Marrëveshja e re e koalicionit “semafor” mes socialdemokratëve (SPD), të Gjelbërve dhe liberalëve (FDP), është pasuar nga një dokument që rendit Shqipërinë dhe Kosovën mes pikave kryesore të politikës së jashtme gjermane.
European Western Balkans ka mësuar se marrëveshja propozon hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vazhdimin e negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.
“Ne mbështesim integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë kuptim, reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet në dokument.
Në këtë kuadër do të forcohet edhe shoqëria civile, shtohet më tej.
Duke iu kthyer Ballkanit Perëndimor, ata do të mbështesin normalizmin e dialogut – të udhëhequr nga BE-ja – ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, autoritetet gjermane, do të përpiqen të mbështesin ruajtjen e integritetit territorial dhe tejkalimin e ndarjeve etnike.
Po ashtu marrëveshja nënvizon se paralelisht me negociatat e anëtarësimit, duhet të përmirësohet kapaciteti i BE-së për të pranuar anëtarë të rinj.
o.j/dita
