Bedri Islami
Botuar në DITA
Pas gjashtë muajve mbyllur në kullën e tij, më në fund, Ilir Meta doli nga ngujimi dhe synon të futet në lojën e madhe të politikës. Përcaktimi i aleatit të tij , Basha, për të cilin shkeli me dy këmbët Kushtetutën dhe Ligjet e këtij vendi, më në fund, si duke dashur të dalë nga letargjia, e vendosi presidentin e vendit në Trekëndëshin e Bermudës, pra në Trekëndëshin e së Keqes dhe, kaq mjaftoi, që Ilir Meta të dalë jashtë kafazit presidencial dhe të ndërmarrë ofensivën e tij dëshpëruese.
Duke mos i mjaftuar vërshimi i çuditshëm dhe handikapat i tij në Foltoren Tv të Berishës, nga ku me zë dhe me figurë, si të rihapte bllokun e tij të famshëm, Meta tregoi se si përgjunjëzimi dhe lotët e Bashës, e pas tij, dëshpërimi i opozitës e kishin bërë të ndryshonte datën e zgjedhjeve vendore, megjithëse nuk kishte as tagër e asnjë ligj nuk ia jepte të drejtën, dhe për të cilën ai duhet të përgjigjet një ditë para ligjit, nëse do të ketë ndonjëherë ligj ndëshkimi në Shqipëri.
Tani Meta është në Kosovë. Nuk është interesante se si u përgatit kjo vizitë e beftë në Prishtinë dhe takimet që bëri ai me liderët e Kosovës, të cilët tani janë në një hall të madh. Nuk dinë se ku të mbështeten dhe cilin të mbështetin, pasi loja është zhbërë, letrat po hapen keqas dhe trekëndëshi i përplasjes, në fakt i së keqes është kundërvënë ndaj njëri tjetrit. Meta është sozia lësëiste e Berishës, Berisha është sozia demokratikase e Metës, Basha ishte pinjolli i dashur i Berishës dhe miku lakmitar i Metës e tash është armiku i tyre; Rama rri mjeshtërisht larg rrjedhës dhe hedh ndonjë gur në ujë, rreth të cilit për ta nxjerrë sillen 100 vetë e nuk e nxjerrin dot.
Në Prishtinë Meta, në 15 vitet e fundit, nuk ka qenë një lider i dashur. Ka qenë një drejtues që është respektuar për postet që ka pasur dhe kurrë nuk ka krijuar lidhje të qëndrueshme me liderët e atjeshëm, pasi vetë trajtimi që u ka bërë ka qenë sipas interesave të çastit dhe jo sipas bindjeve apo njësive të domosdoshme politike e kombëtare. Edhe serioziteti me të cilin ai u përfshi me gjithë çfarë kishte në përkrahjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , dashje pa dashje, ra në kurthin e mitit që u ngrit për kryeministrin e kohës, Pandeli Majko, dhe, si koha dëshmoi, vetëm ata që e ditën thellësisht rolin e tij, e bënë mik të veçantë. Njëri prej tyre Ramush Haradinaj, njeriu që të do sinqerisht, pasi në secilin shtetar ai sheh vendin amë.
Vizita e tij në Prishtinë nuk është shenjë e daljes së tij nga letargjia politike ku kishte rënë, i kapitur nga humbja dhe katandisja e forcës së tij politike në një minoritet deputetësh, sa që nuk krijon dot as grup parlamentar. Nuk ka të bëjë as me mbështetjen që mund të bëjë ai në dobi të njërit grupim politik apo të një tjetri. Ndikimi i tij në Kosovë aktualisht nuk çon peshë. Është e njëjtë sikur të jetë apo të mos jetë. Shqiptarët në Kosovë, ndryshe nga sa mund të mendohet, e ndjekin përsosmërisht rrjedhën e ngjarjeve politike në Shqipëri dhe e dinë fare mirë se njeriu në presidencë, i shkarkuar nga parlamenti dhe i mbrojtur nga rrethanat ligjore, nuk gëzon mbështetjen as të 7 për qind të banorëve të shtetit shqiptar, dhe, nëse do të përllogaritet edhe ndikimi i tij në diasporën shqiptare të shtetit amë, atëherë ndikimi i tij është nën katër për qind. Aktualisht është figura politike me ndikimin më të ulët në Shqipëri dhe, javët e muajt e ardhshëm, njëjtë sikur të jetë apo të mos jetë President, do të dëshmojnë se koha e tij ka mbaruar.
Në Kosovë Ilir Meta kërkon të gjejë atë që i mungon në Shqipëri. Të jetë dikush. Një Figurë që dëgjohet dhe që , për më tepër, këtë synon ta bëjë duke iu kundërvënë në gjithçka shtetit të tij. Edhe pse i duhet të qëndrojë mbi palët, ai synon të jetë palë, por tani në anën e palës së tretë, që njësohet me antiamerikanizmin në politikën shqiptare.
Meta synon të dërgojë mesazhe nga Prishtina drejt tre drejtimeve kryesore: drejt Departamentit të Shtetit, i cili prej kohe e ka bojkotuar, drejt Berishës, duke qëndruar në një linjë me të , dhe, drejt qeverisë Kurti, për të synuar mbështetjen e tij në ringritjen e figurës politike.
Duke iu kundërvënë Departamentit të Shtetit, të cilin e njëson me qeverinë Rama, ai ka ndezur bateritë për të përkëdhelur ato kërkesa që shqiptarëve në Kosovë mund t’u duken në një moment si të arsyeshme dhe që vetë i kanë kërkuar, si është heqja e pagesës në autostradën e Rrugës së Kombit. Apo në rihapjen e debatit për Ballkanin e Hapur, një çështje që më fort e më mirë se ai është shtruar nga analistët, por që ai e trajton me të njëjtën filozofi politike e fjalor si qeveritarët në Prishtinë.
Duke u njësuar me Berishën ai kërkon të ketë në Prishtinë po atë mbështetje që ka gëzuar Berisha në Kosovë, sidomos në vetë Lidhjen Demokratike, megjithëse me kryetarin e saj, Rugovën nuk flisnin që nga viti 1996 dhe Rugova ishte i pari që e shpalli non grata në Kosovë, kur nuk lejoi hyrjen e tij.
Berisha, megjithatë, edhe nga politika e heshtjes e Rugovës, e ruajti influencën e tij përmes zhurmës patalogjike kombëtare, si një enë boshe, por tani , vetë LDK është në reformimin e saj dhe liderët e rinj që u rifutën në lojë nuk kanë kohë për nostalgji berishiste, aq më tepër kur ky i fundit është tashmë kundërshtar i hapur i Departamentit të Shtetit.
Meta lëshoi sinjalet se do të jetë pjesë e Foltores, por në Kosovë askush nuk e merr më seriozisht lëvzjen berishiste. Duke u shpallur nga Prishtina armik i Bashës ai nuk mund të bëhet mik me të tjerët, sepse hasmërinë e tij politike nuk ia mbështet as Kurti, sepse ende nuk ka bërë asnjë lëvizje politike pro apo kundër Berishës, as Vjosa Osmani, një krijesë politike e futur në lojë nga amerikanët, e as liderët e rinj që nuk kanë luajtur mendsh që për Berishën apo Ilir Metën të kenë hasmëri me shtetin amerikan.
Ilir Metës iu desh një tribunë. Vrapoj dhe e gjeti në Prishtinë.
Është një gjetje nga halli dhe një tribunë e përkohshme.
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Mos u merrni me perralla duke vene popullin ne gjume!
Realiteti i sotem shqiptar eshte prodhim i ketyre 30 vjeteve ku nuk ka ekzistuar kurre as DEMOKRACIA dhe as SHTETI LIGJOR,por DIKTATURA!
Beni nje shkrim rreth ketyre qe konstatoj une me fakte dhe arsyetime llogjike dhe atehere lejoni lexuesit te komentojne pa censure dhe do shihni si eshte e verteta!
VINI GISHTIN NE PLAGE e jo ne marmalate!
Cfare kerkoi Ilir Meta ne Athine, menjehere pasi u zgjodh Kryetar Parlamenti nga Edvin Ramuti?
E ke bere ndonjehere kete pyetje, o Bedri kellira?
As mish, as peshk. Shkrimi. Sidoqoftë kësaj radhe nuk e pati me qeverinë. Zbuloi se takimet e liderëve funksionale sot në Kosovë si Vjosa, apo Albini, nuk e deklarojnë hapur dashurinë me Saliun dhe Liken. Kjo shihet si një reflektim, jo aq për bindjet e tyre sesa frikës se mund t’ju digjet karriera e tyre në ngjitje. Meta një yl në gremisje , çështje javësh.
Sa shume rezistece eshte e keqja. Ajo nuk shkulet kollaj.
Ajo u mboll kollaj dhe duhet shum pune per ta shkulur.
Eshte ngritur ne kembe nje Amerik dhe ajo resziston , pa u tundur fare !