Një dhuratë e papërsëritshme!

anazapta

Vajza që po sjellim sot në “Dita” të mbush me frymëzim dhe të bën që të paktën të mendosh se me vullnet dhe fantazi mund të bësh gjërat që do.  Ajo është Ilda Beçi, 31 vjeç, nga Tirana. U vumë në kërkim të saj dhe zbuluam se krijimet e Ildës ishin shumë origjinale. Si fillim mësuam se ajo ka  kryer studimet e larta në Itali, në Universitetin e Urbinos “Carlo BO” në degën “Komunikim dhe Reklama”. 

ildaNga shishet ku mund të shkruash një mesazh për të dashurin, te gotat e kristalit me iniciale emrash të gdhendur, e deri te mbajtëset e bizhuterive dhe çokollatave me detaje zbukuruese… të gjitha punime dore që vijnë në formë dhuratash të personalizuara për klientët që i porosisin. Ilda, prej më shumë se një viti ka hapur linjën e saj të realizimeve artizanale, ku krijon dhurata me punime dore. Shpesh është e sikletshme të gjesh një dhuratë për dikë, aq më tepër kur do që të jetë e veçantë. Një zgjedhje alternative, më pak e kushtueshme për xhepin, por origjinale. Ajo e ka quajtur “Ilda B. Creations”

Kur e pyesim për këtë nismë të sajën, ajo përgjigjet: “Gjithmonë kam qenë e tërhequr pas të bukurës dhe të veçantës. Nuk më pëlqenin punimet në seri dhe dhuratat e përsëritura që gjeja nëpër dyqane. Gjeja gjithmonë diçka ndryshe që ta plotësoja më pas me një ide timen. Dhe kështu erdhi gradualisht dëshira e shtyrë edhe nga pasioni për të krijuar gjëra të bukura dhe të veçanta, jo vetëm për dhuratat e mia personale po pse jo edhe për të tjerët që kishin të njëjtat kërkesa si të miat. Këto dëshira, të cilat flinin prej kohësh brenda meje, nuk kishin pasur mundësinë dhe kohën e duhur për t’u realizuar deri në momentin kur  lindi “Ilda B. Creations”, e cila ka filluar të komercializohet vetëm tani,  gjë e cila lindi shumë natyrshëm”. Nga ana tjetër, Ilda ka 6 vite që punon në fushën e Marketingut, fushë e cila lidhet ngushtë me pasionin e saj. Aktualisht është e punësuar në një kompani komunikimi në Tiranë, në departamentin e marketingut si pozicion.

“Me rikthimin tim nga Italia dhe  me shumë dëshira, ëndrra dhe ide që kisha marrë me vete në Shqipëri, fillova të mendoja që kisha nevojë të bëja diçka ndryshe dhe të mos mjaftohesha me atë çfarë më ofronin ditët rutinë. Kështu lindi edhe krijimi i kësaj faqeje”.

Ilda, me çfarë materialesh punoni më shumë?

redLënda ime e parë, jo materiale, të cilën mund ta gjej gjithmonë në çdo kohë dhe kudo që të jem,  është dhe mbetet fantazia, dëshira dhe pasioni. Nëse kalojmë në pjesën materiale,  lëndët  e para, duke filluar nga ato që mund të duken më pak të rëndësishme në jetën tonë të përditshme deri tek materialet me një kosto të konsiderueshme janë: material xhami, druri, kartoni, copë, plastikë, metalike, elastike, bojëra, rruaza, lule të thata, kristale, qeramike etj., janë të shumta dhe të larmishme. Me pak fantazi dhe durim çdo element merr një vlerë tjetër.

A janë të interesuar njerëzit që të blejnë dhurata me dedikime personale?

Kohët e fundit po vihet re një rritje në interesimin e dhuratave të personalizuara. Klienti mund ta krijojë vetë dhuratën, duke vendosur në të idenë e tij të cilës unë i jap jetë. Ai personalizon dhuratën e tij duke e bërë atë më të veçantë dhe duke i shtuar një vlerë emocionale, kohë dhe dashuri.  Besoj është mëse e mjaftueshme apo jo?

Sa prej tyre vijnë me një ide në kokë dhe sa kërkojnë ndihmën tuaj?

Unë punoj në një formë të tillë, që asnjë prej dhuratave të mos jetë e përsëritur, por secila prej tyre të jetë ndryshe nga tjetra dhe të mbartë një mesazh të veçantë. Përveç punimeve të mia, të cilat realizohen nga frymëzim i çastit, dhuratat e tjera realizohen edhe sipas dëshirës së klientit, i cili vjen me ide të qarta për dhuratën që  kërkon. Por gjithsesi  në të shumtën e rasteve jam unë burimi kryesor për ide të reja dhe për t’u ardhur në ndihmë atyre që ndoshta nuk kanë shumë fantazi.

Çfarë kërkojnë më shumë?

okMë shumë kërkojnë produkte dhe dhurata të personalizuara me një shprehje të veçantë që i drejtohet një personi të tyre të dashur, kartolina të personalizuara apo dhurata për një event të veçantë si fejesa apo ditëlindje.

Janë femrat apo meshkujt ata që interesohen për të blerë?

Dhuratat e krijuara me dorë dhe ato të personalizuara të marrin pak kohë për ta menduar dhe krijuar ose edhe për të dhënë idenë. Duke qenë se në këto raste janë femrat ato që kanë më shumë durim janë po ato që kërkojnë më shumë dhurata dhe interesohen më shumë për diçka të veçantë.

Cila është gjëja më e bukur që keni realizuar me duart tuaja?

Gjërat e bukura janë shumë. Një nga më të bukura ka qenë një dhuratë që është bërë për martesën e kushërirës time, ku realizova në mes të natyrës një ambient romantik të dekoruar me mjete nga më të ndryshmet duket filluar nga tavolina e bardhë ku qëndronte çifti, tullumbace, lule, kurora, pra  simulimin e një ambienti si në përrallë për shërbimin e tyre fotografik. Ajo ka qenë një nga gjërat më të bukura të realizuara. Gjithashtu kane qenë edhe bonbonieret e personalizuara për fejesë me inicialet e çiftit të vendosura në një paketim të veçantë me shprehjen “Wishing you joy and happiness” (Ju uroj gëzim dhe lumturi), një llambadar i  krijuar nga shishe qelqi që edhe ajo është diçka që e kam për zemër etj.

E kishit menduar më parë që do të kishit një angazhim të tillë?

vazoUnë kam qenë vazhdimisht në kërkim të gjërave të bukura dhe të personalizuara me një stil timin.

Cilat janë tendencat e momentit në faqen tuaj?

Nëse flasim për një tendencë të caktuar do të mbetemi tek linjat e thjeshta me elemente sa më origjinale dhe të përdorimit të përditshëm në mënyrë që dhurata që krijohet të mos lihet aty në një cep të fshehur, por të gjejë vendin e saj në ambientet e shtëpisë apo të zyrës ku vendoset, në mënyrë që të përshtatet dhe të sjellë gjithmonë në kujtime personin nga i cili është marrë kjo dhuratë.

Ide

Dhuratë e personalizuar

Ilda është shembulli i një personi që mund të punojë edhe pa pasur një dyqan, pa marrë me qira një ambient, por vetëm duke pasur durim dhe fantazi. Aktualisht në faqen e saj mund të gjeni dhurata nga më të ndryshmet. Nuk është një linjë specifike ku mund të gjeni vetëm një tip produktesh apo dhuratash. Aty mund të krijohen, kompozohen, sugjerohen ide nga më të ndryshmet. Aktualisht mund të gjesh dhurata për një shoqe, një mike, nënën, vajzën, të dashurin, bashkëshortin, fëmijët. Një vazo dekoruese, një mbajtëse qiriri për një natë romantike, shishe me ngjyra për të dekoruar shtëpinë, lokalin pse jo edhe një dekor ndryshe për dasmën tuaj, ku mund të luani me ngjyrat e preferuara. Mund të gjeni çanta dhe kuti paketimi për ta bërë dhuratën tuaj të duket e veçantë. Kartolina të personalizuara.  Shishe me mesazhe të personalizuara, ide për organizmin e një ditëlindjeje.

 

 

 

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *