BB: Riktheni investimet e huaja në Shqipëri

anazapta

Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Tahseen Sayed, ka sqaruar në një intervistë për revistën “Monitor” se përse rritja ekonomike për vitin 2014 do të jetë në nivelin 2 për qind. Shlyerja e detyrimeve ndaj biznesit për përfaqësuesen e BB-së do t’i japë frymëmarrje ekonomisë shqiptare, duke rritur likuiditetin në treg.

Ajo çfarë do ta bënte ekonominë tonë të qëndrueshme dhe që vjen në formën e një këshille për qeverinë tonë është përshpejtimi i reformave strukturore, që lidhet kryesisht me trajtimin e nivelit të lartë të kredive të këqija për të rikthyer rritjen e kreditimit në sektorin financiar, marrjen e masave reformuese dhe investimeve të nevojshme për të kapërcyer pengesat në infrastrukturë, veçanërisht në sektorët e energjetikës dhe transportit si dhe kërkesën e vazhdueshme të institucioneve ndërkombëtare, përmirësimin e të drejtës së pronësisë në mënyrë të veçantë të asaj mbi tokën. Banka Botërore kërkon gjithashtu nxitjen e investimeve të huaja në vendin tonë, duke mos qëndruar në stanjacion, edhe pse vitet e fundit ka patur përmirësime.

 

Cili është parashikimi juaj për ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2014?

Banka Botërore parashikon që rritja reale e PBB-së për vitin 2014 të jetë 2%, pak më e lartë se në 2013-n (1.3%). Shlyerja e planifikuar e detyrimeve të prapambetura publike gjatë vitit 2014 do të mbështesë rritjen ekonomike përmes përmirësimit të likuiditetit për sektorin privat.

 

Ku duhet të tregohet e kujdesshme qeveria? Cilët do të jenë sektorët që do të “vuajnë” më shumë dhe cilët mund të ndiejnë njëfarë frymëmarrje?

Industritë nxjerrëse, bujqësia dhe shërbimet do të vazhdojnë të mbështesin rritjen në periudhën afatmesme, por në kushtet e konsumit dhe investimeve private të ulëta në  Shqipëri dhe rimëkëmbjes graduale në Eurozonë, rritja ekonomike për periudhën afatshkurtër, ka të ngjarë të mbetet modeste në nivelin 2-3%.

 

Si e parashikoni klimën e biznesit vendas, nisur edhe nga masat e reja të paketës fiskale, si dhe ecurinë e investimeve të huaja?

Niveli i borxhit publik i Shqipërisë arriti në rreth 71% të PBB-së në 2013-n. Me paketën fiskale të 2014-s, e cila përfshin rregullime të normës së tatimit të të ardhurave për korporatat, normës së tatimit për të ardhurat personale, si dhe përjashtime nga TVSH-ja, qeveria synon të reduktojë nivelin e borxhit në përqindje të PBB-së në 2015-n dhe ta ulë atë në rreth 60% në periudhën afatmesme.

Investimet e Huaja Direkte (IHD) kanë qenë modeste me rreth 3% të PBB-së deri në 2007- n, por gjatë viteve të fundit janë rritur në rreth 6% të PBB-së, të nxitura edhe nga investimet në industrinë nxjerrëse (naftë dhe miniera) dhe rikapitalizimi i sektorit bankar. Ne presim që Investimet e Huaja Direkte (IHD) të vazhdojnë në të njëjtin nivel në vitet në vijim nëse qeveria nuk do të ndërmarrë reforma të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin e biznesit.
Cilat do të ishin disa nga këshillat që do të jepnit?

Këshilla jonë është e dyfishtë: Zbatimi i buxhetit të 2014-s, si është miratuar, për të zgjidhur disbalancat e mëdha fiskale dhe për të vënë nën kontroll borxhin publik. Përshpejtimi i reformave strukturore, p.sh. (i) trajtimi i nivelit të lartë të kredive të këqija për të rikthyer rritjen e kreditimit në sektorin financiar, (ii) marrja e masave reformuese dhe investimeve të nevojshme për të kapërcyer pengesat në infrastrukturë, veçanërisht në sektorët e energjetikës dhe transportit; përmirësimi i së drejtës së pronësisë në mënyrë të veçantë i asaj mbi tokën, si dhe rritja e cilësisë së kapitalit njerëzor (arsimi dhe aftësitë). Këto hapa do të jenë shumë të rëndësishme për të rivendosur një rritje ekonomike të fortë dhe të qëndrueshme për të përmirësuar nivelin e jetesës së qytetarëve të Shqipërisë në periudhën afatmesme.

Share This Article
1 Comment
  • PSE RI-KTHENI INVESTITORET E HUAJ?

    Kur Shqypnia ka pasur Investime te Huaja nga Investitore serioze? Firmen amerikane GM&GE pertrenin elektrik Tirane Rinas e perzume me dajak dhe i paguam haracin si frengu pulen. Firmen ceke CEZ e perzume me dajak dhe tani do te paguajme haracin si frengu pulen. Kane mbetur fasonistet e Ilir Metes qe jane si shushunja qe nuk paguajne kurgje ne shtet pervec ryshfetit te LSI-ja. Kane mbetur mafia siciliane e plehrave, mafia e karburanteve dhe mafia e kromit. Prandaj edhe thirrjet per RI-KTHIM te investitoreve te huaj ne Shqypni nga BB ngjajne me shume si klithma deshperimi dhe ankth se mos shkojne per “dhjame qeni” LEKAT qe keto institucione nderkombetare po i japin nje qeverie qe kerkon te festoje me buje dhe ngazellim mbarepopullor 29 nentorin e ZI dhe LANC-in komunist, te cilet mbollen MURTAJEN bolshevike ne trojet tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *