Biseda e Moisiut në Boston me Guvernatoren dhe qëndrimi i Shqipërisë për Irakun

J L

Këta fragmente janë shkëputur nga vëllimi Afrimi i madh, i cili përmban kujtimet e diplomatit dhe akademikut Fatos Tarifa nga periudha kur ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vëllimi pritet të botohet së shpejti.

 

Fatos Tarifa

(vijon nga numri i kaluar)

 

Moisiu në Anthony’s Pier 4

Fotografitë e dhjetra personaliteteve të shquar që kishin ngrënë në Anthony’s Pier 4 ishin një kuriozitet i gjallë për këdo që shkelte në atë restorant. Në vitin 1991, gjatë vizitës sime të parë në Anthony’s Pier 4, unë pashë në hollin e tij një foto të z. Athanas me Ramiz Alinë, i cili, në vjeshtën e një viti më parë, si President i Shqipërisë, u bë i pari kryetar i shtetit shqiptar që mori pjesë në një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Fotografi të tjera me ish-Presidentin Rexhep Meidanin, ish-Kryemistrin Pandeli Majko dhe politikanë të tjerë shqiptarë ishin pjesë e atij koleksioni.

Presidenti Moisiu u prit atë ditë në Anthony’s Pier 4 me të gjitha nderet që impononte rasti. Ai do të ishte presidenti i fundit shqiptar që z. Athanas ka pritur në restorantin e tij, sepse 3 vite më vonë, më 20 maj 2005, në moshën 93 vjeç, patrioti i shquar shqiptar në Boston dhe konsulli i nderit i Shqipërisë në Massachusetts, Anthony Athanas, u nda nga jeta. Vdekja e tij ishte një humbje e madhe për komunitetin shqiptaro-amerikan në Massachusetts dhe në mbarë Amerikën.

Me atë rast, Senatori John Kerry, përfaqësues i shtetit Massachusetts në Senatin amerikan, i cili e kishte njohur personalisht nga afër z. Athanas dhe kishte qenë shpesh herë një mysafir i nderuar në Anthony’s Pier 4, u shpreh se “Anthony Athanas jetoi ëndrrën amerikane pa harruar për asnjë çast vendin nga kishte ardhur. Një emigrant i thjeshtë nga Shqipëria, ai mundi të realizojë ëndrrën e çdo emigranti dhe, duke punuar, arriti të bëhej një institucion kombëtar”.

Vdeklja e Anthony Athanas-it ndodhi dhjetë ditë para se unë të lija detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Uashington, çka më obligoi që, në atë cilësi, por edhe si dikush që e kishte njohur nga afër z. Athanas për pesëmbëdhjetë vite me radhë, t’i shkruaja një mesazh të përzemërt ngushëllimi familjes së tij.

 

Noli në Forest Hill, Konica në Parkun e Tiranës

Pasdite, rreth orës 17:00, Presidenti Moisiu vizitoi varrin e Fan Nolit në Forest Hill Cemetery, një varrezë historike, e ruajtur dhe e mirëmbajtur si një kopësht, në atë pjesë të Bostonit që quhet Jamaica Plain. Ai vendosi një kurorë me lule mbi të. Për mua, ajo ishte hera e parë që e vizitoja varrin e Nolit.

Deri në vitin 1995, në atë varrezë ishin prehur edhe eshtrat e Faik Konicës, një tjetër shqiptari të shquar, i cili, ashtu si Noli, jetoi një pjesë të madhe të jetës së vet—dhe vdiq—në Boston, dhe që u bë i pari Ministër Fuqiplotë (në terminologjinë e sotme “ambasador”) i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Konica ishte dhe mbeti i vetmi titullar diplomatik i Shqipërisë në atë vend në periudhën midis dy luftrave botërore, nga viti 1926 (katër vite pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, në vitin 1922), deri më 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste.

Ndërsa eshtrat e Faik Konicës u morën nga Forest Hill për t’u sjellë, në vitin 1995, në Shqipëri, ku sot prehen në kodrat e Liqenit të Tiranës, eshtrat e Fan Nolit, patriotit të shquar dhe shqiptarit më të ditur të të gjitha kohëve, kanë mbetur në Boston, ndërkohë që këtij njeriu të madh nuk i është ngritur as edhe një monument në Shqipëri.Të gjallë, së bashku; të vdekur, të ndarëme një oqean në mes!

 

Me shqiptarë të Bostonit dhe Kryetarin e Bashkisë së tyre

Në mbrëmjen e asaj dite unë dhashë një darkë për nder të Kreut të Shtetit dhe delegacionit që e shoqëronte atë, në të cilën u ftuan anëtarët e degës së Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (National Albanian American Council—NAAC) në Massachusetts, disa figura të shquara të artit e të shkencës shqiptare, të cilët i kisha njohur në Tiranë dhe që, në atë kohë jetonin familjarisht në Boston, si tenori i njohur Xhoni Athanas, fizikanti po ashtu mjaft i njohur Petrit Skënde dhe, sigurisht, Peter Lucas. Ndërsa, Lucas planifikon të vizitojë Shqipërinë ndoshta për të dyzetën herë vitin që vjen, Xhoni Athanas dhe Petrit Skënde janë ndarë nga jeta dy-tri vite më parë.

Të nesërmen, më 16 shtator, në orën 14:00, Presidentin Moisiu e priti Kryetari i Bashkisë së Boston-it, Thomas Menino, me të cilin ishte edhe Peter Lucas. Biseda mes tyre u përqëndrua kryesisht në rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në jetën dhe mirëqenien e atij qyteti, sidomos në atë pjesë të tij, që njihet si South Boston. Anthony Athanas dhe Anthony’s Pier 4 nuk mund të mos ishin pjesë e asaj bisede. Menino e cilësoi z. Athanas si “mikpritësin e Bostonit” (Boston’s host) dhe tha se Anthony’s Pier 4, me z. Athanas, që gjithnjë i priste vizitorët në hyrje të restorantit të tij, ishte kurdoherë plot gjallëri, një vend ku gjithnjë shkoje me ëndje të madhe. “Anthony Athanas është pjesë e fabrikës sociale të këtij qyteti”, u shpreh ai.

Takimi me z. Menino zgjati rreth 30 minuta. Në orën 14:45 Presidenti Alfred Moisiu u prit nga Guvernatorja e shtetit Massachusetts, Jane Swift.

 

Massachusetts në historinë dhe politikën amerikane

Massachusetts është një ndër katër shtetet e 50 shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët, në kushtetutat e tyre, emërtohen “commonwealth”. Tre të tjerët janë Pennsylvania, Kentucky dhe Virginia. Ky emërtim shpjegohet me ndikimin e madh që ka pasur dhe ka e drejta zakonore (common law) angleze në legjislacionin dhe në disa prej institucioneve të këtyre shteteve. Në traditën angleze, një “commonwealth” përfaqëson një komunitet politik të krijuar në interes të së mirës së përbashkët.

Massachusetts është një ndër territoret e parë të Amerikës Veriore që u kolonizuan nga britanikët në fillim të shekullit të 17-të. Pelegrinët britanikë, të cilët, duke udhëtuar me anijen “Mayflower”, u vendosën në “Botën e Re” në vitin 1620, krijuan në Massachussets të parën koloni, që u quajt “Playmouth Colony”.

Massachusettsështë, gjithashtu, një ndër 13 kolonitë që fituan pavarësinë nga Britania e Madhe dhe, më 4 korrik 1776, duke nëshkruar Dekraratën e Pavarësisë në Kongresin e Dytë Kontinental, u deklaruan shtete të lirë e të pavarur. Nga bashkimi i këtyre 13 shteteve, që më parë njiheshin kolektivisht me emrin “United Colonies”, pesë vite më vonë, më 1781, u krijua konferederata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 1789, një vit pas ratifikimit të Kushtetutës, Shtetet e Bashkuara u organizuan si një republikë federale, me emrin kushtetues The United States of America.

Massachusets ishte jo vetëm një ndër 13 shtetet e parë të Shteteve të Bashkuara, por edhe territori ku, në prill të vitit 1975, u zhvilluan betejat e para të Luftës Revolucionare—e njohur në histori si American Revolutionary War—kundër sundimit kolonial britanik. Këto beteja nisën së pari në Lexington dhe në Concord, dy komunitete të vegjël fermerësh, për t’u shtrirë e zgjeruar më tej në territoret e të 13 kolonive.Kur unë vizitova Boston-in për herë të parë, më 1991, Peter Lucas jetonte në Lexington, ku vazhdon të jetojë edhe sot dhe, ndërsa më fliste me pasion për Luftën Revolucionare, më çoi për të parë statujën e një luftëtari, i njohur me emrin “The Lexington Minuteman”, i cili, siç besohet, përfaqëson Kapitetin John Parker që udhëhoqi betejën e parë kundër britanikëve.

Banorët e sotëm të Massachusetts ndihen krenarë që shteti i tyre ishte, gjithashtu, njëri ndër tre shtetet e parë që hoqi skllavërinë, në viti 1781, 84 vite më parë se skllavëria të ndalohej me Amendamentin e 13-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, në vitin 1865.

Gjerografikisht, Massachusetts është një ndër gjashtë shtetet që bëjnë pjesë në zonën verilindore të Shteteve të Bashkuara, e cila njihet me emrin New England. Territori i këtij shteti kufizohet në perëndim me shtetin New York, ndërsa në verilindje dhe në veri me provincat kanadeze New Brunswick dhe Quebec të Kanadasë. Shtetet e tjerë të New England janë Connecticut, Main, New Hampshire, Rhode Island dhe Vermont, të cilët, gjithashtu, më është dhënë rasti t’i vizitoj; disa prej tyre me shumë se një herë.

Nëse Main është shteti me territorin më të gjerë në New England, Massachusetts është jo vetëm shteti me popullsinë më të madhe në këtë grup shtetesh, por edhe shteti që ka disa nga institucionet akademike më të shkëlqyer në botë—Harvard University (i pari universitet në Shtetet e Bashkuara), Massachusetts Institute of Technology (MIT), Tufts University, Boston University, Northeastern University etj.

Përveç kësaj, Massachusetts ka qenë historikisht shteti ku janë formuar disadinasti politike të njohura të Amerikës, si “dinastitë” Adams dhe Kennedy. John Adams, i cili u bë presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara pas Presidentit George Washington, ishte nga Boston. Po kështu edhe John Quincy Adams, djali i tij më i madh, i cili, pasi shërbeu si Sekretar i Shtetit, u bë më vonë presidenti i gjashtë i Shteteve të Bashkuara. Samuel Adams, një ndër etërit themelues të republikanizmit amerikan, i cili shërbeu si një ndër guvernatorët e parë të shtetit Massachusetts, ishte një kushëri i John Adamas. John F. Kennedy—dhe vëllezërit e tij Robert (Bob) dhe Edward (Ted)—ishin nga Brookline, pjesë e zonës metropolitane të Bostonit. George H. W. Bush, gjithashtu, ishte lindur në Milton, Massachusetts.

Edhe pse Massachusetts ka sot vetëm 2.1 për qind të popullsisë së Shteteve të Bashkuara (rreth 7 milionë banorë), ky shtet i ka dhënë Amerikës 5 ndër 46 presidentët e saj—John Adamas (1797-1901), John Quincy Adams (1825-1829), Calvin Coolidge (1923-1929), John F. Kennedy (1961-1963) dhe George H. W. Bush (1989-1993), edhe pse veprimtaria politike e këtij të fundit nisi në Texas. Po kështu, Massachusetts i ka dhënë Amerikës 10 ndër 71 diplomatët kryesorë të atij vendi (sekretarë shteti), duke filluar nga John Quincy Adams, i cili shërbeu në atë detyrë në vitet 1817-1825, para se të zgjidhej President i Shteteve të Bashkuara, deri te John Kerry në vitet 2013-2017.

 

Pols & Politics dhe Luke on Duke

Njohja ime me politikën e Massachusetts dhe me politikanët e Bostonit mund të thuhet se ka nisur në vitin 1985. Kur Peter Lucas vizitoi Shqipërinë për herë të parë në verën e atij viti, ai kishte sjellë me vete një libër të tijin, titulluar Pols & Politics: Collected Columns of the Boston Herald’s Peter Lucas, botuar në Boston dy vite më parë, më 1983. Atë libër, Peter ma dhuroi mua dhe unë, të them të vërtetën, e lexova pa ndonjë interes të veçantë. Subjekti i atij libri ishte në atë kohë një terra incognita për mua. Më vonë, ai subjekt do të bëhej—siç edhe ka mbetur—një ndër më të preferuarit në imagjinatën time sociologjike e politike dhe në kërkimet e mia akademike.

Tre vite më vonë, më 1988, në një prej vizitave të tij në Tiranë, Peter më dhuroi një tjetër libër të tij, Luke on Duke: Snapshots in Time, i cili sapo ishte botuar atë vit. Ai libër përmbidhte artikujt që Peter Lucas kishte botuar në gazetën Boston Herald, për të cilën punonte në atë kohë, në mbështetje të kandidaturës së mikut të tij demokrat, me origjinë greke, Michael Dukakis, i nohur edhe si “Zorba the Clerk”, në garën e tij me kandidatin republikan George H. W. Bush për postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Michael Dukakis ishte në atë kohë Guvernator i Massachusetts në mandatin e tij të tretë (1975-1979, 1983-1987 dhe 1987-1991). Për atë shtet, ajo ishte një periudhë rritjeje ekonomike e tillë, sa me të drejtë është quajtur “the Massachusetts Miracle”. Rritjes ekonomike të shtetit Massachusetts në vitet 1980 i kontribuan veçanërisht shërbimet financiare dhe industritë e teknologjisë së lartë—të lidhura kryesisht me dy prej universiteteve më të famshëm në botë, Harvard University dhe(MIT)—brenda Bostonit dhe në rrethinat e tij, përgjatë asaj që njihet si Route 128 dhe që, në atë kohë, për atë shtet ishte siç është sot Silicon Valley për Kaliforninë.

George H. W. Bush, nga ana e tij, pasi kishte qenë për tetë vite me radhë  (1981-1989) zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara në administratën e Presidentit Reagan, kandidonte për postin e Presidentit. Edhe pse Michael Dukakis kishte fituar në  “primaries” ndaj të gjithë rivalëve të tij demokratë, si Jesse Jackson, Dick Gephardt, Joe Biden, Al Gore e të tjerë, ai humbi thellë përballë kandidatit republikan më me eksperiencëGeorge H. W. Bush. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1988, Dukakis mundi të fitojë vetëm në dhjetë shtete dhe në District of Columbia, duke marrë rreth 45 për qind të votës popullore dhe vetëm 21 për qind të votave të Kolegjit Elektoral.

 

Një parantezë

Këtu dëshiroj të çel një parantezë. Siç kam venë në dukje edhe më parë, Peter Lucas dhe unë ishim bërë miq të ngushtë qysh nëmesine viteve 1980. Miqësia me të u forcua edhe më shumë në vitet 1990, kur unë jetoja, studioja dhe punoja në Shtetet e Bashkuara. Kur u emërova ambasador në Hagë dhe, më vonë, në Uashington, përveçse një mik i mirë, Peter u bë edhe një këshilltar i mirë dhe një bashkëpunëtor i ngushtë.Njohuritë mbi politikën amerikane, përvoja e tij si gazetar politik i gazetave të mëdha Boston Globe dhe Boston Herlad, këshillat dhe ndihma e tij kanë qenë mjaft të dobishme në punën time.Po kaq të dobishme kan qenë edhe njohjete tij me shumë personalitete të njohura, nga kryetari i Bashkisë së Bostonit, governatorja e Masschusetts e deri te Andrew Card, Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë në vite 2001-2005, kur President ishte George W. Bush dhe unë shërbeja si ambasador i Shqipërisë në Uashington.

Pas vitit 2005, kur unë u largova nga Uashingtoni për të dhënë mësim në Eastern Michigan University, Peter dhe unë bashkëpunuam edhe më tej, duke botuar së bashku. Në vitin 2006, unë dhe Peter botuam në revistën Mediterranean Quarterly: A Journal of Gloval Issues, qëbotohet nga Duke University Press, një artikull titulluar “Albania: Authoritarianism without Oil”.Më 2007, botuam në revistën Policy Review, që del nga Hoover Institution në Stanford University, një artikull titulluar “The End of Balkan History”. Po më 2007, Peter më kërkoi të shkruaja parathënien e librit të tij The OSS in World War II Albania: Covert Operations and Collaboration with Communist Partisans, i cili u botua nga McFarland po atë vit. Po në vitin 2007, unë dhe Peter botuam në Shtetet e Bashkuara librin Europe Adrift on the Wine Dark Seadhe, po atë vit, ai shkroi parathënien e librit tim To Albania, with Love, që u botua nga Hamilton Books dhe University Press of America.

 

Miratimi i një “skenari”

Jane Swift, me të cilën, më 16 shtator 2002, do të takohej Presidenti Alfred Moisiu, ishte Guvernatorja në detyrë (acting Governor) e shtetit Massachusetts. Guvernatori i zgjedhur i atij shteti, Paul Cellucci, republikan, ishte emëruar një vit më parë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kanada dhe Swift, si “lieutenant governor”, e zëvendësoi atë në detyrë për pjesën e mbetur të mandatit, deri në janar të vitit 2003. John Kerry kishte qenë “lieutenant governor” kur guvernator i atij shteti ishte Michael Dukakis, ndërsa në postin e guvernatorit të Massachusets, pasi atë e la Jane Swift, u zgjodh Mitt Romney. Ky i fundit, në vitin 2008, do të ishte një ndër kandidatët republikanë kryesorë për postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2012, do të ishte kandidati i nominuar republikan në garën presidenciale kundër Presidentit në detyrë Barack Obama, në të cilën humbi.

Sapo lamë zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Bostonit Thomas Menino për të shkuar në takimin me Guvernatoren Jane Swift, i tregova Presidentit Moisiu mbi “skenarin” e përgatitur nga Peter Lucas për takimin me Guvernatoren. Edhe pse isha i sigurt për përgjigjen e Presidentit, i bëra atij pyetjen që Lucas i kishte sugjeruar governatores t’ia bënte presidentit nga ana e saj:

“Nëse Guvernatorja Swift ju pyet se ç’qëndrim do të mbajë Shqipëria në rast se Amerika angazhohet ushtarakisht në Irak, a do t’i thoni asaj se administrata amerikane ka mbështetjen e plotë të Shqipërisë?”.

Presidenti Moisiu më vështroi në sy dhe prerë e shkoqur, siç fliste zakonisht, tha:

“Absolutisht. Pse jo”.

Isha i sigurt, siç i kisha thënë edhe Peter-it, se do të merrja këtë përgjigje. Pas kësaj i thashë:

“Nëse Guvernatorja Swift merr këtë përgjigje nga ju, ajo do i telefonojë Presidentit Bush për t’ia bërë të njohur qëndrimin tuaj proamerikan dhe mbështetjen e Shqipërisë dhe ju do të merrni një telefonatë nga Presidenti Bush”.

“Ashtu?”, pyeti Presidenti Moisiu.

“Po”, i thashë. “Kështu është biseduar me të”.

Muhamet Kapllani, këshilltari diplomatik i Presidentit Moisiu, i cili qe ulur në sedilen e përparme, ktheu kokën pas dhe tha:

“Fatos, nuk janë kaq të thjeshta këto punë. Nuk bëhen kështu”.

Një diplomat i shkollës së vjetër, që pjesën më të madhe të karrierës së tij në New York, në përfaqësinë diplomatike të vendit tonë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ashtu si dhe diplomatët e tjerë në atë mision para vitit 1990, e kishte kaluar më së shumti i ngujuar në selinë e misionit, me kufizime të shumta për të lëvizur, për të takuar diplomatë dhe njerëz të tjerë në atë qytet e për të komunikuar me ta, për të krijuar lidhje miqësore dhe, pa dyshim, i survejuar, Kapllani nuk mund ta besonte atë çka kishim biseduar Peter dhe unë.

“Bëhen, Muhamet, bëhen”, i thashë.

“Kam shumë përvojë në këto punë”, vijoi Kapllani, “dhe këto gjëra nuk janë kaq të thjeshta sa thua ti”.

“Ndonjëherë edhe janë”, i thashë, pa dashur të debatoja me të në prani të Presidentit. Pastaj shtova:

“Peter Lucas, i cili e njeh personalisht guvernatoren dhe është një ndër njohësit më të mirë të politikës bostoniane, është kujdesur për gjithçka”.

Ndërkohë, eskorta e sigurisë që shoqëronte automjetin tonë mbrriti në Beacon Hill, në atë pjesë të qytetit ku ndodhet godina që shërben si seli e Guvernatorit të Massachusetts (State House). Kjo është një godinë shumë e bukur, e ndërtuar në vitin 1798 dhe e projektuar në ngjashmëri me dy ndërtesa shumë të njohura në Londër—Samerset House (një kompleks neoklasik në pjesën qendrore të Londrës) dhe Panteoni, në Oxford Street, po në atë qytet. Atë ditë, për nder të Presidentit Moisiu, shkallët e jashtme të asaj ndërtese ishin shtruar me tapet të kuq dhe Presidenti u prit në krye të atyre shkallëve nga Guvernatorja Swift.

Massachusetts State House

Takimi mes tyre zgjati rreth 30 minuta. Ishte një takim i përzemërt. Në krye të një tryeze të gjatë ishte ulur znj. Swift. Në krah të saj u ul Presidenti Moisiu dhe në krahun e djathtë të tij unë. Muhamet Kapllani dhe tre-katër anëtarë të tjerë të delegacionit të Presidentit u ulën në radhë pas meje. Përballë nesh, në anën tjetër të tryezës, ishte ulur një ndër ndihmësit e afërt të guvernatores, në krah të tij (dhe përballë meje) Peter Lucas dhe tre-katër individë të tjerë.

Biseda mes Presidentit Moisiu dhe Guvernatores Swift nisi me përshëndetjet dhe falenderimet e rastit por, brenda pak minutave, ajo doli nga korniza që kishin planifikuar për të Peter Lucas dhe Guvernatorja Swift. Sapo kjo e fundit nisi të flasë për situatën në të cilën ndodhej Amerika pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Presidenti Moisiu, pa pritur që ajo ta mbaronte fjalën, ose t’i bënte pyetjen “e shumëpritur”, e ndërpreu duke i thënë, siç më kujtohet fare mirë, pak a shumë këto fjalë:

“Ju mund të mbështeteni te Shqipëria. Për ne, Amerika është aleati kryesor. Edhe pse jemi një vend i vogël, ne kemi qenë dhe jemi një parner besnik i Amerikës. Ju na keni mbështetur për të ndërtuar demokracinë në Shqipëri dhe për të çliruar popullin e Kosovës; ju duhet të besoni në aleancën tonë dhe në mbështetjen tonë, e cila është e pakushtëzuar”.

Guvernatorja Swift, e habitur, vështroi në sy Peter Lucas-in dhe Peter më vështroi mua, sa i kënaqur, aq edhe i habitur edhe ai nga reagimi aq i shpejtë i Presidentit Moisiu. Ende pa e pyetur, Guvernatorja e Massachusetts e kishte marë të qartë e të vendosur përgjigjen e presidentit shqiptar për mbështetjen pa kushte të qeverisë amerikane nga qeveria e Shqipërisë. Biseda vijoi edhe më tej, por “qëllimi” i saj ishte arritur qysh në minutat e para.

 

Mission accomplished!

Atë mbrëmje, rreth orës 18:30, Presidenti Moisiu dhe njerëzit që e shoqëronin u larguan nga Logan International Airport për në Zurich, për të mbrritur në Tiranë të nesërmen në mesditë. Unë u ktheva në Uashington me makinë duke udhëtuar me Agim Kozelin gjatë tërë natës.

Dy ditë më vonë, teksa punoja në zyrë, aty rreth orës 10 paradite, kur në Tiranë ishte ora 4 pasdite, për habinë time më telefonoi vetë Presidenti Moisiu, jo sekretarja e tij.

“Ambasador”, tha ai, me një zë që e mbaj mend se ishte ndryshe nga herët e tjera. “Të falenderoj për detyrën që kryen. Sapo më telefoni Presidenti Bush dhe më përgëzoi për mbështetjen që i jep vendi ynë Amerikës”.

Ajo telefonatënga Shtëpia e Bardhëmund tëjetë, ndoshta, e vetmja telefonatë e drejtpëredrejtë që një president, ose një kryeministër shqiptar ka marrë nga Presidentit i Shteteve të Bashkuara.

“Më vjen mirë që e marr këtë lajm nga ju”, i thashë Presidentit.

“Po, Po. Ishte një bisedë e përzemërt.Plani që më the funksionoi. Të falenderoj, ambasador. Falenderoje edhe z. Lucas nga ana ime”.

Pas asaj bisede u ndieva mirë. I telefonova menjëherë Peter-it për ta ndarë me të atë lajm dhe ai më tha se do ia njoftonte Guvernatores Swift. Skenari i tij ishte realizuarfull circle, nëse huazoj fjalët e Shekspirit te Mbreti Lir.

Share This Article
7 Comments
  • Fatos Tarifa,
    edhe me librin në botim, një Profesor i merituar!
    Ai qorton politikanët qeveritarë.
    Shkruan e na përcjell më sëpari për më të Rinjtë, nevojën për dituri, kulturë, profesionalizëm, ligjshmëri e atdhetari.

    Profesor Tarifa,
    thekson se kemi një nevojë të ngutëshme për të përparuar e zhvilluar, përfaqësuar e nderuar Shqipëtarinë.

    Faleminderit Profesor!

  • Interesante. Por ka edhe ndonje pasaktesi. Fan Noli ka nje bust, veper interesante ne konceptim, te Akademia e Shkencave. Univesiteti i pare ne Amerike nuk eshte ngritur ne Boston.

  • Permendorja e Fan Nolit ngrihet ne lulishten e Akademise se Shkencave ne Tirane, qe ka qene ish-oborri i selise se tij si Kryeminister. Ne fakt, eshtart e Fan Nolit duhen sjelle ne Shqiperi per shume arsye. .

  • Mali do ishte shume mire…dakort…por nuk e duan te ndershmin…as Rama nuk e do..duan capacule….do zgjedhin dike ke 30 tat ose grua

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *