Enver Kushi
Rrëfim
Në Tiranë viti 2019 erdhi me një mot të butë, ndryshe nga shumë vite të tjerë, me qiej gri, shira dhe Dajtin e zbardhur nga dëbora. Mbaj mend, që pas marrisë ose dalldisë që kanë kryeqytetasit për ta festuar ndërrimvitin me shpërthime shurdhuese të fishekzjarreve, dola në ballkon për të parë qiellin. Ai ishte i njejtë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë në kalendar:i paanë,anonim, shurdh dhe pa yje. Eh, thashë me vete jo pa brengosje. Më ka marë malli të shoh yje në qiellin e Tiranës apo muzgjet, veçanërisht në pranverë dhe vjeshtrat e vona. Vetëm erërat, të lehta, shumë të lehta, si me ndroje për të mos rrëzuar gjethet e rrapeve, ishin ndryshe në këtë fillim ndërrimviti. Ç’kumte sillnin ato, duke fryrë kaq me delikatesë për vitin në vazhdim? Ka në Shqipëri barinj, që jetën e kalojnë në natyrë, parashikues të fateve njerëzore ose fateve të një vendi, nga lëvizjet e erërave. . . Unë kam njohur një të tillë. Ai jetonte në një fshat pranë Konispolit, ku erërat vinin here nga luginat e lumit Kalama ose hapësirat e paana të detit të Zonjës, siç i thonë çamët detit Jon dhe herë-herë nga malet e largëta në brendësi të Shqipërisë. Ai ka ndërruar jetë,thashë me vete teksa mora celularin për ta përshëndetur dhe folur me të.Dhe kur ra tërmeti i parë, ai i 21 shtatorit dhe më 26 nëntor, i dyti, i frikshëm dhe gjëmëmadh për Shqipërinë, m’u kujtua qielli i parë i vitit 2019 dhe erërat e ndrojtura, që ndoshta kanë sjellë kumtet nga hapësirat e paana të kozmosit, për çka e priste Shqipërinë.
Pikërisht në këtë stinë vjeshtë tërmetore, në dhjetëditëshin e dytë të nëntorit, në Tiranë u hap Panairi i Librit. Pas shirave të rrëmbyeshëm dhe inatçorë, ato ditë koha u hap dhe si asnjë vit tjetër, Pallati i Kongreseve, gëlonte nga mijëra vizitorë, veçanërisht të rinj, që vizitonin stendat e Shtëpive Botuese. Ishte një festë e bukur e librit, larg sherrnajave të politikës, halleve të përditshme, thashethemeve të kafeneve të shumta, kalimit të kohës prej kohëgëlltitjes nga celularët, që janë bërë pjesë e njeriut modern . . . Tërmeti i 21 shtatorit dukej i harruar ose si një ëndërr e largët.
Nuk shkova ditën e parë, por më 15 nëntor, kur u promovua libri me poezi i Moikom Zeqos “ Vjecnost u zakup”, një botim cilësor nga Zavod za udzbenike i nastravna sredstva- Podgorica, 2019 (Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore-Podgoricë. Ishte një veprimtari e bukur dhe elitare, me pjesëmarrjen e disa personaliteteve të kulturës shqiptare nga Mali i Zi dhe Kosova. Moikomi ndihej mirë me shëndet, pas muajve të verës dhe vjeshtës, ku lëngoi i shtruar në Pavionin e Hematologjisë të Spitalit nr.1. Edhe i gëzuar për përkthimin dhe botimin e poezive të tij në Mal të Zi. Mbaj mend fjalën e prof.Agim Vinca, që vlerësoi poezinë e Moikomit, modernitetin dhe frymën sa shqiptare, aq edhe ballkanike e europiane të saj. Dhe teksa po uronin Moikomin, i thashë prof. Agim Vincës që të më priste në hyrje të Pallatit të Kongreseve. Do të dhuroj novelën time “ Zonja nga Parga”, i thashë. Kam qenë në Pargë, shtoi profesori duke më uruar për librin. Zbrita me nxitim shkallët,çava mes njerëzve të shumtë dhe u ndala para vendit, ku ishin ekspozuar dhe shiteshin botimet e Shtëpisë Botuese “Albas”. Kërkova me sy, mes dhjetëra botimesh, por nuk po e shihja “ Zonjën nga Parga”. Pyeta një vajzë të sjellshme, e cila disi e hutuar dhe e lodhur, më tha se ndoshta libri ishte shitur dhe se do të porosisnin për të sjellë pasdite . . . Ah, thashë. Më duhet një kopje . . . Pasdite, tha ajo.prof.Agim Vinca më priste në hyrje të Pallatit të Kongreseve. E ftova për kafe, duke i thënë se pasdite do t’i dhuroja “ Zonjën nga Parga”. Do nisem menjëherë për Prishtinë, tha profesori. “Zonjën nga Parga” do t’ia japësh Artinit. Ai ka vendin e tij në këtë panair. E njeh edhe Arben Kondi. Pyete ku janë botimet “Artini”. Do t’i kërkosh Artinit të jape librin “Magjia e ligjërimit”, shtoi profesori kur u ndamë.
Të nesërmen paradite te Artini lashë porosinë për Prof. Agim Vincën. Novelën “Zonja nga parga” dhe një libër tim me prozë të shkurtër “Apokalips 6”. Dhe po atë ditë mora librin “Magjia e ligjërimit” (Intervistë me Poetin dhe profesorin Agim Vinca), të autorit Miftar Kurti, një emër i njohur në Kosovë. Ai ka kryer fakultetin dhe magjistraturën në Fakultetin e Filologjisë-dega letërsi, Fakultetin Filozofik dhe studimet Master-Departamenti i Historisë në Universitetin e Prishtinës. Është autori i disa veprave, si “ Monolog shiu” (poezi) 1998, “Dasma e Kreshbardhës” (novelë), 2007, “Poezia e Jakup Cerajës”(autori-teksti-lexuesi), 2013, “ Vrojtime historike”, 2017. Këto të dhëna për autorin e librit i lexova që atë ditë pasdite, pra më 15 nëntor. Dhe po atë pasdite, lexova edhe parathënien e Miftar Kurtit, shkruar bukur dhe me kulturë. Gjatë leximit kam bërë shumë nënvizime, ku mes të tjerash po citoj: “Pretendimi im tashmë ishte që të bëja diçka ndryshe nga ç’kishin bërë të tjerët për profesorin (dhe mentorin) tim të nderuar. . . “,”. . . për Agim Vincën mund të thuhet ajo që ka thënë Cvajgu për Stendalin: “Një gjysmë shekulli pa asnjë arme tjetër përveç krenarisë së tij (…),por në këmbë deri në çastin e fundit(…), Kundërshtia është prirja e tij,ndersa pavarësia kënaqësia e tij”.
“I vetëm kundër të gjithëve, por asnjëherë jo indiferent për fatin e të tjerëve”. “Vincën Veleshtar valët e jetës e kanë hedhur gjithkah dhe i kanë shkaktuar edhe plagë, plagë të vogla e të mëdha, shpirtërore në radhë të parë… Ata që e njohin nga afër Agim Vincën, nuk e kanë të vështirë ta kuptojnë se shpirti i tij është një klithmë, kurse vepra e tij shprehja e saj: interpretimi i kësaj klithme. . . Ai ka folur kur shumica ka heshur. . . Vinca është një libër i hapur, një enciklopedi që ecën,që nuk e përsërit veten dhe që nuk imiton të tjerët. Libër-ambulant që mund të lexohet në çdo kohë e në çdo vend . . . “
Librin e lexova ngadalë ( nuk mund të lexohet shpejt e shpejt ose me një frymë, duke bërë nënvizime në tekst dhe hedhur në ca letra gjysmëm A-4, mendimet që më vinin në ato çaste leximi. Të gjitha këto mendime i vija në faqet përkatëse. Dhe kështu deri në fund, kur në një natë të ftohtë dhjetori, pasi pashë edhe kapitullin “ Album fotografish”, dola në ballkon për t’u thënë natën e mirë rrapeve gjysmë të zhveshur nga gjethet e rëna në trotuarin poshtë ballkonit tim . . . Nata ishte e qetë, ndërsa qielli pa yje i Tiranës. Dhe duke parë këtë qiell pa qiell të Tiranës, nuk e di pse pyeta: “Po prof.Agim Vinca ç’bën në këtë orë të natës? A ka rënë borë në Prishtinë. . . Ishin pyetje pa përgjigje, që edhe sikur t’i thoja me zë të lartë, do t’i dëgjonin vetëm rrapet gjysmë të zhveshur e që dukej sikur ishin në gjumë . . .
Mbaj mend, urimin që i dërgova për Vitin e Ri 2020, ku mes të tjerashe falenderoja për poezinë e bukur “Fjalorth greqisht-shqip ose lojë me fjalë në plazh”, që më kishte dërguar me e-mail-in e koleges time Sotirulla Hoxha. Gjithashtu i shkrova edhe për “Magjinë e ligjërimit”: “Libri juaj “Magjia e ligjërimit”, ose më saktë rrëfimi juaj në të, përmes intervistave, më ka pëlqyer shumë. Rrallë kam lexuar kësi lloj rrëfimesh, ku mbizotëron sinqeriteti. Ju i rrëfeni Miftar Kurtit, me një sinqeritet prekës. Ju nuk shtireni, nuk jeni në rolin e kapadaiut ose rrahagjoksit dhe larg alibive ( aq shumë të njohura të krijuesit tanë pas viteve ’90 në Shqipëri). Sinqeriteti juaj, siç thashë të prek dhe është përtej kuptimit të fjalës “ sinqeritet”. Kam mbajtur shumë shënime dhe mendoj që t’i publikoj në janar të gazetës “Dita”.
Nuk e mbajta premtimin që i dhashë profesorit. Erdhi dhe shkoi janari i vititi 2020, me fillimpandeminë, ankthin për sëmundjen e shekullit, izolimin disa mujor, pastaj kalimin nga kjo jetë e mikut tim të vyer dhe personalitetit të madh të kulturës shqiptare, Moikim Zeqo etj.etj,.
Duke i botuar në formë shënimesh, të hedhura në çastet kur lexoja “Magjinë e ligjërimit”, sidomos duke veçuar ato që kanë të bëjnë me vendlindjen, fëmininë, rininë e hershme etj. dhe po vjen janari i vitit 2022, mendoj se nuk jam i vonuar, sepse për libra të tillë është shkruar dhe do të shkruhet shumë edhe në të ardhmen,duke u zhytur në labirintet e jetës së njeriut me emrin Agim Vinca dhe personalitetit të madh të kulturës dhe letrave shqipe me të njëjtin emër të përveçëm Agim Vinca.
Shënimi i parë
Prof.Agim Vinca lëviz në ca hapësira kohore dhe gjeografike shqiptare e më gjerë, ballkanike dhe europiane. Jeta e tij shpaloset, nëpërmjet rrëfimit para Miftar Kurtit, në kohë dhe hapësirë, që nga fëmijëria, rinia e hershme, jeta studentore, universiteti, mosha e mesit të ditës, ajo e pas mesit të ditës dhe e pragmuzgut. Dhe kudo, në këtë rrugëtim marramendës, përshfaqet njeriu, krijuesi dhe intelektuali Agim Vinca, studiuesi i thellë, njeriu dhe karakteri i paepur me dinjitet Agim Vinca . . . Nënvizoj rrëfimfjalët e tij : “ Kam ardhur në jetë në pranverë (nëna më thoshte dy javë pas Shëngjergjit). Jam rritur në një shtëpi përdhese, me një oborr të madh përpara dhe bahçen me pemë e perime, plot diell e gjelbërim. Deri në moshën 19 vjeç kam jetuar në fshat,me familjen, pastaj mora rrugët e botës, për të mos u kthyer më, por duke mos harruar kurrë vendlindjen . . . Vendlindja ime, Veleshta, gjendet në rrugën automobilistike, Strugë-Dibër, në kilometrin e shtatë; në të djathtë Drini i Zi, që larg arat e vendlindjes; majtas vargmali i Jabllanicës, që shërben si kufi mes Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë ( tani Republikës së Maqedonisë). Fshati shtrihet ne fushë, në luginën e Drinit të Zi, ka shumë ujë, pemë, ara, kopshtie, livadhe dhe gjelbërim . . . “
Intermexo
E le leximin këtu dhe dal në ballkon. Ka rënë muzgu, një muzg i shpejtë, siç janë ata të dhjetorit. Librin “Magjia e ligjërimit” e kam lënë hapur në tavolinën e punës, në faqen 25, atje ku pas pyetjes së M.Kurtit: Në një rast keni thënë: “Drini është muza ime”. Del shpesh në vargjet tuaja Drini i Zi. Ndonjë kujtim lidhur me të?
A.Vinca: Unë jam rritur buzë lumit, buzë Drinit të Zi, kështu që notin e kam mësuar krahas të ecurit. . . “
Duke parë muzgun që largohet si me nxitim, rikthehem shumë vite më parë, ndoshta në fillimgushtin e vitit 1996, kur për herë të parë, shkoja në viset e Agim Vincës, në Strugën e bukur dhe Veleshtë. Atëhere në qytetin e Strugës organizohej që nga viti 1992, një festival, me pjesëmarrjen e shoqërive kulturore nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria. Vendin kryesor për nga pjesëmarrja, e zinin shoqëritë kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë. Nuk do t’i harroj kurrë ato ditë, kur isha ngarkuar si skenarist i kësaj veprimtaria dhe president a kryetar i jurisë, ishte prof. Ramadan Sokoli, etnomuzikolog dhe miku im i vyer e i paharruar. Në jurinë e këtij festivali ishte edhe këngëtarja e mirënjohur nga Kosova, Liljana Çavolli, një zonjë e vërtetë, e qeshur dhe me humor. E pra, ditën e tretë të festivalit, bashkë me regjisorin Llesh Nikolla, shkuam në Veleshtë për të parë grupin folklorik të këtij fshati. . . Dielli akoma nuk kishte perënduar, kur zbritëm nga makina. Një rrap i madh në qendër të fshatit. Pak më tutje na thanë se ishte qendra kulturore. Vështroja shtëpitë dykatëshe, gjelbërimin, lulet dhe oborret e pastra, si dhe pemët e shumta dhe ujërat. Ishte një peizazh lirik, që të kujtonte muzgjet e poezisë së Lasgush Poradecit. Pastaj Drini i Zi, Liqeni i Ohrit. Malet ose ultësirat gri, krejt gri, nën dritën e fundit të diellit. E kisha të vështirë të përcaktoja perëndimdiellin ose Veriun apo Jugun. . . Kur u larguam nga Veleshta, kishte rënë muzgu i gjatë i fillimgushtit. Ndihej freskia dhe ca aroma të veçanta, që ndoshta vinin nga liqeni, Drini i Zi, ultësira, mali e që përziheshin me zëra fëmijësh. . .
Rikthehem në tavolinën e punës dhe rilexoj: “ Në mes të fshatit është një shesh me dy rrapa të mëdhenj, qindra vjeçarë, që janë simbol i fshatit dhe i qëndresës së tij, një monument i gjallë”. Kështu rrëfen Agim Vinca, që më riktheu gati 3 dekada më parë në Veleshtën e tij të bukur, në Veleshtën e rrënjëve dhe frymëzimit të tij. Në atë fillimgushti, teksa largohesha nga Veleshta, dukej sikur në ajrin e muzgët, lëviznin hijet e së shkuarës, shpirtërat e të parëve të Agim Vincës dhe imazhet poetike të poezisë së tij për vendlindjen.
Shënim plus: vendlindja si brengë.
Poeti i madh kilian Pablo Neruda, kishte vite larg vendlindjes. Ai kthehej e rikthehej me ëndrra atje ku kishte kaluar fëmininë. Shkruante poezi, për të shuar mallin për vendlindjen. E megjithatë ai mall gërryente dhe e linte të pagjumë. Atëhere i kërkoi një mikut të tij që ta regjistronte në magnetofon zërat e vendlindjes, dallgët e detit, erërat, shirat që binin mbi çatirat e shtëpive, bubullimat, cicërimat e zogjve etj.etj. Thonë se kur Neruda i dëgjoi të gjitha këto, larg, shumë larg, qau si fëmijë dhe u çmall.
I hodha në letër këto, teksa lexova përgjigjen e prof. Agim Vincës, pas pyetjes së Miftar Kurtit: “ Ç’është,, çka përfaqëson vendlindja për Ju?” Ai mes të tjerash, shkruan: “ Vendlindja është bari që mbin në pranverë dhe strehët që pikojnë në vjeshtë; xixëllonjat në netët verore dhe qirinjtë e akullit në dimër; vendlindja janë ritet e Ditës së Verës dhe të festave të tjera të motmotit, të lashta sa vetë bota; vezët e skuqura me lëvore qepe dhe kukurekët herakë, kasnecë të stinës së re, që stolisin dyer e dritare, tok me shamitë e nuseve veleshtare, janë jargavanet ( ogravonat) që çelin oborreve pranë avllive dhe aroma e tyre dehëse; vendlindja janë dasmat, këngët, vallet, por edhe vdekjet dhe varret (ah varret!) . . . Vendlindja është djep i frymëzimit, arkiv i kujtesës, peng i shpresës . . . “
Dhe teksa lexoj këtë përgjigje sa poetike, aq edhe filozofike të profesorit, më kujtohet nëna ime e ndjerë që edhe ëndrrat i shihte në vendlindjen e saj, Spatar, një fshat shumë pranë Filatit të Çamërisë. Më kujtohen muajt e fundit të jetës së saj, që fliste me të vdekurit e Çamërisë apo fjalët.”Me shpini në Qafë Botë. Më mbillni sitë dhe atje më lini. Me sit ë mbillun do mar dhromnë për në Spatar. Se më njeh çdo gjë atje. Edhe gurët, edhe zogjtë, edhe era “.
Tekst rrëfim
Më merr malli ta sodis perëndimin e diellit në atë horizont, ku dielli perëndon më bukur se kudo tjetër në botë. Në stinën e verës, sigurisht. Bëni një udhëtim me makinë pas plazhit, pak para se të perëndojë dielli nga Struga në Veleshtë, duke kaluar Urën e Shumit, dhe do të bindeni për këtë. Ç’horizont i purpurt! Çfarë ngjyrash fantastike! Ç’bukuri! Sytë t’i merr !
A mund të heqë dorë njeriu, aq më shumë kur qëllon të jetë edhe poet, nga ky imazh i fiksuar përjetësisht në retinat e syrit dhe në shtresat e kujtesës?! Arti është, thotë një kritik francez (Jean-Pierre Richard), rizbulimi i fëmijërisë, kurse një tjetër (me duket shkrimtari izraelit Amos Oz) shton se vepra letrare dhe artistike sa më lokale që të jetë, aq më universale është. Duket si paradoks, por për mua si krijues dhe studiues nuk është i largët ky koncept.
Shënim: Zanafilla e leximit
Dita e parë e shkollës. Më mbetën në kujtesë ato që Prof. Agim Vinca rrëfen për atë ditë: grumbullimi në oborr, rreshtimi, hyrja në klasë . . . Çanta prej basme. Në të abetarja, dy fletore, një me vija e një me katrorë dhe një laps i thjeshtë, asgjë më shumë, ndërsa unë i veshur me një palë pantollona të shkurtra dhe një këmishë bezi. Këmbëzbathur. Nga klasa e tretë nis shoqërimi me librin, shoqëri që nuk do të ndërpritet kurrë, që do të zgjasë një jetë të tërë. . . Libri i parë që ka lexuar: “Sofër, shtrohu!” Dhe pas këtij, një përrallë e bukur e përkthyer në shqip, do të vijnë: “Doktori Ofmëdhemb”, “ Pinoku”, “Pa familje”, “Tregime të Shekspirit”.Po në vitet e larta të tetëvjeçares dhe në gjimnaz ? Hektor Malo, Kolodi, Shekspiri, Servantesi, “Ura e Drinës” (Ivo Andriq). . . Kontaki i parë me letërsinë bashkëkohore, me atë që krijohej në Kosovë, përmes revistës “Jeta e re” dhe librave të Esad Mekulit, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Murat Isakut. . . Me letërsinë bashkëkohore që krijohej në Shqipëri, kontaktet pas vitit 1968.
I bukur rrëfimi për ardhjen në Prishtinë në tetor të vitit 1966: “Prishtina m’u duk e madhe dhe e zhurmshme, kurse vetja e vogël, madje krejtësisht i humbur në morinë e njerëzve të panjohur.”
Rikthimi i kujtesës historike të Prishtinës.
Shumë interesant më duket, mendimi i prof.Vincës: “ Në vështrim historik viti 1968 mund të krahasohet, pak a shumë, me vitin 1908. Në qoftë se shpallja e Kushtetutës alias Hyrrietit, nga ana e Xhonturqëve krijoi disa premisa për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare, shprehja e së cilës në kontekstin e atëhershëm ishte zgjidhja e problemit të alfabatit në Manastir, hapja e të parës shkollë të mesme në gjuhën shqipe, Normales së Elbasanit, më 1909 etj. ashtu edhe Plenumi i Brioneve i vitit 1966, pastaj amendamentet kushtetuese të viteve 1968-1969 e 1971-72 dhe sidomos Kushtetuta e ’74-s, krijuan klimë e mundësi për zgjerimin e institucioneve kulturore-arsimore në Kosovë . . . “
Shënim i shkurtër
Rrëfimi i një jete të trazuar në Prishtinë. Demonstratat e vitit 1968, që krijuan premisat për ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi. . . Viti 1969. Dhoma 125 e konviktit numër 1, në Prishtinë. Dhe u ula e shkrova poezinë “ Letër vëllait”. Ishte ideja se ato t’ju largojnë juve, por idenë arsimdashëse, liridashëse nuk mund ta mbysin. . . Idetë jetojnë. . . Kështu rrëfen poeti i ri atëhere. Poeti dhe intelektuali Agim Vinca në shënjestër të organeve të Partisë. Kalvari i diferencimit. Mbledhjet,diskutimet, gazetat, etiketimet . . . Nënshkrues i Apelit të 215 intelektualëve shqiptarë, në vitin 1989 për mosndryshimin e Kushtetutës së ’74-s. 28 marsi i vitit 1989, ditën kur do të mbahej mbledhja e Kuvendit për ndryshimet kushtetuese. Marrja në pyetje 20 orë në organet e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë . . . 15 shtator 1991: Vendimi për largimin nga Universiteti i Prishtinës. I dhim,bshëm pohimi i prof. Agim Vincës:” Ma ndaluan hyrjen në Fakultet plot tetë vjet, deri në vitin 1999, kur u kthyem sërish në shtëpinë tonë”. Burgosja në vitin 1996.
I mbyll këto shënime me vargun e Agim Vincës shkruar në qeli, në burgun e Lipjanit:” Përleshjen fytas me një frymëzim rebel”. . . Është prap vonë kur dal në ballkon. Qetësi. Duket si prag gjumë i rrapeve. Vetëm unë jam i pagjumë. Rrëfimet e prof.Agim Vincës ma kanë prishur gjumin.
Tekst rrëfim
. . . Nga ky qytet ishte edhe vajza që kisha pranë, e të katërtës pesë, “te barraka”, me fustanin e gjatë zherse, me flokët punç, me një gjerdan koralesh në qafë, me kokën e bukur si statujë antike ( siç do t’i thosha më vonë) dhe me një bengë në faqen e majtë. . . Me bisht të syrit shihja profilin e vajzës me emrin e bukur. Deri atë ditë isha mësuar ta shihja me uniformën e shkollës, me kecelen e zezë dhe flokët e lëshuara, ndërsa atë natë dukej krejt ndryshe: magjepsëse. . . Ishte pranverë, stina e lulëzimit, ku shpërthejnë ndjenjat. Nxënësit ishin të hareshëm, por edhe profesori i tyre nuk ngelte pas. Kur kamarieri u ankua se po e kalonim limitin, unë, i nxehur nga pija, i thashë: “Mos u mërzit, paguaj unë!” dhe nxorra nga xhepi një tufë bankënotash. Vajza që kisha pranë, qetë, pa bujë, si nikoqire e vërtetë, i mori dhe i futi në çantë.
Kjo vajzë do të bëhej më vonë bashkëshortja ime, shoqja ime e jetës dhe nëna e fëmijëve të mi. Kurse rolin e nikoqires do ta luajë me pasion gjatë gjithë jetës.
Shënimi i fundit: Mesazhet e ligjërimit
“Magjia e ligjërimit” nuk është libër i zakonshëm. Kjo jo vetëm që këtu ligjëron një nga personalitetet e shquara të kulturës dhe letrave shqipe, një figurë poliedrike, por edhe se përballë tij si njeri e studiues, kulturolog, poet, prozator, kushdo do ta kishte të vështirë ta zbërthente ose të futej në botën e madhe me emrin Agim Vinca. Është meritë e padiskutueshme e Miftar Kurtit, që me kulturë dhe mençuri, ka arritur të ketë në duart e tij jo një çelës, por disa çelësa. Mendoj se vetëm një njohës i mirë i botës së shumëfishtë të Agim Vincës, siç është Miftar Kurti, t’i çelë ato: portat e botës Agimvinciane.
Ky libër me 305 faqe dhe shtatë kapituj (nuk e di kuptimin mistik të 7-s), për nga informacioni, idetë, rrugëtimi i gjatë në kohë dhe hapësirë, emrat marramendës të vendeve, njerëzve, që nga ata të zakonshmit deri te personalitetet e historisë, kulturës mbarëshqiptare, ballkanike, europiane e botërore, gjykimet e pjekura për fatet e shqiptarëve dhe e ardhmja e tyre etj.etj. janë aq të shumta, saqë rrinë ngushtë, shumë ngushtë ose ngjeshur në këto 305 faqe dhe shtatë kapituj.
Ky është një libër ndryshe, siç shkruan në parathënie Miftar Kurti: “ Pretendimi im tashmë ishte që të bëja diçka ndryshe nga ç’kishin bërë të tjerët për profesorin
(dhe mentorin) tim të nderuar. . . . Në këtë libër ka edhe letërsi (poezi e prozë), edhe shkencë, edhe publicistikë, ka edhe opinione për aktualitetin politik dhe historinë kombëtare, vlerësime për personalitete të ndryshme historike, për njerëz të artit dhe shkencës, shpalosje kujtimesh personale dhe shijesh estetike etj.”
“Magjia e ligjërimit” e Agim Vincës, nga faqja në faqe, shpalos të vërteta dhe vetëm të vërteta. Kush e njeh nga afër njeriun dhe profesorin Agim Vinca, kur përfundon së lexuari këtë libër, preket dhe emocionohet nga rrëfimi i tij. Mendoj se nuk është e rastit, që pyetjes së Miftar Kurtit: “Si do të donit ta mbyllnim këtë intervistë, me ç’mesazh?”, Agim Vincës i pëlqen të citojë Albert Kamynë, një nga shkrimtarët më të shquar të shek.XX, njëherësh njeri nga shkrimtarët më të preferuar të tij:”Kush nuk i quan gjërat me emrin e vet, e rrit fatkeqësinë e botës!” Dhe kur M.Kurti pyet: “Ky është mesazh?”, Agim Vinca shton edhe një tjetër, duke perifrazuar poetin spanjoll Frederiko Garsia Lorka: “ Gjysmë buke dhe një libër, ky është mesazhi që dua t’u përcjell bashkëkombësve të mi, të rinj dhe të vjetër”.
Lexoni, besoni, mësoni. Është libër i hapur, shkruan Miftar Kurti.
Unë modestisht shkrova për këtë libër të hapur dhe të vërtetë, për “Magjinë e ligjërimit”, duke prekur shumë-shumë pak vlerat dhe personalitetin e Prof. Agim Vincës.
Tiranë, dimër 2019-Vjeshtë e tretë 2021

E lexova me vëmendje këtë shkrim tuajin z. Enver dhe mund të them që keni bërë një përmbledhje të bukur të përjetimit personal kur lexon librin “Magjia e ligjërimit”.
Të jem e sinqertë unë kur fillova së lexuari, nuk e kam pritur që do ishte kaq i bukur dhe tërheqës.
Gjatë gjithë jetës së tij profa Agim është shquar për guximin e shprehjes së mendimit të lirë, megjithatë nuk e kam besuar që në këtë drejtim do të arrinte shkallën sipërore (ndjesë për këtë mendim timin, që ndoshta mund t’ju duket edhe vulgar), por vërtet jam e befasuar për sinqeritetin në rrëfim.
Të flasësh kaq hapur, ta zënë për: “xhelozinë” e vëllait, mungesën e nderimit nga vendlindja, fenë, politikën, figurat kombëtare, realitretin në të cilën gjendemi ne si komb, etj. Janë gjëra që hasen rrallë dhe mumd t’i thotë vetëm mjë personalitet i përmasave të tilla, siç është profa Agim.
Mund t”Ju them se disa herë gjatë leximit të “Magjisë” kam mbushur sytë me lot ( përshkrimi i bukur i mungesës së vlerësimit në vendlindje, i përshkrimit të ditës kur keni lënë Kosovën, kur bëtë shëtitjen e parë pas luftës- udhëtimi për në Pejë, i vdekjes së nënës dhe motrës, e sa e sa raste të tjera).
Vërtet mdjehem me fat që e kam pasur profesor, mentor dhe që e kam njohur këtë figurë kaq të lartë kombëtare!
Respekt për shkrimim tuaj z. Emvet dhe sigurisht për të madhin profën Agim Vinca.