Pranvera Kola
Në të gjitha institucionet e arsimit të lartë nisi dje viti i ri akademik 2021-2022. Pas një mungese pothuajse 2-vjeçare studentët tashmë u janë rikthyer auditoreve për të vijuar me frekuentimin e mësimit në kushte normale. Sikundër përcaktohet në urdhërin e dikasterit të Shëndetësisë, në ditën e parë janë lejuar që në fakultete të hyjnë vetëm studentët të cilët kanë kryer vaksinimin e plotë, ata që kanë marrë një dozë të vaksinës, studentët të cilët kanë rekomandimin përkatës të mjekut ku argumentohet se nuk duhet që të kryejnë këtë vaksinën për arsye të ndryshme shëndetësore, si dhe studentët e pavaksinuar por që kanë paraqitur testin negativ të PCR-së.
Personat përgjegjës të përcaktuar nga vetë fakultetet kanë kontrolluar studentët që në hyrje nëse ishin të pajisur me certifikatën e vaksinimit, testin negativ të PCR-së, si dhe vërtetimin mjekësor pse nuk duhet të bënin vaksinën.
Duke qenë se një pjesë e mirë studentëve deri më tani e kanë refuzuar procesin e vaksinimit çka është kusht për të mos rrezikuar ndjekjen e studimeve në auditore, autoritetet e shëndetit dhe ato të arsimit të lartë bëjnë me dije se pikat e vaksinimit pranë fakulteteve do të vijojnë të qëndrojnë të hapura edhe përgjatë kësja jave. Kjo me qëllim që studentët të kryejnë vaksinën për t’u rikthyer në auditore pa detyrimin që duhet të paraqesin çdo javë testin negativ të PCR-së ku faktohet se nuk janë mbartës të infeksionit, kostot e të cilit janë të papërballueshme për një student.
Dalin fituesit e raundit të 3
Dje nisi edhe shpallja e fituesve të rinj të dalë nga konkurimet e Raundit 3 të pranimeve në universitete. Të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë aplikuar në raundin e fundit të pranimeve për universitetin mund të verifikojnë online nëse janë shpallur fitues në programet për të cilat kanë konkuruar. Një pjesë e konsiderueshme e fakulteteve i kanë shpallur tashmë listat e fituesve të raundit 3, teksa sot pritet të përfundojë edhe shpallja e plotë e listave edhe në të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë.
Autoritetet e arsimit sqarojnë se për të mos humbur degën ku jeni shpallur fitues, duhet të bëni kujdes dhe të kryeni regjistrimin vetëm në afatin e përcaktuar. Kjo pasi nëse nuk paraqiteni në afatin e përcaktuar, ju e humbisni të drejtën për të vijuar studimet e larta në programin përkatës, edhe pse jeni pjesë e listës së fituesve.Sipas afateve të përcaktuara më herët, regjistrimet për këtë raund do të zhvillohen në 3 faza 48-orëshe, çka do thotë se lista e fituesve do ndryshojë tre herë. Në këto kushte, duke nisur nga data 21 tetor deri në datën 26 tetor lista e fituesve do të ndryshojë tre herë sipas numrit të kuotave që do të mbeten të paplotësuara nga mbyllja e secilës fazë regjistrimesh.
“Në datat 21 tetor deri në datën 26 tetor do të zhvillohen 3 faza 48-orëshe rgjistrimesh: faza e parë 21-22 tetor, faza e dytë 23 dhe 24 tetor, dhe faza e tretë dhe e fundit që do të zhvillohet në datat 25-26 tetor. Të gjithë aplikantët, të cilët kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e tretë dhe janë shpallur fitues, duhet të kryejnë procesin e regjistrimit, duke paraqitur dokumentacionin përkatës, në sekretaritë mësimore të universiteteve, në programin ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet sipas afateve të përcaktuara për fazan ku janë shpallur fitues. Kur aplikanti shpallet fitues, ai duhet të regjistrohet brenda 48-orëve nga momenti kur është shpallur fitues. Nëse nuk regjistrohet brenda këtij afati, ai e humbet të drejtën e regjistrimit në atë raund”, bëjnë me dije ekspertët e dikasterit të arsimit.
Ndryshimin e listës së fituesve mund ta shikoni çdo 48 orë online në portalin “U-albania”, në faqen www.ualbania.al. Pasi të hapni këtë faqe, duhet të klikoni në rubrikën “këndi i maturantit”, dhe pasi të hapet faqja përkatëse duhet të vendosni numrin tuaj të identifikimit. Pas këtij veprimi do të shfaqet tabela me të gjitha preferencat e përzgjedhura nga ju për vijimin e garës së studimeve të larta përgjatë raundit të dytë. Secila prej preferencave do të jetë e shënjuar me një ngjyrë të caktuar, e cila tregon mundësitë që keni për të qenë fitues, ose jo në këtë program.
Pasi të hapni këtë faqe do të vëreni se çdo preferencë që është shënuar me ngjyrë të gjelbër tregon që ju jeni fitues në këto programe studimi. Në këtë rast duhet të vendosini se në cilën prej tyre doni të ndiqni studimet e larta dhe brenda 48-orëve duhet të paraqiteni për të regjistrimin si fitues. Në të kundërt e humbisni degën e fituar, duke i dhënë kështu mundësinë një tjetër maturanti që të jetë fitues në fazën tjetër të regjistrimit që do të zhvillohet në 48 orët e ardhshme.
Preferencat që janë të listuara me ngjyrë të kuqe tregojnë se nuk jeni fitues në këto programe studimi, por nga procesi i regjistrimeve, si dhe kuotat e mundshme të pranimit mund të ndodhë që të lirohen vende të cilat mund të krijojnë një shans për të qenë ju fitues në fazat e tjera të regjistrimeve. Ndaj këshillohet që të shikoni çdo herë ndryshimin e listës pas mbylljes së secilës fazë të regjistrimit të këtij raundi. Në rastet kur preferenca juaj shfaqet me ngjyrë të verdhë, kjo do të thotë se ju jeni fitues, por që procesin e regjistrimit mund ta kryeni vetëm në fazën pasardhëse të regjistrimit.
Dokumentet e nevojshme për regjistrim që duhet të dorëzoni në afatet e përcaktuara pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës janë: Dokumenti i identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja. Gjithashtu në dosje duhet të dorëzohet edhe fotokopja e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesa e pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në MASR, mandati i pagesës së tarifës së regjistrimit, si dhe deklarata, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të fakultetit përkatëse. Autoritetet e MASR sqarojnë se duhet të kontrolloni me kujdes për saktësinë e programit ku jeni regjistruar në deklaratën që ju firmosni në sekretari.
Regjistrimet për fituesit e Raundit 3 zhvillohen sipas këtyre datave:
- Në datën 21-22 tetor zhvillohen regjistrimet për fituesit e fazës së parë.
- Në datën 23-24 tetor do të zhvillohen regjistrimet për fituesit e fazës së dytë.
- Në datën 25-26 tetor do të zhvillohen regjiztsrimet për fituesit e fazës së tretë.
