Bedri Islami
Botuar në DITA
Që të nesërmen e 25 prillit, pasi e kuptoi se e gjithë godina e shpresës së tij për të qenë shefi i ardhshëm i qeverisë, u shemb duke e zënë nën vete, Basha ngriti alibinë e humbjes për zgjedhjet e vjedhura, manipulime dhe masakër elektorale. Në fjalimin e tij të parë publik, duke pasur në krah të vetes një figurë të përçudnuar publike si Mziu, ai deklaroi se tani fillon beteja e tij. Kishte tetë vite që e kishte nisur këtë “ betejë” dhe në tetë vite kishte dalë gjithnjë i humbur, por kjo kishte qenë goditja më fatale, ndoshta edhe nga që lidhej me shpresën e fundme për të marrë pushtetin.
Tani, si duket, pa gjetur ende një modus vivendi tjetër, në luftë të dy krahëshe, brenda vetes dhe jashtë tij, në njërën anë Berishën, që ka hapur “ frontin e dytë” , dhe, në krahun tjetër, Ramën, që si duket , është mbushur në mend dhe lojën ka vendosur ta lërë në përplasjet brenda Shqup-it, Basha i është rikthyer edhe një herë alibisë së tij të vjetër, hetimit të zgjedhjeve, duke gjetur jashtë vetes, pikërisht atë që e ka me tepricë brenda vetes së tij.
Basha u thotë tani se do të hetojnë zgjedhjet dhe aferat korruptive – një tallje e re me preokupimin e tyre për të dalë nga gjendja e pa zakontë, tejet e vështirë dhe tani për tani pa një rrugëdalje të ditur.
Cilat zgjedhje do të hetojë Lulzim Basha?
Cilat afera korruptive do të jenë në shënjestrën e tij?
Përse humbi ai për të pestën apo të gjashtën herë, dhe, si duket, përse do të humbasë dhe më tej?
Zgjedhjet e 25 prillit tani, me gjithë devijimet që kanë pasur të gjitha zgjedhjet politike në Shqipëri, janë certifikuar, parlamenti është mbledhur, qeveria është miratuar dhe ka nisur nga puna e saj. Mirë apo keq, të kënaqur apo jo me ekipin e ri qeveritar – dëshirë e Ramës kjo – ajo nuk do të zhbëhet dhe as nuk mund ta zhbëjnë përdredhjet politike të një lideri që duket i asfiksuar, dhe, për më tepër, ende i pa përgjegjshëm për atë çfarë ka ndodhur dhe që, në të shumtën e rasteve, e ka përgatitur vullnetshëm, përmes një naiviteti fëmijëror dhe me pasionin e njeriut që, duke u ngutur të vijë në pushtet, shemb ditën atë që ka ngritur natën.
Zgjedhjet politike të 25 prillit janë dështim më i madh i opozitës, edhe se ato të qershorit të vitit 2017, që ishin të pritshme. Katër vite më parë askush, as vetë Lulzim Basha nuk e priste se do të shkonte aq shpejt në zyrën kryeministrore. “Tradita” e rotacionit pas dy mandatesh e kishte dhënë prej kohe sinjalin e saj dhe ai vetë as nuk kishte forcë ta prishte e as nuk kishte pas vetes njerëz që të mund ta ngrinin një strukturë të re. Ai e dinte këtë më mirë se gjithë të tjerët, ndaj, sapo iu dha versioni i parë i Ramës për të dëmshpërblyer një pallat vjehrror, ngritur buzë detit, që u shemb, duke e shkëmbyer me 15 milionë euro dhe, si bonus të veçantë edhe disa dikastere e institucione ku rrjedhin paratë, ai bëri marrëveshjen e 17 majit, që në fakt është më e turpshmja që kishte ndodhur ndonjëherë në historinë pluraliste të këtij vendi. Çadra u hoq, paratë u morën, disa shefa të rinj shkuan në dikastere, dhe kjo ishte noterizim i humbjes. Njëkohësisht edhe humbja e parë e madhe e besimit se Basha ka në vete ide të mëdha apo mund të bëjë diçka ndryshe.
Asnjë humbje nuk fillon nga asgjëja. Humbja e 25 prillit ka rrënjët e saj në marrëveshjen e 17 majit të vitit 2017, ashtu si humbjet e ardhshme do të kenë rrënjët e tyre në këtë tallje që Basha synon të bëjë sot ndaj demokratëve. Asnjë hije nuk është e matshme në kohë të ndryshme, ashtu si asnjë lëvizje e Bashës nuk është e besueshme kur bëhet pas humbjeve.
Që të hetojë zgjedhjet e 25 prillit dhe të ketë nisur një hap drejt rikthimit të besimit, hetimi i opozitës duhet të nis nga vetja. Nga zyra e nga mendësitë e kryetarit të opozitës. Nga humbja e frikës së tij se mos e largojnë nga karrigia ku e vendosi pikërisht ai që sot kërkon ta rrëzojë. Megjithë humbjen e radhës, tani pas tetë vite qeverisje të Edi Ramës, dhe të një qeverisje me shumë probleme, herë-herë dëshpëruese, ai nuk nxori asnjë mësim te vetja, përse ndërmori ata hapa budallaqe që në politikë të ndëshkojnë, të rëndojnë në të sotmen dhe të ndëshkojnë në të ardhmen. Basha nuk bëri as minimumin e asaj që bën një lider serioz, i përgjegjshëm, që ka vërtetë në bindjen e tij një vizion ndryshe. Në tetë vite, sidomos në katër të fundit, i përkëdhelur nga ideja e rotacionit të vetëdijshëm politik, ai u bë kopja e keqe e shefit të tij, hija dhe zëri i shurdhët, politikan që përmes akteve ekstreme dëmtoi pakthyeshëm kauzën e njerëzve të tij dhe, që, në fund, nuk mori as mundimin të ketë ndjenjën e paktë të përgjegjësisë.
Të hetojë zgjedhjet ai duhet të qartësojë pse bëri akte të tilla të papërgjegjshme politike, të pandodhura më parë dhe që nuk do të ndodhin kurrë më, daljen nga parlamenti, bojkotimin e zgjedhjeve vendore, duke patur në të njëjtën kohë edhe benificet e tij.
Ai duhet të kishte shpjeguar fillimisht, pa shkuar në komisione parlamentare, që janë në fakt alibi e humbjes dhe jo ndreqje e gjërave, si ndodhi që, kur bën çështje të tij varfërimin e njerëzve, në të njëjtën kohë ai bëhet pronar i katër vilave. Duhet të kishte qartësuar se nga kush i mori vilat e cituara, sa kushtuan ato dhe, nëse janë të dhëna me qira, çfarë paguan dhe te kush, duhet të qartësojë se sa i kushtoi fushata politike e 25 prillit dhe sa kanë mbetur ende në xhepat e tij apo të kunatit, çfarë vlerash u përdorën dhe nga kush i erdhën donacionet e mëdha dhe të rëndësishme.
Nuk mund të kërkosh llogari në shtëpinë e tjetrit, kur në shtëpinë tënde gjërat janë enigmë, të fshehura dhe të paditura.
Cilët oligarkë janë pranë tij , ose, më saktë, në cilët oligarkë janë mbështetur shpatullat e tij financiarisht. Të sulmosh oligarkët dhe në darkë të shkosh dhe të flesh në vilat e tyre, apo edhe më tej, të përfitosh shuma të rëndësishme nga financimet e tyre të panjohura, nuk është luftë, është përvetësim.
Para se të bëjë luftën oligarkike, çka është e drejtë, ai duhet të jetë i besuar, çka nuk ndodh. Sepse një mendje e zakonshme krejt lehtësisht pyet: ky njeri, shef i opozitës, duke qenë në opozitë, shtoi pasurinë e tij me vila të reja, çfarë do të bëjë kur të jetë në pushtet?
Atë që do të zbulojë Lulzim Basha e shkroi qartë Raporti i Progresit të BE. Progres Raporti cilëson se “Shqetësimet mbeten në lidhje me keqpërdorimin e burimeve publike ose funksioneve zyrtare, me pretendimet për blerjen e votës dhe rrjedhjen e të dhënave personale të ndjeshme që mbulojnë preferencat politike të qytetarëve”.
Që Edi Rama ka përdorur pushtetin e tij , të gjithë pushtetin e tij, për të fituar zgjedhjet e 25 prillit , këtë e dinë të gjithë. Edhe Basha e ka bërë këtë kur ishte në pushtet, bile edhe më shëmtuar se sa në 25 prill bëri Edi Rama. Nuk janë harruar pamjet e ri-numërimit të votave për kryetarin e bashkisë së Tiranës, kur duart futeshin lirisht në kutitë e votimit, ashtu si nuk janë harruar manipulimet në zgjedhjet për shefin e ri të partisë. Por Edi Rama nuk e udhëzoi atë të bënte lista me njerëz të pa besuar dhe biznesmenë, të linte jashtë listave figura që ishin të njohura dhe funksionarë të lartë, si ishte rasti Nishani, të nënshtrohej ndaj çdo predikimi të Berishës, të delegonte çupëlina në rrethe të forta, të krijonte mjegull deri në momentin e fundit se çfarë do të bënte dhe me kë do të ishte në koalicion e, në fund, të ndahej nga LSI, përmes së cilave do të kishte marrë një rezultat tjetër.
Filloje nga vetja, të paktën të gjesh qetësinë tënde!
_______
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Ja ke fut kot Parate e pallatit ne vlore i mori Kapitalistet mbeshtetes te PD dhe PS fitojne tendera pa fund si dhe clirohen nga barra fiskale Milatantet e PD jane nga fillimi deri ne maje ne administraten e ulet dhe te larte publikeKur te ndahet PD pjesa e Kukit do te thirret dhe zyrtarisht ne bashkeqeverisje pra do te qeverise ‘rilindja’ PS me ‘rilindjen ‘e PD ‘per hire te interesit te integrimit’ ‘ se kete e kane kerkuar euroatlantiket’ dhe per’ njedhjen e zgjedhjeve’ nuk do te ndihet kush se realisht askush si ka vjedhur zgjedhjet PD pervec se u jabe vjedhur te majteve te PS me hile dhe dhune
Basha duhet te beje cdo gje per te miren e Shqiperise:
Te konsultohet me te gjithe ato qe duan te njejten gje.
Po te ckeputet nga vehte-vehtja dhe ti perkushtohet Shqiperise me te gjithe bashkautoret, bashkepuntoret “qe kerkojne ta shpetojne vendin dhe arrijne ne te njejtin konceptim te siruates, realitetit, te gjithe do shperblehen nga populli shqipetar. Ne rast te kundert do krijone nje mine me sahat, qe do plasi nje dite.
Pra Zoti Basha, mendo per Shqiperine se Ajo do mendoje per ty. Po te vune “perfund frikrat e brendeshme dhe lufta per tu mbrojtur nga armiqte reale dhe imagjinare”nuk mund te marish vendime te drejta.
Do jeshe i humbur po nuk bere nje gjume te mire
Vleresimet e mira nga shqipetaret do i kurojne demtimet qe ke pesuar. Ki “friken e mire” per te qene ne gjendje te mobilizohesh dhe pakeso “friken e keqe qe kalon ne panik”
E para lidhet me shqetesimin se “mos nuk po mer vendimet te drejta”dhe do keshe pasoja te renda.
E dyta lidhet me ate “qe ti duhet te luftosh ti eleeminosh kundershtaret. “Kjo lloj frike do te shkurtoje jeten”
Por kur gjerat nuk behen ne erresire por ne mes te dites, populli te sheh dhe do te mbroje.
Kur ngjarjet zhvillohen ne erresire te pranishem jeni “JU dhe Ato dhe askush tjeter” Ti e humbet perparesine qe do keshe “se po mer vendime te drejta” sepe nuk do keshe deshmitare qe te mbrojne.