Portreti i një mësuesi

Ornela

Nga Entela Hidri

Në emisionin nga “Katedra e një misionari”, çdo ditë të premte në Radio Tirana 1, flitet për mësuesin, këtë “hero të heshtur”, figurë fisnike, këtë diell dijesh që ndrit jetën e fëmijëve tanë dhe që i shërbejnë me devotshmëri edukimit të brezit të ri, për një të ardhme më të mirë të shoqërisë.

Më poshtë intervista me mësuesen Aida Zhupa, e cila për më shumë se 30 vjet ka qenë pjesë e stafeve mësimore dhe pjesë e bashkëpunimeve me institucione që i shërbejnë zhvillimit të arsimit. Aktualisht jep mësim në gjimnazin New York High School në Tiranë. Prej kohësh ajo ka marrë titullin “Doktore Shkencash” në fushën e Shkencave Sociale, në degët e Sociologjisë dhe Antropologjisë Sociale. Është gjithashtu bashkëautore në hartimin e teksteve Filozofi për klasën 11 dhe Sociologji për klasën 12. Duke patur një përvojë të gjatë si mësuese dhe si hulumtuese në fushën e edukimit, na sjell disa nga reflektimet e saj për ndryshimet që arsimi dhe shkolla jonë ka pësuar gjatë viteve të tranzicionit, të cilat i kemi paraqitur në intervistën e mëposhtme:

– Aida përshëndetje! Ju keni kryer disa cikle studimesh në funksion të arsimit. Mund të na flisni pak për formimin tuaj profesional?

-E vlerësoj faktin që më dhatë mundësi, të bëj publike idetë dhe përvojën time në fushën e edukimit. Për sa i përket pyetjes tuaj lidhur me formimin tim profesional, pas gjimnazit kam vazhduar studimet në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, në degën e filozofisë, Universiteti i Tiranës. Pas mbarimit të studimeve të larta fillova punë menjëherë në arsimin e mesëm. Më kujtohet se nuk kam qenë më shumë se 22 vjeç dhe tani besoj se ka kaluar një jetë e tërë në këtë profesion. Unë i takoj një brezi që jetoi në dy sisteme, në atë të totalitar dhe atë demokratik. Kjo është një përvojë e vështirë, por edhe e veçantë, sidomos për ata që hulumtojnë në fushën e shkencave shoqërore. Me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë kolegëve më të rinj, vendosa të ndjek shkollën e trajnierëve dhe u certifikova në fushën e edukimit. Më pas më lindi dëshira të thelloja dijet e mia dhe vazhdova studimet në nivel doktorature në sociologji dhe antrologji sociale. Kjo nuk do të thotë se mbaroi këtu, marrja e një titulli shkencor është vetëm fillimi për një punonjës të kësaj fushe. Jam përpjekur që gjatë punës time të përditshme të hulumtoj, të reflektoj mbi probleme të ndryshme në arsim, që nuk janë të pakta dhe kam kontribuar me artikuj të botuara në gazetë, për t’iu ardhur sado pak në ndihmë nxënësve, prindërve dhe vetë mësuesve.

– Pas kaq vitesh në arsim, rreth 30 vjet, cili mendon se është çelësi i suksesit tuaj?

– Mund të veçoja shumë faktorë, por kryesorja mendoj se është dashuria për profesionin, kur ti nuk e sheh thjesht si një mënyrë për të fituar jetesën e përditshme, por shkrihesh me të dhe nuk e ndan dot nga interesat e tjera që ke në jetë. Nëse përfshin brenda pasionin dhe dashurinë për punën dhe njerëzit, mendoj se ky çelsi që hap portën kryesore. Pastaj ti gjendesh para një ndërtesë gjigande, dyert e së cilës do t’i hapësh ngadalë dhe me durim, sepse arsimi është një nga profesionet e vështira, për faktin se ke të bësh me mosha që duan shumë kujdes në edukim.

– A mendoni se arsimi ka rëndësi për të ardhmen e një kombi dhe si e shpjegoni ju këtë fakt?

– Duhet të kuptojmë se, sot, në shkollë ne edukojmë dhe formojmë brezin të cilit i takon e ardhmja e këtij vendi dhe prandaj duhet të shqetësohemi seriozisht nëse ky sektor nuk funksion siç duhet dhe nëse puna jonë nuk është në nivelin e duhur. Pasojat do t’i vuajmë të gjithë si shoqëri.

– Cilat janë disa nga metodat që ju zbatoni dhe i keni i gjetur të suksesshme gjatë përvojës tuaj?

– Metodat janë nga më larmishmet, por për mendimin tim nuk janë të prera. Vetë mësuesi arrin të përdorë dhe të kombinojë disa metoda brenda një ore mësimi, duke ia përshtatur natyrshëm karakteristikave të klasave, dinamikat e të cilave ndryshojnë nga njëra tjetra. Sigurisht që kjo kërkon edhe përvojë, prandaj mendoj se trajnimet për mësuesit në këtë drejtim janë të nevojshme. Por ajo që e bën efektive të nxënit në një orë mësimi është pikërisht dhënia zë ose mundësi për t’u përfshirë të gjithë. Është e vështirë, sidomos në klasa me numër të madh nxënësish, por jo e pamundur. Nxënësi/ja duhet të ndjehet pjesë e klasës, e procesit mësimor dhe jo të ndjehet i/e përjashtuar. Shpesh ndodh që mësuesit merren me ata fëmijë që janë aktivë dhe që kërkojnë të flasin, por shumë të tjerë mbeten në hije, humbasin besimin tek vetja dhe kjo bëhet shkak për “braktisjen e fshehtë”, që do të thotë se ata janë fizikisht në klasë, por jo mendërisht dhe nuk përfitojnë asgjë.

– A keni hasur vështirësi gjatë ndërrimit të metodave si pjesë e kurrikulave mësimore? Si i keni tejkaluar ato?

– Mund të them se akoma nuk i kemi tejkaluar vështirësitë, pasi gjendemi vazhdimisht përpara ndryshimeve. Jam dakord me faktin se kurrikula duhet të përshtatet me nevojat në rritje të shoqërisë dhe progresin e saj. Por sipas mendimit tim dhe të kolegëve të mi, ndryshime që janë bërë nuk i kanë shërbyer përmirësimit të cilësisë. Pra, ka ndryshuar forma, por jo përmbajtja. Programet lëndore mbeten të njëjta, madje shumë të vjetëruara. Unë këtë temë e kam patur edhe objekt në studimin tim të doktoraturës, ku kam analizuar kurrikulën në vite dhe tekstet shkollore të lëndëve shoqërore në arsimin parauniversitar. Mund të them me keqardhje se ajo çfarë ju japim për të mësuar nxënësve nuk iu vlen për tregun e punës. Prandaj dhe shumica e studentëve largohen për të vazhduar studimet jashtë shtetit. Njohuritë që ata marrin në shkollat tona, kanë kohë që kanë dalë jashtë aktualitetit. Pra me pak fjalë, duhet ndryshuar përmbajtja dhe pastaj forma ndryshon për pasojë. Ka ardhur një kohë që mësuesit janë aq të ngarkuar me plotësime dokumentacioni, evidencash dhe letrash pa vlerë, sa nuk kanë kohë të merren me përgatitjen shkencore të tyre dhe me orën e mësimit.

– Po për komunikimin me brezin e ri, çfarë mund të na thoni? A është e vështirë të ndërtosh një marrëdhënie me ta në kohën e sotme? Si e keni gjetur ju gjuhën e komunikimit me ta?

Nuk është aq e vështirë sa duket dhe diskutohet. Ndoshta vjen edhe nga përvoja, por bindja ime është se nxënësit e ndjejnë kur ti i do dhe përpiqesh me shpirt t’i ndihmosh dhe të falin shumë dashuri dhe respekt. Duhet të jesh e hapur me ta, e drejtpërdrejtë, sepse sikurse askush, ata nuk duan të jenë të krahasuar, të vihen në lojë apo të ironizohen. Prandaj shpesh fyhen, priren t’i marrin personale dhe mund të konfliktohesh shumë lehtë me ta. Nuk duhet të harrojmë që i takojnë një kohe kur inteligjenca artificiale ka zhvilluar atë njerëzore. Ata janë shumë më përpara brezave të tjerë, ndaj nuk duhet t’i nënvlerësojmë, edhe pse nuk mësojnë si ne, përmendësh nga libri. Kjo nuk mund të ndodh më për faktin e thjeshtë se nuk i vlen më kohës së sotme dhe sepse libri dhe mësuesi nuk janë më të vetmit burime të dijes.

 

– A ndikojnë njohuritë që mësuesit kanë në fushën e psikologjisë së zhvillimit, për t’i kuptuar më mirë nxënësit?

Sigurisht, sepse kështu arrin të njohësh më mirë karakteret njerëzore dhe tiparet e personalitetit. Por, nuk mjafton vetëm teoria. Duhet që një mësues të jetë vëzhgues i mirë dhe të kuptojë nevojat e nxënësve, duke reflektuar ditë pas dite, për të kuptuar çfarë nuk funksionoi dhe çfarë mund të përmirësojë në punën e tij. Unë vazhdoj ta bëj këtë gjë edhe sot pas kaq vitesh punë, sepse kohët ndryshojnë, por dhe nxënësit ndryshojnë nga njëri tjetri. Nuk mund të thuash me siguri se e di se si do të reagojë një nxënës, për shkak të shumë faktorëve që e ndikojnë.

– A jeni pro metodës së masave ndëshkimore, çfarë mendimi keni për to?

Unë ju them shpesh nxënësve të mi që shkolla nuk funksionon si demokraci, por si burokraci e centralizuar. Kjo do të thotë se ajo bazohet në rregullore, e cila duhet të zbatohet nga të gjithë, njëlloj si ligjet në jetën reale. Kjo i mëson të rinjtë me rregulla, i edukon të jenë më të organizuar dhe i mbron nga cënimi i të drejtave. Por, nuk duhet të kthehet në qëllim në vetvete. Ndëshkimi për gabimet duhet të jetë i përshkallëzuar dhe duhet të fillojë më parë me punën edukative në shkollë, më pas vjen këshillimi individual, si nga mësuesi kujdestar apo psikologu shkollor dhe më pas vijnë vërejtjet dhe masat shtrënguese të tjera.

– Po për metodën e evidentimit, motivimit dhe shpërblimit? Mendoni se janë më të përshtatshme për të stimuluar nxënësit në mësim dhe edukim?

– Patjetër që mënyra më e mirë për t’i dhënë mundësi nxënësit të reflektojë dhe të përmirësohet është motivimi i tij. Por shkollat tona kam frikë se vazhdojnë të jenë në stilin autoritar të mësimdhënies, që do të thotë se në qendër është mësuesi dhe autoriteti i tij. Për pasojë kuptohet do të jetë më i fortë sistemi i ndëshkimit, përmes notës dhe masave disiplinore. Në të kundërt, nëse në qendër është nxënësi, qëndron më shumë mundësia e stimulimit dhe motivimit të tij.

– A mund të na rrëfeni një histori suksesi gjatë punës tuaj dhe cilat kanë qenë disa nga arsyet që e kanë bërë shkollën tuaj të suksesshme?

Ajo që kam më të freskët në memorie është fitorja e shkollës tonë në Kampionatin Kombëtar Redebate 5.0, në të cilin fituam vendin e dytë në nivel republike, megjithëse merrnim pjesë për herë të parë dhe ishim përballë shkollave të mëdha dhe me emër nga e gjithë Shqipëria. Mendoj se një nga arsyet e fitores ishte përgatitja e nxënësve në klubin e debatit, që në shkollën tonë ka disa vite që është ngritur dhe ku të rinjtë diskutojnë jashtë programit mësimor, tema sociale me interes aktual. Ata zgjedhin vetë tematikën e debatit të rradhës, përgatisin argumentet e duhura pro ose kundër dukurisë që do të diskutohet dhe më pas e trajtojmë duke respektuar mendimin e tjetrit. Kujdesi im në këto raste është mosparagjykimi i tjetrit ndryshe. Debati duhet të jetë konstruktiv, ai mund të mbetet i hapur dhe nuk është e thënë të dalë patjetër në një konkluzion, por nxënësit mësojnë të njohin më mirë njëri tjetrin dhe të argumentojnë mendimin e tyre. Dhe kështu u përfaqësuam me një grup prej 8 vetash në këtë konkurs, të organizuar nga Liburnetik, Bashkia Tiranë dhe MASR dhe fituam. Kjo na bëri të ndjehemi me të drejtë krenarë. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për të gjithë. Në këto raste ne përfshihemi si staf pedagogjik, bashkë me drejtorinë dhe pa dyshim nxënësit, pra si një trup i vetëm, për të ndihmuar njëri tjetrin dhe për t’i shkuar deri në fund qëllimit tonë. Puna në ekip besoj se është çelësi i suksesit. Por unë kam dhe një lajm tjetër të mirë, që lidhet me shkollën tonë. Këto ditë gjimnazi New York High Scool është renditur i pari mes shumë shkollave të tjera private të Tiranës, duke u vlerësuar për rezultate të larta në të gjitha aspektet. Dua t’i përshëndes të gjithë kolegët e mi dhe drejtoreshën e palodhur Znj. Lidra Mejdani dhe ju them se i vlerësoj pa masë për përkushtim e tyre dhe profesionalizmin e tyre.

– Pse thuhet se profesioni, unë do të thoja më mirë misioni i mësuesit eshtë i bukur, por edhe i vështirë?

Ky profesion është i vështirë për shkak se mësuesi përveç punës që duhet të kryej dhe përgatitjes shkencore çdo ditë, duhet të përballet me shumë individë, të moshave, formimit dhe niveleve të ndryshme të kulturës. Përballet me nxënës, prindër, kolegë, drejtues, duke u përpjekur të ruajë ekuilibrat. Ky intensitet sigurisht në fund të ditës përkthehet në lodhje. Siç e thatë dhe ju, mësuesia është mision, shumë më tepër se profesion. Ti ke në dorë edukimin e fëmijëve, të brezit të ri, që mësuesin e shikojnë si një model, për t’u marrë shembull. Kjo është përgjegjësi, për të qenë në lartësinë e pritshmërive që të tjerët kanë ndaj teje. Por, nga ana tjetër, të fal shumë kënaqësi, kur ndjehesh e vlerësuar dhe e respektuar nga nxënësit, prindërit dhe kolegët. Nuk ka kënaqësi më të madhe, besoj flas në emër të të gjithë mësuesve, se mirënjohja që marrim dhe sidomos kur ajo është e merituar.

 

– Një mesazh për të gjithë prindërit dhe nxënësit…

Mendoj se po kalojmë kohë të vështira dhe ngarkesa psikologjike është e madhe, edhe për të rinjtë, edhe për ne të rriturit, prandaj këshilla ime do të ishte durim, këmbëngulje dhe shumë dëshirë për të arritur qëllimet që secili nga ne i ka vënë vetes.

Për nxënësit të mos e humbasin kurajon dhe ta shijojnë rrugëtimin e tyre, me besim tek vetja.

Për prindërit që janë aq të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve, vullnet për të gjetur kohën e mjaftueshme, për të qenë të pranishëm në çdo nevojë që ata kanë.

Për ne mësuesit, “heronjtë e heshtur” siç i quajtët ju, durim, këmbëngulje dhe shumë punë, për të realizuar misionin tonë fisnik dhe të nderuar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *