Fitim Çaushi
Spekulimet e historianëve të çakorduar dhe megalomanëve nëpër gazeta dhe televizione, me “luftën kundër komunizmit”, janë trullosëse, por kjo nuk legjitimon falsifikimin e Historisë! Ideologjia ishte tjetër gjë dhe objektivi historik i Luftës së Dytë Botërore ishte tjetër gjë. Shqipëria u bë pjesë e Luftës së Dytë Botërore, për shkak të po atij faktori, që u bënë edhe vendet e tjera të Evropës. Pabarazia e zhvillimit ekonomik, nxiti babëzinë e shteteve agresive për një rindarje të botës me anë të luftës. Imperializmi japonez, pasi u përforcua në provincat veri-lindore të Kinës, filloi në vitin 1937 luftën për pushtimin e tërë Kinës për ta shndërruar në një koloni. Fashistët gjermanë, në vitin 1938, futën trupat e tyre në Austri dhe filluan përgatitjen e pushtimit të Çekosllovakisë. Së bashku me Italinë, Gjermania filloi intervecionin ushtarak në Spanjë. Lufta po merrte karakter botëror.
Megjithëse agresorët fashist kërcënonin drejtpërsëdrejti interesat e shteteve aleate, qarqet sunduese të fuqive Perëndimore, e mënjanuan politikën e sigurimit kolektiv. Ato preferuan politikën e lëshimeve në dobi të agresorëve fashistë, duke shpresuar se do të binin në marrëveshje me ta. Synimi ishte ta ndërsenin agresionin kundër BS, me justifikimin kundër komunizmit. Për këtë, kryetarët e qeverive të Anglisë, Italisë, Gjermanisë dhe Francës u mblodhën në shtator 1938 në Mynih dhe vendosën t’i njihnin Gjermanisë disa krahina kufitare të Çekosllovakisë. Në mars 1939 Gjermania e pushtoi tërë Çekosllovakinë pa pyetur paktin e Mynihut e më vonë do t’u vërsulej Francës dhe Anglisë, të cilat nuk ishin komuniste. Fuqitë Perëndimore me tradhtinë e Mynihut nuk arritën t’i mbronin interesat e tyre dhe të siguronin një marrëveshje të qëndrueshme me Hitlerin.
Në analizën e politikës ndërkombëtare, në Kongresin e 18-të të PKBRSS, Stalini theksonte: “Kriza e re ekonomike po çon në një ashpërsim të luftës imperialiste, tani nuk është më fjala për konkurrencë në tregti, për luftë tregtare, fjala është për një ndarje të re të botës, të sferave të influencës dhe të kolonive me luftë…Italia u kujtua se kur u nda plaçka pas luftës së parë imperialiste, asaj i ishte ngrënë haku dhe se duhej të kompensohej. Gjermania që u dëmtua rendë pas paqes së Versajës u bashkua me Japoninë dhe Italinë dhe kërkon zgjerimin e territoreve të saj në Evropë” (Stalin J. Vepra të zgjedhura, Tiranë 1979, f. 495.)
Sikundër shihet, edhe Lufta e Dytë Botërore, nuk u organizua kundër komunizmit si ideologji dhe sistem shoqëror, u organizua për ndarjen e botës. Më 7 prill 1939, Italia fashiste pas pushtimit të Abisinisë, pushton ushtarakisht Shqipërinë, ndonëse të dyja nuk ishin vende komuniste. Pushtuesit ruajtën rendin çifligaro-borgjez dhe filluan zbatimin e një sërë masash politike, ekonomike dhe shoqërore për forcimin e regjimit të pushtimit.
Ideologjia komuniste, si udhëheqje e Luftës kundër fashizmit në Shqipëri, ishte afirmuar qysh më 8 nëntor 1941, madje më përpara, kur Ahmet Zogu organizoi gjyqin politik kundër komunistëve, dhe Qemal Stafa deklaronte: “Jam komunist i bindur, vetëm bolshevizmi do ta shpëtojë masën e punëtorisë, që sot ndodhet e shtypur”. (Nasho Jorgaqi, Qemal Stafa, 8 Nëntori, 1976, f. 179)
Balli Kombëtar e formoi organizatën e tij në fund të nëntorit 1942, gati një muaj e gjysmë pas Konferencës së Pezës. Në pikën 4 të dekalogut, Balli propagandonte: “Luftojmë për një Shqipëri të rregullueshme ekonomikisht dhe shoqërisht, në mënyrë që të mos ketë shfrytëzues dhe të shfrytëzuem dmth të mos ketë njerëz që të jetojnë në kurriz të të tjerëve, mos të ketë bujq pa tokë të vetën…” (AQRSH, F.556, d.24, f.93)
Kjo parullë ishte identike me programin e PKSH, shpallur një vit më parë, më 8 nëntor 1941! Madje në pikën 6 të dekalogut, Balli Kombëtar e konfirmon këtë program, duke modifikuar Konferencën e Pezës: “Luftojmë për një Shqipëri, ku do të çmohen drejtësisht të gjitha vlerat, pa dallim krahine, besimi dhe klase”.(AQRSH,F. 556, d. 24, f. 93) Sikundër shihet, ky deklarim është identik me Thirrjen e Konferencës së Pezës: fjala bashkim – pa dallim feje, krahine, ideje, është zëvendësuar me fjalën çmohen- pa dallim krahine, besimi dhe klase”! Përse ballistët u kujtuan të largohen prej këtij programi në fillim të vitit 1943 dhe të luftonin kundër komunistëve, kur programet në esencë i kishin përafërsisht të njëjta? Kjo na bind, se nuk ishin faktorët ideologjikë, shkaqet që çuan në ndarjen dhe antagonizmin mes tyre, tjetër kund fshihej lepuri.
Pas Konferencës së Pezës, më 16 shtator 1942, PKSH u afirmua si forca udhëheqëse e popullit shqiptar në Luftën Antifashiste. Reaksioni shqiptar dha alarmin, sepse e pa që populli po bashkohej me Frontin Nacionalçlirimtar. Kjo rrezikonte pushtetin dhe privilegjet e klasës sunduese. Duhej gjetur një mjet që të prishej ky bashkim dhe të asgjësohej Fronti Nacionalçlirimtar. Kjo ishte në interes edhe të pushtuesit fashist. Për këtë u projektua nga jerarkët e lartë fashistë, organizata e Ballit Kombëtar në nëntor 1942, me kryetar Mit’hat Frashërin, për zgjedhjen të cilit si kryetar i Ballit, kishte kontestime nga disa nacionalistë shqiptarë: “Mit’hat Frashëri, qysh prej kohës që Merushja dhe fletorja “Vullneti” e vitit 1931, ia qitën në shesh të palarat, në vitin 1932 rinte si pulë e lagur. Qysh atëherë në shpirtin e tij vlonte urrejtja kundër shqiptarëve. E ndiente veten të kompromentuar… Kur tash disa kopila duel e thanë, të bëhet kryetar i Ballit Kombëtar, tue e përdorur si kukull, ai e pranoi me gëzim të madh zemre…asht fare afër dita qi populli ka me marrë fshesën me ia tregue vendin aventurierëve si Mit’hat Frashëri me shokë.” (AQRSH, F. 556, d. 15, f. 2-2.1) Nuk është objekt i këtij punimi, hulumtimi i këtij dokumenti, që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, na intereson shkresa e Milicisë Fashiste, drejtuar Mëkëmbësit të Mbretit në Shqipëri, një muaj pas formimit të Ballit Kombëtar, në Janar 1943, e cila sqaronte misionin famëkeq të Ballit qysh në embrion: “kundër komunistëve dhe çetave komuniste”(AQRSH. Shkresa e komandës së Milicisë fashiste drejtuar mëkëmbësit nr.129/13/8, 16 janar 1943)
Ky mision profashist, qysh në krijimin e Ballit, përjashtonte çdo motivim të luftës kundër Frontit Nacionalçlirimtar për shkaqe ideologjike. Si ndodhi, që Milicia fashiste i njoftonte Mëkëmbësit të Mbretit, një mision tjetër nga ç’deklaronte publikisht vetë Balli Kombëtar në Dekalogun e tij?! Nga e kishte dijeninë Milicia Fashiste për këtë mision antikomunist të programit të vërtetë të Ballit Kombëtar, qysh në janar 1943?! Milicia fashiste e dinte thelbin e vërtetë të programit të Ballit Kombëtar, sepse ishte në dijeni të disa marrëveshjeve sekrete të krerëve të Ballit dhe jerarkëve të lartë fashistë, marrëveshje, të cilat i kishte përgatitur vetë, për ta përdorur Ballin kundër Frontit Nacionalçlirimtar. Prandaj Jakomoni në kujtimet e tij, shkruante: “Elementët ballistë kishin vepruar deri atëherë në mënyrë konspirative. Nga sa rezulton, ata ishin të prirë të mbështesnin qeverinë Bushati”.( Francesko Jakomoni, “La politika dell Italia in Albania”. Capelli Editori, 1965, f.321) Ky konfirmim i Mëkëmbësit të Mbretit Perandor, Jakomonit, është dëshmi e pakundërshtueshme, për veprimtarinë hipokrite të Ballit Kombëtar qysh në gjenezën e tij. Ballistët ishin të prirur për të mbështetur qeverinë Bushati, sepse Maliq Bushati, ndonëse Kryeministër, ishte anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, dhe përmes tij shpresonin të merrnin pushtetin pas luftës!
1.Ndër të parët që ishte thirrur nga jerarkët e lartë fashistë, qysh më 11 dhjetor 1942, ishte edhe Dervish Rexhepi, i cili i dërgon telegram Mëkëmbësit të Mbretit në Shqipëri, Françesko Jakomonit, për ta pritur në audiencë: “Jam në pritje nuk jam nisur akoma.” Dervish Rexhepi, shtëpia Sadik Tirana, rruga Gjeneral Guxoni” (AQRSH, F.441, d. 948, f. 1) Me formimin e Ballit Kombëtar, kanë filluar takimet dypalëshe fashisto-balliste. Kuptohet që takime të tilla, do të kishin atë produkt konspirativ, që pohon në kujtimet e tij Jakomoni.
- Xhevat Starova, në letrën dërguar gjeneral Xanini, më 3 janar 1943, një muaj pas formimit të Ballit Kombëtar, shkruante: “Sipas marrëveshjes së kryer në Tiranë, porsa u ktheva në Pogradec, fillova të mbledh njerëz të zgjedhur për të formuar grupin e vullnetarëve të armatosur prej 200 vetash, për t’i hedhur kundra çetave komuniste…Njerëzit e mi… kanë rënë në përpjekje me çetën komuniste të Reshit Çollakut… Siç konstatoni edhe ju, z, gjeneral, guximi i forcave komuniste kalon çdo kufi dhe në rast se nuk u jepet mësim i fortë, do t’i humbasim edhe ata njerëz të ndershëm që kanë besim akoma ndaj nesh dhe që presin me padurim qetësinë dhe mbrojtjen e shtetit…Për dhjetë veta, të dërgoni të holla që t’i paguaj, të paktën një muaj paradhënie dhe racionin ushqimor. Besniku juaj Sekretari politik Xhevat Starova. ”(AQRSH, F.264, d. 75, f. 59,60, 61)
Edhe Starova, detyrën për veprimtarinë e tij kundër forcave partizane, e kishte marrë në Tiranë, në takimin me gjeneral Xaninin! Ç’përfaqësonte gjeneral Xanini? Më 17 janar 1943, Xanini, njoftonte Mëkëmbësin e Mbretit dhe Komandën e Legjionit të KK.MM: “Të pushkatohen 4 komunistë të mbajtur në burgun e Vlorës, duke zgjedhur më të rrezikshmit. Të paralajmërohen 10 të burgosur të tjerë, që nëse do të ketë rast përsëritje.”(AQRSH, F.152/2, d/ 97, f.5) Emrat e 4 komunistëve që u pushkatuan, ia informon më 18 janar 1943, Komandës së Përgjithshme Mretërore, z/Kuestori R. Nallbani: “Dhimitër Sallata, Pavllo Kafia, Astrit Kokoshi, Tol Bitri”.(AQRSH, F. 152/2, d. 97, f.6)
Kolonel Xhulio Gamuci, më 2 janar 1943, njofton Mëkëmbësinë dhe Kryesinë e Këshillit të Ministrave: “N/kolineli Mandanici, komandanti i KK.MM Vlorës, ka hyrë në kontakt me Halil Alinë e Selim Kaloshin, për me rregullue veprimin e tyre në pritje të urdhrave, që ka dhanë gjeneral Xanini.”( AQRSH, F.254, d.151.f.5) Sikundër shihet, gjeneral Xanini ishte prototipi i xhelatit të djalërisë shqiptare, këtë frymë i kishte injektuar edhe ballistit Starova, i cili, jo vetëm i raportonte: “Njerëzit e mi kanë rënë në përpjekje me çetën komuniste të Reshit Çollakut”, por i kërkonte fashistit edhe para për të mbajtur çetën e tij.
- Më 17 shkurt 1943, krerët e Ballit Kombëtar të Mallakastrës firmosën marrëveshjen me fashistët italianë në Fier. Regjenti i kuesturës, Lufti Shehu, i dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, relacionin për këtë marrëveshje: “Më 17 shkurt me iniciativën e n/prefektit të Ballshit, Hidajet Lekdushi, paria e vendit kanë shkue si spontanisht në Fier, dhe i kanë kërkue komandantit të kompanisë KK.MM me intervenue pranë komandantit të residios Enriko Kulio, që të pezullohej çdo operacion në Mallakastër, duke e sigurue se popullsia nuk do t’u japin përkrahje rebelëve, me marrë armë kundër tyre, nëse do të mësyhen; Me furnizue autoritetet ushtarake me çdo lajm të nevojshëm, për shfaqet e çetave të armatosura në zonë dhe me bashkëpunue legalisht me autoritet e nënshtrimit. Përsa më sipër u morën deklaratat e bëra nga përfaqësuesit e Mallakastrës dhe njëkohësisht u njoftuan autoritet eprore”. (AQRSH, F.153, d. 212, f. 7)
Deklarata me firmat e ballistëve gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit: “Ne përfaqësuesit e popullit, Bektash Cakrani, Eqerem Peshkëpia dhe Qazim Selfo, të mbledhur në kazermat e KK.MM para komandantit të sektorit kolonel Kulio Enriko, pohojmë në mënyrë solemne, duke dhënë fjalën e nderit, për të mbajtur barrën e poshtëshënuar: “Të mos u japim përkrahje dhe ndihmë në asnjë rast veprimeve të rebelëve…Të shpartallojmë rebelët, kur janë në grupe të vogla, pa pasur nevojë për ndihmë prej ushtrisë. Të arrestohen e të kallëzohen shpejt rebelët, që eventualisht do të veçohen e do të vijnë në cilindo fshat e shtëpi të Mallakastrës”.(AQSH. Fondi 254, dosja 170, fl. 1)
Cili ka qenë Enriko Kulio? Gjenerali fashist, Silvoi Robino, njoftonte Mëkëmbësin e Mbretit: “Kolonel Kulio, ka marrë përsipër drejtimin e operacioneve kundër forcave partizane”.(AQRSH, F. 154, d.147. f. 41-42) Me këta fashistë, u lidhën ballistët e Mallakastrës në shkurt 1943.
- Ali Këlcyra, më 5 mars 1943, zhvillon bisedime me gjeneralin italian Renzo Dalmaco. Shtypi fashist dokumentonte: “Mbramë shkëlqesa, kryeministri, Maliq Bushati, shtroi në hotel “Dajti” një pritje për nderin e shkëlqesës, Gjeneralit Dalmaco, komandant epror i FF.AA në Shqipëri. Në këtë pritje merrnin pjesë Shkëlqesa Ernest Koliqi, kryetar i këshillit të epërm fashist, Shkëlqesa Iliaz Agushi nënkryetar i Këshillit të Ministrave, gjenerali Nuredin Bej Vlora, Ali Këlcyra, Kol Tromara… Mbledhja zgjati deri në orën 23.30, u zhvillua me përzemërsinë më të madhe dhe ma vIlaznore”.(Gazeta ”Tomori”, 6 mars 1943). Sikundër e dokumenton gazeta qeveritare, në kulmin e luftës kundër fashizmit, kur populli shqiptar kishte bërë fli mijëra nga bijtë e tij në luftën çlirimtare, krerët e lartë të Ballit Kombëtar; Maliq Bushati, Kol Tromara, Nuredin Vlora dhe Ali Këlcyra organizonin në Hotel “Dajti” darka “vllaznore” me kryekomandantin e ushtrisë fashiste, për të përgatitur atmosferën e nënshkrimit të marrëveshjes Damaco-Këcyra, kundër Frontit Nacionalçlirimtar!
- Si përfundim të këtyre bisedimeve sekrete, Drejtuesi i Zyrës Politike të Ministrisë së Brendshme, më 8 mars 1943, i drejtohet Komandës së Përgjithshme të Forcave të Armatosura italiane: “Gjatë bisedimeve të bëra së fundmi me Nuredin Vlorën, Ali Këlcyrën dhe Musa Krajën, drejtuesit e rëndësishëm të nacionalizmit në Shqipërinë jugore, kanë deklaruar, se janë në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e çetave nacionaliste, dhe kanë mundësi të garantojnë bashkëpunimin me forcat tona.”(AQRSH, F 160, d. 69, f.1-6) Ky dokument, konfirmon garancinë e dhënë nga krerët e udhëheqjes së lartë të Ballit Kombëtar, për “bashkëpunimin me forcat italiane”. Këtë e dokumenton vetë pushteti fashist, jo Fronti Nacionalçlirimtar, prandaj është plotësisht i besueshëm nga të gjitha krahët.
- Për ta vulosur zyrtarisht këtë “miqësi” dhe bashkëpunim, ballisto-fashist, një javë më vonë, më 15 mars 1943, bisedohet për Protokollin famëkeq midis Ali Këlcyrës dhe Nuredin Vlorës, me gjeneralin Dalmaco. Dokumenti në arkiv, mban dy emra: Ali Këlcyrën – Nuredin Vlorën.(AQSH – Fondi 270, f. 19)
Në protokoll propozohet një “armëpushim” i Ballit Kombëtar: “Ne sigurojmë, duke marrë çdo përgjegjësi, shkëlqesën Dalmaco – komandant epror i fuqive te armatosura të Shqipërisë, se asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë Jugore… Ne japim fjalën tonë të nderit, se do të përdorim gjithë ndikimin tonë për të ndaluar sulmet dhe aktet e sabotimit që mund të kryheshin eventualisht nga element armiq.”(AQRSH, F.270, d. 20, fl. 20) Sikundër shihet, ballistët i kanë garantuar gjeneralët fashist, me “fjalën e tyre të nderit”, se në Jugun e Shqipërisë nuk do të lejonin asnjë kryengritje antifashiste.
Ky pozicionim zyrtar, e kthente Ballin Kombëtar në një bisht të ushtrisë italiane, si forcë politike dhe ushtarake kundër Frontit Nacionalçlirimtar. Me zbulimin e këtyre dokumenteve kompromentuese, u vështirësua propaganda “atdhetare” e ballistëve, prandaj tentuan ta mohojnë protokollin diskreditues, duke pranuar, se bisedimet me Dalmacon ishin vetëm “kompromis”: “Asht e qartë, se fjalën kompromis komunistët e kanë nxjerrë në pazar për me sulmue e me ul prestigjin e Ballit Kombëtar, rastin më të mirë ata e kanë marrë nga Protokolli Dalmaco-Këlcyra, protokoll që kurr nuk ka ekzistuar”. (Gazeta “Flamuri”, 7 maj 1944.”Kompromisi”) Me këtë manovrim, ballistët kanë tentuar të fshehin pjesën pasuese të kompromisit, tradhtinë. Vet Dalmaco ka pranuar, se në mars 1943, ka ekzistuar një projekt bashkëpunimi me krerët e lartë të udhëheqjes të Ballit Kombëtar, që do të legjitimonte praninë e forcave të Ballit pranë ushtrisë fashiste italiane, kundër Fontit Nacionalçlirimtar. Në librin “Ali Këlcyra – aristokrati kuq e zi”, Tanush Frashëri, jep këtë dëshmi të Dalmacos në vitin 1950: ”Acarimi i gjendjes së brendshme dhe rrethana të natyrave të ndryshme, na detyruan ta lëmë mënjanë këtë projekt pa arritur që të shprehej me shkrim”.(T. Frashëri, Ali Këlcyra – aristikrati kuq e zi, Tiranë, 336-337) Për rrethana të ndryshme, protokolli Dalmaco-Këlcyra nuk u firmos, por nuk pengoi që protokolli, i ndodhur në Arkivin Qendror të Shtetit, të zbatohej praktikisht.
- Edhe parësia balliste në Gjirokastër, në prill 1943, ishte garantuar për të njëjtin mision profashist: Komanda superiore e trupave të pushtimit fashist, njoftonte: “Parësia (balliste) në Gjirokastër, e thirrur nga prefekti, ka marrë përsipër detyrën, që brenda tre ditëve të denoncojë komunistët dhe të arratisurit”.(AQSH – Fondi 260, dosja 53, fl. 12. Comando Supriore FF.AA Albania Notiziario mensile nr.4, mese di aprile 1943) Sikundër shihet, parësia balliste e Gjirokastrës, me udhëheqës shpirtëror Dervish Rexhepin, në luftën kundër lëvizjes Nacionalçlirimtare, urdhërohej nga Prefekti, organi qeveritar fashist!
- Kryeministri Bushati, urdhëron Ministrin e Brendshëm: “Në zbatim të urdhërit të kryekomandantit të forcave ushtarake italiane në Shqipëri, general Dalmacos, të merret çdo masë kundër bandave rebele”.(AQSH-Urdhër i kryeministrit Bushati, dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, nr.12, 24 mars 1943) Kjo dëshmi provon, se Qeveritë kuislinge në Shqipëri dhe Balli Kombëtar, në luftën e tyre kundër Frontit Nacionalçlirimtar, i komandonte Renzo Dalmaco, jo nga motive kundër ideologjisë komuniste, por për të garantuar pushtimin fashist në Shqipëri! Pavarësisht nga ky realitet, Balli Kombëtar në gazetën e tij “Flamuri” shkruante: “Lufta që bën Partia Komuniste është kundër popullit shqiptar dhe jo kundër armikut. Këto lloj luftërash të paligjshme i kemi trumbetuar në popull, se lufta nuk bëhet me shti pesë pushkë e krisë, tue fut turmën në panik e tue masakrue popullin, për ketë shkak i vuri pushkën komunistëve në Mallakastër, komandanti i Ballit Tefik Cfiri”.(Trakt i Ballit Kombëtar, botuar në Gazetën “Bashkimi”, 4 tetor 1944) Për të realizuar urdhrat e gjeneralëve fashistë, pati mobilizim të përgjithshëm të mercenarëve shqiptarë në ushtrinë e Qeverisë kuislinge: qysh më 18 mars 1942. Senatori Gjon Marka Gjoni, i dërgon Mustafa Krujës: “Fuqinë e regjistrue rishtas e kemi grumbullue, na dërgoni armët e bukën, sikurse kemi mbetur dakord me gjeneralin e milicisë fashiste (Aleksandër Biscançiati, mëkëmbësi i përgjithshëm i Milicisë Fashiste shqiptare, e me n/Ministrin e Brendshëm”.(AQRSH,F. 149, d. II -49, f.11) Me nxitjen e të njëjtit gjeneral fashist, Aleksandër Biscançiati, më 23 tetor 1942, Ministri i Partisë Fashiste Shqiptare, Kol Bib Mirakaj, një muaj para formimit të Ballit Kombëtar, njofton Këshillin e Ministrave: “Duke marrë parasysh se veprimtaria subversive dhe kundërshtuese e Regjimit është e dështuar, menduam të krijojmë disa skuadra veprimi prej elementësh të besuar fashist ndaj regjimit, si një ndihmesë serioze për organet ndjekëse të shtetit. Këto skuadra do të formojnë Ballin e burrave fashistë për mbrojtjen e shtetit…”( AQRSH, F. 149, d. II-49, f. 87) Këtë propozim, doemos e aprovoi edhe kryeministri Merlika.( AQRSH, F. 149, d. II-49 f. 88)
Sikundër shihet, të gjitha mobilizimet ushtarake dhe propagandistike për nacionalistët shqiptarë, urdhëroheshin prej gjeneralëve fashistë, jo për të kundërshtuar ideologjinë komuniste, por për të mposhtur forcën kryengritëse të Frontit Nacionalçlirimtar. Madje gjeneral Dalmaco, më 5 prill 1943, kërkon edhe bashkëpunim informativ me qeverinë kuislinge.( AQRSH F. 149, d. II-137, f.20)
Për këtë kërkesë të Dalmacos, Kryeministri shqiptar, Bushati, më 8 prill 1943, urdhëron Ministrinë e Bredshme: “Ju përcillet kopja e shkresës së Komandës Eprore të Fuqive të Armatosura, (Dalmacos – sh.ynë) për një bashkëpunim informativ të plotë e korrekt, ndërmjet autoriteve ushtarake dhe atyre civile…me urdhnue organet mvartëse për mbrritjen e një bashkëpunimi të tillë, t’i japin gjithë përkrahjen e tyre”.( AQRSH, F. 149. d. II-137, f.18) Kjo tregon, se deri në fillim të vitit 1943, përkatësia komuniste e udhëheqjes së Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, nuk ka qenë aq “shkak” për ndarje. Shkak i vërtetë ishte tradhtia e Ballit Kombëtar për t’i shërbyer ushtrisë italiane. Ndarja me Ballin, nuk erdhi për shkak të taktikave, erdhi për shkak të strategjisë. Përdorimi i motivimit “luftë kundër komunizmit”, ishte një spekulim mediatik, një truk dhe jo shkaku i vërtetë i kundërvënies së ballistëve dhe nacionalistëve gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Motivet e luftës së Ballit Kombëtar kundër Frontit Nacionalçlirimtar, ishin motive mercenarizmi. Në të dyja pushtimet, nacionalistët, që morën pjesë në qeverinë kuislinge dhe Balli Kombëtar, kanë qenë shërbëtorë të nazifashizmit.
Një nga treguesit e këtij konkluzioni, mbetet njoftimi i Hysni Demës, më 17 nëntor 1943, drejtuar komandës së Mbrojtjes Kombëtare: “Në luftën që u bë në Dibër, më 17 nëntor 1943 kundra komunistëve, qyteti u pushtua nga ana e nacionalistëve të këtyre viseve, tue pasë edhe ndihmë artilerinë gjermane:” (AQRSH F. 149, d.II-106, f. 1) Kjo s’ka nevojë për koment! Topat e Hitlerit, flisnin së bashku me mercenarizmin e nacionalistëve pronazist!
Në Arkivin Qendror të Shtetit, ndodhet një korrespodencë e krerëve kryesor të Ballit Kombëtar me ballistët e Mallakastrës. Në ditët e para të qershorit 1943, Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra dhe Reuf Fratari, shkojnë në Cakran dhe i dërgojnë letër Besim Belishovës: “Kemi informata që të kuqtë, nesër në darkë do të grumbullohen andej për t’i rënë Isait në mëngjesin e të shtunës. Prandaj duhet që në sekretin më të madh të forcosh çetën me njerëz të tjerë dhe njëkohësisht të kesh mendjen që fshatrat tona të mos mobilizohen nga komunistët. Çeta tënde në të gdhirën e të shtunës, duhet të ndodhet në pozicion te katundet Ruzhdie e Greshicë…Nga ana tjetër në katundin ……do të ndodhet çeta e Qazim Agait, Çetat do të qëndrojnë gati dhe pavarësisht nga veprimet e të kuqve, do të hyjnë në veprim, kur juve ta gjykoni të nevojshme… të gjitha veprimet tuaja duhet të mbeten në sekretin më të madh dhe se informatat që kemi, janë qind për qind të sigurta. Të fala Rauf, Ali, Mit’hat. Shqipëria e Shqiptarëve Vdekje Tradhtarëve”. (AQRSH, F. 270, d. 16/1, f. 9-9/1) Vet udhëheqësi kryesor i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, urdhëron: “Çetat do të qëndrojnë gati, pavarësisht nga veprimet e të kuqve”! Mit’hat beu, sipas strategjisë së imponuar nga jerarkët fashistë, nuk orienton për luftë kundër fashistëve, urdhëron për taktikë dezertuese!
Në këtë strategji të udhëheqjes së lartë të Ballit Kombëtar, bien në sy disa të vërteta dhe porosi delikate: Ballistët nuk ishin në dijeni dhe as ishin ftuar në betejën kundër IsaToskës, atë e kishte “zbuluar” në rrugë agjenturore Mit’hat Frashëri. Urdhëri i Mit’hat Frashërit: ballistët të grumbulloheshin në mënyrë sekrete dhe fshatrat e Mallakastrës të mos mobilizohen nga komunistët, është dëshmi, se ballistët nuk do të ndërhynin në luftimet kundër kriminelëve të Isa Toskës, “pavarësisht nga veprimet e të kuqve”. Fshatrat e Mallakastrës, nuk duhet të mobilizoheshin nga komunistët për arsyen e thjeshtë, që partizanët numerikisht të mbeteshin më pak dhe pa mbështetje. Në momentin kur Isa Toska do të kishte siguruar avantazhin mbi forcat partizane, ballistët do të futeshin në betejë kundër partizanëve.
Ndërkohë Bektash Cakrani, pas konsolidimit të çetave balliste në Mallakastër, tregohej aktiv në organizimin e Ballit Kombëtar në Jug. Kryekomandanti i forcave fashiste, gjenerali Renzo Dalmaco, më datën 6 qershor 1943, sinjalizonte komandën e Divizonit Parma: “Ali Këlcyra, Nuredin Vlora dhe Bektash Cakrani, pas bashkimit të frontit nacional në katundin “Tre vëllezërit”, do të organizonin një diskutim në Gjirokastër, për të theksuar nevojën e bashkimit të shqiptarëve kundër armiqve të përbashkët. Kjo gjë nuk u arrit, komunistët i fajësuan krerët, si shitur tek Italia”.( AQRSH, F. 161, D. 87, f. 157)
Sikundër shihet, për Bektash Cakranin interesohet vetë gjenerali fashist Dalmaco! Komanda italiane, Ç.RR del IV Corpo d’Armato, më 3 korrik 1943, njoftonte: “Ali Bej Këlcyra me Nuredin Vlorën, Bektash Cakranin e Xhemal Vrionin, kanë formuar partinë “Liria e Shqipërisë”. Me këta është bashkuar banda nacionaliste e Tefik Cfirit, e cila më 27 qershor, ishte në Semanit, duke e terrorizuar popullsinë, për t’u bashkuar me ta”.( AQRSH F.152, d. 146, f.92)
Për ta përforcuar bashkëpunimin e ballistëve me fashistët, në gjashtëmujorin e parë të vitit 1943 dhe në vazhdim, po sjellim dokumentin e Gjeneralit fashist, Salvadore Agostino, dërguar Romës, më 4 gusht 1943, disa ditë pas operacionit fashist mbi Mallakastrën: “Kapiteni Pepe ka patur gjithmon miq të mirë në Cakran, veçanërisht vëllezërit Hajdar dhe Kadri Cakranin, të quajtur bandit, vrasës dhe përdhunues. Së fundmi kapiten Pepe kishte kontakte të reja me Hajdar Cakranin, me të cilin do të udhëtonte me makinë për në Durrës. Koloneli Kulio, i ri në këtë zonë, e dëgjonte me besim të madh kapitenin Pepe… sepse ai ndërtoi në Fier një ambient miqësor dhe përmes miqve të tij, siguronte stabilitet të situatës nga banditët komunist”.( AQRSH, F. 160, d. 50, f.76-77) Ballistët e Mallakastrës ishin miqtë e kapitenit fashist Pepe, prandaj ata i “siguronin pushtuesit fashist stabilitet të situatës nga “banditët” komunist”!
Gjenerali Silvio Robino, më 27 janar 1943, dy muaj pasi ishte formuar Balli Kombëtar, i dërgonte Mëkëmbësit të Mbretit Perandor, Kryesisë së Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme: “Popullsia e Lushnjës, në mes të të cilës edhe vajza, asht mbledhur në demostratë tue këndue këngë shqiptare. Populli asht rreshtue mbas ftesës së studentit Skënder Libohova, i cili ka mbajtur një fjalim të ashpër antifashist, tue nxit popullin me rrok armët për mbrojtjen e Pavarësisë. Kortezhi ka bërtitë: Poshtë Duçja dhe Fashizmi. Në krahinë vazhdon një zemërim i jashtzakonshëm”.( AQRSH, F. 153, d. 147, f. 24)
A kanë organizuar ballistët, qoftë edhe një demostratë kundër fashizmit, me thirrjet: “Poshtë Duçia”?! Ballistët nuk e ngritën asnjëherë popullin kundër fashizmit, nuk ka për këtë asnjë dokument! Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për bashkim nga ana e Enver Hoxhës, me ndërhyrjen e britanikëve (Kristo Frashëri Mbi historinë e Ballit Kombëtar, f. 80), në prag të kapitullimit të Italisë, u organizua Mbledhja e Mukjes. Kjo i interesonte Ballit Kombëtar, se shpresoi që erdhi koha të merrte pushtetin dhe ligjëroi në Mbledhjen e Mukjes për “atdhetari” dhe “etnicitet”! Kjo i interesonte edhe Frontit Nacionalçlirimtar, për të mos u kompromentuar një pjesë e madhe e popullit në veprimtarinë fashiste. Njëherazi i interesonte edhe për faktin, se duhej mbajtur mirë me britanikët, për të siguruar armatime, veshje dhe ndihmë në të holla për të siguruar ushqimin e formacioneve partizane.
Për t’u prezantuar si forcë luftarake kundër “fashizmit”, tani që po rrëzohej Italia fashiste, pas Mukjes Balli Kombëtar nxitoi të formulonte një trakt patetik në emër të “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë” dhe nga fundi i gushtit 1943, e propagandoi me të madhe: “Po bëhen pesë vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë. dhe po mbjell kudo zi e mjerim. Barbarizma ka arritur kulmin. Armiku ka djeg e ka çkatërruar fshatra e qytete dhe ka vra burra, gra e djem e vajza, pleq…dhe fëmijë të vegjël… Populli shqiptar ka ditur përherë të bashkohet sa më ngushtë në raste rreziku… edhe këtë herë gjeti rrugën e drejtë tue formue një bllok të çelniktë dhe paraqitet me emrin “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë”, simbas marrëveshjes së plotë ndërmjet Organizatës së Ballit Kombëtar dhe Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar… Nuk kemi shtë presim. Ardhi koha që të çohemi të gjithë, të vegjël e të mëdhenj. Ngrihuni rreth Komitetit për Çlirimin e Shqipërisë, sulmoni në çdo vend e në çdo kënd. Zgjidhni prangat e robërisë që i kemi prej pesë vjetësh”.( AQRSH,F 556, d. 15, f. 2.1)
Krerët e Ballit u kujtuan për krimet e fashizmit kundër popullit shqiptar në gusht të vitit 1943! Sa vrasje kishte bërë armiku fashist mbi Frontin Nacionalçlirimtar deri atëherë dhe sa vrasje kishte bërë mbi Ballin Kombëtar? E pakrahasueshme dhe e pa përfytyrueshme, sepse okupatori nuk luftoi asnjëherë kundër Ballit Kombëtar dhe nacionalistëve, sepse edhe ata nuk luftuan asnjëherë kundër fashizmit, mbetën shërbëtorë dhe aleatë të tyre.
Balli Kombëtar, me statusin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, pranon, se do të bashkohej me Frontin Nacionalçlirimtar në gusht 1943 dhe i bën thirrje popullit për të luftuar së bashku pushtuesin fashist: “Nuk kemi shtë presim. Ardhi koha që të çohemi të gjithë, të vegjël e të mëdhenj.” Ballistët kujtohen të kërkojnë bashkim dhe të luftojnë fashizmin, në gusht të vitit 1943, kur lufta kishte mbaruar! Deri atëherë, forcat partizane kishin çliruar krahina të tëra të Shqipërisë nga okupatori italian, mjafton të kujtojmë krahinën e Skraparit, i çliruar qysh më 5 shtator 1942, dhe qysh atëherë, nuk u vendos më administratë e pushtuesit në Çorovodë.
Në programin e këtij komiteti, Balli Kombëtar deklaronte: “Luftë e përbashkët dhe e menjëhershme përbri Aleatëve të Mëdhenj; Anglisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe popujve të shtypur kundër pushtuesve barbar”( AQRSH, F 556, d. 15, f. 2.1) ndërkohë që ata kishin shpallur bashkim me Italinë fashiste qysh më 1939! Me ardhjen e nazizmit, Kryeministri Ibrahim Biçaku nxitoi të zhdukte gjurmët e bashkëpunimit të nacionalistëve shqiptarë me fashizmin italian, bëri çfuqizimin e dekretit të 11 dhjetorit 1939, që konfirmonte bashkimin e fuqive të armatosura shqiptare me fuqitë e armatosura italiane, dhe ktheu rregulloren e para 7 prillit 1939“.(AQRSH, F. 149, d. II-107, f.1) Sikurse shihet, nuk kemi kurrkund luftë kundër komunizmit në programet e qeverive të ndryshme fashiste, deri në përfundim të punimeve të Konferencës së Pezës. Që të jesh kundër idealeve komuniste, s’ka pse të shkosh në grazhdin e fashizmit, që të ka okupuar vendin dhe të vrasësh popullin e pafajshëm e të pambrojtur. Kjo ishte fasada qesharake e drejtuesve të shtetit fashist shqiptar, mes të cilëve edhe ballist, këtyre karkalecërve, që mbetën deri në fund besnik të fashizmit.
Kryeministri Mitrovica, më 8 Nëntor 1943, jep realitetin tragjik të atyre viteve: “Italia fashiste e ka lënë vendin në kaos, mijëra shqiptarë janë në male, në burg dhe një pjesë e Shqipërisë së mesme është në zjarr…mijëra gra e fëmijë janë masakruar e pa bukë… ” (Bisedimet e Kuvendit Kombëtar, 8 nëntor 1943) Por Mitrovica nuk thotë; sa ballistë ishin në burgje, të masakruar nga Italia fashiste? Asnjë! Demagogjia e Kryeministrit Mitrovica, nuk i shpëtoi shqiptarët as nga masakra e 4 shkurtit! U arrestuan, u internuan dhe u pushkatuan me qindra mijëra antifashistë dhe popullsi e pafajshme. U dogjën 100.000 shtëpi dhe u shkatërruan 1800 fshatra gjatë operacioneve të pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve ballisto-zogistë. Në arkivin qendror të Shtetit ndodhen mijëra dokumente për krimet e ballistëve dhe nacionalistëve, që ishin vënë në shërbim të fashizmit, po mjaftohemi me një dokument tipik: Komandanti i Gjindarmërisë së Elbasanit, Spiro Dhima, më 18 janar 1944, njoftonte Prokurorinë e Shtetit Elbasan, për vrasjen e Xhafer Hakanit: “Është torturuar dhe vrarë prej fuqisë së Ballit Kombëtar, sepse i ka dy djemtë partizanë” (AQRSH, F. 154, d. 631, f. 2) dhe më pas i është djegur shtëpia. (AQRSH, F. 274, d. 30, f. 4) Çfarë komunizmi përfaqësonte shtëpia e një të moshuari 60 vjeçar, që e kishin “braktisur” djemtë për të çliruar Shqipërinë nga okupatori fashist?! Janë të pafund dokumente të tilla në arkiv, për krimet e nacionalistëve kundër popullit shqiptar, të nxitur prej gjeneralëve fashistë. Ky qëndrim konstant, ka qenë rezultat i urdhrave të Qeverisë Kuislinge dhe të krerëve të lartë fashistë!
Më datën 8 mars 1943, Kryeministri fashist i dërgon Mëkëmbësit të Madhërisë së tij, Mbretit Perandor, vendimin: “Kam nderin me i paraqit Shkëlqesisë suej Vendimin e Komisionit Legjislativ për Punët e Mbrendshme të Këshillit të Epërm Fashist Korporativ, mbi kthimin në ligj të dekretit Mëkëmbësor datë 2 tetor 42, nr. 282, për shtrimjen në tokat e lirueme të ligjës mbi internimin e familjeve, sekuestrimin e pasurive dhe djegien e shtëpive të kriminelëve të arratisun.”(AQRSH, F. 161, d. 65, f. 10)
Më 3 tetor 1942, Inspektori i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Javer Hurshiti, i dërgon Telegram Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mustafa Krujës: ”Mund të themi se 90% e popullsisë së qytetit të Gjirokastrës, janë kundra Regjimit të soçmë, dhe bëjnë gjithë ç’u vjen për dore për të sabotuar aktivitetin e Qeverisë…Duhet vetë shkëlqesia e juaj, t’i bindni që të këmbejnë, aktivitetin e soçmë, duke kërkuar prej tyre: Të denoncojnë cilët janë komunistë të arratisur e të rrezikshëm. T’i japin Qeverisë një listë ku të caktojnë, se cilat shtëpi me rëndësi të qytetit duhet të digjen.”( AQSH, Fondi 149, 1942, D. I-289, f. 16-19) Sikurse shihet, ligjet dhe vendimet për djegiet e shtëpive dhe masakrimin e popullsisë që përkrahte Frontin Nacionalçlirimtar, aprovoheshin prej qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesit e fashizmit. Të njëjtën proçedurë zbatonin edhe krerët e Ballit Kombëtar: komandanti i operacionit ballist, Ismail Golemi, më 20 mars 1944, i dërgonte Kryesisë së Komitetit Ekzekutiv dhe Komandës balliste të qarkut: “Afatet e dhanuna prej anës së Organizatës Nacionaliste të Ballit Kombëtar për kthimin në shtëpitë e veta deri më 15 mars, nuk janë zbatuar….mjerisht shumë persona ndodhen në arrati, për këta persona do të shtohen urdhërat e masave të përcaktuara, domethënë djegia ose shkatërrimi i shtëpisë, konfiskimi i pasurisë së tundshme e të patundshme, internim i familjeve të tyre…ju paraqitet një listë e personave, për t’ju konfiskuar e djegur shtëpia. Natyrisht në këtë qytet nuk janë vetëm këta, por mbasi të kryhet kjo, dorë pas dore kemi për t’ju paraqit dhe listat e tjera.”( AQRSH, F.556. d. 24, f.52)
Djegiet dhe masakrimet e popullsisë së pafajshme, ndodhnin jo për shkaqe ideologjike, por për të dëmtuar prapavijën e Frontit Nacionalçlirimtar, tek e cila mbështetej e gjithë Lufta Antifashiste. Të paktën regjenti Mehdi Frashëri, ka qenë më i “sinqertë”, se nacionalistët e pushtimit fashistë dhe ballistët. Në Kuvendin Kombëtar, 26 tetor 1943, bën këtë vlerësim: “Sot nga kjo tribunë i flas rinisë shqiptare që ka bërë një luftë fisnike, por që për fat të keq shpifet, se ka rënë në dorë të huaj …Komunizmi është një doktrinë që nuk i përshtatet karakterit shqiptar. Ne do ta largojmë rininë nga kjo rrugë, në qoftë se nuk do të dëgjojnë me të mirë, do të shtrëngohemi ta bëjmë edhe me të keq”.(Bisedimet e Kuvendit Kombëtar, 26 tetor 1943) Pavarësisht deklarimit të tij për luftë kundër rinisë shqiptare me motive ideologjike, shkaku i vërtetë i luftës kundër Frontit Nacionalçlirimtar, ishte urdhri i nazistëve gjermanë. Nuk ka në Arkivin e Shtetit asnjë dokument që të dëshmojë qoftë edhe për një ballist të përndjekur nga fashizmi, apo të arrestuar dhe të pushkatuar prej tij! Ishte bashkëpunimi me fashistët qysh në janar 1943, që i përjashtoi krerët e ballit nga Fronti Nacionalçlirimtar dhe jo idealet komuniste.
Lind pyetja: me cilët u konsultuan ballistët, për të miratuar luftën e tyre kundër komunistëve shqiptarë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore?! Me jerarkët fashist! Me cilët u konsultuan komunistët për të filluar luftën kundër okupatorit fashist? Me popullin Shqiptar. Për të luftuar fashizmin, komunistët analizuan gjendjen e krijuar nga egërsimi i fashistëve italianë, që po terrorizonte popullin dhe përcaktuan si detyrë kryesore forcimin e bashkimit të popullit në një front të vetëm luftarak antifashist. Për këtë organizuan më 16 shtator 1942, Konferencën e Pezës, me përfaqësimin e PKSH dhe rrymave të tjera nacionaliste. Në të morën pjesë 18 delegatë, mes tyre edhe nacionalistët Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani, Abas Kupi dhe disa përfaqësues të rrymave të tjera. Problemi kryesor i Konferencës ishte bashkimi i popullit në një front të vetëm nacionalçlirimtar. Të gjithë delegatët aprovuan bashkimin, përmes luftës kundër fashizmit.
Luftën kundër komunistëve, e kanë zhvilluar edhe në vendet e tjera të Evropës të pushtuara nga Fashizmi, sepse ishin komunistët, që ngritën popullin në luftë kudër pushtimit. Janë të njohura burgimet dhe torturat e nazistëve kundër Ernest Telmanit e qindra mijëra komunistëve të Evropës. Vetëm në Francë u vranë nga Hitleri pesë mijë komunistë. Anglia dhe Amerika, si vende antikomuniste, për të luftuar fashizmin, u lidhën me qendrën e komunizmit, Bashkimin Sovjetik deri në fund të luftës. Madje udhëheqësit e bllokut antifashist, u takuan disa herë gjatë luftës: Stalini, Rusveldi dhe Çurçilli. Përse ballistët nuk u lidhën me komunistët për të luftuar pushtuesin e huaj, sikurse vepruan shtetet aleate; Anglia dhe SHBA? Aleatët anglo-sovjeto-amerikanët, ashtu siç kanë njohur Luftën tonë Nacionalçlirimtare që në dhjetor 1942, kanë njohur edhe luftën e popujve të tjerë, pavarësisht nëse ishin sllavë ose josllavë. Kur aleatët e mëdhenj ua njohën luftën dhe i ndihmuan këta popuj, pse Fronti Nacionalçlirimtar shqiptar nuk duhej të bashkëpunonte me ta, gjatë Luftës së përbashkët kundër pushtuesit fashist? Në Shqipëri kishte vetëm ideale antifashiste, sikurse e tërë Evropa. Idealet komuniste do të fillonin të zbatoheshin pas Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilën nuk e dinte askush, se cili do ta fitonte!
Me kundërvënien ndaj Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, “nacionalistët” ballistë, iu kundërvunë edhe Luftës çlirimtare, që organizuan forcat përparimtare të Europës, brenda koalicionit antifashist. Ndërsa sot, për të fshehur krimet gjatë Luftës Antifashiste, pasardhësit e bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe historianë të çakorduar, mbështeten në strategjinë e pas Luftës së Dytë Botërore të Aleatëve të dikurshëm, strategji, e cila është diametralisht e kundërt nga ajo e viteve të Luftës së Dytë Botërore. Ky spekulim është i neveritshëm dhe mohon sakrificat e një populli, që luftoi heroikisht si asnjë popull tjetër, përveç popujve të Bashkimit Sovjetik.

Fitim Caushi !Po e tregon vehten nje percares te popullit shqiptar.Nuk eshte me mire te fokusohesh tek ideja e bashkimit kombetar ?Sot lufta e shiptareve eshte KOSOVE -SHQIPERI JANE NJE. Keto shkrime cojne uje ne mullirin e armiqve te shqiperise.Jane shkrime cinike ,keqedashese.Caushet e Ramat-kelyshe te bllokut.
Mjaft me kete propagande bajate pro-komuniste. Eshte nje zhurme qe megjithate shyqyr zotit qe nuk e ngjall kufomen, por per fat te keq nuk e pastron dhe ajo kufome vazhdon te qelbet ne vendin e shqipeve krenare po pak te shpupluara. Ik or Çaush dhe fillo ribotimin e gazetes “Zeri i Popullit” e mbushe me perralla komuniste. Po deshe studio pak faktin qe fashizmi dhe komunizmi jane binjake ideologjike dhe nga pikpamja praktike ngjajne si dy pika uji.
Neqoftese ne 1991 populli shqiptar e vleresonte Luften per vendosjen e Regjimit komunist ne kuadrin e luftes dyte boterore,si pjesen me te mure te Regjimit komuniste Hoxhist,,sot mendojne ndryshe.
Lufta per vendosjen e Rregjimit komunist ne Shqiperi gjate luftes se dyte boterore ishte edhe me e poshter se Diktatura komuniste e vendosur nga Junta Hoxhiste.
Pse?
Sepse ne radhe te pare ishte Antikombetare.
U Injektua nga shovinizmi serbomadh,pas Alarmit te humbjes se Kosoves dhe Tokave shqiptare ne Cernagore dhe Ndarja e Maqedonise midis Shqiptareve dhe Bullgareve. Nga ana tjeter pas pushtimit gjerman te Greqise,,Cameria fitoi Autonomi vetqeverisese me shkolla ne gjuhen shqipe dhe administrate shqiptare.
PUSHTUES TE VERTETE TE SHQIPERISE NUK JANE GJERMANET,AS ITALIANET,,POR JANE GREKERIT DHE SERBET.
Kete te vertete e dinin dhe e dijne te gjithe patriotet shqiptare,e dinin ATA,qe ngriten Flamurin ne Vlore(te gjithe shpallesit e Pavarsise ne Vlore u pushkatuan,ose vdiqen ne burgje nga junta serbosllave e enver hoxhes,duke filluar me Lef Nosin).
Lufta terroriste e enver hoxhes dhe turmave antikombetare nuk ishte lufye clirimtare,aq me pak kombetare,por ISHTE LUFTE PER INTERESAT E SERBISE DHE GREQISE.
Nqs,do te ishte lufte kombetare,,Shtabi i ushtrise partizane duhej te dergonte Brigadat ne Kosove jo per te luftuar me Forcat e Mbrojtjes trojeve Amtare te Shaban Polluzhes,po te renditej perkrah tyre kunder brigadave shoviniste serbe te Drazhe Mihajllovicit dhe kunder brigadave proletare serbe te Aleksander Rankovicit..
Aq me teper mbi forcat partizane te enver hoxhes rendon dhe sot e kesaj dite bashkeorganizimi i Masakres se Tivarit,ndaj Djelmenise Kosovare.
Po te ishin kombetare hordhite terroriste bashibozuket partizane duhej te mbronin Camerine nga sulmi i forcave gjakpirese shoviniste antishqiptare te Napolon Zerves.Aq me teper qe kishin edhe nje aleance per sy e faqe me EAM-in grek.
Perkunder kesaj ,te derguarit e parise komuniste shqiptare ne Cameri,Shemsi Totozani,Bedri Spahiu,Mustafa Matohiti e ndonje tjeter,,i binden kreret e Camerise,qe te luftonin ne rradhet e EAMit,t`u zinin prite gjermaneve ne Konispol,duke lene Camerine pa burra,pa Mbrojtje,spse pikerisht kur MASHKUJT E CAMERISE,qellonin ne prite ushtrine gjermane,,kasapet e Zerves ju versulen grave dhe femijve te Camerise,te lene pa mbrojtje.
Tani mbuuruni o Camer,qe keni luftuar kunder gjermanit.
Kete rreng deshen t`ja punojne edhe Shaban Polluzhes.Te derguarit e Enver Hoxhes,Sinan Hasani,Fadil Hoxha,Mahmut Bakalli shkuan tek Shaban Polluzha ne Drenice t`i mbushin mendjen,qe me luftetaret e tij ti zinte prite Autokolones Gjermane ne Dalmaci,,poor Shaban Polluzha nuk luajti nga Kosova.Pa ikur hjeksat komuniste ja behen brigadat e Drazhe Mihajllovicit nga Novi pazari..1800 cetnike serbe dhe malazes u vrane ato dite nga djemte e Kosoves.Shaban Polluzha me djemt e Drenices,i griu me mitroloza.
Sikur mos te ishte Shaban Polluzha me djemt e Drenices sot Kosova do te ishte Serbi.mor Caush!,Ndac quaje ballist,ndac quaje zogist,ndac nazist,,zotrote,se keto izmat i keni pa dogane ju klysht e enverit.
Ti e krahason Shqiperine e vockel me Francen,me Angline,se atje gjenerali Peren u denua per tradhti te larte,etj,etj,,Po sikur ta krahasosh Shqiperine me Finlanden e vogel,te sulmuar padrejtesisht nga lubia bolshevike sllaveo-ruse?Nuk shkon me mire keshtu?
Atje kryeministri Menaheim kerkoi ndihme nga Franca,nga Anglia.I derguan ca kuti konservash,ca batanije.Kerkoi ndihme nga Gjermania hitleriane,,I derkoi pushke dhe topa.Me armet e Gjermanise hitleriane,,Finlanda e vogel gdhendi nje faqe te Lavdishme te qendreses ne luften e dyte boterore,,
Epopeja e luftes se Dimrit.
Ku i vogli mund viganin
dhe i shtypuri Tiranin.
Finlandezet pas revanshit sovjetik,e mbrojten udheheqesin e tyre,Menaheimin,,Ne 1956 ja sollen eshtrat ne Helsinki,,ku i ngriten nje Permendore.’Kurse ne shqiotaret terbohemi pse ju ngrit nje permendore patriotit Mithat Frasheri,,sepse e paska mallkuar kryetradhetari enver hoxha.
Populli shqiptar pas 30 vjetesh po clirohet nga Hypnoza e djallit.
Plotesisht e vertete cfare shkruan Demo. Kjo dhe vetem kjo eshte e verteta.