Bursat dhe përjashtimi nga tarifa, afat shtesë aplikimi për studentët e Shkencave Sociale

J L

Të gjithë studentët e ciklit të parë “Bachelor” në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës kanë edhe një shans tjetër për të aplikuar për bursat e studimit, si dhe përjashtimin nga detyrimi për shlyerjen e tarifës vjetore të shkollimit për këtë vit akademik.

Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë publik bëjnë me dije se është hapur një tjetër afat shtesë për dorëzimin e dokumentacioneve për përjashtimin nga tarifa e shkollimit, si dhe për përfitimin e bursave për vitin akademik 2021-2022, për të gjithë ata studentë të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë në afatin e mëparshëm.

Data 3 dhjetor është edhe afati i fundit që studentët e të gjitha degëve të këtij fakulteti kanë në dispozicion për të bërë të mundur dorëzimin e kërkesës së bashku me dosjen e dokumenteve të përcaktuara për përfitimin e bursës dhe përjashtimit të tarifës së studimit. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, dokumentacioni mund të dorëzohet vetëm nëpërmjet postës në adresën e Fakutletit të Shkencave Sociale.

Për të mos rrezikuar përfitimin e bursës apo përjashtimin nga shlyerja e tarifës së studimit, autoritetet e këtij fakulteti sqarojnë se: “Studentët aplikues duhet të kenë kujdes që dokumentacioni i tyre të ketë ardhur në fakultet nga posta brenda datës 3 dhjetor 2021 që është afati përfundimtar i aplikimit. Duhet që pëveç dokumentacionit të kërkuar të bashkëngjitni edhe një kërkesë me shkrim në të cilën të specifikohet për çfarë aplikon studenti, bursë ose përjashtim nga tarifa vjetore e studimit”. Në rastin kur studentët janë përfitues edhe të bursës, edhe të përjashtimit nga tarifa e shkollimit, ekspertët sqarojnë se mjaftojnë të dorëzojnë vetëm një dosje të dokumenteve origjinale të përcaktuar (nuk është e nevojshme të paraqiten dy palë dokumenta). Ndërkohë që sipas kushteve të përcaktuara më herët, nuk do të mund të përfitojnë bursë apo reduktim të tarifës studentët që vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi, si dhe studentët përsëritës.

Kategoritë që përfitojnë bursë dhe përjashtim nga tarifa e shkollimit

Për studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike dokumentet që duhet të plotësohen janë: certifikatë familjare, fotokopje e dokumentit të identifikimit, si dhe vërtetim nga Njesia Administrative në lidhje me masën e ndihmës ekonomike që përfiton familja. Vërtetimi i ndihmës ekonomike duhet të ketë të shënuar aplikimin në sistem/numrin e dosjes dhe të jetë shënuar qartë shuma e ndihmës ekonomike (me shifra dhe me fjalë), si dhe masa e ndihmës ekonomike (e plotë ose e pjesshme). Vërtetimi duhet të jetë me numër protokolli, të jetë nënshkruar nga përgjegjësi i seksionit të ndihmës ekonomike dhe kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe të jetë i vulosur. (Njëkohësisht në vërtetim duhet të jetë e shënuar qartë adresa e njësisë së qeverisjes vendore që e ka lëshuar për efekt të verifikimit të mëtejshëm).

Ndërsa bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, bashkë me kërkesën e aplikimit duhet që të dorëzojnë edhe këto dokumente: vërtetim studenti nga institucionet publike të arsimit të lartë për secilin prej tyre, certifikatë familjare, si dhe fotokopje të kartës së identitetit të vetë studentit.

Për studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, kërkohen certefikatë familjare dhe fotokopje e kartës së identitetit, vërtetim origjinal (ose kopje e noterizuar) të lëshuar nga KMCAP për studentin me aftësi të kufizuar, si dhe vërtetimi për pagesën e aftësisë së kufizuar të lëshuar nga zyrat përkatëse (nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore apo nga zyrat e ndihmes ekonomike në Bashki).

Studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, duhet të dorëzojnë një kopje origjinale ose të noterizuar të vërtetimit të KMCAP-së për të dy prindërit me aftësi të kufizuar (invalid pune, invalid paraplegjik, invalid tetraplegjik), si dhe vërtetim origjinal të institutit të sigurimeve shoqërore për pagesën e pensionit të invaliditetit nga njësia administrative, vërtetimin e pagesës së paaftësisë për punë( për të dy prindërit, certifikatë familjare që vërteton lidhjen e studentit me invalidin e punës, invalidin paraplegjik ose tetraplegjik, si dhe fotokopje të kartës së ID të vetë studentit.

Studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë duhet të dorëzojnë së bashku me kërkesën certifikatë familjare, fotokopje të kartës së ID të vetë studentit, vërtetim origjinal të institutit të sigurimeve shoqërore për pagesën e pensionit të pleqërisë për prindin ose të dy prindërit. Ndërsa studentët që e kanë të njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton në dosje duhet të përfshijnë një certifikatë familjare, si dhe kopje të dokumentit të identifikimit, vërtetim origjinal të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për pagesën e pensionit të pleqërisë të prindërit që jeton, si dhe certefikatë vdekjeje për prindin që nuk jeton.

Më tej, studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë duhen vërtetim studenti, certifikatë familjare, vërtetim për të dy fëmijët e parë që janë student në strukturat publike të arsimit të lartë.

Për studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç (sipas Ligjit Nr. 8153, date 30.10.1996) duhen certifikatë familjare dhe fotokopje e kartës së identitetit; certifikatën e vdekjes së dy prindërve, fotokopje e noterizuar e statusit të jetimit të përfituar nga ministria përgjegjëse. Ndërsa studentët që kanë humbur përgjegjësinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë duhen certefikatë familjare, fotokopje e kartës së identitetit, vendim gjykate i formës së prerë që studenti ka humbur përgjegjësinë prindërore (nga të dy prindërit).

Studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç duhet të dorëzojnë certifikatë familjare dhe fotokopje të kartës së identitetit, vërtetim nga Ministria e Mirëqënies Sociale ose Ministria e Brendshme që kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore.

Për studentët që rezultojnë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të ShërbimitInformativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, kërkohen certifikatë familjare dhe fotokopje e kartës së identitetit, certifikatë vdekje e prindit që ka humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, si dhe vërtetim nga Ministria përkatëse.

Gjithashtu do të përfitojnë vetëm përjashtim nga tarifa vjetore e shkollimit edhe kategoritë si vijon: studentët romë dhe egjiptianë, të cilët do të identifikohen nëpërmjet vetëdeklarimit, fotokopjes së kartës së identitetit, vërtetimit të anëtarësisë në shoqatën përkatëse dhe vetëdeklarimit tek noteri.

Përjashtim do të përfitojnë edhe studentët fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie, të cilët duhet të dorëzojnë një certifikatë familjare që vërteton lidhjen e studentit me prindin të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie, vërTetimi i statusit të prindit ish të përndjekur/dënuar politik, dëshmi penaliteti për prindin ish të përndjekur politik ose vërtetim për kohën e dënimit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndërsa studentët, të cilët kanë, të paktën, njërin prind person me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë duhet të dorëzojnë kopje origjinale ose të noterizuar të vërtetimit të KMCAP, vërtetim të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për pagesën e pensionit të invaliditetit/ose vërtetim të masës së pagesës të aftësisë së kufizuar, certifikatë familjare që vërteton lidhjen e studentit me prindin me aftësi të kufizuar, si dhe fotokopje të kartës së identitetit të studentit dhe të prindit invalid.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *