Southampton ka marrë fitoren e parë në Premier League duke fituar 1-0 ndaj Leeds. Njeriu i ndeshjes ishte padyshim Armando Broja.
Sulmuesi kuqezi zbriti për herë të parë si titullar në këtë sezon të kampionatit anglez dhe në fund arriti t’ia shpërblente në mënyrën më të mirë trajnerit.
Në minutën e 53-të, Redmond jep një asist fantastik për Brojën që më portën bosh nuk e kishte të vështirë për ta dërguar në rrjetë. Sulmuesi kuqezi u dëmtua gjatë momentit të golit, por vijoi më pas lojën rregullisht.
Në minutën e 81-të, Broja del nga fusha pasi u dëmtua sërish dhe i la vendin Walcott. Në momentin e zëvendësimit i gjithë “St. Mary’s Stadium” u ngrit në këmbë për të duartrokitur sulmuesin shqiptar që i dha fitoren e parë Southampton për këtë sezon, ndërsa edhe vetë Broja shënoi golin e tij të parë në Premier League.
Në Sauthempton, emri i tij nuk do të harrohet për një kohë të gjatë pasi sipas “OPTA”, në moshën 20 vjeç e 36 ditë, Armando Broja u bë lojtari më i ri i këtij klubi i cili shënonte gol në Premier League në ndeshjen e debutimit si titullar.
Një statistikë domethënëse duke llogaritur se Sauthempton është një skuadër që ka qenë shpesh mes ekipeve të Premier Ligës dhe ka pasur në përbërje emra të cilët më pas janë bërë shumë të njohur në arenën ndërkombëtare.
Broja i ishte afruar disa herë golit duke luajtur si zëvendësues, por më në fund e gjeti atë në duelin e parë si titullar me klubin e tij.
“Ishte fantastike që të luaja ndeshjen e parë si titullar në Premier Ligë. E kam ëndërruar këtë moment që kur isha 3-vjeçar”, tha ai për BBC pas sfidës.
“Të shënoj gol në ndeshjen e parë si titullar është një ëndërr që bëhet realitet, nuk mund të kërkoja më shumë. Ky është momenti i preferuar i karrierës time deri tani. Shpresojmë të ketë më shumë momente dhe gola të tillë në vijim. Ishte në aksion i mirë nga Redmond, ai tha para ndeshjes që golat do të vijnë, duhej vetëm që të krijonim aksione. Më dha një pasim të artë për mua dhe isha në gjendje ta finalizoja.
Fitorja e parë? Ishte shumë e rëndësishme. Po e kërkonim prej kohësh dhe ishte e shkëlqyer që ta siguronim këtu, në shtëpi para tifozëve tanë. Shpresojmë që të vazhdojmë dhe të vijnë fitore të tjera”, tha Broja pas ndeshjes.
n.s. / dita
