Përshëndetje Dita! Duket se ‘statusi’ i marrëdhënieve punëdhënës-punëmarrës është bërë pak problematik pas një kërkese me shkrim për rritje të pagës, të një punëtori që punon prej gjashtë vitesh pranë një firme që tregton materiale të ndryshme ndërtimi në rrethin e Lezhës. Arsyeja pse është bërë problematike, konsiston te guximi që ka marrë punëtori për të bërë një kërkesë të tillë, për vetë faktin se, siç thuhet rëndomtë, “është tjetri pas dere, në pritje për një punë”.
Por, dhe arsyeja tjetër se ka mbi 10 vjet që është regjistruar si firmë dhe s’ka ndodhur kjo, që për mua ishte një risi e këndshme, por jo fort e kapërdishme për drejtuesin e kësaj firme. Faktin se nuk u prit mirë, e tregon edhe përgjigja që ky drejtues i kthen punëtorit të nesërmen në faqen tjetër të kërkesës, ku dukej qartë mllefi e cinizmi i derdhur rresht pas rreshti e fjalë pas fjale. Ajo që mungonte dukshëm, ishte kujdesi i tij për të mos thënë asnjë fjalë pozitive për punonjësin, apo konsideratë, që mund të përmblidhet me dy fjalë: i ngurtë dhe mosmirënjohës. Vërtetë, të trondit fakti kur lexon kërkesën për rritje page që punëtori i shkruan drejtuesit të firmës dhe përgjigja që merr, janë ku e ku larg njëra-tjetrës, si në arsyetim, apo qoftë edhe në konceptim. Nëse kërkesa arsyeton: “…meqë punoj prej 6 vjetësh në këtë firmë dhe përveç punës për të cilën kam rënë dakord, po kryej edhe dy-tre të tilla dhe paga është po ajo, d.m.th më pak se 800 lekë në ditë, që do të thotë edhe më pak se minimumi prej 22 000, që qeveria ka vendosur.”
Pra kërkesa në thelb është e qartë dhe e drejtë dhe mbi të gjitha, larg politizimeve që në përgjigje nuk mundi t’i rezistojë e të qëndrojë larg tij. Ai që në fillim e nis me: “kërkesa për rritje page është një mentalitet komunist, se para se të kërkosh rritje page, duhet të kërkosh rritjen e punës…” Pastaj, më poshtë merr mundimin absurd të kujtojë se në kapitalizëm nuk mund t’i kërkosh pronarit rritje page, etj. si këto, që përveç menefregizmit, s’ka asgjë tjetër për t’u vlerësuar aty në atë përgjigje që vetëm përgjigje s’mund të quhej. Po pronari nuk e la me kaq.
Duket se kërkesa ende s’e kishte marrë ‘nokdaun-nin’. Ndoshta mllefi i akumuluar ende s’ishte derdhur i tëri. Me bindjen se “tjetri po pret pas dere”, nuk vonon dhe para punëtorëve, tashmë shfaqet një fletë format e shkruar në kompjuter. Aty në krye lexohej: Akt-Marrëveshje. Po nëse lexon gjithë tekstin, ashtu siç dhe ia lexoi ashtu shpejt e shpejt në këmbë, bash atij që kishte bërë atë dreq kërkese, që nga ora në orë po i kthehej në një makth, e ku ndoshta edhe do i kushtojë, pse jo dhe vendin e punës. Për nga mënyra si ishte ndërtuar ajo Akt-Marrëveshje, ku nuk fliste për të drejtat, por vetëm për detyrat që ka punëtori, shihet qartë se ajo ngjan më shumë si një Akt-Shantazhi.
Kur punëtorët u njohën me këtë ‘qarkore’, jo vetëm shprehën habinë, por dhe u shpreh dikush nga ata se punoi me këtë firmë që në fillimet e saj, po një marrëveshje e tillë, qoftë edhe si kjo, e njëanshme, nuk i ishte ofruar më parë. Mbajtja sekret e kërkesës nga të dyja palët nga pjesa tjetër e kolektivit. Këto të fundit, të zënë në befasi po kritikojnë nën zë trubulluesin që po prish statukuonë me frikën se vërtetë opsioni “ka të tjerë plot që presin pas dere”, mund të kthehet një rrezik potencial, duke grisur njëherazi titullin e asaj ‘qarkoreje’ hipokrite nga Akt-Marrëveshje në Akt-Shantazhi. Kjo e dyta është në sinkron me ç’ka përmban Akti. Respekte! Marku, Pukë.
SMS në DITA
në 0689073730
