Bedri Islami
Nuk e di se si ndodhi, por u takuam në Zvicër, në Gjenevë. Isha mik te Basri Misini, të cilit i detyrohem shumë për jetën time, por kjo është një histori tjetër, kur u takova me Adem Demaçin. Ai sapo ishte kthyer nga Shqipëria, të cilën e donte me përgjërim të pashoq dhe me ngazëllimin e njeriut që tashmë ishte pjesë e saj reale.
Trupvogël, i lëvizshëm si pak kush tjetër, gjithë jetë dhe përherë si në ankth, gëzohej për gjithçka dhe nuk urrente asgjë, i vëmendshëm kur të dëgjonte dhe ekspresiv kur fliste, dhe në të njëjtën kohë lëvizte duart sikur të thonte diçka shtesë, që ende nuk kishte arritur ta artikulonte; i frymëzuar prej idesë së lirisë ai ishte bërë apostull i saj, gjithnjë një mrekulli dinjiteti, e, në të njëjtën kohë , shpërthyes si pak kush tjetër.
Kam pasur shumë herë takime të shkurtra apo të gjata me Adem Demaçin. Vlera e madhe e këtyre bisedave ishte se ata më stimulonin dimensione të reja të mendimit.
Më thonte shpesh, ua thonte edhe të tjerëve, se, ” Bedriu është Fehmian”, dmth dishepull i Fehmi Lladrovcit dhe më vite mirë, si të ishte dekorata më e madhe e gjithçkaje.
Nejse, fjalën e kisha te biseda me Demaçin, ndërsa po ecnim buzë liqenit të Gjenevës. Lufta kishte ardhur dhe Demaçi e ndjente këtë me atë shqisën e luftëtarit të vjetër.
-Lufta është gjë serioze, thonte, dhe kjo luftë është serioze. Për deri sa në këtë punë është “zharava”, kjo do të thotë se e kemi seriozisht dhe do fitojmë.
“Zharava ose ” Zjarri”, ai i thonte Fehmi Lladrovcit, pasi askënd në botë nuk besonte më shumë se sa atë.
Pastaj, nuk e di se si erdhi fjala te demokracia. Si vlerë, si sistem dhe si pritshmëri. Ai kishte besim të madh se, pas luftës, në Kosovë do të kishte demokraci, ndoshta edhe më të gjerë se në shtetin amë, pasi kishin qenë dy herë të shtypur, edhe nga sistemi komunist, edhe nga pushtimi klasik serb.
Kishte drojën se në fillim mund të kishte vështirësi, moskuptime të mëdha, trazime, ngutje dhe shprishje të vlerave. Kësaj të fundit i trembej më shumë.
-” Ata që , pas luftës, do të qeverisin Kosovën, domosdo, duhet të demonstrojnë kreativitet, dhembshuri, guxim dhe lidership. Jam i vetëdijshëm për vlerën e çmuar të kohës, për rilindjen e kombit mbi bazën e vlerave dhe të drejtën e veprimit.
Jo vetëm totalitarizmi bën krime. Edhe demokracia është e aftë të bëjë krime, nëse abuzohet me të. Nuk mund të kërkojmë gjithçka prej demokracisë. Në Shqipëri e keqkuptojnë këtë. Demokracia është hapësirë, por edhe mbyllje. Hapësira jote nuk mund të ngushtojë hapësirën e tjetrit. Gjëja kryesore që duhet të kërkojmë nga demokracia, nga sistemi i vlerave të demokracisë është kalimi i pushtetit pa gjak nga njëra forcë politike në tjetrën. Demokracia këtë ka themel dhe, po këtë, ka edhe përmendore.
Në Kosovë , për shumë njerëz, ndoshta për shumicën, kjo është një ëndërr e bukur. Përse? Sepse janë mësuar me egërsinë dhe dhunën, me vrasjet, burgosjet, me praninë e pushtetit të prapshtë e shpesh herë mizor.
Shpesh popujt zihen në një kurth të madh, nganjëherë tragjik, dhe, mjerisht, e kanë të vështirë të ndahen nga ai”.
Fliste duke lëvizur duart dhe me atë vrullin që kishte pasur gjithnjë në jetë. Ai nuk kishte turp nga optimizmi dhe shpresa. Ishte e pabesueshme se sa optimist ishte dhe, në të njëjtën kohë, sa real.
Demaçi kishte qenë thuajse adoleshent kur ishte njohur me idenë e nacionalizmit, ama përmes një rruge që nuk kishte qenë në brendësinë e tij, marksizmit.
Vite më vonë ai , në mesin e lëvizjes klandestine çlirimtare, në burgun e Stara Gradishkës, ku të burgosurit politikë shqiptarë do të ishin më të lirë se sa gardianët e tyre, sepse ishin të lirë në shpirt, Demaçi do të bënte pyetjen që, më pas, do të ndërronte rrjedhën e kësaj lëvizje:
-Do të jemi ideologjik apo kombëtarë?
Do të ishin kombëtarë.
– Në Shqipëri, vazhdoi Demaçi, njerëzit i duan të gjitha njëherësh. Duan edhe të mirat e socializmit, edhe dobitë e kapitalizmit. Është rast i rrallë të gjenden të dyja njëherësh dhe në pak kohë. Aq më shumë tani, kur një pjesë e madhe e njerëzimit porsa ka dalë nga perandoria e përmbysur e komunizmit dhe është e çoroditur, e thyer moralisht, e hutuar dhe, jo pak nga pjesë do të jetë humbëse.
Kapitalizmi, djalë i bacit, të shqyen, të bën copë – copë, dhe të përqesh. Liria njerëzore është e vërtetë kur mbikëqyret nga e drejta. Kur abuzohet me lirinë, nuk ka demokraci, por autoritarizëm dhe, më tej, absolutizëm. Në Shqipëri ka shumë mundësi të ketë autokraci të Njëshit dhe absolutizëm të pakicës. Sepse pakica do të jetë oligarki politike. Në Shqipëri nuk idealizoj idil politik mes pozitës dhe opozitës, por, të paktën , bashkëjetesë. Mirëkuptim për thelbin. Nuk do e kemi. Palët egërsohen në mënyrë të pafalshme.”
Kam dëgjuar më pas për Demaçin shumë gjëra. Janë shkruar libra për të dhe librat e tij. Me Demaçin ka qenë e pamundur të zemëroheshe dhe as të bëje kujdes kur flisje. Me Demaçin njeriu ndjehej si me veten dhe, pavarësisht moshës, rrethanat të dukeshin të njëjta.
Në Zvicër ai kishte mik të madh Shaban Mujën, ” Magjupin”, një klandestin të hershëm, i gazmendshëm, që në fakt ishte e kundërta e Demaçit si figurë njerëzore, por të përbashkët në qëndresën që kishin pasur, besimin te liria dhe përkushtimin ndaj saj. Kishte raste kur ai flinte te shtëpia e Shabanit në Zvicër dhe kisha dëgjuar për një ngjarje mes tij, Shabanit dhe portretit të një figure të njohur politike të kohës së shkuar.
Demaçi qeshi, një herë më tha se nuk e mbante mend, pastaj në atë gazmendin e tij kur kujtonte ngjarje të shkuara , plot dritë, më tha se Shabanit bënë gabim shokët që ia mblodhën trutë, kur ia nxorën jashtë milicër serbë e ja vunë në vend, se ,kur i futën trutë brenda, diçka kanë bërë gabim.
Dhe qeshi si një çunak adoleshent , me atë të qeshurën e tij gurgulluese, që miqtë e shokët ia dinin mirë.
Dhe që nuk ia kam harruar!

Bedri Islami te lumte ajo pene,
Burre i nderurar Adem Demaci,
Ne jete atdhetar ngadhnjoi Ai.
Deri ne Zvicer ai DEMOSTROI
Atdhetrizmin me penen e tij,
Per shqiperine MEME thene:
Kalimi pushtetit pa gjak.
..Me Adem Demacin,ndiheshe si me vetveten
Atdhetar mbi atdhetaret demostruar aftesite.
Adem Demaci; si bir- atdhetar shqiptaro-Kosovare
Thoshte: Ne shqiperi njerezi i duan -gjith njeheresh;
Sa te mirat e socializmit dhe dobesite e Kapitalizmit,
Raste i ralle,sjelle te dyja ne te njejten kohe.
***Mire jep amanete: * Kujdes me cpo perjetojme..
Me ate *qeshien*adoloshente…gurgulluese!
VO lexoheni dhe rilexoeni dhe…
vin PIKEN mbi *I*
Me Ju:Dhimbie e madhe POPULL!