Colin Powell në Tiranë, “një akt miqësie” dhe “një kënaqësi e kulluar”

J L

Tre ditë më parë, në moshën 84 vjeçare, u nda nga jeta Colin Powell, një ndër personalitetet më të shquar të politikës dhe të diplomacisë amerikane dhe asaj botërore gjatë më shumë se tre dekadave të fundit. Këshilltar i Presidentit Ronald Reagan për Sigurinë Kombëtare (1987-1989), Shef i Shtabeve të Bashkuar të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në administratat e presidentëve George H. W. Bush dhe Bill Clinton (1989-1993) dhe Sekretar i Shtetit i Shteteve të Bashkuara (2001-2005) në administratën e Presidentit George W. Bush, Colin Powell zë një vend të veçantë në jetën e amerikanëve dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë politike të Shteteve të Bashkuara, dhe në marrëdhëniet e superfuqisë së vetme të globit me shoqërinë ndërkombëtare. Në cilësinë e Sekretarit të Shtetit, Colin Powell vizitoi Tiranën në 2 maj të vitit 2003 duke nënshkruar me qeverinë shqiptare dy marrëveshje shumë të rëndësishme. Gazeta DITA boton me këtë rast, si një homazh për këtë njeri të shquar, fragmente nga libri me kujtime “Afrimi i madh”, që pritet të botohet së shpejti, i diplomatit tonë të njohur, Prof. Fatos Tarifa, i cili përfaqësoi Shqipërinë si ambasador i saj në Shtetet e Bashkuara në të njëjtën periudhë katërvjeçare që Colin Powell shërbeu si Sekretar i Shtetit. Këto fragmente nga diplomati shqiptar që e ka njohur Colin Powell-in më mirë se kushdo tjetër në këtë vend, të cilat, duke filluar nga dje, botohen për herë të parë, bëjnë fjalë pikërisht për vizitën e Sekretarit Powell në Tiranë, të cilën vetë Powell e ka cilësuar si “një akt miqësie” dhe, pas kthimit në Uashington, ka thënë për atë vizitë se ishte “një kënaqësi e kulluar”.

 

Fatos TARIFA

Pjesa e tretë

 

Menjëherë pas takimit mes Kryeminstrit Nano dhe Sekretarit Powell ishte planifikuar ceremonia për nënshkimin e marrëveshjes dypalëshe mbi Paragrafin 98 të Traktatit të Romës. Për atë marrëveshje—ose, më saktë, kundër asaj marrëveshjeje—është folur shumë. Këshilltarët diplomatikë dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Kryeministrit Nano në atë kohë, Ksenofon Krisafi dhe Agim Isaku, e kishin këshilluar kryetarin e qeverisë që të mos e nënshkruante një marrëveshje të tillë. Siç më ka pohuar më vonë miku dhe kolegu im i nderuar Zef Mazi, i cili në atë kohë ishte ambasadori i Shqipërisë në OSBE, me qendër në Vienë, edhe ai i kishte sugjeruar Kryeministrit Nano që ta evitonte nënshkrimin e asaj marrëveshjeje. I ndjeri ambasador Petrit Bushati, të cilin unë e zëvendësova në Uashington dhe që në atë kohë drejtonte Drejtorinë e Amerikave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, mezza voce kishte sugjeruar të njëjtën gjë.

* * *

Për lexuesit e rinj dhe, ndoshta, për ata lexues që nuk kanë qenë ose nuk janë të informuar, është me interes të ve në dukje se çfarë është, në fakt, Traktati i Romës i vitit 1998, çfarë parashikon Paragrafi 98 i atij Traktati dhe çfarë mori përsipër qeveria shqiptare me nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe me Shtetet e Bashkuara lidhur me atë paragraf.

Më 17 korrik 1998, një konferencë diplomatike me përfaqësues të shteteve anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e mbajtur në Romë, pas pesë javësh diskutimesh e negociatash miratoi krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (International Criminal Court—ICC) dhe Statutin e saj. Ai Statut u miratua me votat e 120 shteteve, ndërkohë që 7 shtete votuan kundër tij dhe 21 të tjerë abstenuan. Për shkak se pjesëmarësit në atë konferencë kishin rënë paraprakisht dakord që votat në favor ose kundër atij Statuti të mos regjistroheshin, nuk dihet me siguri se cilët shtete kanë votuar kundër, përveç tre shteteve—Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Israelit, të cilët e kishin deklaruar publikisht votën e tyre kundër. Shqipëria votoi pro krijimit të asaj gjykate.

Deri në prill të vitit 2002, Statuti i Romës ishte ratifikuar nga vetëm 50 shtete. Më 11 prill 2002, në një ceremoni të organizuar në selinë e OKB-së në New York, atë Statut e ratifikuan edhe 10 shtete të tjerë, duke e çuar në 60 numrin e shteteve që, sipas Paragrafit 126 të atij Statuti, kërkohej si minimum që Statuti të hynte në fuqi. Statuti i Romës hyri në fuqi më 1 korrik 2002, më pak se një vit nga koha e vizitës së Sekretarit Powell në Tiranë. Ai përcakton se Gjykata Ndërkombëtare Penale do të dënojë vetëm krime të kryera në atë datë dhe pas saj.

* * *

Duhet thënë se hartimi dhe miratimi i Statutit të Romës ishte rezultat i shumë përpjekjeve të mëparshme për të krijuar një tribunal supranacional dhe ndërkombëtar për gjykimin dhe dënimin e krimeve. Përpjekja e parë në këtë drejtim ishte bërë në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të me dy Konventat e Hagës, të miratuara në Konferencat Ndërkombëtare të Paqes të mbajtura në Hagë në vitet 1899 dhe 1907, me pjesëmarrjen e fuqive të mëdha të kohës. Pas Luftës së Parë Botërore dhe, sidomos, pas krimeve monstruoze të nazistëve në Luftën e Dytë Botërore, u bë e domosdoshme që individët përgjegjës për ata krime të gjykoheshin dhe të dënoheshin, duke i cilësuar krimet e tyre si “krime kundër njerëzimit”.

Për të riafirmuar parimet bazë të qytetërimit demokratik, personat përgjegjës për krime të tillë nuk do të ekzekutoheshin në sheshe publikë dhe as do të torturoheshin në burgje, por do të trajtoheshin si kriminelë, duke dalë para gjyqit, të prezumuar si të pafajshëm dhe me të drejtën për t’u mbrojtur. Gjyqet e Nurembergut shënuan një moment vendimtar në historinë e së drejtës ndërkombëtare. Një Rezolutë (No. 260) e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e miratuar më 9 dhjetor 1948, e njohur si Konventa mbi Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Genocidit, ishte hapi i parë në përpjekjet për të krijuar një gjykatë të përhershme ndërkombëtare, që do të kishte nën juridiksionin e saj ata lloje krimesh që do të përcaktoheshin më vonë në traktate ndërkombëtarë. Nënshkrimi që nga ajo kohë e një sërë traktatesh të tillë çuan në projektin e Traktatit të Romës dhe në miratimin e tij.

Statuti i Romës, siç njihet zakonisht ai, përcaktoi katër lloje kryesorë krimesh ndërkombëtarë, që janë: genocidi, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe agresioni ndaj një vendi tjetër, ndërsa vetë Gjykata Ndërkombëtare Penale që u krijua mori juridiksion mbi këta lloje krimesh vetëm në ata raste (a) kur një krim është kryer brenda teritorit të një shteti që është pjesë e këtij traktati, (b) kur një krim është kryer nga një shtetas i një vendi që është pjesë e këtij Traktati dhe (c) kur një krim i është referuar Prokurorit nga Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara. Nga gjykimi për kryerjen e këtyre krimeve nuk përjashtohet askush, as kryetarët e shteteve apo të qeverive.

* * *

Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar qysh nga fillimi pretendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale sa i përket juridiksionit të saj mbi shtetasit amerikanë, pasi Uashingtoni nuk e ka nënshkruar Traktatin e Romës të vitit 1998. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të aij traktati në korrik të vitit 2002, Shtetet e Bashkuara nisën të negociojnë marrëveshje dypalëshe me shtete të veçantë, në mënyrë që qeveritë e tyre të mos pranonin të dorëzonin në Gjykatën Ndërkombëtare Penale shtetas amerikanë, të akuzuar për krime, si ata që ishin në juridiksionin e kësaj gjykate. Kjo e drejtë parashikohet në Paragrafin 98 të vetë Statutit të Romës, pika 2 e të cilit thotë se Gjykata nuk mund të marë në shqyrtim një kërkesë për dorëzimin asaj Gjykate të një personi të akuzuar për një nga krimet e sipërpërmendur, nëse për shtetin të cilit i kërkohet kjo, dorëzimi i atij personi vjen në kundërshtim me detyrimet e tij ndaj një shteti tjetër, me të cilin ai ka lidhur një marrëveshje, e njohur si “Article 98 Agreement” (Marreveshje për Paragrafin 98), ose një marrëveshje që njihet si “Bilateral Immunity Agreement”, “Bilateral Non-Surrender Agreeement” apo “Impunity Agreement”.

Për qeverinë shqiptare, nënshkrimi i një marrëveshjeje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara për Paragrafin 98 do të thoshte se vendi ynë pranonte t’i përjashtonte ushtarakët dhe shtetasit amerikane nga juridiksioni i Gjykatës Nderkombetare Penale duke mos i dërguar ata për gjykim në Hagë, por duke i ekstraduar në vendin e tyre të origjines. Për qeveritë e vendeve kryesorë të Bashkimit Europian, një qëndrim i tillë i Shteteve të Bashkuara dhe i cilitdo shtet tjetër europian, që eventualisht do të nëshkruante një marrëveshje dypalëshe me Uashingtonin, ishte i papranueshëm; ai konsiderohej se binte në kundërshtim me frymën e Paragrafit 27 të Statutit të Romës, sipas të cilit, ky Status aplikohet “njëlloj për të gjithë personat”.

Deri në prag të vizitës së Sekretarit Powell në Tiranë, i vetmi vend europian që kishte nënshkruar një marrëveshje të tillë dypalëshe me Shtetet e Bashkuara lidhur me Paragrafin 98 ishte Rumania. Qeveria rumune ia kishte premtuar Uashingtonit nënshkrimin e asaj marrëveshjeje dypalëshe në shkëmbim të ftesës që mori në Samitin e Pragës (në nëntor 2002) për t’u anëtarësuar në NATO por, nën presionin e Bashkimit Europian, parlamenti rumun ende nuk e kishte ratifikuar atë marrëveshje—dhe nuk e ka ratifikuar as sot që shkruaj këto radhë, pra gati dy dekada më vonë.

Në tetorin e një viti më parë, Doris Pack, e cila në atë kohë drejtonte delegacionin e Parlamentit Europian për marrëdhëniet me vendet e Europës Juglindore, i kishte kërcënuar qeveritë e këtyre vendeve, që ishin kandidatë potencialë për anëtarësim në BE, se nëse ato do të nënshkruanin marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara për Paragrafin 98, përpjekjet e tyre për nënshkrimin e marrëveshjeve të stabilizim-associimit me BE-në do të pengoheshin.

* * *

Të vetmit që i kishim sugjeruar Kryeministrit Nano nënshkrimin e asaj marrëveshjeje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara ishin ambasadori amerikan në Tiranë James Jeffrey, Bruce Jackson, Paige Reffe dhe unë. Natyrisht, kjo ishte dëshira dhe ky ishte vullneti i administratës së Shteteve të Bashkuara. Kjo mua më ishte bërë e njohur nga Departmanti i Shtetit mëse një herë, jo si një formë presioni—asnjëherë si një formë presioni—por si një kërkesë e legjitimuar e qeverisë amerikane për një vend mik dhe aleat, si Shqipëria, dhe si një marrëveshje që do të ishte në të mirën e përbashkët të të dy vendeve.

Argumentet që i kisha parashtruar Kryeministrit Nano në favor të nënshkrimit të asaj marrëveshjeve ishin këto:
Së pari, Paragrafi 98 i Traktatit të Romës parashikonte të drejtën e cilitdo shtet sovran, aderues në këtë traktat, për të nënshkruar nje marrëveshje dypalëshe me cilindo shtet tjetër, pra edhe me Shtetet e Bashkuara, duke mundësuar dhe justifikuar në këtë mënyrë mosdorëzimin në Gjykatën Ndërkombëtare Penale të cilitdo shtetas amerikan të akuzuar për krime pa pëlqimin e qeverisë amerikane.

Së dyti, ndryshe nga shumica e vendeve anëtarë të Bashkimit Europian, Shqipëria kishte arsyet e veta të rëndësishme për t’i garantuar Shtetete Bashkuara se asnjë shtetas amerikan—ushtarak ose civil—nuk do të deportohej në Hagë nga territori i saj, për shkak se prania ushtarake amerikane në Kosovë dhe në Ballkan i shërbente ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe ishte e domosdoshme të vazhdonte, sidomos në një kohë kur pavarësia e Kosovës ishte jo thjesht një mundësi, por tashmë edhe një çështje e shtruar për zgjidhje.

Këtë argument të fundit Kryeministrit Nano ia kishte përforcuar edhe ambasadori Jeffrey, i cili kishte vënë në dukje se qeveria amerikane gjithnjë ka qenë dhe është shumë e preokupuar për fatin e ushtarëve amerikanë kur i dërgon ata larg vendit të tyre për të luftuar për lirinë e popujve të tjerë, ose për të mbrojtur lirinë e tyre. Për këtë arsye, kishte theksuar ai, dërgimi ose mbajtja e forcave paqeruajtëse amerikane në vende të tjerë do të varej nga fakti nëse këta vende pranojnë të nënshkruajnë një marëveshje të tillë me Shtetet e Bashkuara ose jo.

* * *

Shqetësimit të Kryeministrit Nano, shkaktuar kryesisht nga këshilltarët e tij dhe disa nga njerëzit që ai i mbante pranë, se nënshkrimi i asaj marrëveshjeje me Uashingtonin në prag të Samitit të BE-së që do të mbahej në Selanik për Ballkanin Perëndimor vetëm disa javë më vonë, më 21 qershor 2003, do ta zemëronte Brukselin dhe do ta pengonte avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, unë iu përgjigja në atë kohë, siç do të bëja edhe sot, pak a shumë në këtë mënyrë.

Në vitin 2003, perspektiva e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian ishte shumë e largët. Në atë kohë, unë besoja—dhe këtë e kisha thënë publikisht—se kjo do të kërkonte dy ose tre dhjetvjeçarë dhe, prandaj, nuk do të ishte një qëndrim prudent i qeverisë shqiptare që, për hir të një perspektive kaq të largët—dhe, ndoshta, të pasigurt—ajo të mos nënshkruante një marrëveshje dypalëshe për Paragrafin 98 me qeverinë amerikane, të cilën kjo e fundit e kërkonte dhe prej së cilës, me shumë gjasa, Shqipëria nuk do të kishte asnjë penalitet nga Brukseli, pavarësisht presionit të tij për të mos e nënshkruar një marrëveshje të tillë.

I bindur se, pas shumë bisedash që kishim bërë me të, ambasadori Jeffrey, Bruce, Paige dhe unë, Fatos Nano nuk do të thoshte jo, në fund të prillit 2003, e kisha siguruar Zëvendësndihmësen e Sekretarit të Shtetit, Janet Bogue, se, nëse Sekretari Powell vendoste të vizitonte Tiranën më 2 maj, ai dhe Kryeministri Nano do të nënshkruanin me atë rast marrëveshjen mbi Paragrafin 98.

Edhe pse në atë kohë ende nuk kisha marë një garanci të plotë nga Fatos Nano se kjo do të ndodhte, mora guximin t’ia sugjeroja znj. Bogue nënshkrimin e asaj marrëveshje si një fakt të sigurt. Nuk ishte thjesht një instinkt i zhvilluar me kohë tek unë, por besimi që Fatos Nano kishte në atë kohë në gjykimin tim dhe, sidomos, marrëdhëniet e mirëbesimit që ai kishte krijuar me ambasadorin Jeffrey dhe me konsulentët tanë në Uashington, Paige Reffe dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Bruce Jackson. Nano vendosi të na dëgjonte ne dhe jo këshilltarët apo ndihmësit e tij. Dhe veproi drejt. Unë besoj se njëlloj do të kisha gjykuar e vlerësuar edhe nëse në atë kohë shërbeja si ambasador në Hollandë apo diku tjetër dhe jo në Shtetet e Bashkuara.

Koha do të më jepte të drejtë. Sot, afro 20 vite më vonë, edhe pse Shqipëria ka fituar tashmë statusin e një vendit kandidat, perspektiva e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian nuk duket ende në horizont dhe për këtë, shkak nuk është bërë aspak nënshkrimi rreth dy dekada më parë i asaj marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara. Dy javë më vonë, të njëjtën marrëveshje dypalëshe me Uashingtonin e nënshkroi edhe qeveria e Bosnje-Hercegovinës; një muaj pas Shqipërisë, në qershor 2030, të njëjtën gjë bëri edhe qeveria maqedonase dhe, katër vite më vonë, ne prill 2007, qeveria e Malit të Zi gjithashtu.

Nëse nënshkrimi i atyre marrëveshjeve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara nuk i penguan as Maqedoninë, as Malin e Zi dhe as Shqipërinë që të merrinin statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, një marrëveshje e tillë realisht e përshpejtoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe do të kishte bërë të mundur anëtarësimin edhe të Maqedonisë në këtë organizatë, në të njëjtën kohë me Shqipërinë dhe Kroacinë, partnerët e saj të Kartës së Adriatikut, nëse nuk do të kishte qenë vetoja greke.

* * *

Ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes dypalëshe mbi Paragrafin 98 të Traktatit të Romës (në shqip dhe në anglisht) nuk zgjati shumë. Menjëherë pas saj, Sekretari i Shtetit Colin Powell dhe Kryeministri Fatos Nano mbajtën një konferencë për mediat.

I pari e mori fjalën Kryeministri Nano, i cili vuri në dukje se, me bisedimet e asaj dite dhe me nëshkrimin e asaj marrëveshje, ishte hedhur “një hap tjetër drejt forcimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara”, që ishte njëherësh edhe “një hap i ri drejt Europës dhe standardeve e institucioneve euroatlantike”.

Nano u shpreh se nënshkrimi i asaj marrëveshjeje të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara do të pasohej, po atë ditë, nga një tjetër ngjarje e rëndësishme në Tiranë, siç ishte nënshkrimi i Kartës së Adriatikut, një marëveshje katërpalëshe nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara, përmes së cilës do të forcohej edhe më tej “bashkëpunimi rajonal në drejtim të të njëjtave vlera, institucione dhe qëllime”. Shumë i emocionuar, siç nuk e kisha parë ndonjëherë, Fatos Nano e mbylli fjalën e tij të shkurtër duke thënë se populli shqiptar kërkon “partneritet të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara” dhe se kjo është “në interes të së ardhmes së tij”.

Fjala e Sekretarit Powell ishe disi më e gjatë. Duke faleminderuar Kryeministrin Nano, ai tha se vizita e tij në Tiranë dhe rasti i nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Paragrafin 98 mes dy vendeve tanë ishin për të një kënaqësi e veçantë. Nënshkrimi i asaj marrëveshjeve, theksoi Sekretari Powell, “dëshmon marrëdhëniet e ngushta mes nesh, të cilat do të bëhen edhe më të ngushta në muajt dhe në vitet që do të vijnë”. Ai vuri në dukje se Marrëveshja për Paragrafin 98 është “e rëndësishme” për qeverinë amerikane. “Ne nuk jemi pjesë e Traktatit të Romës”, tha ai, “ndërsa Shqipëria është, por ky ishte një rast kur ne ramë dakort se është në interesin tonë të përbashkët dhe një nevojë e përbashkët që ta nënshkruajmë një marrëveshje të tillë për Paragrafin 98, çka është në përputhje me Statutin e Romës”.

Colin Powell njoftoi, gjithashtu, se më vonë atë pasdite, bashkë me ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, ai do të nënshkruante Kartën e Adriatikut, me të cilën Shtetet e Bashkuara do të angazhoheshin në anën e tre vendeve të tjerë nënshkrues të asaj Karte “në një partneritet, që shpresojmë se do të përmirësojë shanset për zhvillim ekonomik, politik e shoqëror” dhe eventualisht do të mundësojë “avancimin e të tre vendeve në NATO dhe në Bashkimin Europian”.

* * *

Më pas, Sekretari Powell dhe Kryeministri Nano pranuan disa pyetje nga gazetarët shqiptarë dhe ata të huaj që kishin pritur përfundimin e ceremonisë së nënshkrimit të asaj marrëveshjeje. Pyetja e parë, siç unë e prisja, iu bë Sekretarit Powell nga një gazetar i Associated Press:
“Zoti Sekretar, përse zgjodhët Shqipërinë për të nënshkruar Kartën [e Adriatikut], kur fillimisht nënshkrimi i saj ishte planifikuar të bëhej në Uashington?”.

Për një çast m’u duk sikur ajo pyetje më ishte drejtuar mua. Por vetëm për një të qindën e sekondës. Sekretari Powell iu përgjigjes asaj pyetje shkurt dhe qartë:
“Nëse ju kuptova mirë, ju më pyetët se përse zgjodhëm Shqipërinë? Menduam se [Shqipëria] ishte vendi dhe [ky ishte] momenti i përshtatshëm për ta bërë një gjë të tillë. Unë po bëj një udhëtim në Europë dhe sot në mbrëmje do të shkoj në Siri. Kjo ishte diçka që kam dashur ta bëj prej kohësh, pra të vizitoj Shqipërinë”.

“Ne e dinim”, vijoi më tej Sekretari Powell, “se Karta ishte gati dhe se të gjitha dallimet [në pikëpamjet tona], që kishim diskutuar mes palëve gjatë muajve të shkuar, ishin zgjidhur. [Karta e Adriatikut] është një dokument i shkëlqyer dhe nuk besoj se mund të gjendej një vend më i mirë sesa Shqipëria për ta nënshkruar atë. Pra e ndryshova të gjithë udhëtimin tim që të vija këtu dhe, bashkë me [ministrat e jashtëm të Shqipërisë], të Kroacisë dhe Maqedonisë ta nënshkruajmë këtu Kartën. Mendoj se kjo është një shprehje e miqësisë sonë ndaj Shqipërisë, si dhe ndaj Kroacisë dhe Maqedonisë”.

I njëjti gazetar i Associated Press e pyeti Kryeministrin Nano se cili ishte përjetimi prej tij i një ngjarjeje të tillë dhe ky i fundit iu përgjigj me këto fjalë: “Unë besoj se Sekretari Powell ka shpërblyer përpjekjet…e Shqipërisë për transformimin e saj të jashtëzakonshëm nga një konsumator i stabilitetit, në një prodhues stabiliteti” në rajonal e më gjerë. Nano përmendi angazhimet dhe kontributin e Shqipëria në atë kohë, përkrah Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjerë të NATO-s në Bosnjë, në Afganistan dhe në Irak, për të theksuar se vendi ynë ishte bërë tashmë “një partner i besueshëm” për Amerikën dhe ndan “të njëjtat vlera euroatlantike” me të.

* * *

Pas atyre fjalëve të Kryeministrit Nano, një gazetare e TVSH-së e pyeti Sekretarin Powell se cilat ishin pritshmëritë e tij nga ajo vizitë në Tiranë lidhur me proceset e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian, dy procese për të cilat Shqipëria ishte investuar me të gjitha energjitë e saj.
I qetë, i sigurt në ato që thoshte dhe në një mënyrë që gjithmonë i bënte të tjerët ta dëgjonin me vëmendje e me dashamirësi (cilësi këto që më kishin bërë përshtypje tek ai qysh në takimin e parë me të dhe vazhdimisht më pas), Colin Powell tha:

“Kur mendoj se ku ishim, të themi, diçka më shumë se një dekadë më parë—kur ende vazhdonte Lufta e Ftohtë dhe unë isha Kryetari i Shtabeve të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe shihja përmes Perdes së Hekurt—dhe ku jemi sot, kur unë jam këtu si Sekretar i Shtetit i Shteteve të Bashkuara. Kam parë përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e Perdes së Hekurt, kam parë integrimin e Europës në një Europë të re, të bashkuar, të lirë dhe në paqe, nëse citoj nga fjalimi që Presidenti Bush mbajti para dy vitesh në Poloni. Vizioni ynë është ai i një Europe të tërë, të lirë e në paqe, që është e lidhur me komunitetin e madh transatlantik, që përfshin Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë. Ajo pjesë [e këtij komuniteti] çfarë ende mungon është Europa juglindore”.

Colin Powell vijoi më tej duke thënë se: “Nënshkrimi i Kartës [së Adriatikut] sot, bashkëpunimi që na ka ofruar veçanërisht Shqipëria në luftën kundër terrorizmit dhe në përpjekjet tona për të çliruar popullin irakian, me ushtarët shqiptarë që na ndihmojnë në terren në Irak [dhe] në Afganistan dëshmojnë drejtimin në të cilin dëshiron të ecë Shqipëria për t’u bërë pjesë e kësaj Europe të integrur, të bashkuar, të lirë dhe në paqe, si pjesë e partneritetit euro-atlantik”.

Powell e përfundoi përgjigjen e tij duke thënë se: “Përmes vizitës sime dhe përmes urimeve më të mira të Presidentit Bush, ne i themi popullit dhe qeverisë shqiptare: ‘qëndroni me ne, vazhdoni të ecni përpara, vazhdoni të përparoni me reformat politike, me reformat ekonomike dhe me përpjekjet për ta venë shoqërinë në vendin tuaj mbi bazat e shtetit ligjor dhe do të shihni se keni shumë miq, të cilët duan që t’ju ndihmojnë, të ndihmojnë për të realizuar ëndrrat e popullit shqiptar për të jetuar në një vend dhe në një shoqëri të tillë. Pra, kjo është vërtet një vizitë, të cilën unë shpresoj se populli shqiptar do ta shohë si një akt miqësie”.

“An act of friendship”—Një akt miqësie!

Me këto fjalë, Colin Powell kishte thënë qëllimin e vërtetë të vizitës së tij në Tiranë, si dhe përmbajtjen e marrëdhënieve e të qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë. Siç kam venë në dukje edhe më parë, ajo ishte një kohë e Afrimit të Madh mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

(vijon nesër)

_______

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *