Vargje të zgjedhura lirike

Ornela

Të kam thënë…

Të kam thënë-moj flutur,
po ti nuk përgjigjesh:
“Mos ju afro flakës,
në s’do që të digjesh!”

Të kam thënë-moj flutur,
po ti më mërzitesh:
“Mos iu afro dallgës,
në s’do që të mbytesh!”

Të kam thënë sërish,
po ti s’dorëzohesh:
“Mos iu afro dritës,
në s’do të verbohesh!”

Të kam thënë-moj flutur,
po dhe ti më thua:
“Dhe flakën-dhe dallgën,
dhe dritën e dua!”

Dhe flakën-dhe dallgën,
dhe dritën e dua,
nuk e njohu frikën,
kush u dashurua!

Korrik, 2005

Pa titull

Kujtoj me mall një dashuri që pata,
e gdhendur në zjarr porsi shpata,
kujtoj me mall një zjarr-një dashuri,
në zjarr u gdhend dhe po aty u shkri!

Gusht, 2004

Pa titull

I këndove-Esenin-Shaganesë,
dhe s’doje veç saj një tjetër nuse,
ti më habit-i dashur-për besë,
unë do kisha vdekur për një ruse…

Stamboll, 25.01.2005

Si do të rrosh ti pa mua?!

Më fal njëqind vjet-i thashë Zotit,
përpara se të nis të madhin gjumë,
njëqind vjet-por jo për veten time,
t’i dhuroj tek njerëzit që dua më shumë.

Dhe Zoti-si Zot i vërtetë,
menjëherë njëqind vite m’i fali,
mua mëndja më shkoi menjëherë,
t’i falja te vajza-te djali.

Po dot nuk ua fala të gjithë,
edhe pse s’kisha pengesa,
ndaj pjesën tjetër që mbeti,
e ndava tek nipi dhe mbesa.

Kur të njëqind i dhurova,
më foli ajo që kam grua,
më tha me sy të përlotur:
“Ca vite dhe unë i dua!”

Eh-moj e dashur-i thashë,
të të fal me qindra unë dua,
po në një botë kaq të egër,
si do jetosh ti pa mua?!

Prill, 2016

Pa titull

Për syrin e verbuar je drita,
për veshin e shurdhër kambanë,
për helmin dhe dhimbjen je prita,
për gazin një det i paanë.

Për zemrën time je roje,
rri pret shigjetat me majë,
se vetëm për vete më doje,
ma ngule shigjetën pastaj!

Tiranë, 2005

Share This Article
2 Comments
  • PORDHË ME RIGON

    Pasi shëmbën Teatrin Kombëtar,
    kinematografia u promovua,
    të gjithë për të parë agjentin 007,
    “elita” njëri me tjetrin u fotografua.

    Veshur e ngjeshur si n’pasarelë,
    duke shkelur në tapetin e kuq,
    kujtuan se do tregonin shkëlqimin,
    por qe zhgënjim total, iu doli huq.

    Shitësi i fiqve Lali Eri s’mungoi,
    as Kryeprokurori, as Kryepolici i ri,
    as guvernatorja Kim, as ai britanik,
    veç opozita dhe Likja, ngelën n’shpi.

    Të gjithë tok në këtë eveniment,
    sikur kushedi se ç’kishte ndodhur,
    thjesht premiera e një filmi anglez,
    që vazhdimisht sukses ka korrur.

    Mos vallë do vinte aktori kryesor,
    mos vallë n’film luante ndonjë shqiptar,
    mos vallë në Shqipëri do shihej falas,
    por jo, asgjë, thjesht kotllëk i paparë.

    Dukej e gjitha si fshati në festë,
    sikur sa na erdhi kolonizatori i ri,
    i cili do na tregojë se ç’është arti,
    tash s’kemi nevojë për pushtetin parti.

    U duk si dikur shoku Enver Tarasi,
    shkoi te shtëpia e Xha Brahos së shkretë,
    e atje duke rrëkëllyer rakinë e pyet kot,
    “A di ti Xha Braho si ta bësh rakinë vetë”?

    Rëndësi s’ka fare se panë një film,
    qoftë ky më interesanti në botë,
    rëndësi kanë fotot me ambasadorët,
    që t’i tregojnë popullit pordhë kot.

    Çfarë mjerimi, si jemi katandisur,
    ne artin e teatrin në gen e kemi,
    kjo politikë e fëlliqur na e neverit,
    na bën inferior a sikur budallenj jemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *