Në ato viset e mia…
Në ato viset e mia
Bekuar prej Perëndie
Në Labovë e në Labovë
Kush me çon e kush më bie?!…
Në ato viset e mia
Trëndelinë në çdo fije
Në Labovë e në Labovë
Kush me çon e kush më bie?!…
Në ato viset e mia
Në Çajup e në Odrie
Në Labovë e në Labovë
Kush me çon e kush më bie?!…
Në ato viset e mia
Nëpër kroje, nëpër hije
Në Labovë e në Labovë
Kush me çon e kush më bie?!…
Në ato viset e mia
Hënën me dorë e zije
Në Labovë e në Labovë
Kush me çon e kush më bie?!…
Në ato viset e mia
Yjet me filxhan i pije
Në Labovë e në Labovë
Kush me çon e kush më bie?!…
Në ato viset e mia
Në Labovë e në Odrie
Ku dhe guri, ku dhe druri
Flasin fjalë dashurie…
Në ato viset e mia
Plot me mjaltë e ëmbëlsirë
Në Labovë e në Odrie
Do të vdisja me dëshirë!…
Kristale të thyera
Tufan’ i zi i xhelozisë
Prishi folenë e dashurisë,
Dritare, dyer krejt i shqeu
Dhe zemrat si kristal i theu.
Tufan’ i zi i xhelozisë
Prishi folenë e dashurisë.
Kënga dhe dashuria
Jam i ri e s’thinjem kurrë
Po u thinja mos tregoni,
Po ju thanë që jam sëmurë,
Miq të dashur, mos besoni!
Miq të viteve të mia
Mos besoni këtë prrallë,
Dashuria- dashuria
Edhe kënga më mban gjallë.
Unë e di se ç’kërkon jeta
Unë e di nga jeta ç’dua
Tjetër pasuri s’kërkoj
Veç zemrës që rreh për mua.
Më buzëqesh në shpirt rinia
Ndaj këndoj me aq dëshirë
Se dhe kënga, dashuria
I bën njerëzit më të mirë.
A. DUKA
