T’i japësh kuptim rutinës

anazapta

Ledia Kostandini, e diplomuar për Pikturë, këto ditë ka hapur ekspozitën e saj të parë personale, ndoshta është më e rralla në Tiranë. Disa objekte që ne i përdorim rëndom në jetën e përditshme janë vendosur në të tjera dimensione. Sa hynë në ambientet e galerisë pamja është pak a shumë kështu: Në hyrje, një tufë hudhrash janë transformuar në një tufë sysh dhe survejojnë gjithë ekspozitën (duke marrë shkas nga simbolika bestytnore). Në hapësirën e parë të galerisë është improvizuar një kënd “manikyrë”, ku në vend të gishtave, gjen 10 karota të trajtuara me ketë shërbim. Në tre  instalacione të vogla, sheh edhe dy vezë, një lugë druri, një çark minjsh i cili rri mes një tufe qimesh e ngjason me një kurth erotik. Gjoksi femëror, zëvendësohet nga dy qepë (si proteza silikoni), brenda një palë sytjenave prej tyli. 

Në sallën e dytë mund të shohësh një këpucë jeshile afunksionale, mbushur me gozhdë, një gërshërë krijuar prej dy drapërash duke formuar perimetrin e një beli ideal femëror, 60 cm. Rezistencës së një sobe i është dhënë forma e syzeve të diellit të cilat lëshojnë një nxehtësi përvëluese. Dy sita mielli janë përpunuar e janë qëndisur me simbolika ushqimesh si kcal (kalori) dhe Fat (yndyra). Sita vjen si simbol i një seleksionimi, e njëjta filozofi që shoqëron zgjedhjet tona ushqimore. Një çadër e hapur, e cila humb funksionin e saj mbrojtës duke u bërë alogjike.  Një mistri përdoret si instrument depilimi. Një tullumbace është future me zor në një kuti xhami dhe ushtron aty presionin e saj te sforcuar.

Në ekspozitë vjen edhe një seri fotografish. Këtu, figura modelesh janë prerë nga revistat e modës, dhe janë instaluar nëpër shtëpi apo studio, duke krijuar situatë në dukje organike, por gjithsesi surreale. Ato ironizojnë figurën e femrës se ofruar si objekt adhurimi dhe ideali.

Në qendër të ekspozitës  qëndron një “skulpturë” e madhe pink e cila përbëhet nga më shumë se 12 jastëkë.  Vizitorët mund t’i marrin këta jastëkë dhe të shtrihen nëpër galeri duke shfrytëzuar komoditetin që ato ofrojnë; një formë për t’u lidhur me veprën dhe me njëri-tjetrin. Ekspozita me titull “Centro Estetike” mbyllet nesër. Dita, ka bërë një bisedë me artisten e cila rrëfen rrugën dhe punën e saj e për të qenë… ndryshe.

Ledia, na trego diçka për veten?

kepuacaUnë kam lindur në qytetin e Pogradecit dhe kam jetuar atje deri në vitin 1998, kur erdha në Tiranë për të ndjekur Liceun Artistik për Pikturë.  Me pas ndoqa Akademinë e Arteve dhe jam diplomuar në vitin 2006 në Degën e Arteve të Aplikuara. Jeta ime ka qenë praktikisht e dyzuar në mes dy qyteteve, Pogradecit dhe Tiranes, sepse secili me ofron një dimension të ndryshëm  nga tjetri. Megjithëse  të gjitha aktivitetet dhe angazhimet e mia lidhen me Tiranën, një pjesë e afeksioneve më të mëdha i përkasin qytetit tim të lindjes, ku vazhdojnë të jetojnë prindërit e mi. Fëmijëria ime e pasur me lojëra dhe zhurmë, në një mëhallë të mbushur me dyer e njerëz, nuk ka fjetur kurrë, por vazhdon të jetë “kripa” e asaj që bëj sot si artiste. Pablo Pikaso thotë se: “ Çdo fëmijë është një artist! Problemi është se si të qëndrosh artist edhe kur rritesh”.  Ndërkohë në Tiranë kam kërkuar të zgjeroj hapësirat e mia, sa i përket marrëdhënieve sociale dhe praktikës sime artistike. Gjithnjë kam synuar të krijoj një pavarësi, që do të më ndihmonte në brumosjen e një personaliteti të caktuar në vijim.  Në Tiranë kam qenë e pranishme në ekspozita kolektive, në konkurse të ndryshme.  Disa prej tyre me kanë dhënë çmime të rëndësishme, si “Ardhje”, “Idromeno”, “Vangjush Mio” “See Visions” etj. Projektet e mia, shpesh kanë udhëtuar në vende të tjera si Paris, New York, Graz, Stokolm, Berlin etj.

Kjo që po shohim është ekspozita juaj e parë personale?

Po, e vërtetë. Aktualisht në Galerinë “Miza” është hapur ekspozita ime e parë personale në Tiranë nën titullin “Centro Estetike”, kuruar nga Eriola Pira. Ajo do të qëndrojë hapur deri në 23 Janar.  Një pjesë e punimeve të kësaj ekspozite do të ekspozohen në Stokolm gjatë muajit Shkurt.

Ekspozita është interesante. Nuk e kishim parë më parë një të tillë. Si erdhët deri këtu?

ekspRruga që ka ndjekur kjo ekspozite është thuajse një vjeçare. Punimet e para datojnë që në janarin e 2013. Të tjerat janë pasojë e koefidencës sime me një stil të ri, dhe bashkëjetojnë duke marrë vlerë nga njëra-tjetra. E gjithë ekspozita duket si një ambient komod, intim, ku rrethohesh nga objekte të përdorshme. Thuajse e gjithë hapësira e galerisë është e mbushur me instalacione që burojnë prej sendeve funksionale. Për spektatorin ato duken familjare sepse lidhen me asocime ekzistuese. Fillesa e shumë punimeve  është një objekt, një ushqim, një mjet pune  etj., të cilët nuk merren si sende të mirëqena. Ato janë kryefjala e një komunikimi të ri. Ky grup punimesh, erdhi si pasojë e vlerësimit të të zakonshmes, duke e shtyrë veten drejt një hapësire të pafundme kuptimesh që vijnë nga “rutina”.  Të gjithë në rrethohemi vazhdimisht nga kuptime të thella, por shpesh duket se gërmojmë më thellë atëherë kur nxitemi nga kreativiteti i dikujt. Unë dua ta tërheq publikun drejt kuptimeve të reja përmes thjeshtësisë dhe bukurisë që shpalos “e zakonshmja”. Në vetvete, objektet janë esenciale në prakticitetin e ditës. Ato na e bëjnë jetën më të thjeshtë, na kursejnë kohën dhe na lehtësojnë punën. Ekspozita trajton një temë të rëndësishme për njeriun sot, estetiken fizike. Transformimet në stilin e jetës dhe reflektimet e tij në trupin tonë.

Keni punuar vetëm apo keni patur ndihmë?

Për sa i përket asistencës praktike, kam patur Nardin, i cili wshtw edhe partneri imë në jetë, ai fshihet pas çdo montimi dhe instalacioni. Pas shume vitesh bashkëjetesë, është bërë ekspert në çështje teknike duke qenë një element kyç për çdo projekt.

Cili realizim ka qenë më i vështirë?

Puna e fundit, besoj më e vështira, për shkak të dimensionit që ka, dhe materialeve specifike. (jasteket pink)

 

Çentro si… Qendër Estetike

centroEkspozita të fton në brendinë e saj me anë të një çentroje, por pse është zgjedhur ky detaje kur çentro në të vërtetë nuk ka.

“Po, një çentro është futur çuditshëm, si e paftuar në një poster ekspozite. Shumë më pyesnin pse ishte ajo çentro? Pse nuk po shohim asnjë çentro tjetër në ekspozitë? Sa lidhje ka ajo me mesazhin e ekspozitës? Në fakt, kjo çentro (kaq e shumëpërfolur) u vendos në poster, si një objekt shumë estetik, i cili zëvendëson fjalën “qendër”. “Centro Estetike” (qendër estetike)  është titulli i plotë i ekspozitës. Në vetvete, ky objekt ka konotacione të huaja, shqiptarë, të fut në logjikën e raportit mes kohëve dhe stileve të jetës. Centroja në fjalë i përkiste gjysmës sime, Luizës, e cila ka qenë një rrobaqepëse shumë e zonja, një artiste në punëdore. Pra, objekti në fjalë ka edhe një vlerë personale, ashtu si objekte të tjera brenda në ekspozitë. Sot, si shumë vajza të moshës sime, nuk e marr mundimin të thur në çentro të tille, megjithëse në fëmijëri kam punuar disa. Këto janë pasojat e kohës që jetojmë, të cilat na sjellin angazhime të reja dhe distancim nga disa zakone”.

 

Share This Article
2 Comments
  • Si duket liceu i famshem artistik nuk benka me konkurse talenti per artistet e ardhshem , vetem art nuk quhen hudhrat , kepucet e çentrot artizanale , turp per ata qe keto paçavure cilesohen art , arti i piktures eshte puna me laps , penel e ngjyra , nuk po flas per skulpturen se ishim dhe jemi ne fund te botes artistike . Nga nje liceist pikture qe nga 1975 .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *