Sot, 1 vit në Hagë/ Kujtimet e Bedri Islamit: Si ishte Hashim Thaçi kur e njoha unë

Ornela

Kur në perëndim, për herë të parë pas shumë viteve, u fol se në Kosovë ishte duke lindur një lëvizje guerile, e cila po gjente shtrirje më shumë në zonat rurale, ishin të paktë ata që e morën seriozisht këtë gjë. Edhe shërbimet e informacionit, megjithëse të kujdesshme, nuk i kushtuan vëmendje, ndoshta edhe për faktin se në këtë trevë, përherë të trazuar, kishin lindur herë pas here shkëndijat e një lëvizje guerile, të cilat më pas, ishin shuar, duke lënë pas disa të vrarë, si zakonisht nga policia serbe. Edhe në fillimin e viteve ‘90 të shekullit që shkoi po ndodhte e njëjta gjë, kishte të vrarë shqiptarë në demonstrata apo në aksione të ndryshme, por nuk dukej sikur do të ndodhte ndonjë përmbysje apo diçka e jashtëzakonshme, të cilës duhej t’i kushtoje vëmendje.

Sidoqoftë, nëpunësit e kujdesshëm e hapën një dosje, disa analistë u ngutën të shkruanin për këtë që kishte filluar të flitej si një lëvizje e majtë, e cila me siguri, nuk do të ndryshonte asgjë. Për më tepër, faktori politik legal në Kosovë, ishte aq i fuqishëm, të paktën në dukje, sa që nuk kishte zot që ta shkulte dhe nuk të jepte asnjë lloj mundësie për të lëvizur. Lideri i asaj lëvizje, i cili zakonisht përtonte të hiqte edhe shallin rreth qafës, nuk e kishte ndër mend të lëvizte dhe kjo, sikur i kishte qetësuar të tjerët.

Megjithatë, në dosjen e hapur filluan të shënoheshin informatat e para, pastaj gjithnjë e më shumë, deri sa u ndaluan tek emërtimi i lëvizjes që kishte lindur, emërtim, i cili gjithnjë sipas tyre, ishte më i madh nga sa kishte mundësi Kosova, por që megjithatë ishte i gjetur bukur, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kur gjërat filluan të bëhen gjithnjë e më të qarta, si të thuash, kur filluan të ravijëzohen të vërtetat, sado që të pakta, u duk sikur gjërat po zgjoheshin nga gjumi, i cili i kishte zënë në befasi. Deri pak më parë, deri në fillimin e vitit 1996, më shumë se gjithçka ishte menduar për një lëvizje guerile të kujdesshme, por vetëm aq tani gjërat po rriteshin dhe pikërisht në këtë kohë, jo rastësisht, ata filluan të interesoheshin për elitën drejtuese, për të shkuar drejt liderit të saj. Po ishte gjithnjë e më e vështirë, si duket të mësuar me goditjet, njerëzit në Kosovë kishin zënë mend dhe fshehtësia që po i rrethonte, ishte më e madhe se zakonisht.

U bënë gjithfarë hamendjesh, u analizuan njerëzit të mund të ishin në grupin drejtues dhe vëmendja u përqendrua tek disa prej tyre; më të shumtët ishin jashtë Kosovës dhe të përqendruar rreth Lëvizjes Popullore të Kosovës, një organizatë e hershme, herë ilegale deri në thellësi dhe herë e shkujdesur. Por, ndërsa shkujdesja kishte marrë fund në vjeshtën e vitit 1993, ilegaliteti i saj po dukej sikur po përmbyste rendin e gjërave.

Sidoqoftë, jam krejt i bindur se edhe analistë më optimist nuk do të kishte menduar se, në harkun kohor të pak viteve, gjërat do të ndryshonin rrënjësisht dhe kjo lëvizje, herë e dukur e më shumë e nëndheshme, do të bëhej qendra e zhvillimit në atë trevë thellësisht të përgjakur.

Kur u duk sikur gjërat dolën sheshit, pikërisht atëherë, për shumicën, ndodhi diçka e papritur; në Rambuje, konferenca e nisur me vrull si një gjetje e domosdoshme, zbuloi se njëri nga ata që kishte qenë në passkenën e gjithë kësaj lëvizje, apo që ishte shfaqur më në fund krejt haptas, nuk ishte asnjëri nga figurat që kishin menduar, megjithëse edhe ata ishin të rëndësishëm, por një djalë i ri, ende pa i bërë të 30 vitet, i panjohur për shumicën, por i njohur vetëm për ata që duhej; që ende nuk ishte shfaqur askund ku mund të shihej, nuk ishte pjesë e tubimeve, as nuk ishte prononcuar në shtyp, nuk bënte asnjë lloj politike, më tepër i heshtur dhe enigmatik, se i shfaqur; për të cilin kishin menduar se tani, pas studimeve në Prishtinë, por vazhdonte studimet pasuniversitare në Zvicër.

Ai quhej Hashim Thaçi, drenicak, që do të thotë nga një zonë ku lufta ishte një gjë e zakonshme dhe ku nuk mund të përcaktohej si një gjëmë; tepër i ri, i ftohtë, serioz me të gjithë dhe , sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, kishte në vete enigmën e një njeriu, që i porsa dënuar në mungesë, me dhjetë vite burg, nuk dukej se i ishte shmangur asaj që kishte pasur ndër mend të bënte.

x x x

Ajo që kishte filluar të shfaqej në Kosovë nuk ishte diçka e re, sidomos në zhvillimet e para. Kudo në botë ndodhin gjëra të tilla, lëvizje të ndryshme ndërmarrin aksione edhe tani, analistët dhe kancelaritë ndërkombëtare nuk janë kurrë të ngutura të rendin drejt tyre, sepse përgjithësisht nuk përbëjnë lajm dhe as motiv për t’u alarmuar, më së shumti janë probleme të brendshme; mirëpo në Kosovë, lëvizja guerile, pastaj UÇK-ja përmbysi rendin e zakonshëm të gjërave. Ajo nuk priti disa dekada deri sa çështja që mbronte të bëhej mbijetuese dhe e njohur për ndërkombëtarët, për më tepër, ajo arriti në fare pak kohë, të bëhej pjesë e këtij bashkëpunimi, çka nuk kishte ndodhur kurrë më parë me lëvizje të tilla të ngjashme. Ku ishte Thaçi në këtë periudhë, cili ishte roli i tij, që lëvizja çlirimtare, ku ai ishte bashkëthemelues dhe pastaj njëri nga drejtuesit kryesor, të ishte e mirëseardhur për bashkëvendasit e tij dhe e mirëpritur për të huajt?

Lëvizjet guerile, në shumicën e rasteve, do të kenë një periudhë të gjatë të rritjes, zhvillimit dhe të përfaqësimit të tyre, deri sa bëhen pastaj pjesë e natyrshme në jetën e një populli.

Me UÇK-në nuk ndodhi edhe aq e gjatë kurba e zhvillimit të saj. Haptas ajo u pranua me 28 nëntor 1997, dhe kur mendon se aksionet e para të saj, sipas vendimeve të veçanta, janë zhvilluar në fillimin e majit 1993, do të thotë se mes njërës datë dhe tjetrës, janë diçka më shumë se 4 vite dhe kjo nuk është një periudhë e gjatë që të fitosh të drejtën e pranimit nga njerëzit e tu, dhe pak më vonë, edhe nga ndërkombëtarët.

Në të vërtetë, që gjatë luftës, si do e përcaktonte gazetari britanik, James Pettifer, kur në fundin e vitit 1997 ishte në Drenicën e lirë, se “një Kosovë e re kishte lindur, një Kosovë ndryshe nga ajo e mëparshmja, Kosova e ardhshme e pavarur…”.

Cila hise në këtë Kosovë të re, ndryshe nga e mëparshmja, me një të ardhme të pavarur, i takonte edhe Thaçit?

Shumë pyetje njëkohësisht, le të kthehemi tek disa nga momentet më thelbësore të jetës së tij, ashtu si e kam njohur unë…

***

Papritur, në mesin e shkurtit të vitit 1999, ai u gjend në qendër të ciklonit politik. Nuk do të ishte më shumë se 31 vjeçar dhe kjo do të ishte përballja e tij e parë, në këto përmasa, me diplomacinë. Ajo, për dreq, do të ishte e shumëllojshme, e ngutur në kohë, herë pas here agresive, do të kishte momentet e veta të përkëdheljes politike, të zbutjes, të dëshirës për të joshur ëndrrën politike të çdo lideri, e më për tepër ëndërrimin politik të një djali të ri, i cili, si i dukej atyre, kishte dalë mrekullisht nga fshehtësia e të panjohurit, për të patur një fat të veçantë, të cilin nuk e kishin pasur as njerëz me dyfishin e moshës së tij dhe të njohur si njerëz të politikës shumë e shumë vite më parë. Në një kështjellë të moçme, çuditërisht e lidhur me fate dhe jetë mbretërish, tepër e fshehtë për të qenë në syrin e të gjithëve, rrethuar me kangjella të larta hekuri, në oborrin e së cilës lëviznin mitet e së djeshmes, tani, një lloj tjetër fati, më modern, por i përshkruar nga e njëjta ligësi, do të vinte përballë përfaqësues të dy popujve, që  ndonëse kishin pasur mundësi të shikonin secili hallet e dertet e veta, sekush në shtëpinë e tij, kishte pasur një tjetër rrjedhë; të parët, donin të ishin mbretër në shtëpinë e tyre, këto, të shtypur dhe të vrarë deri asaj dite, shqiptarët, kishin bërë udhë të gjatë për të ardhur deri këtu; të dytët, serbët, mbuluar nga miti i rremë, vetë i krijuar, i një djepi, kishin ardhur përdhunshëm, për të bërë edhe një herë të mundur që të ishin zotër në shtëpinë e tjetrit.

Përreth tyre, herë për t’i zbutur dhe herë për t’i dëshmuar forcën, endeshin diplomatët e huaj, thuajse nga të gjitha vendet e rëndësishme, në mesin e të cilëve, francezët, të zotët e shtëpisë, përpiqeshin të ishin kryesorët, por që në fakt, të ardhurit përtej oqeanit, amerikanët, do të ishin thelbi i gjithçkaje.

Mes tyre, krejt befas, si një e papritur që nuk ishte menduar aq thellë, do të qëndronte ky njeri, ende djalë i ri, i hequr në fytyrë, do të thoja i dobët, me shtatin e gjatë, përtej mesatares se zakonshme të shqiptarëve, i veshur thjeshtë, dhe që, lodhja nga rruga e gjatë që kishte bërë, nuk i ishte hequr ende nga tiparet e fytyrës.

Kishte ndodhur një përmbysje, më në fund ishte vendosur që të bëhej një Konferencë e Jashtëzakonshme për Kosovën, por përmbysja do të ishte edhe në një element tjetër, tepër e padukshëm në ato ditë, por që do të vinte duke u bërë gjithnjë e më i dukshëm, deri sa do të formësonte tiparin e një politikani të ri, i cili do e lidhte emrin e tij me tre gjëra, me luftën, me të ardhmen e Kosovës dhe me diplomacinë ndërkombëtare.

Ai ishte nisur nga fshati Berishë, vetëm pak ditë më parë, aty ku ishte edhe njëra ndër qendrat e Shtabit të Përgjithshëm. Si zakonisht, kishte udhëtuar me mikun e tij më të afërt, më shumë i njohur si “Luli”, se sa me emrin e tij të zakonshëm; shoqërues kishte pasur një grup njerëzish të armatosur, të cilët njiheshin gjerësisht si luftëtarë të UÇK-së, kishte pasur rrugëtim nëpër dëborë dhe shumë pak njerëz, ndoshta më pak se gishtat e njërës dorë, e dinin udhëtimin e tij. Kishte kaluar përmes fshatrave të Hasit, mbuluar nën dëborën që ende vazhdonte të binte, pastaj përmes Pashtrikut, kishin kaluar në fshatin Vlahen, më tej në qytetin e Kukësit, në kryeqendrën shqiptare, Tiranë, më tej në Zvicër, Paris… Ende binte dëborë e lehtë dhe frynte një erë e ftohtë brisk.

Askush nuk ishte lajmëruar për ardhjen e tij dhe ai vetë, po ashtu, askënd nuk kishte lajmëruar. Kishte thirrur një taksi, si çdo njeri i zakonshëm, kujdesi nuk kishte qenë kurrë i tepërt, dhe ishte nisur në drejtimin e Rambujesë… Në fakt, drejt atij vendit ishin nisur asaj dite disa qindra bashkatdhetarë, më pas do të niseshin edhe disa dhjetëra mijëra të tjerë, në atë që do të quhej tubimi më i madh i shqiptarëve jashtë atdheut të tyre.

Tek porta e madhe me kangjellat e hekurta ai kishte qëndruar për pak çaste. Deri aty kishte shkuar me miqtë e tij më të afërt, kur do të kalonte atë prag, do të ishte me miq të tjerë, por herë pas here do të ishte edhe krejt vetëm.

Ende nuk ishte bërë i njohur emri i tij, ndoshta, deri asaj dite, edhe ai vetë kishte dashur të ishte sa më pak i njohur, nuk kishte dashur të ishte pjesë e takimeve të ndryshme, deklaratave. U ishte ruajtur atyre, kishte qenë përherë në kujdesin e tij shmangia nga e dukshmja, e jo më kot e thashë, që në fillimin e këtij rrëfimi se për shumë kohë, ai do të ishte njeriu që nuk do i diheshin gjurmët.

***

Si ishte Hashim Thaçi kur e njoha unë?

Nuk kishte asnjë fije floku të thinjur, i dobët, nuk dukej asgjë nga ajo që do të vinte më vonë dhe që mund ta cilësoje si shenjë e fluturimeve në lartësi, por dukej një përndritje e guximshme shpirtërore. Nuk kishte asnjë lloj shkëlqimi, ndoshta nga fakti se ai ishte ndër ilegalët e dyfishtë. Ai që e mohon këtë e idealizon dhe nuk e thotë të vërtetën. E gjithë pamja e tij ishte e thjeshtë, por njëkohësisht e paarritshme, nuk kishte shtigje të hapura përmes të cilëve mund të depërtoje në mendimin e tij, më tepër se afishuese e mendimit, ajo ishte një kështjellë e mendimit të fshehtë, tipar i njerëzve që kanë vendosur deri në fund të arrijnë qëllimin që i kanë vënë vetes. Fliste ngadalë, në të vërtetë nuk kishte fjalor të zgjedhur, por ishte i saktë, mund të dalloje lehtësisht diçka të depërtueshme nga zona e Drenicës, po aq lehtësisht sa mund të vëreje studentin rebel, i cili do të përmblidhte në vete mendimin kryengritës në një peizazh tragjik. Por, kur gjërat fillonin të ktheheshin në normalitet, pra, pasi kishin kaluar momentet e përplasjes dhe të trazimeve, apo kur kishte ardhur koha për një bisedë tjetër, mund të vëreje lirisht se pas figurës së tij të ftohtë, qëndronte edhe njeriu që vitet në një qytet si Zyrihu, nuk i kishte kaluar si anonim, por kishte marrë mjaft gjëra të vyera nga përditshmëria e jetës, dhe ajo që ishte më thelbësore, kjo e gjitha kishte ndodhur pa bjerrur vetitë që kishte bartur në vite.

Pas pamjes së tij të ftohtë fillimisht duket një njeri si gjithë të tjerët, pastaj nis e vëren se nuk është vetëm kaq. Nëse në pamjen e tij nuk mund të vëreje asgjë të pazakontë, diçka tjetër të tërhiqte vëmendjen; ngulmimi i tij për të qenë jo thjeshtë i pranishëm, por edhe determinues, thjeshtësia me të cilën e gjithë pamja e tij dëshmonte se kishe para vetes një njeri të vendosur dhe nëse para një çasti je i bindur se ke para vetes një njeri të zakonshëm mes të zakonshmëve, pak çaste më pas e kupton se nuk është kështu.

Kur ishte gjimnazist ai ngjan me të gjithë moshatarët e tjerë të tij, me të njëjtat dëshira dhe shpesh herë, edhe me të njëjtat synime, por është më këmbëngulës. Si student, ai fillon e bëhet pjesë e rëndësishme e lëvizjes ilegale në mjediset universitare, por është shumë më konkret se të tjerët, kjo ndoshta edhe nga fakti se kishte marrë me vete shumë gjëra të malësorit të Drenicës. Vështrimi i tij, që deri pak çastesh ishte i ngurtë, fillon e bëhet goditës, të shtang dhe e ke të vështirë të përballesh. Në Mbledhjen e Gjashtë të Përgjithshme të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe kur për herë të parë e kisha përballë meje, ai do të kishte çastin e tij të goditjes dhe sado që më vonë ishte e qartë se cili kishte qëllimi i saj, momenti i shpërthimit ishte shoqëruar me shkreptimën e gjithë tipareve të tij dhe prej saj ishte e pamundur të fshihesh. Kisha përshtypjen se ai kishte pritur disi gjatë për të pasur atë shpërthim, por po ashtu, asgjë nuk kishte qenë e rastësishme.

Por ky ishte vetëm një çast, pastaj ai u bë përsëri i ftohtë, pak depërtues, ajo që kishte për të thënë ishte bërë e njohur jo vetëm përmes fjalëve , por edhe gjithë qenies së tij dhe pak më vonë, gjithçka u kthye tek e zakonshmja. Kishte qenë zemërata që kishte shpërthyer ashtu apo një synim i përcaktuar qartë për të ardhmen, kjo është diçka tjetër, por prej tij kishte qenë thuajse e pamundur të shmangesh. Përmes vështrimit ai kishte rrezatuar në fare pak momente shpërthimin e tij, pastaj kishte nisur të rikthehej në përpikmërinë e zakonshme, e cila, po ashtu, nën të fshehtën që kishte bartur, do të duhej kohë të rishfaqej.

Në ditët e mëtejshme, kur gjërat filluan të qartësohen dhe diskutimet të ishin përgjithësisht më të qeta, mund të vëreje gjithçka tek pamja e tij, por vetëm një gjë nuk mund ta dalloje kurrë: pasivitetin. Ai nuk mund të ishte kurrë pasiv e as në nënndarjen e gjërave, ai nuk mund të gjendej kurrë i dremitur, ndoshta as në jetë, sepse në politikë kjo është më se e sigurtë. Do të jetë tmerrësisht i vëmendshëm, deri në skajmëri, herë pas here do të hetojë ftohtë dhe në herët e tjera do të jetë pjesë e përplasjeve të vrullshme, por kurrë, asnjëherë pasiv. Ky do të jetë njëri ndër tiparet e tij më përcaktues, të cilin, dashje pa dashje, do e shfaqte sa herë që do të ishte e nevojshme, dhe që, në vende të ndryshme e takime të ndryshme, do e shfaqte me tërë forcën e tij.

 

 

 

Share This Article
10 Comments
  • Z.Bedri une nuk e kam njohur Hashim Thacin,por jam ne gjendje te plotesoj pazellin para dhe pas lufte te tij .Para lufte—I thjeshte,me jetese normale,pa vile,me makine te thjeshte.Pas lufte— me vile,me jetese luksoze,pa perfillur qytetaret e zakonshem,me makine te blinduar.Emeriton vajtjen ne Hage si shume politikane andej e ketej kufirit jo per luften qe ka bere po per shperdorimin e parase publike dhe varferimin e popullit te tyre qe mund te futet ne kategorine e genocidit

    • Nje shkrim i dobet, pa kembe e pa koke, alla Bedriu. Nje perpjekje per te risjelle pak nga vepra e jashtezakonshme e Hashim Thaçit, por pa rezultat.
      Vepra madhore, e Hashim Thaçit dhe e UÇK-se, eshte ngjarja e katert me e madhe ne historine e Shqiperise, pas vepres se Skenderbeut, pas shpalljes se Pavaresise, dhe pas Luftes Nacional Çlirimtare.
      Ne te kater keto ngjarje te medha historike u pavaresuan e u çliruan pjese te territorit shqipetar.
      Hashim Thaçi eshte nje nga ideatoret dhe organizatoret e Ushtrise Çlirimtare te Kosoves, qe luftoi me arme ne dore per çlirimin e Kosoves nga pushtuesi serb. ne kete epope madheshtore te popullit tone dhane jeten qindra e mijra bij e bija shqipetare nga te gjitha viset dhe nga diaspora.
      Dergimi i Hashim Thacit ne Hage dhe jo i politikaneve dhe gjeneraleve serbe, eshte nje veprim i turpshem i komunitetit nderkombetar. Ne vend qe ne Hage te jene pushtuesit dhe ushtruesit e genocidit, jane çliruesit.
      Nese Hashim Thaçi eshte akuzuar per korrupsion, gjyqin duhet tja bejne qytetaret dhe institucionet e shtetit te pavarur te Kosoves. Askush nuk duhet ti shmanget drejtesise. Qofshin keta edhe kreret e UÇK.

      Por jo Haga.
      Jepini Çezarit ate qe i takon

  • Hartim i bukur besa… Plot ngjyrime artistike. Nuk e di pse mu kujtuan ato furçat e llustraxhinjve me qime derri… Apo pallatet me shigjeta si symbol i fasadës rilindjotase…Thaçit do i jetë bërë zemra…kodër kur e ka lexuar. Dhuratë më të mirë për 1 vjetorin s’ke ku ma gjen. Këshiltari personal sikur ja zbuti disi dhimbjen.

  • Hashim.Thaqi do të mbetet figura kryesore politike (ushtarake jo) e shqiptarëve në Kosovë si në Rambuje por edhe personi që punoi dhe shpalosi Kosoven shtet me njohje të plota nderkombëtore zyrtarisht dhe që hodhi hapa të fuqishëm në ngritjen ekonomiko shoqërore të Kosovës andaj forcat antishqiptare dhe forcat e errta shqiptare nuk lanë gurë pa lëvizur për dy dekada që ta eliminonin bile politikisht

    • me kundershtaret politik duhet te debatohet ne foltore dhe jo te masakrohen nga vrases mafioze.Pra duhet te ndahen dy gjera; lufta clirimtare e UCK-se nga vrasjet mafioze te kundershtareve politik.

  • Thaci, sipas gazetes “Bota Sot”, paska ne Bankat e Turqise 2 miliard dollare, por jo vetem ,sepse paska edhe ne ishujt “papers” miliona euro

    • Sipas bota sot H.Thaqi duheshte teishte pushkatu.Nuk ka dite qe kjo paqavure e financuar nga Beligradi qe nuk kriminalizon UCK dhe sidomos legjenden e pavaresis se Kosoves,presidentin H. Thaqi.

  • Hashim Thaci kujtoi se me bythlepirje ndaj nderkombetareve do mbante pushtet deri kur te dilte ne pension. Por nderkombetaret e nxorren ne pension te parakohshem sepse…Limonet mbasi shtrydhen, hidhen tutje!

  • bedri,nuk ka nevojë të të kujtoj se kam qënë një nga mbështetësit e uçk-së,dhe financiarisht sa kam mundur!!
    kam mbështetur pjesën politike të uçk-së në ardhjen në pushtet!
    nuk ka nevojë tëtë them se jam zhgënjyer tmerrësisht më vonë me paaftësinë e tyre në drejtimin e vëndit dhe mbitë gjitha jam tmerruar kur kam parë që arshimi me po e rrumbullakos 3 mijë € në muaj brënda një kohe të shkurtër ndërtoi një vilë,thonë 2 milionë €,të cilën nuk e mohoi dhe kur e pyetën në një emision televiziv,por i tha intervistuesit “se dhe ti e ke ndërtuar një të tillë”!!
    ndoshta ai nuk e meriton atë gjyq që po i bëjnë,por të siguroj se meriton 1 mln % atë gjyq që nuk po ja bën populli i kosovës!!
    gjyqin për grabitjen e pasurisë së saj,të atdheut të tij!
    për të cilin thotë se doli të luftojë!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *