetëm i kujtojmë dhe i çmojmë, por edhe kemi mall për ta. Është njerëzore! Është jo vetëm një mall njerëzor, por edhe një mall intelektual. Sepse, bashkë me atë klasë të përkryer intelektualësh shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, u shua thuajse edhe ajo atmosferë dhe ajo sipërmarrje intelektuale akademike—kolektive dhe refleksive—që stimulohej nga kontaktet personale e miqësore që ata kishin dhe zhvillonin me njëri-tjetrin. Dhe po kështu u fragmentarizua dhe u dëmtua edhe ajo trashëgimi intelektuale që, siç thotë Collins, ndikon “vertikalisht” në formimin e intelektualëve dhe të studiuesve të rinj.

Është në vetë ADN-në e dijes shkencore që, me kalimin e kohës, ajo diferencohet, parcelizohet, jo për ta bërë më të vështirë kërkimin shkencor, por për t’iu qasur në një mënyrë sa më holistike të vërtetave shkencore. Tek ne ka ndodhur dhe ndodh jo kjo dukuri bashkëkohore, por një fragmentarizim dhe tjetërsim i mjedisit intelektual, që e dobësojnë dhe e pengojnë progresin intelektual të shoqërisë.

Periudha kur jetuan dhe krijuan ajo klasë e shquar intelektualësh shqiptarë, pavarësisht tipit të sistemit shoqëror, kishte një Zeitgeist—një “frymë të kohës”, çka edhe bën të mundur të flasim për një histori intelektuale të asaj kohe. Periudhës së sotme i mungon një “frymë” e tillë, e cila do të ndihmonte për të kuptuar ndryshimin e rrethanave shoqërore, ekonomike e politike të shoqërisë shqiptare në dekadat e fundit dhe, ndoshta, pikërisht për këtë arsye, në fushën e mendimit dhe në praktikën shoqërore vëmë re të rikthehen disa nga ortodoksitë e vjetra.

Bujar Hoxha jetoi një jetë plot qëllime dhe arritje. Ai, si çdo mësues i madh, kreu një mision fisnik, për të cilin do të mbahet mend për një kohë të gjatë. Nëse huazoj fjalët e shkrimtares së njohur angleze, George Eliot (Mary Ann Evans), do të thoja se “njerëzit që vdesin nuk janë të vdekur për ne për aq kohë sa ata nuk harrohen”. Jeta e tyre, thoshte Ciceroni, vazhdon në kujtesën e të gjallëve.

Share This Article
7 Comments
  • Cfare lidhjesh ka patur ky Bujar Hoxha me Sali Berishen dhe emerimet ne qeverine e pare tew PD.A eshte ky eminenca gri e PD?
    A ishte ky Sorosi i PD,qe solli ne krye te SHIK,fameziun kryetar Bashkim Gazided nga Peshkopia?
    Une me mire lexoj Sevon se e di ku daullja e tij,se te lexoj ty qe ha buken e kauurit dhe ben duane e Islamit.

  • Nuk e kuptoj kete masterbim te Tosin per B.Hoxhen
    .
    Shume njerez si ky tipi nga pamja e jashtme duken terheqes si p.sh nje ajsberg akulli mbuluar me bore qe lundron ne oqeanin ( e multi-sherbimeve sekrete) por pjesa nen uje eshte e fshehur dhe shume e rrezikeshme sa qe mbyt dhe Titaniket (lexo Shqiperine)
    .
    Le te ndjekim ca sekuenca nga denoncimet e Izet Haxhise ( per te cilen fliten thashetheme qe eshte “zhdukur me mirekuptim”

    Izeti thote:

    Interesant eshte fakti se PD vertet u krijua ne shtepine e Gramoz Pashkos por drejtuesit e ardhshem qe do merrnin postet drejtuese ne PD dolen nga shtepia e profesor Bujar Hoxhes, një shqiptar me origjine nga Kosova, rezident i sigurimit te shtetit me vone i sherbimit sekret serb. Ky njeri kishte një pushtet të fuqishem tek Berisha.

    Nga ky person u futen ne PD klanet e Dibres me Gazideden e Zhulalin qe ishin te lidhura me sherbimin sekret maqedonas; Leka Toto, Tomorr Dosti dhe Xhahit Xhaferi, të persekutuar por te lidhur e sigurimin e shtetit nga ana e Vaske Afezollit, një oficer i sigurimit të shtetit që ishte kunati i Bujar Hoxhes. Në shtëpine e Bujar Hoxhës doli grupi i Tritan Shehut.

    Në këtë shtëpi Berisha takohej edhe me eksponte te sigurimit. Një nga këta persona ka qënë edhe shefi i kunderzbulimit me jashte të sigurimit me origjine nga Dibra e me emrin Nurullah Zebi. Sic duket ky person dinte shumë për lidhjet e Berishës gjatë specializimit në Francë. ( FUND CITIMI NGA IZETI)
    .
    Nuk jam i sigurte qe ky Bujari Jezus i Fatos Tarifes eshte dhe UDBujari i Izetit por nese eshte i njejti person turp per Pordhesor Tosin qe na ngre ne qiell Mentorin dhe Ideatorin e Saliqenit qe bashke me Elezin ( bibe berrin) jane baballaret e Serberishes

    • Edhe unë i kam lexuar këto që shkruani « real story » dhe kam bërë pyetje në se janë të vërteta. Jam bindur që janë të vërteta kur kam dëgjuar vajzën e tij, Nevila Nika, ish Drejtoreshën e Arkivës së Shtetit, se me çfarë gjuhe ekstreme flet për sistemin monist!!! Me këtë gjuhe nuk kanë folur as të persekutuarit e atij sistemi, ndërsa z. Nevila pati privilegjet si asnjë tjetër. Pra, me këtë familje ka ndodhur fenomeni i mbulimit i veprimtarisë së tyre, dhe aktivizimi në një rrethanë tjetër, gjithmonë në dëm të Shqipërisë. Fjalët e mira që shkruan z. Tarifa nuk kanë vlerë pa evidentuar aktivitetin e z. Bujar pas viteve 1990.

  • Bij cobanesh kemi qene
    Kemi fjetur nene tende,.
    Nuk beheni ju.Nuk beheni,o Fatos..Brezi juaj e shkaterroi gjithe cka u ndertua per 50 vjet.
    Emnver Hoxha e ndertoi socializmen duke shfrytesuar punen dhe dijen e Borgjezeve te ditur dhe ju kapadaijte analfabete te luftes,ishit drejtorat.
    Juve bij cobanesh nuk ju kishte llogaritur filozofer Enver Hoxha.Filozof ishte vete Ay.
    Yve u kishte llogaritur me kerbac ne dore,,qe te shtronit ne pune sklleverit borgjeze,feudale,bejlere,agallare,kulake,,
    Per te punuar nen hyqem ne lemin e luktures,teknikes,industrise,bujqesise,gjuhesise,,etj..kishte sklleverit qe kishin mbaruar shkollat ne Perendim.
    Ja,i perdori nInxhinierat me dhiploma vjeneze te kenetes se Maliqit,pastaj i pushkatoi si sabotatore.
    Po pse nuk e dinte enver hoxha,qe femijet e tij,femijet e Sulos,femijet e Sevos,ishin tapa topi,?.
    Se po te kishit qene te ditur ju,nuk merrte nga burgu,feudalin reaxionar Jusuf Vrioni te perkthente veprat e tija. U merrte ju.
    As jot bije nuk behet,,Edhe ajo u kokoleps me anglishten atje ne Europian,sa u be Estrade.
    Jalla brezi katert,behet,a s`behet..
    Ja,pse e mban ate pajaten University Nord Caroline prapa kurrizit ?.:I ndjeri i dituri,skllav i kultures Jusuv Vrioni nuk mbante pjata dhe tenxhere per tu dukur.
    Ju cobanet e Jugut,i doni nja kater breza te mire qe te beheni qytetare,kurse ata idjotet e shejtanzuar te Vucidolit,,Ata as per 7 breza nuk behen.
    Ja,ma tha mua nje plak nga Tropoja ne Janar 91.
    Berisha dogji Malsine,Berisha do djegi Shqiperine.
    E tha me vule.
    Stergjyshi Berishes dogji kishen,gjyshi Berishes dogji fshatin,Berishe dogji Shqiperine,djali Berishes dogji Gerdecin.
    Jane familje PIRROMANESH.
    Do ure zjarri,shko merr tek Berisha.
    Tradita eshte shkence ne vete,qe nuk te le ne balte.
    Turqit e Stambollit,ua kane ditur TABIATET popujve,kaqq mire,sa i mbajten nen hyqem 500 vjet.
    Ushtaret i merrnin ne Kosove,,Subashet(rreshteret) i merrnin ne Laberi,Tregtaret i merrnin ne Selanik,ndertuesit i merrnin ne Diber,Sheqerxhijt i merrnin ne Gurakuq,Dijetaret,Ulemate,qeveritaret,i merrnin ne Berat,punetoret i merrnin ne Fushe te Korces,Ahengxhijte i merrnin ne Elbasan,kuajt i merrnin ne Polog,yzmeqaret i merrnin ne Myzeqe,sherrxhijte i merrnin ne Peqin,zjarrvenesit i merrnin ne Tropoje.

    • Pershendetje Demo !
      Ne 1 mije komente qe shkruani nje ke sagllam si ky I sotmi.Eshte fakt qe nje shumice e cilesuar e femijve te bllokut u rriten ne kulle te fildishte dhe u larguan nga realiteti dhe ne fakt u bene si “bij agallaresh te kuq” ..sidoqofte behen dhe perjashtime si psh Agron Peci qe ti e njeh..Ishin dhe ca qe rrinin ne ”gardhin bllokut” si Edi Rama apo Tos Tarifa qe I kishin “full” benefitet e bllokut dhe hanin ne dy krahet..
      .
      Shkurt Nuk urrej njeri ne jete por tipa si Tos Tarifa na detyrojne me zor ti urrejme per shume aresye qe ju I rrjeshtoni qarte..Pra nese Enveri apo Sevo ishin idealiste dhe gabuan te detyruar nga koha , ideologjia e tyre dhe ashpersia e goditjes nga kundershtaret..kurse ky Tosi eshte I vetmallkuar sidomos me kete UDBujarin e leshit..ne kete artikull po leshi..

  • Gjithnje shkrimet e Tarifes sepse te kujtojne ate skecin e famshem: Doni me per Belulin (Fatosin) ?! Nderkaq Tarifa ka harruar te permende ndonje veper te prof. Hoxhes ?!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *