Kushti për lejen e ushtrimit të profesionit, afatet dhe procedurat që duhet të ndjekin farmacistët e rinj

J L
Shot of a young pharmacist assisting a customer

Pranvera Kola

 

Gara me testimet e radhës për licencimin e farmacistëve të rinj do të zhvillohet përgjatë muajit dhjetor. Por, për të hyrë në provimin e shtetit, të gjithë farmacistët e rinj duhet që më parë të bëjnë regjistrimin pranë Urdhrit Profesional të Farmacistit. Sipas afateve të përcaktuara tashmë të gjithë këta kandidatë që do të garojnë në fundvit për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit si farmacist, duhet që të regjistrohen në datat 11 dhe 12 nëntor. Në rregulloren e provimeve, përcaktohet se në garë për licencën do të përfshihen vetëm farmacistët e rinj që kanë kaluar me sukses edhe testin e praktikës profesionale.

Procedurat e regjistrimit për provimin e shtetit brenda afateve të vendosura duhet që t’i bëjnë edhe kandidatët që kanë hyrë në testimet e sezoneve të mëparëshme, por që kanë rezultuar mbetës dhe do të rikthehen sërish në garë për licencën profesionale. “Regjistrimi i kandidatëve për provimin e shtetit të sezonit nëntor-dhjetor 2021 do kryhet në datat 11 dhe 12 nëntor, pranë zyrave përgjegjëse të urdhërit në kryeqytet, ku çdo kandidat duhet që të dorëzojë dosjen e dokumenteve të përcaktuara”, sqarojnë autoritetet e Urdhrit të Farmacistit. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar dosjen e dokumenteve që kërkohen për regjistrim nga kandidatët që do të hyjnë për herë të parë në provim shteti në këtë sezon, si dhe dosjen e dokumenteve që duhet të rinovojnë përsëritësit.

Konkretisht në dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzohen nga kandidatët që hyjnë për herë të parë për t’u regjistruar për provim shteti janë: “Formulari i aplikimit sipas formatit të përcaktuar, fotokopja e kartës së identitetit, fotokopje e noterizuar e diplomës universitare dhe listës së notave, otokopje e noterizuar e suplementit të diplomës, ëshmi e pjesëmarrjes në praktikën  profesionale (lëshuar nga UFSH në momentin e kalimit me sukses të provimit të VAP), dëshmi e kursit të ndihmës së shpejtë (lëshuar nga Kryqi Kuq Shqiptar), raport mjeko ligjor, dëshmi penaliteti, vërtetim nga prokuroria e rrethit qe nuk është në ndjekje penale, fatura e tarifës së provimit, si dhe dy fotografi në format pasaporte”.

Ndërsa përsëritësit do të duhet të plotësojnë sërish formularin e aplikimit, si dhe të dorëzojnë në dosje të rinovuara edhe këto dokumente: “Fotokopjen e diplomës universitare, kopjen e kartës së identitetit, raporti mjeko-ligjor, dëshmi penaliteti, vërtetim nga prokuroria e rrethit që nuk është për ndjekje penale, mandat pagesen e hyrjes në provim, si dhe 2 fotografi (format pasaporte)”.

Për të mos rrezikuar përjashtimin nga hyrja në provimin e shtetit të këtij sezoni, ekspertët e Urdhrit të Farmacistëve sqarojnë se raporti mjeko-ligjor, vërtetimi nga prokuroria dhe dëshmia e penalitetit duhet të jenë të lëshuara gjatë tre muajve të fundit. “Kandidatët për t’u regjistruar duhet të paraqesin detyrimisht dëshminë e penalitetit, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të cilin mund ta sigurojnë edhe në portalin E-Albania. Kandidatët që janë diplomuar në ish Universitetin “Kristal” duhet të paraqesin vërtetimin e vlefshmërisë së diplomës”, sqaron më tej Urdhri i Farmacistëve.

Në ndihmë të farmacistëve që do të testohen për licencën në këtë sezon, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të kësaj qendre.

Lidhur me vlerësimin, në rregulloren e provimit të shtetit të miratuar më herët saktësohet se kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Po sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Sipas ligjit përkatës, personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Dosja që kërkohet nga kandidatët që hyjnë për herë të parë në provimin e shtetit:

  • Formular aplikimi.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.
  • Fotokopje e noterizuar e diplomës universitare dhe listës së notave.
  • Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës.
  • Dëshmi e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (lëshuar nga UFSH në momentin e kalimit me sukses të provimit të VAP).
  • Dëshmi e kursit të ndihmës së shpejtë (lëshuar nga Kryqi Kuq Shqiptar).
  • Raport mjeko ligjor.
  • Dëshmi penaliteti.
  • Vërtetim nga prokuroria e rrethit qe nuk është në ndjekje penale.
  • Mandat pagesa në llogari të QSHA-së.
  • Dy fotografi (format pasaporte).

 

Dosja që kërkohet nga kandidatët përsëritës:

  • Formular aplikimi.
  • Fotokopje e diplomës universitare
  • Fotokopje e kartës së identitetit.
  • Raporti mjeko-ligjor.
  • Dëshmi penaliteti.
  • Vërtetim nga prokuroria e rrethit që nuk është për ndjekje penale;
  • Mandat pagesa në llogarinë e QSHA-së.
  • Dy fotografi (format pasaporte).
Share This Article
1 Comment
  • Po kandidatet per deputet kush i teston,…….keta qe nxijne ekonomine risin taksat dhe cmimet e borxhin publik, kjo do ishte me rendesi te faktohej dhe jo shitesit e barnave te skaduara qe qeverria i ben karshillek

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *